Gjatë shekujve, Shkupi ka qenë një qendër e rëndësishme kulturore dhe historike brenda hapësirës së vet gjeografike. Rritja dhe rëndësia e tij vazhdoi me ritme të pandërprera deri sa arriti pikun e vet, kur qyteti u rrafshua me tokën nga gjenerali austriak Pikolomini në vitin 1689, duke e nxjerrë qytetin nga trajektorja e zhvillimit. Thuhej se në atë kohë Shkupi ishte sa Praga, me rrugë me kalldrëm të bardhë, me kopshte më të bukura se të Romës, që të linte pa frymë nga bukuria, por edhe që i shkaktoi gjeneralit dhimbje të thellë, pasi iu desh ta digjte për shkak të kolerës.
Edhe luftërat dhe pushtimet e vazhdueshme dhe tërmetet shkatërruese të viteve 518 dhe 1555 nuk e penguan rikthimin e tij në pozicion me rëndësi. Mirëpo zjarri që ra nga fundi i shekullit XVII ia ndërpreu vijimësinë me një periudhë përgjumjeje 200-vjeare, deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX kur rifilloi ringjallja e tij, vetëm për ta shumëfishuar zhvillimin disa herë gjatë shekullit XX.
Pika kulminante e veprimeve fuqizoi pozicionin e qytetit si një qendër me rëndësi, si kryeqytet të provincave në mbretëri të huaja, por edhe si kryeqytet të shtetit modern maqedonas. Shekulli i njëzetë nuk e ruajti qytetin nga tundimet e agresionit njerëzor dhe katastrofat natyrore, prej të cilave tërmeti i vitit 1963 i dha goditjen më të rëndë.
Ajo çka dëshmoi pjekuri në mesin e turbullirave të tilla ishte urbanizmi që ia doli të përkufizojë një qytet ku dallojmë shtresat e kohërave antike, mesjetare, orientale, evropiane, moderne dhe bashkëkohore. Sigurisht, ka hapësirë për disa dilema rreth rindërtimit pas tërmetit, ku aspekti eklektik i qytetit nuk u vlerësua mjaftueshëm, por kompromisi dhe veprimet e reja ishin aq domethënëse, saqë Shkupi u bë qendra e trendeve arkitekturore dhe urbane për disa dekada me radhë.
Çfarë ndodhi më pas?
Erdhën vitet e 90-ta, me shpërbërjen e federatës së fuqishme dhe shkëputjen e shtetit maqedonas në një shtet të pavarur. Kjo ishte një periudhë e tranzicionit, gjatë së cilës vlerat shoqërore dhe të përbashkëta u përcëlluan nga kapitalizmi shpërfillës. Individët, biznesmenët e brenda natës, kampet politike dhe organizatat etnike të papjekura i kishte kapluar lakmia duke kriuar kështu një shoqëri kaotike të ndarjes së pushtetit dhe plaçkitjes së territoreve nën qeverisje.
Rezultati ishte institucioni Qyteti i Shkupit dhe 10 komunat që kanë kompetencë të ndryshme, të cilat u përkasin agjendave të ndryshme politike dhe nuk kanë asnjë kontakt me thelbin e urbanizmit dhe arkitekturës. E gjitha ka të bëjë me mbijetesën (me disa përjashtime), pa vizionet që kemi patur vetëm 50 vjet më parë.
Masa e fundit dhe agresioni i dukshëm ishte projekti “Shkupi 2014”, si dukuri që shkonte përtej profesionalizmit, ku përziheshin të gjitha llojet e vullnetit të mirë, romanticizmit, nostalgjisë dhe abuzimit të pushtetit, duke krijuar shpërqendrimin e përkryer nga pjesët e tjera të qytetit, tërësisht i zhytur në sëmundjen autoimune urbane (ballkonë të ndarë, shtesa të ndërtesave sipas dëshirave individuale, etj).
Boshti historik Veri-Jug
Shkupi oriental dhe mesjetar kishte në qendër atë që sot e njohim si Bit-pazar. Është rrafshina ndërmjet kodrave, në njërën anë Gradishtja, ku gjendet Kalaja e Shkupit (nga shekulli VI e në vazhdimësi) dhe Kodra e Virgjër, nga ana tjetër.
Manastiri i njohur “Shën Gjergji” gjendej këtu dhe mbi të, në vitin 1436 është ndërtuar Xhamia e Sulltan Muratit në oborrin e së cilës, një shekull më vonë, ndërmjet viteve 1566 dhe 1572 u ngrit Kulla e Sahatit të Shkupit, në një hapësirë në njërën prej kullave të kalasë.
Duke nisur nga kjo pikë, si pikë në hapësirë, dhe duke kaluar nëpër pazarin me traditë 10-shekullore, apo Pazari i Vjetër i Shkupit, që ka ekzistuar në të njëjtin vend që nga periudha e Bizantit, pastaj nëpër Urën e Gurit të madhe (të ndërtuar mbi themelet e shekullit VI), pastaj përmes sheshit qendror të Shkupit dhe që dikur ka qenë rruga më e rëndësishme e qytetit, si lëvizje urbane të Shkupit evropian, u krijua boshti që përfundonte me pikën e jashtëzakonshme në simbolikën e qytetit para tërmetit: Stacioni i Trenit i vjetër, që sot është Muzeumi i Qytetit të Shkupit.
Stacioni i trenit është përkufizuar në vitin 1873 si një pozicion urban, kur u hap hekurudha Shkup-Selanik dhe Shkup-Mitrovicë, ndërsa ngrehina, mbetjet e së cilës ekzistojnë ende sot, është vepër e arkitektit Velimir Gavriloviq, ndërtuar ndërmjet viteve 1931 dhe 1940.
Këto dy pika, si pikënisje dhe pikëmbarim, janë pozicioni jashtëzakonisht të rëndësishme arkitekturore-urbane, me ndërtesa të gjalla dhe autentike nga kohëra të ndryshme. Boshti është përafërsisht një zonë këmbësorësh 2 km e gjatë, që bashkon dy anët e qytetit tejpërtej lumit Vardar, nëpërmjet një rrëfimi të trashëgimisë kulturore dhe hapësrës që është zhvilluar përgjatë mijëvjeçarit.
Që të dyja këto pika janë sulmuar nga urbanizmi injorant që shpërfill krejtësisht ekzistencën e tyre, dëshminë e tyre, duke i gjuajtur ato në mëshirën e investitorëve, pasi autoritetet janë dëshmuar të paafta dhe pa vizion për t’i menaxhuar këto zona.
Kulla e Sahatit
Duke lëvizur nga qendra e qytetit drejt Bit Pazarit, ndalmi në qendër ku vështrimi të ndalet tek kodra, mbi të cilën domonin Kulla e Sahatit. Kjo është pika e fundit që mund të shohësh dhe si vizitor, mund të jetë destinacioni yt i fundit.
Pozicioni i saj ka patur kuptim që nga e kaluara, është pikë në hapësirë, ndërsa sahati është ai që përcaktonte kohën për tregti, për takime, për të shenjuar fillimin dhe përfundimin e ditës së punës. Kjo tregon se qëllimi kryesor i këtij objekti është shtrirja e tij, pamore dhe zanore.
Mirëpo urbanizmi maqedonas sot ka paraparë ndërtesë në këmbët e sagatit, me pamje nga bulevardi. Lartësia e këtyre ndërtesave e fsheh pamjen e Kullës së Sahatit dhe shpërfill tërësisht rëndësinë e tij, si historike, ashtu edhe funksionale. Në fund të fundit, kalimtarët e zakonshëm dhe rastësore mund të mos e zbulojnë kurrë ekzistencën e tij.
Stacioni i vjetër i trenit
Në anën e kundërt të boshtit hapëesira bën bashkë disa segmente: Muzeumin e Qytetit të Shkupit, krahu, veranda dhe porta e ndërtesës së ish-stacionit të hekurudhës, si gjest përkujtimor i mjetit qendror të ndërtesës, platformave ku disa vagonë janë shndërruar në restorane, klube nate dhe parkingje. Kjo hapësirë gjithnjë është menduar si një tërësi komplekse dhe e pandashme, por në fakt është hapësira kur dikur stacioni ka ekzistuar i tëri. Në vitet ’90-të të shekullit të kaluar për këtë hapësirë është organizuar një nga garat më të arsyeshme me temën “Shtëpia e Qytetit”, që solli idenë për ta përfshirë në pjesën e munguar të ndërtesës. Sigurisht, mbeti vetëm në letër.
Kjo ndërtesë ka vlera të posaçme arkitekturore dhe rëndësi të veçantë për historinë e qytetit. Për të kanë folur me admirim, ndërsa murali i pozicionuar në mur është një nga arritjet më të mëdha të kubistit maqedonas Borko Lazevski.
Muzeumi i Qytetit të Shkupit ka qenë simbol i tërmetit katastrofik për gjysmën e dytë të shekullit dhe monument i përpjekjeve të vështira të qytetit-feniks. Në të njëjtën kohë, institucioni i Qytetit të Shkupit dhe Komuna e Qendrës, që bartin simbolin e zogut feniks mbi shpinë, kanë lejuar poshtërimin e kësaj ndërtese. Në të ardhmen e afërt, kjo do të rrethohet nga të gjitha anët nga një qendër tregtare, si simbol i vërtetë i kapitalizmit dhe interesave private mbi ato shoqerore.
Me realizimin e projektit të Limak-ut, apo të kompleksit “Diamanti i Shkupit”, është krijuar një precedent për ndarjen e parcelave, gjë që ka mundësuar fragmentarizimin e tërësisë dhe potencialit të hapësirës dhe çka është më e turpshmja, ka lejuar shkatërrimin e platformave dhe pjesëve origjinale të ndërtesës së stacionit të trenit, që gjithashtu kishte status të mbrojtur.
Praktikisht, institucionet e udhëhequra nga kushdo dhe të gjitha kampet politike kanë shpërfaqur papjekuri për të gjitha temat sa i përket trashëgimisë kulturore, vlerësimit arkitekturor të hapësirës dhe detyrës së urbanizmit si pikënisje për planifikimin hapësinor. Në të njëjtën kohë, në vazhdën e qytetërimit, e keni dëshmuar veten se nuk jemi të vlefshëm dhe jemi poshtë mesatares së brezave, pra, jemi hallka më e dobët. Mirupafshim!
Filip Konevski ka lindur në Shkup në vitin 1987. Ai ka diplomuar nga Fakulteti i Arkitekturës në Shkup me temën “Instituti i ruajtjes dhe restaurimit”, ndërsa për momentin ai po punon për temën e tij të masterit “Qasje aktive ndaj trashëgimisë arkitekturore”. Përvoja e tij e punës përfshin studio arkitekturore, punëdore dhe arti. Përveç themelimit të MARH-it dhe manxhimit të hapësirës, aktualisht ai është i punësuar pranë një studioje projektuese në Shkup. Pjesën tjetër të kohës ai ia kushton disa sferave të fushën e krijimtarisë, ndërsa në sferën e tij të shtëpisë (arkitektura), Filipi ka fituar çmime individuale dhe grupore nëpër gara vendore dhe ndërkobmëtare.