Më 2 nëntor 2022, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut në Shkup miratoi nëpërmjet një procedure urgjente, amendamentet e Ligjit për Shoqatat dhe Fondacionet (LSHF) të propozuar nga opozita. Kjo lloj sinergjie ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës haset rrallëherë. Ky do të kishte qenë një shembull i shkëlqyer i vendosjes së interesit publik në krye të agjendës, përpara interesit politik ose personal, duke njohur rëndësinë e mundësimit të kornizës ligjore për Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC). Mirëpo, është tregim i një tjetër zgjidhjeje të shpejtë që thjesht duket logjike, madje dhe e mirë, për ata që nuk janë të ngarkuar nga ndërlikimet afatgjata të politikave populiste.
Amendamentet e lartpërmendura nuk janë përcjellë në regjistër për shkak të procedurës urgjente, që kur zbatohet, nënkupton se ndryshimet dhe ligjet nuk janë të hapura për debat publik apo për konsultime të jashtme. Mjaft paradoksalisht, ligji që duhej të siguronte dhe mundësonte pjesëmarrjen, konsultimin dhe promovimin e përfshirjes qytetare u publikua në mënyrë të tillë që parandalon praktimimin e këtyre shtyllave të demokracisë pjesëmarrëse.
Për të dhënë ca sfond rreth situatës, nevoja për amendamentet e ligjit u bë e pashmangshme pas shpërthimit të zemëratës së publikut që pasoi hapjen e Qendrës Kulturore Ivan (Vanço) Mihailov në Manastir në pranverën e vitit 2022.
Edhe pse djathtistët në Bullgari e konsiderojnë si hero kombëtar, Ivan Mihailovi, i cili ishte prijësi i fundit i Organizatës klandestine të Brendshme Revolucionare Maqedonase, VMRO, ka një imazh shumë negativ në Maqedoninë e Veriut. Mihailovi nuk e njihte ekzistencën e një identiteti kombëtar maqedonas si të ndarë nga identiteti bullgar. Sipas disa rrëfimeve historike, Mihailovi kishte urdhëruar pa mëshirë vrasjen e bashkëpatriotëve të tij revolucionarë nëse shiheshin si konkurrencë e tij brenda VMRO-së.
Pas hapjes së klubit kulturor bullgar “Ivan Mihailov” në Manastir në qershor të këtij viti, publiku mësoi se ekzistonin plane për të hapur një “klub” të ngjashëm me emrin “Car Borisi i Tretë” në muajin gusht. Themeluesit nuk e kishin kërkuar mendimin e Ministrisë së Drejtësisë për emërtimin, mirëpo kishin lejen me shkrim për ta përdorur atë emër nga djali i Car Borisit, ish-Kryeministri bullgar Simeon i Saks-Koburgut. Edhe Prokuroria Publike ishte e interesuar në rastin e regjistrimit të kontestuar. Borisi i Tretë ishte kreu i Bullgarisë kur, në bashkëpunim me Gjermaninë naziste, vendi mori pjesë në pushtimin e Jugosllavisë dhe të Greqisë dhe para asaj, përftoi territor në Rumani dhe u zgjerua pothuajse deri në kufijtë e Shën Stefanit. Hapja e klubit u shoqërua me një protestë ku morën pjesë qindra njerëz që u mblodhën në Ohër për të shprehur zemëratën ndaj hapjes së këtij klubit kulturor.
Duke patur parasysh se në historinë e vet, Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk është asociuar formalisht me fuqitë e Rajhut të Tretë dhe se lufta kundër fashizmit ishte një nga shtyllat mbi të cilat u ndërtua vendi, qëllimi për të parandaluar promovimin, festimin dhe nderimin e ideve duke shkaktuar dëm ndaj komuniteteve të tjera, cilatdo qofshin ato është logjik, i arsyetuar e madje i dëshirueshëm. Mirëpo në shoqëritë që kujdesen për idenë e të qenit demokratike dhe gjithëpërfshirëse, procedurat janë po aq të rëndësishme sa edhe rezultatet që synohen.
Neni që thotë “Ndalohet themelimi i një organizate nëse programi, objektivat, aktivitetet dhe veprimtaria e saj synojnë shkatërrimin e dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, nxisin dhe bëjnë thirrje për agresion ushtarak dhe urrejte nxitëse kombëtare, racore, fetare ose tjetër, urrejtje, gjenocid, shfarosje, përhapje ose përkrahje, nxitje dhe miratim të fashizmit, nazizmit, nacional-socializmit dhe Rajhut të Tretë, duke ndërmarrë aktivitete të ndërlidhura me terrorizmin, duke ndërmarrë aktivitete që janë në kundërshtim me Kushtetutën apo ligjin dhe duke ndërmarrë aktivitete që shkelin liritë dhe të drejtat e personave të tjerë” – duhet të nxisë një debat më serioz në komunitetin e OSHC-ve për shkak të rreziqeve që rrjedhin nga papërcaktueshmëria e tij.
Në një vend që ka vuajtur nga konflikti i armatosur përgjatë linjave etnike, ndërlikimet e tjera të mundshme nga amendamente të tilla nuk janë diskutuar aspak, apo atë që kjo do të nënkuptonte në kontekstin tonë kombëtar, por ndëretnik. Pavarësisht përpjekjeve të bëra pas vitit 2001, nuk mund të pretendojmë pajtim të suksesshëm, as konsensus ndëretnik për narrativat rreth ngjarjeve. Legjislacioni është ndryshuar, minoriteteve tashmë u garantohen disa të drejta dhe kemi përfaqësim proporcional të përfaqësuesve nga komunitetet minoritet në strukturat qeverisëse dhe institucionale. Ajo çka nuk kemi janë përpjekjet e dukshme për t’i sjellë bashkë njerëzit nga komunitetet nga anë të kundërta të konfliktit që t’i interpretojnë ngjarjet e vitit 2001, si dhe zhvillimet që i paraprinë vitit 2001 sa i përket marrëdhënieve ndëretnike në vend.
Mungesa e përgjithshme e kontekstualizimit të fakteve dhe mungesa e narrativave të harmonizuara sa i përket memorializimit të ngjarjeve, njerëzve dhe organizatave që shenjuan periudhën e konfliktit të armatosur, të kombinuara me papërcaktueshmërinë e dispozitave të reja të LSHF-së janë faktor rreziku që mund të ishte shmangur me zbatimin e thjeshtë të parimeve të demokracisë pjesëmarrëse.
Shoqëritë demokratike dhe përparimtare janë vende të mira për të qenë. Për fat të keq, ndërtimi i tyre merr kohë dhe kërkon politikëbërje cilësore dhe gjithëpërfshirëse që e vendos interesin e publikut në rend të parë. Zgjidhjet e shpejta nuk na dërgojnë aty ku duhet të jemi duke u thënë thjesht “JO” agresorëve, nacionalistëve apo separatistëve, sepse armiku i dikujt është heroi i dikujt tjetër. Ne mund ta kërkojmë të drejtën tonë që të marrim pjesë në proceset pjesëmarrëse duke praktikuar lirinë e tubimit nëse mundemi që thjesht ta pranojmë zgjidhjen e ofruar të Kutisë së Pandorës dhe të shpresojmë që Shpresa do të dalë në fund dhe do ta zgjidhë shpejt zgjidhjen e shpejtë për ne.
BCSDN, si rrjet i OSHC-ve nga rajoni ynë, ka një histori të gjatë të lehtësimit të bashkëpunimit kur situata politike ka qenë më së paku e ndjeshme. Puna jonë gjithnjë është mbështetur tek misioni ynë për të punuar së bashku që ta fuqizojmë shoqërinë civile dhe të promovojmë një mjedis më mundësues për zhvillimin e shoqërisë civile për të mundësuar demokraci të qëndrueshme dhe funksionale në Ballkan. Në rast të miratimit të amendamenteve të LSH-së në Maqedoninë e Veriut shohim mundësinë e humbur nga autoritetet për të shfrytëzuar mjedisin mundësues për OSHC-të për të mirën e interesit të publikut dhe për të marrë informata më tërësore sa i përket përmbajtjes së amendamenteve. Në Maqedoninë e Veriut ekziston një skenë e gjallë e Organizatave të Shoqërisë Civile, që do të kishin qenë më se të lumtura të kontribuonin me ekspertizën e tyre në ndonjë fushë dhe të parandalonin dëmet nga papërcaktueshmëria e dispozitave të amendamenteve.
Autore: Simona Mladenovska
Redaktor: Xhemajl Rexha
Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.