Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë u zhdukën rreth 35,000 njerëz. Shumica ishin civilë ose ushtarë që u kapën dhe u vranë, duke u bërë kështu si viktima të krimeve të luftës. Që nga përfundimi i luftës, institucionet në Bosnje e Hercegovinë (BeH) kanë gjetur dhe identifikuar rreth 28,000 të pagjetur. Kjo u ka sjellë familjeve njëfarë qartësie lidhur me rrethanat në të cilat ata u zhdukën, lidhur me vdekjet dhe varrimin e pjesëtarëve të familjeve të tyre. Më pas, sistemi i drejtësisë ishte në gjendje të ndiqte penalisht personat përgjegjës për këto krime. Sipas të dhënave nga Instituti për të Pagjeturit i Bosnje e Hercegovinës (IP), 80% e të pagjeturve janë gjetur dhe identifikuar, por 7,000 njerëz ende nuk dihet ku janë. Familjet e tyre nuk mund të gjejnë paqe derisa mbetjet e të dashurve të tyre, që janë ende të shpërndara nëpër varrezat masive në të gjithë vendin, të gjejnë prehje. Teksa këto familje, të ngecura ndërmjet pritshmërive dhe realitetit, ngadalë po e humbasin shpresën, institucionet përgjegjëse për kërkimin për të gjeturit vazhdimisht bëjnë përpjekje të sigurojnë informacionin që do t’i çojë drejt zbulimit të varrezave masive.
Çdo ditë e më shumë, dëshmitarët po pakësohen dhe institucionet e BeH-së nuk kanë qasje tek shumë prej tyre. Shpeshherë, informacioni që japin dëshmitarët është i pasaktë, qëllimisht ose jo, ndërsa dokumentacioni nuk është në dispozicion. Institucionet shpenzojnë qindra mijëra marka boshnjake për të ndjekur secilën pistë.
Ligji për Personat e Pagjetur, një nga ligjet e para të këtij lloji në botë, ka shumë përparësi. Megjithatë, ai përmban disa kufizime që pengojnë kërkimin më efektiv për të pagjeturit. Një prej tyre është fakti se hetuesive të IP-së përgjegjës për t’i kërkuar të pagjeturit u janë dhënë fuqi “modeste”. Duke mos patur autoritet për të zbatuar ligjin, kur hetuesit flasin me dëshmitarët potencialë, ata mbështeten tërësisht tek vullneti i tyre i mirë dhe gatishmëria për të bashkëpunuar. Dëshmitarët nuk kanë asnjë detyrim ligjor të ndajnë informacion me hetuesit, sado me rëndësi të madhe të jetë hetimi. Dëshmitarët shpeshherë janë mihës, shoferë kamionësh ose kryesit direktë, ndaj nuk flasin për krime me të cilat janë të lidhur. Rrallëherë është zbuluar ndonjë varr masiv falë ndonjë dëshmitari i cili, me vullnetin e vet, u është afruar institucioneve për të dhënë informacion ose ndihmë.
Një tjetër kufizim që e shoh si pengesë në kërkimin për të pagjeturit është Neni 231a i Kodit Penal të BeH-së. Neni 231a thotë se kushdo që ka dijeni dhe nuk raporton lokacionin e varrezës masive do të dënohet me burgim deri në tre vjet. Qëllimi i këtij neni është t’i inkurajojë ata që kanë informacion për varreza masive që këtë njohuri t’ia raportojnë autoriteteve. Në praktikë, ky nen ka qenë joefektiv e madje problematik. Askush nuk është ndjekur penalisht dhe nuk është dënuar për këtë krim, sepse është shumë e vështirë të dëshmosh njohurinë e dikujt për krime lufte pa dëshmuar se kanë qenë kryesi ose bashkëpunëtor i krimit. Për më tepër, Neni 231a në fakt mund të ketë dëmtuar qëllimin e nxitjes së dëshmitarëve për të shpalosur informacionin mbi varrezat masive. Individët të cilët, me ndonjë kompensim financiar, mund të jenë në gjendje të japin informacion që mund të çojë drejt zbulimit të ndonjë varreze masive, mund të ngurrojnë ta bëjnë nëse kontaktohen nga hetuesit apo autoritetet nga Agjencia për Hetim dhe Mbrojtje Shtetërore (AHMSH) apo Prokuroria, pasi kjo do ta inkriminonte individin dhe do të demonstronte se më parë e kanë shkelur ligjin. Për shkak të këtij ligji, këto institucione nuk mund të japin para në këmbim të informacionit. Institucione të tjera jopublike ose individë/familje që janë në gjendje të ofrojnë shpërblim monetar në këmbim të informacionit, nënshkruajnë formalisht marrëveshje ligjore me “ekzekutuesin” e veprës penale.
Përveç këtyre kufizimeve, ka ende hapësirë për të përmirësuar procesin e kërkimit për të pagjeturit. Ne duhet t’i drejtojmë burimet nga MBLEDHJA E TË DHËNAVE dhe ANALIZIMI në përpjekje për të zbuluar të vërtetën dhe për të gjetur 7,000 personat e pagjetur. Për çdo të pagjetur duhet të përcaktojmë rrethanat lidhur me zhdukjen e tyre, përfshirë edhe kohën e saktë apo të përafërt të zhdukjes dhe ku janë parë për herë të fundit. Në këtë drejtim, ndihma e familjeve të tyre është e jashtëzakonshme. Shpeshherë, familjet kanë dijeni të dobishme, pasi familjet e të pagjeturve zakonisht kanë qenë të fundit që i kanë parë të dashurit e tyre. Pastaj mund të jetë e mundur që të pagjeturit të grupohen në bazë të zonës, datës dhe rrethanave të zhdukjes, si dhe në bazë të kritereve demografike, përfshirë seksin, moshën, dukjen etj. Hapja e arkivit të luftës dhe analizimi i vendimeve të gjykatave mund të ndihmojnë për të përcaktuar rrethanat që i kanë paraprirë zhdukjeve. Po ashtu është e nevojshme të përcaktohen rrethanat dhe datat e zhdukjes së personave nga e njëjta zonë që tashmë janë gjetur dhe identifikuar. Ky informacion do të ndihmojë në identifikimin e modeleve të zhdukjeve në zona të caktuara. Shpeshherë, varrezat masive janë gjetur pranë varreve që janë hapur më parë, që janë hapur në të njëjtën zonë gjatë të njëjtës periudhë kohore. Pasi t’i mbledhim, grumbullojmë dhe analizojmë këto të dhëna, do të jemi më shumë në gjendje të identifikojmë njerëzit, bashkëpunëtorët apo dëshmitarët, të cilët mund të dinë lokacionet apo kanë informacion që çon në zbulimin e varrezave masive. Edhe seancat dëgjimore me dëshmitarë duhet të planifikohen si duhet dhe në këto seanca dëgjimore duhet të përgatiten dhe të përdoren dokumentimi material i periudhës kritike (oraret e punës në kohën e luftës, regjistra për automjete/makina, përdorimi i karburantit etj.)
Elldar Jahiq është hetues i Prokurorisë në Sarajevë. Ai ka gradën bachelor në Kriminologji dhe master në juridik. Ai ka punuar në Qendrën e Hulumtimit dhe Dokumentimit në Sarajevë, ku ka menaxhuar projekte në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe të ballafaqimit me të kaluarën. Që nga viti 2010, ai është punësuar pranë Prokurorisë së BeH, ku së pari ka punuar si analist dhe më pas si hetues për Departamentin e Krimeve të Luftës. Ai ka kaluar shumë vite duke hetuar krimet e luftës dhe duke gjetur varreza në zonën e Prijedorit, ndërsa në pesë vitet e fundit ka hetuar ngjarjet dhe ka ndjekur penalisht personat përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë. Si përfaqësues i autorizuar i Prokurorisë së BeH-së, ai ka asistuar në gjetjen e vendndodhjeve të shumë varrezave dhe në zhvarrosjen dhe identifikimin e qindra individëve. Ai ka punuar në varrezat e Tomashicës dhe Jakarina Kosas në Prijedor, si dhe në Branjevo dhe Kozlluk në zonën e Zvornikut, ku u gjetën viktimat e vrara në Srebrenicë në korrik 1995.
__________________________________________________________________________
The article is published in the regional magazine Balkan.Perspectives number 12.
The magazine can be found on the link: https://dwp-balkan.org/staging/ko/bpm.php?cat_id=6&text_id=2