Si fëmija më i vogël në familjen time dhe e vetmja që kam ardhur në jetë pas luftës së fundit në Kosovë, ngjarjet e asaj periudhe për mua që në vegjëli kishin mbetur si imazhe të paqarta dhe të fragmentuara, të cilat i kam mësuar përmes një thjerrëze të kufizuar — vetëm përmes copëzave të rrëfimeve që mund të dëgjoja herë pas here nga të afërmit e mi. Megjithatë, edhe këto biseda shpesh përfundonin pa nisur mirë, sikur të folurit për luftën i rikthente në kohë ata që e kishin përjetuar atë dhe ripërtinte tek ta dhimbjen, ndoshta ende të pa shëruar. Prandaj, shprehja “Shyqyr Zotit që kanë përfundu ato ditë” ishte diçka mëse e zakonshme të dëgjohej sa herë që hapej tema e luftës.
Edhe në shkollë, lufta e fundit në Kosovë trajtohej vetëm në kapitujt e fundit të teksteve shkollore të historisë, duke lënë kështu shumë detaje të patreguara.
Unë vij nga Gjakova, një komunë ku janë kryer shumë krime e masakra gjatë luftës. Më pak se 40 minuta larg vendlindjes sime ndodhet komuna e Rahovecit e cila njihet veçanërisht për masakrën në fshatin Krushë e Madhe që ka ndodhur nga 25 deri më 27 mars 1999.
Ndonëse jam rritur duke dëgjuar vazhdimisht për këtë masakër, ngurrimi i njerëzve për të folur gjatë për luftën dhe ngecja e sistemit arsimor në këtë aspekt kanë qenë disa nga sfidat që më kanë penguar të mësoj më shumë për krimet e luftës që kanë ndodhur në vende si Krusha. Megjithatë, me kalimin e kohës, kureshtja ime ka marrë hov dhe është formësuar më shumë, falë studimeve të mia, trajnimeve në drejtësinë tranzicionale dhe përvojës sime si gazetare.
Kësisoj, nëntorin e kaluar vendosa të marrë rrugën për në fshatin Krushë e Madhe për të vizituar Kompleksin Memorial atje. Ky vend përfshihen varret e atyre që u masakruan, 64 individëve që u zhdukën me forcë (14 prej të cilëve ishin nga komuniteti ashkali), pllaka përkujtimore dhe Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe, i inauguruar në mars të këtij viti.
Muzeu përbëhet nga gjithsej 11 kënde: Këndi i Historisë; Këndi i Dëshmorëve; Këndi i Masakrës; Pasqyra e Dëmeve; Fotografitë e 155 civilëve të vrarë; Peizazhi i Kujtesës – Ndarja e Rrugëtimit; Kënd i Fshehjes së Krimit; Raportimi i Mediave; Kënd i Intervistave; Këndi i të Zhdukurve; dhe Këndi i Shpresës – Kthimi në Jetë.
Me të hyrë në njërën nga dy dyert e muzeut, të bie të shohësh historinë e fshatit para rrethimit duke kaluar më pas te artifaktet dhe këndet që lidhen me masakrën.
Ngado që shikon, vështrimi të kap dhjetëra artefakte dhe gjësende personale. Sipas udhërrëfyesit të këtij Muzeu, Irfon Ramadani, muzeu përmban mbi 40 artefakte. Pothuajse në çdo cep të muzeut gjenden rroba dhe sende që shpesh mbajnë njolla gjaku të viktimave, pjesë të armatimit të përdorur nga forcat serbe, fotografi të të mbijetuarve, viktimave dhe personave të zhdukur, mjete identifikimi, syze, çanta shkolle, djep dhe disa gjësende të tjera që kanë mbijetuar dhe janë ende të ruajtura, 25 vjet pas luftës. Muzeu përmban gjithashtu gazeta që pasqyrojnë mbulimin mediatik ndërkombëtar të masakrës si dhe televizorë që shfaqin dëshmitë e të mbijetuve.
Hyrja në muze të jep përshtypjen sikur kalon në një hapësirë ku e kaluara dhe e tashmja shkrihen së bashku – objektet dhe tingujt e së kaluarës gërshetohen me një botë bashkëkohore e cila vazhdon të kujtojë dhe të reflektojë mbi ngjarjet që ka përjetuar ky vend. Ndër këto objekte dhe rrëfimet që ato bartin, në mendjen time mbeten të skalitura veçanërisht tre prej tyre, të cilat mishërojnë tragjedinë e luftës.
Gjatë udhërrëfimit, Irfoni drejton gishtin te një palë këpucë që duken të reja. Ai shpjegon se ato i përkisnin Shani Hotit i cili i kishte blerë ato para lufte. “Me ble veshmbathje para luftës ka qenë goxha shumë e vështirë për shkak të kushteve ekonomike.” shton Irfoni. Ai rrëfen se pas blerjes së këpucëve, Shaniu i kishte lënë ato në shtëpi, duke shpresuar që sapo të qetësohej situata, do t’i mbathte për festën e Bajramit. Megjithatë, gruaja e tij e kishte këshilluar ‘Veshi se nuk i dihet kohës.’ Para se të mbaronte lufta, Shaniu u vra së bashku me vëllanë e tij Refkiun dhe babanë e tij Fetahun, duke lënë pas këpucët që asnjëherë nuk u veshën.
Jo shumë larg prej këpucëve të Shaniut gjendet manteli i bardhë i mjekut Fahredin Hoti, së bashku me vulat e tij mjekësore dhe sterilizuesin e instrumenteve të tij. “Shtëpinë e ka pasur ordinancë të fshehtë prej forcave serbe ku pos grave që kanë qenë shtatëzëna, ai ka mjekuar ushtarë dhe civilë. Ka qenë mjek jo vetëm i shtëpisë por ka qenë mjek edhe i terrenit ku ka dalë në pjesën e sipërme të fshatit dhe në disa fshatra të tjerë.”, shpjegon Irfoni.
Më 26 mars, deri sa Fahredini po jepte ndihmë duke mjekuar mbi fshat ku ka qenë popullata e strehuar, disa qindra metra më tutje kishte shpërthyer një granatë duke goditur djalin e tij 14-vjeçar, Kreshnikun. Me të dëgjuar lajmin, Fahredini kishte rrëmbyer çantën e mjekut, e kishte hedhë atë mbi supe dhe kishte nxituar drejt djalit të tij për t’i dhënë ndihmën e parë. “Mirëpo kur afrohet, doktor Faredinin e kapin me snajper dhe trupi i doktorit bie në tokë. Në atë moment, doktori e heq çantën e mjekut prej krahut dhe fillon ta mjekojë veten. Gjatë mjekimit të vetes, diku një orë ose dy (doktori) ndërron jetë aty te copëzat e djalit.”- pshehrëtin Irfoni.
Përderisa historia e doktor Hotit pasqyron forcën e një shëruesi përballë tragjedisë, ora e Musli Veselit, e ekspozuar gjithashtu në këtë muze, mban në heshtje një histori në vete – historinë e kohës së ngrirë gjatë tmerreve të luftës.
Musliu,47 vjeç në atë kohë, ishte strehuar në fshatin Nagac më 2 prill 1999 kur forcat serbe bombarduan fshatin me avionë ushtarakë. Në shtëpinë ku ishin të strehuar mbetën të vdekur dy persona. Si rezultat i bombardimeve, muret e shtëpisë janë shembur dhe Musliut i mbeti dora nën to, për shkak të kësaj, xhami i orës u thye dhe akrepat e orës ndaluan në 14:05. “22 vite më vonë, më 18 dhjetor 2021, në orën 14:05, ndërron jetë Musli Veseli, në po atë kohë”, tregon Irfoni.
Nga 155 civilë të vrarë, 22 dëshmorë dhe 64 të zhdukur, Krusha e Madhe numëron 241 persona të masakruar, 100 prej të cilëve u dogjën. Mes viktimave janë shtatë fëmijë dhe pesë gra, përfshirë një grua shtatzënë.
Teksa Irfoni flet për humbjen e jetëve dhe dëmet materiale që arrijnë në miliona, ai ndalon tek një shufër e zezë metalike. Edhe pse jo nga koha e luftës, ajo është instaluar në muze, duke e ndarë hapësirën në dysh. “Kjo shufër metalike paraqet se si, sa herë që popullata ndalohej nga forcat serbe, ndaheshin burrat dhe gratë. Gratë u lanë të lira ndërsa burrat u morën për t’u masakruar. Burrat që merreshin ishin nga mosha 18 deri në 65 vjeç, mirëpo edhe djemtë nën 18 vjeç që dukeshin më të zhvilluar fizikisht, u dërguan drejt vdekjes”, shpjegon Irfoni. Ai më pas shton: “Kjo pikë ka qenë pika e fundit e kujtesës dhe kontaktit me më të dashurit për shumë persona.”
Kur kalon pranë kësaj shufre dëgjohet menjëherë zhurma e shiut e cila është instaluar për të kujtuar tre ditët e masakrës kur moti i zymtë dhe shiu nuk ishin ndalur.
Lufta në Kosovë filloi më 28 shkurt 1998, pas sulmit të forcave serbe në fshatrat Likoshan dhe Qirez të Drenicës. Më 14 mars 1999, NATO autorizoi sulmet ajrore kundër objektivave ushtarake serbe. Pas 78 ditësh bombardime, më 10 qershor 1999, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Kumanovës i dha fund dhunës serbe në Kosovë si parakusht për ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe. Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, 13,518 njerëz u vranë gjatë luftës në Kosovë, duke përfshirë 10,794 shqiptarë, 2,197 serbë, dhe viktimat e mbetura nga etnitë e tjera.
Përkundër çdo artefakti, detaji dhe rrëfimi që janë përsosur deri në nuancën e fundit, pjesa që më la më së shumti mbresa është këndi i fundit. Ky muze, që pasqyron të kaluarën, dhimbjen dhe humbjen, sjell një mesazh shprese përtej saj. Falë ‘Këndit të Shpresës – Kthimi në Jetë’, ofrohet një hapësirë ku e ardhmja si një vazhdim i pashtershëm ndërtohet mbi themelet dhe përvojat e së kaluarës.
Nëpër vitrinat ku janë rreshtuar çertifikatat dhe trofetë e fituara nga nxënësit e fshatit, mbi 200 fotografi kapin momente të jetës pas luftës. Por ajo që i jep shpirt këtij këndi janë kokërr shiltet shumëngjyrëshe të cilat ftojnë vizitorët të ulen, të shohin fotot dhe të ndalen për të reflektuar mbi forcën që krushianët kanë gjetur për të rindërtuar jetën e tyre, për të ngritur nga hiri një histori që vazhdon të rrëfehet.
Muzeu përfundon me një libër mysafirësh ku vizitorët mund të ndajnë përshtypjet e tyre përpara se të dalin nga një derë e veçantë, e menduar me kujdes. Kjo derë, ndryshe nga ajo e hyrjes, i drejton vizitorët larg memorialit, varreve dhe hapësirave të ruajtura për të pagjeturit. Në vend të kësaj, ata dalin drejtpërdrejt në peizazhin e fshatit, ku pas Këndit të Shpresës, vizitorët përjetojnë një moment çlirimi. Kështu, muzeu synon t’i përcjellë vizitorët me një ndjenjë qartësie dhe shprese duke lënë pas peshën e kujtimeve të dhimbshme dhe duke i kthyer ata drejt jetës dhe forcës.
Duke ndërthurur reliket historike me mjetet moderne digjitale, ky muze shërben si një hapësirë e domosdoshme për të mësuar dhe për t’u shëruar. Ai u ofron vizitorëve mundësinë të përballen me traumat e së kaluarës duke frymëzuar njëkohësisht shpresën për një të ardhme më të drejtë. Një mesazh po aq i fuqishëm sa vetë ky objekt përçohet nga një pllakë e vendosur në këtë muze ku qëndron e skalitur fraza: “Pas përjetimeve të tmerrshme të luftës e masakrës, Krusha e Madhe ka mbijetuar. Krushianët kanë triumfuar mbi vdekjen. Nuk harrojmë kurrë, por kemi gjetur forcën për të vazhduar, punuar, krijuar e gjallëruar!”
Ky tregim është shkruar në origjinal në gjuhën angleze.
Bubulina Peni filloi karrierën e saj në KALLXO.com ku më pas vazhdoi të kontribuonte edhe për Prishtina Insight. Pas kësaj përvoje, ajo zgjeroi ekspertizën e saj në fushën e komunikimit me publikun. Aktualisht, Bubulina vazhdon të angazhohet në gazetari me fokus në arsimin, të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve, komunitetet jo shumicë dhe ballafaqimin me të kaluarën.