Qoftë në vendin e krimit, në një stol ose në kompjuter, mjekët ligjorë që kanë punuar në ekzaminimin e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, dhe në vendet tjera, u janë ekspozuar përjetimit të mizorive dhe kanë dëshmuar ato. Ata kanë identifikuar të zhdukurit, duke ndihmuar në bashkimin e mbetjeve me familjet. Ata kanë bërë ekzaminimet si një mjet i drejtësisë penale, por gjithashtu mbajnë tagrin emocional të punës që bërë. Katër nga ata që kanë punuar në Kosovë tregojnë historitë e tyre: Valon Hyseni, Robert McNeil, Luísa Marinho dhe Javier Santana. Seri blogjesh nga Serbeze Haxhiaj.
Luisa Marinho: fuqia e imazheve
Luísa Marinho, një antropologe forenzike, si shumë të tjerë si ajo, ndjeu aq shumë herë duart që i dridheshin, mendja duke punuar me shpejtësi dhe emocionet që sjellin parehati në një sallë të zakonshme pune ku bëhet autopsia e një të vdekuri.
Kur kishte nisur të punonte, antropologia portugeze nuk mund të bënte ekzaminimin derisa të vdekurit t’i mbulohej fytyra.
Pasi nisi të punonte në vende të ndryshme, përfshirë edhe kërkimin për të zhdukurit e luftës civile në Spanjë, asaj i ra të marrë në dorë mbetjet e atyre që u vranë dhe me vite trupat u ishin zhdukur. Atë që e përjetoi, ishte një tjetër ndjesi – dhimbjeje e afërsie.
Tani kur si pjesë e misionit evropian (EULEX) në Kosovë bën ekzaminimet e mbetjeve të personave të vrarë e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ajo kërkon të shohë fotografitë e tyre. “Është si një plotësim mozaiku për mua”, thotë Marinho.
Ajo e ka të e vështirë ta shprehë me fjalë një punë si ekzaminimi mjeko-ligjor për faktin se merr aq shumë informacion nga aq pak gjë. “Mund të marrësh aq shumë përgjigje në të njëjtën kohë nga shumë pak burime”, shpjegon ajo.
Për Marinho, më nuk është e rëndësishme se sa i vjetër është një rast. Këtë ajo e ndjeu kur nisi të punonte në të ashtuquajturat “raste të ftohta” në Kanda, në vrasjet që nuk ishin zgjidhur për shumë dekada, duke gjetur dhe identifikuar të zhdukurit, që thjesht nuk u harruan, por nuk u kërkuan siç duhet.
“Nuk mund të qëndrosh indiferent apo ftohtë sepse ndjen po të njëjtin zemërim apo dhimbje, gati sa edhe familjet që janë përreth”, thotë ajo.“Ato janë momente të vështira që ne duhej t’i kalojmë”.
Më e rënda, thotë ajo, është kur i bie të merret me trupa apo mbetje fëmijësh sepse thotë se është një moment kur nuk mund të frenojë emocionet.
“Kur ke të bësh me më të vjetër e kupton se është proces jetësor. Por te fëmijët sado që mundohesh që t’ua mbyllësh derën emocioneve, e ndjen dhimbjen për atë jetë që është këputur dhunshëm”, tregon ajo.
Në këtë fushë marrëdhënieje me vdekjen, Marinho thotë se ndonëse nuk ka asnjë sfond shpirtëror apo fetar “ekzaminimi gjithmonë shkakton dhimbje”.
Një pjesë e punës së Marinho është ekzaminimi i mbetjeve që vijnë nga Serbia, e që të gjitha në raportet e lëshuara kanë “shkaqe të panjohura të vdekjes”. Ajo thotë se profesionalisht nuk mund të fshihet e vërteta, kur ka plumba në secilin prej tyre.
“Mendoj se është e rëndësishme të thuhet se në përvojën time patologu dhe antropologët ishin të përpiktë në ekzaminimet e tyre”, thotë ajo.
Marhinho tregon se shpesh nuk mund të mësohen detaje për jetën e personit i cili po ekzaminohet. “Në këto raste është më e lehtë për ne, ngase na mbron në një mënyrë që të mos kemi atë informacion apo atë kontakt që na prekë”, shpjegon Marhinho.
Por për të, ajo që mund të duket si rast “i mbyllur”, kur ia dorëzon mbetjet familjes, nuk është diçka e përfunduar. “Kjo nuk do të thotë drejtësi për viktimën, e as familjen. Nuk mund të thuhet se është çështje e mbyllur për ta”, thotë ajo.
Në disa raste ata që kanë pritur me vite për të gjetur të afërmit e tyre shpesh kanë qenë jenë thjesht të lumtur dhe të lehtësuar që mbetjet po u kthehen. “Disa nga këto familje që takojmë na thonë se derisa nuk i shohin kryesit në burgje, nuk do të ndjejnë aspak lehtësim. Kështu që ne lidhemi me këtë”, thotë ajo.
Por gjithmonë pas identifikimit mbetet një rrugë e gjatë derisa zhvillohet një hetim penal. “Kur shkojë për t’ua dorëzuar familjeve të afërmit e tyre të identifikuare shoh se kjo do të thotë bota për ta”, tregon ajo. “Në atë rast ju ndani trishtimin e tyre”.
Herë të tjera ajo përballet me zhgënjimin dhe zemërimin e familjeve për gjithë ato vite pritjeje.
“Ndonjëherë mendoj se si mund të jemi ende këtu, duke kërkuar kushedi sa vjet apo duke pyetur: Pse nuk u bë më shpejt?”