Fonotopitë e Kosovës

Reflexion faite (të vështruarit e kaluarës) është formulë e lehtë diskursive për një problem mjaft kompleks. Por në gjithë këtë parashtrim të reduktuar në shikim të parë, fshehët edhe zgjidhja e kësaj nyje konceptuale. Vështrimi në të kaluarën hapë derën e dy koncepteve qendrore të këtij cikli të artikujve e ato janë: kujtesa dhe historia. Këtë koncepte nuk do ti lexojmë në përdorimin vernekular të tyre por do ti shtrijmë në një dimension më teorik që të shërbejnë si urë lidhëse mes hapësirës, tingullit dhe identitetit. Andaj, çdo fonotopë që do ta përshkruajmë do të rrëfej një mikro-histori e do të na sjellë në kujtesë një përvojë shumë shtresore të ballafaqimit me të kaluarën. Fundja, qysh pohon edhe Ricoeur kujtesa e ka rolin e një dekonstruktuesi të perandorisë së harresës. E këta artikuj do të shërbejnë si zbërthim në pluhurin e perandorisë e harresës, por njëherazi do të penetrojnë nëpërmjet leximit filozofik në drejtësinë tranzicionale. E drejta në vetvete qysh e elaboron Derrida e ka karakterin dekonstruktues ngase i transgreson limitet e ligjit për ti rekonstruktuar ato. Në rastin tonë memoria kolektive që lidhet me hapësirën aureale nuk mbetet muzeale por bëhet mobile duke lënë gjurmë (trace), në hapjen e një dialogu të pafund.   

‘Vendi tingëllon njësoj si banorët e tij’. Kjo thënie e filozofit gjerman Peter Sloterdijk është më se e përshtatshme për preludin e këtij teksti, ngase në të konkretizohet edhe përpjekja jonë që t’i japim kuptim hapësirës aureale të Kosovës që në vetvete i mban në sirtarët e saj eksperiencat e ndryshme të shumështresuara, qofshin ato individuale apo kolektive. Nuk mund ta reduktojmë krejt eksperiencën e hapësirës vetëm në rrafshin ekskluzivisht fenomenologjik, por duhet ta zgjerojmë radiusin e të shohim se si këto përvoja kanë sedimentuar formësimin e formacioneve të ndryshme diskursive.  Shembulli më tipik i ndikimit të hapësirës aureale në konstituimin e formacioneve të caktuara diskursive shpërfaqet tek ajo që në sonosferë njihet si zhurmë politike.  Ligjërimi, gjithnjë brenda kontekstit që po flasim, është i zëshëm dhe merr trajtën e një fonotopie publike. Atë e shohim të manifestuar nëpërmjet debateve polarizuese, dëgjimit të këtyre debateve, pjesëmarrjes me ndonjë pasthirrmë në debate apo me pëshpërimë në formë të skepticizmit për debatet. Përfndimisht, ky artikulim i zëshëm sonoristik ndodh gjithmonë në një hapësirë publike.

Në kontekstin tonë kjo që e thamë më lart, ka ndodhur në vendin ikonik urban të Prishtinës, në ëmbëltoren “Elida”, vendi ku janë formuar partitë politike në vitin’90 dhe ku është sendërtuar identiteti narrativ plural i Kosovës. Ndoshta me një dozë skepticizmi mund të konstatojmë se aty është bërë një hapje e vogël e kalimit nga identiteti “i murgut” në atë identitetin fluid “të turistit” si do të thoshte Zygmunt Bauman. Zhurmën politike gjithashtu mund ta shohim edhe tek kafiteritë nën Kurriz, për shembull te “Hani i 2 Robertëve”  që ka qenë një “hipogenum” (Astrit Salihu) ku kanë gravituar diplomatët, politikanët, gazetarët, artistët dhe të gjithë këta kanë qenë pjesë e vorbullës së transformimit dhe shkëmbimit vokal nëpërmjet zhurmës. Hapësira e fundit mund të themi që ka qenë objekti i “Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës” ku akterët e ndryshëm politikë i kanë mbajtur konferencat për shtyp. Të gjitha këto në një mënyrë kanë funksionuar si skenë ku janë prodhuar thashethemet e që në rastin tonë e kanë pasur funksionin e mirëmbajtjes së hegjemonisë diskursive. Ky ngacmim psiko-akustik ka bërë që zërat të cilët nuk kanë qenë në harmoni me dy kampe të ‘narrativave dominante’ të linçohen nga zhurma dominante. Por, fonotopet e tjera kanë mbetur zona të rezistencës nga narrativat dominante.  

Në kontekstin për të cilin po flasim duhet bërë një sqarim se në cilët regjistra përdoret koncepti i fonotopit ngase është mjaft instruktive që të kapet ‘zëri narrativ’ (Blanchot) i tekstit. Konceptin e  fonotopit fillimisht e përdorim si vegël konceptuale; koncept ky i filozofit Peter Sloterdijk që nënkupton njërin nga ata ishujt antropogjenikë të tij.  Nëse konceptit të fonotopit do t’ia bënim një lexim të reduktuar, ai do ta kishte funksionin e ravijëzimit të ishujve të banorëve që janë të lidhur përmes përvojës aurealo-akustike. Përvojat tona të çastit  me vendet dhe jovendet, pra               heterotopitë, gjithmonë kalojnë nëpërmjet eksperiencës akustike, andaj ato na tingëllojnë, siç do të thoshte Sloterdijk “njësoj si banorët apo frekuentuesit e tyre”.

Pika e përbashkët në kontekstin tonë midis vendit dhe jovendit në kuptimin fenomenologjik por edhe e heterotopive nëse i shohim nga prizmi i kthesës hapësinore është se ato krijojnë zona kushtimisht të themi për banorët e ishujve (Sloterdijk) të cilët nëpërmjet elanit vital të tyre i krijojnë këta ishuj. Krijimi i këtyre ishujve nënkupton edhe krijimin e identiteve narrative, kujtesës si imazh poetik i përvojës së brendshme që përfaqësojnë ato e deri te manifestimi i tingëllimës, këngës, zërit që synojnë ta suspendojnë harresën. Këta ishuj nëpërmjet fuqisë së zërit dhe veshit e kanë sendërtuar zërin narrativ të gjeneratave që kanë jetuar por edhe të atyre që janë duke ardhur e që sipas Derrida’s do të shenjoheshin si l’avenir.

Në kontekstin lokal tonin dy fonotopi i kanë prevaluar ato të tjerat: së pari janë “Odat” që kanë shenjuar repeticionin material të mobilizimit, unitetin dhe homogjenitetin dhe së dyti janë “kafiteritë” ose në sllengun e Prishtinës “kafiçat” që kanë shënjuar një kulturë diverse, heterogjene e plurale, pra, aty vërehet ndikimi i mikrohistorive dhe subkulturave për krijimin e identitetit narrativ. Këto të parat më shumë e kanë afirmuar identitetin e domosdoshëm si fuqi mobilizuese ndërsa këto të dytat e kanë afirmuar fluiditetin dhe elasticitetin e jetës së përditshme për të hyrë në domenin e identitetit narratologjik. Në të njëjtën kohë kemi fonotope të tjera siç janë garazhet dhe podrumet si vende ku bendet kanë ushtruar, pastaj klubet ku kemi imerzuar në hiperrealitet nëpërmjet ‘Technos’, si dhe kasetat e vitit të ri që kanë përfaqësuar ‘estetikën e vulgus-it’, për të dalë te radiot alternative që kanë qenë zona subversive si ‘teatër i paideia-së ’ (Benjamin) e shumë fontotope të tjera që e ravijëzojnë frymën e vendit [genius loci] por edhe zërin e vendit [vox loci].

Këto fonotope, për banorët ishullorë si ne, na e kanë krijuar edhe vetëdijen për të qenit tonë në botë apo jetëbotë [Lebenswelt]. Ato kanë sendimentuar zërat e brendshëm të homo-silens-it, por njëkohësisht kanë afirmuar pharresia-n që, thënë shkurt, i bie: të flasësh lirshëm. Liria në kuptimin ndoshta subtil të saj mund të manifestohet vetëm nëpërmjet eksperiencës muzikore andaj ‘jeta pa muzikë, tingëllimë, akustikë, britmë, do të ishte një gabim i madh.’         


Labinot Kelmendi është filozof nga Prishtina. Ai ka kryer studimet e nivelit master në Filozofi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Filozofisë, dhe aktualisht është duke vazhduar studimet e doktoraturës në Filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit. Aktualisht shërben si asistent në Fakultetin Filozofik (Departamenti i Filozofisë) dhe në Fakultetin e Arteve. Përveç kësaj, ai mban një pozitë në kryesinë e Shoqatës së Filozofëvetë Kosovës. Nga viti 2015 deri në vitin 2021, ai ka qenë bashkëautor i programit televiziv të parë filozofik në Kosovë, “Filozofema”, që transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Ai drejton Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër- dhe Trans-disiplinor për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë, i njohur si “Filozofema”. Përtej pjesës akademike, ai angazhohet në mënyrë aktive në sferën kulturore, fillimisht si anëtar i grupeve të ndryshme dhe projekteve muzikore alternative, duke përfshirë “Madgod” dhe “Elektorati Intelektual”. Për më tepër, ai ka kontribuar me artikuj në platformën “Cineks”, duke ofruar kritika për filmat vendas dhe duke shërbyer si kurator dhe kritikë arti për bienalen e vizatimit dhe ekspozita të tjera.