Qoftë në vendin e krimit, në një stol ose në kompjuter, mjekët ligjorë që kanë punuar në ekzaminimin e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, dhe në vendet tjera, u janë ekspozuar përjetimit të mizorive dhe kanë dëshmuar ato. Ata kanë identifikuar të zhdukurit, duke ndihmuar në bashkimin e mbetjeve me familjet. Ata kanë bërë ekzaminimet si një mjet i drejtësisë penale, por gjithashtu mbajnë tagrin emocional të punës që bërë. Katër nga ata që kanë punuar në Kosovë tregojnë historitë e tyre: Valon Hyseni, Robert McNeil, Luísa Marinho dhe Javier Santana. Seri blogjesh nga Serbeze Haxhiaj.
Valon Hyseni: Trupat e fshehur të tërheqin
Valon Hyseni tregon se ndër vite ka ndier se disa nga tiparet e tij kanë ndryshuar dhe profesioni ia ka formësuar edhe më shumë ndjeshmërinë ndaj gjërave që e rrethojnë.
Përgjatë karrierës, si ekspert i mjekësisë ligjore, ai ka parë sesi rast pas rasti, vuajtja e atyre që kanë vdekur dhunshëm peshon në qenien e tij.
Derisa nuk ishte bërë pjesë e ekipeve të kërkimit për të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë, Hyseni nuk e kishte ditur se për një mjek ligjor, etnia është gjithashtu një copë e madhe në atë se si përjetohet ekzaminimi dhe identifikimi. “Kur merresh me këtë punë fokusohesh në detyrën që ke. Por kur sheh mizoritë mbi viktimat dhe kur ato janë ende të fshehura në tokën e tyre, ne bëjmë detyrën ashtu si për secilën viktimë, por etnia ka peshën e vet”, thotë ai.
“Ata nuk do të jenë në gjendje të tregojnë se si i vranë, apo vuajtet që kaluan. Ne ekzaminojmë atë,” – thotë ai/
Në varre dhe në tavolinën e ekzaminimit, mjekët si Hyseni nxjerrin njëjtë rezultatin shkencor të autopsive. Por në përfytyrimet e tyre për viktimat, shpesh kryerësit u parakalojnë aty përreth, afër vendeve ku trupat e të zhdukurve kanë qëndruar të fshehur me dekada. “Shpesh policët apo të tjerët që janë aty na duken si kryesit, si ata që e dinë se trupat ishin aty”, thotë Hyseni.
Ai thotë se viktimat që ekzaminojnë nuk do të mund të tregojnë si u vranë dhe ta përshkruajnë gjithë vuajtën që patën deri në fund. “ Ne jemi zëri i tyre”, thotë ai. “Vendvarrimet akuzojnë përmes mbetjeve të tyre”.
Pjesa më e vështirë për të ka qenë ekzaminimi i trupave apo mbetjeve të fëmijëve. “Kur kam të bëjë me fëmijë, është vështirë e përballueshme. Gjithmonë bëjë një lloj lidhje me fëmijët e mi”, tregon Hyseni.
Shumë nga civilët e vrarë në Kosovë vazhdojnë ende të gjenden në varreza të fshehura në Serbi, në lokacionin e dytë apo të tretë, varësisht sa herë janë varrosur e zhvarrosur trupat e tyre, kryesisht gjatë pranverës së vitit 1999.
Hyseni thotë se në përvojën e tij mjekoligjore Kizhevaku në Serbi është një simbol i të dyjave paralelisht: mënyrës për të fshehur një krim duke i mbuluar në thellësi dhe këmbënguljes së ekipeve kosovare për të kërkuar në atë pjesë.
“Ishin plot pesë vjet kërkime. Pesë vjet betejë për të vazhduar kërkimin dhe presionit për të hequr dorë”, tregon Hyseni.
“Nuk hiqnim dorë sepse vendi na tërhiqte. Na dukej se po na thërrisnin (mbetjet e viktimave)”, rrëfen ai. “Kur janë gjetur mbetjet e para kam qajtur nga gëzimi”.
Hyseni flet për një pjesë të barrës psikologjike të kësaj pune, për të cilën zakonisht mjekët ligjorë u nënshtrohen konsultave të rregullta psikologjike, shërbim që Instituti i Kosovës ende nuk po mund t’ua ofrojë stafit të vet.
“Në fillim kisha problem të flija. Por me kohë fillova të mësohem”, thotë ai. “Është sikur një shportë kur mbushet dhe ti nuk guxon ta hapësh”.
Rrobat dhe gjërat tjera personale të nxjerra nga varret masive, shumica me vrima të qarta plumbash kanë pasur gjithat ndikimin e tyre emocional. “Personi i zhdukur që të afërmit e kërkojnë, pas gjetjes dhe identifikimit, bashkohet me personin që ka mbetur në kujtesën dhe imagjinatën e të afërmve. Por rrobat kanë një peshë të madhe”, thotë ai.
Hyseni tregon se një dimension tjetër i zbardhjes së fatit të të zhdukurve është fuqia e rrobave që pas identifikimit të personit ndahen nga pronarët e tyre. “Ato (rrobat) sjellin një ndjesi të çuditshme, një emocion krejt ndryshe me atë të eshtrave, jo vetëm për familjarët”, rrëfen Hyseni. “Rrobat kanë një fuqi ndjellëse dhe simbolizuese të përpjekjes për ta zhdukur të vdekurin”.
Në përpjekje për të humbur gjurmët, në shumë raste pas masakrave të kryera, forcat serbe kanë përdorur punëtorët romë të kompanive komunale të pastrimit, për të zhvarrosur dhe ngarkuar në kamionë të vrarët, duke shpërndarë nëpër varreza të ndryshme në Kosovë e Serbi. “Kjo e ka bërë tejet të ndërlikuar procesin e identifikimit”, thotë Hyseni.
Megjithatë, ai thotë se gjetja dhe identifikimi nuk sjellin aq qetësi.“Është dëshpëruese që kryerësit të mos dalin kurrë para gjyqit. Ajo që bëjmë ne është vetëm një pjesë”.