Përkujtim i ndarë i fushatës ajrore të NATO-s në Kosovë

Të paktë e të panjohur; çfarë përfaqësojnë memorialet e intervenimit humanitar të asaj kohe të ndërtuara në Kosovë?
Përderisa arkitektura memorializuese po ndryshon nga historia e dhunës te personifikimi i paqes, objektet që kujtojnë ndërhyrjen humanitare të NATO-s po bëhen një bllok ndërtimi i identiteteve të pasluftës, duke vazhduar të kontribuojnë në diskutimin për kujtesën.
Një çerekshekull më vonë, kujtesa për fushatën 78 ditëshe ajrore të NATO-s në Kosovë mishëron dy lloj realitetesh krejtësisht të kundërta.
Pas dështimit për të arritur një proces paqeje në Ramboulliet, më 24 mars 1999, Aleanca ushtarake perëndimore filloi sulmet ajrore në përpjekje për të detyruar ish presidentin jugosllav, Slobodan Millosheviq të pranonte kushtet e një marrëveshjeje që i jep fund fushatës së tij ushtarake në Kosovë. Në një fushatë spastrimi të gjerë etnik, forcat policore, ushtarake e paraushtarake kryen një sërë masakrash të civilëve shqiptarë, derisa sulmet ajrore përfunduan më 10 qershor 1999 kur Millosheviq pranoi të tërhiqte forcat nga Kosova.
Çdo vit më 24 mars, në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, si zyrtarët ashtu edhe mediat në Kosovë kujtojnë kontributin e Aleancës ushtarake si “stopim i gjenocidit dhe kontribut në paqen dhe sigurinë rajonale”.
Përderisa forca e NATO-s në Kosovë është bërë misioni më i gjatë paqeruajtës në historinë e saj, po aq të gjata dhe të ndara po bëhen fijet e kujtesës mes të dyja komuniteteve serbë e shqiptarë.
Shtatë vjet para se në qendër të Prishtinës në vitin 2018 të ndërtohej një memorial që kujton 158 ushtarët e NATO-s që vdiqën gjatë shërbimit në Kosovë, vetëm 7 kilometra tutje në Graçanicë një rrugë u emërtua “24 Marsi”.
Në Graçanicë, 24 marsi është një rrugë e shkurtër dhe aty serbët si Brankica Kostic duan ta kujtojnë atë si një “ditë të keqe për serbët”. Pak metra më poshtë, këtë vit, më 25 mars, u vendos një kryq që kujton serbët që vdiqën gjatë sulmeve ajrore të NATO-s. Më shumë se rolin e NATO-s në lirinë e Kosovës, memorialët kujtojnë ushtarët e rënë. Para se të ndërtohej memoriali për trupat paqeruajtëse, sheshi kryeqytetit, që si shumë të tjera në vend ishte mbushur me figura heronjsh e politikanësh, në Kuvend ishte kërkuar të ndërtohej një memorial falënderues për NATO-n.
Pas këtyre thirrjeve, në Prizren u vendos skulptura emblemë e NATO-s.
Të tjerat janë shumë më modeste. Shumica në trajtën e pllakave të gdhendura të gurit si pllaka që u dedikohet 42 ushtarëve sllovakë në parkun e qytetit në Prishtinë apo pllaka për 14 ushtarëve britanikë të vdekur gjatë shërbimit në kuadër të NATO-s në Kosovë.
Por shqiptarët kujtojnë viktimat që vdiqën nga goditjet gabimisht të NATO-s mbi civilë si viktima të Serbisë.
Në Korishë, të Prizrenit ku nga një sulm i NATO-s u vranë 77 civilë që po përdoreshin si mburoja njerëzore nga forcat jugosllave më 14 maj 1999 nuk ka zemërim për NATO-n.
Në mesin e tyre, ishte djali dhe 3 familjarë të tjerë të Hasan Ahmetajt, përfshirë edhe 13 të afërm tjerë. Ai thotë se Serbia e jo NATO vrau familjarët e tij. “Ne e ndërtuam vetë memorialin për të cilin s’ka ndonjë përkujdesje”, thotë ai. “Por ne do t’i kujtojmë përgjithmonë ata si viktima të Serbisë”.
Ahmetaj thotë se ndjen keqardhje që ende nuk ka ndonjë memorial falënderues për Aleancën Veri-Atlantike. “Ndërhyrja ushtarake ishte një bekim dhe një gur i fort në të drejtën ndërkombëtare. Humbja e jetëve, sado me qëllime të mira, është një proces i dhimbshëm, por që nuk ka mundur të shmanget”, shton Ahmetaj.
Një memorial tjetër për 41 shqiptarë të Kosovës në fshatin Bishtazhin afër Gjakovës po ashtu më 14 maj të vitit 1999, nuk përmend se ata u vranë gabimisht nga një sulm ajror i NATO-s. Në fund të emrave është shkruar vetëm se “bishat serbe u morën jetën dhjetëra civilëve”.
Nëse matet perimetri dhe dimensionet, në Serbi ngrehinat memoriale që shprehin viktimizimin janë më të larta dhe më të dukshme si monumenti ‘Flaka e Përjetshme’ në Beograd që përkujton ushtarët dhe civilët që u vranë gjatë bombardimeve të NATO-s. Dr. Elisa Satjukow, ligjëruese për Historinë e Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Leipzig në Gjermani, përshkruan dy faza të kujtesës politike. “E para është ajo e Slobodan Millosheviqit, që inicioi një narrativë hegjemoniste të martirizimit serb”, thotë ajo. “Tjetra vazhdon me presidentin aktual Aleksandar Vuçiq, ish ministër i informacionit i qeverisë së Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë, që e cilëson atë si traumë kolektive të shoqërisë serbe, ndërsa lufta në Kosovë mbetet e heshtur”.
Në Beograd citohen shifra të ndryshme, të pavërtetuara të viktimave, pa specifikuar nëse ishin civilë apo pjesëtarë të forcave të armatosura.
Një çerek shekulli më vonë, kujtimi për bombardimet e NATO-s, po zë gjithnjë e më shumë vend në procesin e njohjes dhe ndjeshmërisë për intervenimin e paprecedent të kryer për të frenuar mizoritë në provincën e atëhershme jugosllave.
Ndërsa në Serbi, 24 marsi mbetet një ngjarje e shkëputur nga krimet e luftës dhe spastrimi etnik i kryer nga forcat serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke e kthyer bombardimin në ballë të një kalendari të rivendosur nacionalist.


Serbeze Haxhiaj është gazetare hulumtuese dhe redaktore e lajmeve në Prishtinë, Kosovë, e cila e ka fokusin tek korrupsioni, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë, ekstremizmi fetar, terrorizmi dhe krimet e luftës. Aktualisht ajo është redatore pranë Radio Televizionit të Kosovës dhe gazetare e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).