Varrezat larg sallave të gjykimit

Photo: Samir Sinanović

Edin Ramuliq

Asgjë nuk e paraqet më qartë një pamje të luftës sesa imazhet e një varri të sapohapur, ku mbetjet njerëzore dalin nga shtresat e dheut dhe zhavorrit. Varrezat masive janë vende ku përballemi me vdekjen dhe ato janë më të tmerrshme se çdo dëshmi e gjallë apo dokumentar. Ato janë më të frikshme sesa varrezat, sepse na japin një pamje intime të trupit dhe skeletit njerëzor duke u dekompozuar. Në këto anë, varrezat masive janë në zemër të çdo narrative nacionaliste dhe të çdo fushate politike që synon të hedhë fajin tek armiku.

Është disi paradoksale që ekzistenca e varrezave masive ka një përmasë të dobishme në kërkimin për të pagjeturit. Nëse kryesit e ekzekutimeve masive në territoret e pushtuara të Bosnje e Hercegovinës (BeH) do të kishin zgjedhur ndonjë metodë tjetër për t’i hequr qafe trupat, do të kishte qenë pothuajse e pamundur të zbulohej se çfarë kishte ndodhur me shumicën e viktimave të identifikuara deri tani. Ata mund t’i kishin djegur trupat, ashtu si u veprua gjatë Holokaustit, pasi i kishin në dispozicion fabrikat, acidin, mullinjtë dhe shkrirësit. Mirëpo, ata vendosën për metodën më të lirë – varrezat masive.

Duke menduar se kurrë, askush nuk do të vinte të kërkonte çka ata kishin fshehur, ata u treguan të pakujdesshëm. Ata i hapën varrezat masive pranë rrugëve kryesore, duke lënë pas dëshmitarë dhe dëshmi. Kryesit e vrasjeve masive dhe ekzekutimeve përgjithësisht nuk e kishin për detyrim që t’i varrosnin trupat vetë. Procesi i heqjes qafe të trupave në varreza masive shpesh bëhej nga njerëz me mbrojtje civile, nga njësi punuese, ndërtues vendorë, kompani të shërbimeve apo transportit, ndonjëherë edhe nga zjarrfikësit; ndërsa policët e ndonjëherë edhe ushtarët, siguronin mbulim. Gjithë ato vite, askush nuk i pyeti këta njerëz për procesin apo se ku i kishin fshehur trupat. Nuk kishte kush t’i pyeste.

Njëherë, Uinston Çërçill ka thënë se nëse nuk do ta zgjidhësh një problem, atëherë krijo një komitet. Këtë e bënë autoritetet në BeH. Për të zbardhur fatin e mbi 35,000 të pagjeturve, ata krijuan jo një, por tre komitete kombëtare. Të tre komitetet përbëheshin nga më pak se 40 vetë dhe asnjë ekspert i mjekësisë ligjore, antropolog apo kriminolog. Më pas, këto komitete u riquajtën si Instituti i të Pagjeturve të BeH-së, ku aktualisht punojnë rreth 19 hetues. Këtyre hetuesve u është ngarkuar detyra që të hedhin dritë mbi fatet e mbi shtatë mijë vetëve që ende janë të pagjetur në BeH, por ata nuk kanë autorizim zyrtar të zhvillojnë intervista apo të bëjnë hetime në terren.

Vetëm pjesëtarët e forcës policore kanë autorizimin, kapacitetin dhe detyrën ligjore që të bëjnë hetime në terren për personat e pagjetur. Sidoqoftë, ata asnjëherë nuk i kanë bërë këto lloje hetimesh, as nuk pritet që t’i bëjnë. Me një logjikë absurde, zyrtarët policorë vëzhgojnë zhvarrimet, bëjnë hetime mjeko-ligjore dhe marrin pjesë në identifikimin e trupave, mirëpo përjashtohen nga mbledhja e informacionit në lokacionet e reja të varrezave masive, pjesa ku nevojiten më së shumti.

Anchor Mund të vërejmë edhe një paradoks në qasjen e sistemit gjyqësor. Qindra varreza masive dhe mijëra varre kolektive dhe individuale janë zbuluar deri më sot, e megjithatë, asnjë person nuk është dënuar për heqjen qafe të trupave. Kurrë nuk është bërë ndonjë inventar i saktë i të pagjeturve. Kushdo që ka arsye, së pari do të bënte ndonjë listë të të pagjeturve që të dimë kë të kërkojmë. Po jo, këtu ata së pari kërkuan për varreza masive dhe trupa dhe më pas i regjistruan individët vetëm pasi varrezat ishin hapur dhe trupat ishin identifikuar. Rezultati ishte që qindra trupa të paidentifikuar ende janë nëpër morgje.

Për shkak të ekzistencës së varrezave masive, Qeveria e BeH-së mund të krenohet se ka ndihmuar në arritjen e rezultateve relativisht pozitive për zgjidhjen e rasteve të të pagjeturve. Mirëpo, pa Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur, që ka hapur dhe funksionalizuar laboratorë për analizën e ADN-së, varrezat masive do të ishin shndërruar në morgje masive ose varreza të “të panjohurve” dhe jo pikënisje për zhvarrimin dhe identifikimin e të pagjeturve.

Asgjë nuk mund t’i kontribuojë kolektivizimit të viktimizimit ashtu si varrezat masive. Ajo çka bëhet më e rëndësishme është etnia ose feja e viktimës dhe jo identiteti individual i viktimës, si babai, vëllai apo bija e dikujt, si një futbollist i mirë apo jurist. Njerëzit shndërrohen në numra në një konkurrencë të çuditshme se cili komunitet ka pësuar humbjet më të mëdha. Varreza masive e Timashicës pranë Prijedorit, ku u gjetën 435 trupa, u shpall “më e madhja në Evropë pas L2B” edhe pse në vitin 2003 nga varreza masive e Cërni Vërhit pranë Zvornikut u nxorën 628 trupa. Mirëpo, ajo nuk ishte varreza masive më e madhe e gjetur në territorin e ish-Jugosllavisë. Më e madhje, me 705 trupa, u zbulua në Batajnicë pranë Beogradit. Zakonisht, publikut nuk i kujtohet emri i asnjë trupi të gjetur.

Shkalla e pandjeshmërisë së publikut ndaj ekzistencës së varrezave masive ilustrohet nga një fakt pothuajse i pabesueshëm. Në vitin 2012, agjencia Anadolija1 publikoi këtë informacion: “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaron se në afërsi të kampit të përqendrimit të Manjaçës është gjetur një varrezë masive me 540 trupa. Me siguri që trupat janë nga Manjaça.” Media dhe autoritetet publike boshnjake, si dhe disa stacione televizive të njohura rajonale e përsëritën këtë deklaratë çdo ditë përkujtimore të Manjaçës. Por, çështja është se në afërsi të kampit të përqendrimit të Manjaçës, pranë qytetit të Banja Llukës, nuk u zbulua asnjë varrezë masive. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk kishte të bënte aspak me atë deklaratë. Agjencia Anadolija e kishte shpikur një varrezë masive më të madhe se ajo e Tomashicës në territorin e Banja Llukës dhe kjo përrallë vazhdon të përsëritet si lajm. A nuk e vret mendjen askush se kush janë këta njerëz, ku janë familjet e tyre dhe ku janë varrosur? Shoqatat e të mbijetuarve nga kampet e përqendrimit, që organizojnë përkujtimet për Manjaçën, nuk përmendin ndonjë varrezë masive, pasi ajo kurrë u zbulua dhe nuk flasin, ndoshta heshtja më e fuqishme vjen nga vetë qyteti i Banja Llukës ku kinse gjendet varreza masive e shpikur.

Varrezat masive janë produkt i përpjekjeve kriminale kolektive, ku përfshihen më shumë njerëz sesa thjesht ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjeve. Zbulimi (dhe fshehja) e tyre në atdheun tonë është dukuri thellësisht shqetësuese dhe alarmuese, sidomos kur dihet fakti se ata që janë përfshirë në krijimin dhe fshehjen e varrezave masive janë ende të lirë. Qasja poshtëruese e përdorur deri më tani – për të gjetur trupat, për t’i identifikuar dhe për t’i rivarrosur – nuk mjafton. Historia e varrezave masive duhet të përfundojë në gjykatë, jo nën dhé.

Edin Ramuliq është aktivist për të drejtat e njeriut nga Prijedori, ish-gazetar dhe redaktor i tre botimeve të një libri për të pagjeturit, i titulluar “Ni krivi, ni dužni”. Angazhim i tij i përhershëm është të ofrojë përkrahje për dëshmitarët dhe viktimat e krimeve të luftës dhe të mbledhë informacion për të pagjeturit. Përmes punës së tij, ai synon t’i kontribuojë procesit të ndërtimit të kulturës së kujtesës dhe të ballafaqimit me të kaluarën. Ai është Presidenti i Fondacionit për Ndërtimin e Kulturës së Kujtesës në Prijedor dhe aktualisht është angazhuar në themelimin e një qendre të dokumentimit dhe informimit në Prijedor.

1Burimi: https://www.aa.com.tr/ba/arhiva/obilje%C5%BEeno-20-godina-od-zatvaranja-logora-manja%C4%8Da/355520?fbclid=IwAR3LjW_v1wtN1vNOirMXKQIKF63dMl-mj-QW5ijozcfJtT9XM0biJlMlqfA

____________________________________________________________

The article is published in the regional magazine Balkan.Perspectives number 12.

The magazine can be found on the link: https://dwp-balkan.org/staging/ko/bpm.php?cat_id=6&text_id=2