Burimi: Recom.Link
Foto: Dy varre masive pranë Snagovos, Zvornikut, në Bosnie e Hercegovinë. Foto nga: MyBukit
Gjurmimi i drejtësisë tranzicionale në Ballkan: viktimat e krimeve të luftës dhe zëri i tyre civil
Në vitin 2015, Dr Denisa Kostovicova fitoi bursën Leverhulme Research Fellowship që i dha asaj mundësinë të trajtonte në thellësi meritat dhe kufizimet e qasjes rajonale ndaj drejtësisë tranzicionale në Ballkan. Nëpër disa postime blogu, Dr. Kostovicova eksploron çështje të mëdha të politikës së konfrontimit të mizorive masive apo etikës së studimit se si njerëzit dhe komunitetet pajtohen me të kaluarën e dhunshme. Ajo fillon me shtjellimin e punës së saj në këtë fushë dhe merret me çështjen e viktimave dhe zërit të tyre qytetar.
Së pari, ky artikull është publikuar në LSE Government Department blog. RECOM.link do të ripublikojë dhe do të përkthejë në gjuhët lokale këtë seri të artikujve nga Dr. Kostovicova.
Historitë e viktimave
Të dalësh jashtë për të ndjekur çështjen e drejtësisë pas një konflikti do të thotë të hasësh histori tronditëse të humbjes dhe vuajtjes.
Një nënë tregon se si heshtja e dhimbshme kaplon shtëpinë e tyre vit pas viti kur vjen data e lindjes së djalit të saj, i cili edhe pothuajse 20 vjet pas konfliktit mbetet i zhdukur. Teksa përballen me humbjen dhe mosdijen, identifikimi i mbetjeve të viktimave jo gjithnjë sjell përmbylljen. Një vajzë më tregon fotografinë e babait të saj – më saktë, disa kocka të renditura që t’i përngjajnë një forme skeletore dhe disa rrecka në vend të rrobave. Mirëpo atë vajzë e bren dyshimi nëse vërtetë ka varrosur babain e saj. Pavarësisht përputhjes së ADN-së, raporti mjeko-ligjor e kishte gabuar datën e vdekjes së tij me tre vjet. Në një tjetër rast, shtangesh kur dëgjon se si prindërit me modesti e fshehin dhimbjen e tyre për të mbështetur miqtë që kanë humbur pesë fëmijë, kurse ata kanë humbur një.
Po çfarë na rrëfejnë këto histori përveç dhimbjes kur jeton me humbjen? Pse janë me rëndësi për një shkencëtar politik?
Gadishmëria e jashtëzakonshme e viktimave për të folur me mua, edhe pse ndalen ndonjëherë nga ndonjë zbulim i papritur i ndonjë varri tjetër masiv që është kërkuar prej kohësh, tregon një histori politike po aq prekëse të margjinalizimit të dyfishtë të viktimave.
Margjinalizimi i dyfishtë
Bursat e drejtësisë tranzicionale vënë në dukje rëndësinë kur pala dhunuese e pranon vuajtjen e viktimave. Kjo dinamikë ndëretnike është pika e fillimit për çfarëdo ndjesie të drejtësisë apo pajtimit. Historitë e sotme të viktimave të luftërave ballkanike në vitet 1990 tregojnë se pranimi i vuajtjeve të tyre përtej linjave etnike ende nuk është shfaqur.
Mirëpo këto histori flasin edhe për një realitet të pafolur të margjinalizimit të viktimave brenda komuniteteve të tyre etnike. Ato flasin për jetesën, sikurse e shpjegojnë, në ‘shoqëri indiferente’. Ndjesia e margjinalizimit brenda llojit të tyre është e pranishme tek të gjitha viktimat në rajon, pavarësisht grupit të tyre etnik. Viktikmat kujtohen, ndonjëherë. Por kur elitat politike e kthejnë vëmendjen e tyre nga viktimat, ka gjasa që ky të jetë rast kur elitat shpresojnë të shënojnë pikë politike dhe të rrisin kredencialin e tyre nacionalist. Pjesën tjetër të kohës, viktimat lihen në përditshmërinë e tyre për të siguruar ekzistencën me mbështetje të vakët apo aspak mbështetje nga shteti.
Për mua është e qartë se gadishmëria e viktimave për të folur me një hulumtuese të jashtme duhet të shihet si pjesë e përpjekjeve të tyre për të gjetur zërin.
Zëri qytetar
Gjatë udhëtimeve të mia, krahas viktimave, unë jam takuar edhe me shumë aktivistë të të drejtave të njeriut, kam qenë dëshmitare e përpjekjeve të tyre të palodhura për të evidencuar të gjitha krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut për të na përkujtuar padrejtësinë, ndreqjen që ende nuk është bërë dhe për t’u ndihmuar njerëzve të jetojnë me traumat që kanë përjetuar.
Ndryshe nga elitat politike që janë treguar të afta të manipulojnë padrejtësitë e së kaluarës, organizatat dhe grupet e shoqërisë civile në të gjithë rajonin kanë dëshmuar se janë i vetmi vend i sigurtë i besueshëm ku viktimat mund të shpresojnë të gjejnë mbështetjen dhe zërin e tyre. Duke patur këtë parasysh, nevojitet reflektim për bursat me rëndësi kritike për ndërtimin e paqes. Në këtë bursë ka dy argumente, ku përpjekjet dhe misioni i shoqërisë civile po fitojnë terren.
Njëri argument është se organizatat e shoqërisë civile në rajone globale pas-konfliktit, sikurse Ballkani, nuk janë tjetër veçse një lloj i ri i ‘profiterëve të paqes’. Këta akterë kinse me orientim civil jo vetëm që përdorin fondet e Perëndimit si burim qiraje, por puna e tyre në drejtësinë tranzicionale është e fabrikuar. Si e tillë, është një indikator më i mirë i prioriteteve të fondeve nga donatorët se sa përkushtim normativ, madje dhe moral, ndaj drejtësisë.
Linja tjetër e argumentit merret me avokimin dhe gjuhën universale të të drejtave të njeriut, sipas të cilës, të këmbëngulësh për të konfrontuar dhe dënuar krimet e kryera në emër të kombeve të tyre është e papërshtatshme dhe joefektive.
Pylli dhe matja me kut
Kur është fjala për llojin e ri të profiterëve, sigurisht që çdo pyll e ka një dru të shtrembër dhe përjashtim nuk bën as shoqëria civile. Nga vëzhgimi i aktivistëve të të drejtave të nejriut kam gjetur se ka gra dhe burra me bindje të thella. Asnjë motiv i dobët nuk do t’i bënte ata të jetojnë çdo ditë me dhimbjen e dikujt tjetër teksa regjistrojnë hollësitë e krimeve apo shkeljen e të drejtave të njeriut, apo që t’u jepte forcën për ta përballuar stigmën e tradhëtarit brenda vetë grupeve të tyre etnike, sepse ata janë të zëshëm për krimet që kanë kryer bashkatdhetarët e vet.
Unë ende po pres të më bindin se ky lloj i aktivizmit qytetar mund të blihet për një grusht eurosh apo dollarësh (dhe e kam parasysh shumë mirë rëndësinë e këtyre shumave në ekonomitë në depresion të shteteve ballkanike). Për ta përfunduar këtë argument mondan të parave — jo çdokush matet me të njëjtin kut. Ka shumë më tepër konsiderata serioze që duhen marrë parasysh.
Argumenti për krijimin artificial të shoqërive civile rrëzohet para asaj që tani do ta quanim perspektiva historike. Ajo e anashkalon historinë e shoqërisë civile dhe aktivizmin e saj liberal. Është e vërtetë se lëvizjet anti-luftë, në format e tyre të ndryshme, ishin të kufizura gjatë luftërave në vitet 1990. E megjithatë, ato ekzistonin dhe beteja pas luftës për drejtësinë ishte progresioni i tyre i natyrshëm.
Po ashtu, argumentet se të drejtat universale të njeriut janë një imponim i huaj nuk është tjetër veçse një formë e ekzoticizimit të Ballkanit që përshkruan diçka tjetër, të ndryshme madje indigjene, si mënyrë për të përballuar tmerret e së kaluarës për botën jo perëndimore. Po ashtu, poshtëron viktimat. Nuk njeh nevojën e vërtetë për drejtësi lokale dhe pikërisht atë lloj të drejtësisë riparuese që u shërben aq mirë të gjithëve në Perëndim.
Së fundi, pretendimi se këmbëngulja e shoqërisë civile për t’u përballuar me të kaluarën është ose joefektive, ose e papërshtatshme, nuk bën tjetër veçse u ndihmon ‘shoqërive indiferente’.
Implikimet
Ndërkohë që i gjithë fokusi është tek shoqëria civile liberale ‘e kooptuar’, ne anashkalojmë një rikonfigurim politik më të rrezikshëm të politikave lokale. Ka shumë pak, për të mos thënë asnjë, përpjekje të bursave liberale për ndërtim të paqes që të kuptojnë shfaqjen e një ane vërtetë të errët të shoqërisë civile që sigurisht është më e vërtetë se sa elitat politike në refuzimin që i bën konfrontimit me të kaluarën kriminale dhe shumë më e rrezikshme pikërisht për këtë. Me ato elita kokëforta që nuk kanë interesim të vënë në vend krimet e luftës dhe me shfaqjen e mungesës së liberalizimit brenda shoqërisë, hapësira liberale është zvogëluar së tepërmi. Ne të gjithë e dimë se çfarë ndodh kur nuk mësojmë nga gabimet e të kaluarës. Për një gjë pajtohemi të gjithë, se ajo ndjenjë e padrejtësive në të kaluarën ishte një nga shkaktarët e luftërave në Ballkan në vitet 1990.
Dr Denisa Kostovicova është Profesore e Asociuar për Politika Globale pranë Departamentit të Qeverisë në LSE.
Shënim: Ky artikull përmban pikëpamjet e autores dhe jo të pozicionit të saj pranë Departamentit të Qeverisë dhe as të London School of Economics.
(Publikuar në blogun e LSE, 18 shkurt 2016)