Blerimi ishte ende shumë i ri kur filloi me e kuptu që diçka te ai nuk përputhej plotësisht me atë që shoqnia priste prej tij dhe trupit të tij. Ai nuk i njihte fjalët “gej” apo “biseksual”, madje për një kohë të gjatë nuk kishte as gjuhën për me e emërtu veten. Ajo që dinte ishte që ekzistonin ndjenja, afërsi dhe dëshira që nuk i shihte të përmendura askund, por që gradualisht filloi me i njohë te njerëz të tjerë si ai.
Kjo intervistë është pjesë e Arkivit të Pathanë, rubrikë e Dylberizm që publikon dëshmi queer nga periudha e luftës dhe pasluftës në Kosovë, të mbledhuna përmes hulumtimit të realizum në bashkëpunim me Pro Peace dhe Universitetin e Prishtinës. Nëpërmjet këtyne rrëfimeve, projekti synon me dokumentu përvoja që kanë mbetë jashtë historisë së luftës – jo pse nuk kanë ekzistu, por sepse për dekada nuk janë konsideru të denja për me u kujtu apo dokumentu.
Në rrëfimin e Blerimit, jeta queer nuk paraqitet si diçka e ndame prej luftës apo realitetit politik të asaj kohe. Përkundrazi, ajo zhvillohet paralelisht me represionin, shpërnguljen, frikën dhe mbijetesën. Mes shkollave të improvizume nëpër shpija, kontrolleve policore, jetës si refugjat dhe kthimit në një qytet të djegun, ai kujton edhe mënyrat se si personat queer e gjejshin njani-tjetrin: në parqe, në stacione autobusësh, në tregje, në ndeja të improvizume, apo thjesht përmes një shikimi që kuptohej pa fjalë.
Historia e tij sfidon idenë që personat queer kanë qenë të padukshëm gjatë luftës. Përkundrazi, ajo tregon se ekzistenca queer ka qenë gjithmonë aty – në heshtje, në kode, në kujdesin ndaj njëri-tjetrit dhe në jetët paralele që shpesh kanë mbetë të padokumentume. Në kujtimet e Blerimit, lufta nuk i ka ndalë njerëzit me kërku afërsi, dashni, shoqni apo lidhje me njëri-tjetrin.
Kur e tregojmë historinë e luftës në Kosovë me ndershmëri dhe gjithëpërfshirje, krijojmë hapësinë për një pamje ma të plotë të atyne viteve – një pamje që e reflekton larminë e njerëzve që e kanë përjetu luftën dhe emocionet që kanë mbart me vete. Ato vite kanë qenë të mbushuna me frikë dhe dhunë, por edhe me një njerëzi këmbëngulëse që as lufta nuk ka mujt me e zhdukë.
***
Jeta jem ka shku në shumë drejtime njëkohësisht. Sot jom 49 vjeçar. Identifikohem si biseksual. Jom i martum, kom familje, fmi… edhe jeta jem ka ecë kështu gjithë kohën, paralelisht, në shumë anë t’njëjtën kohë.
Unë jom rritë në Podujevë, në ni familje të madhe. Kur kom qenë fëmijë, nuk e kom ditë çka po ndodhë me mu. Kisha qef me nejtë me çika, po m’pëlqejshin edhe djemtë. Ka qenë pak konfuze, po nuk e kom mendu shumë, veç e kom jetu jetën qashtu qysh m’ka ardhë. M’ka pëlqy me lujtë në lagje me llastik e me konop, kurse në shkollë me volejboll e hendboll.
Sa kom qenë në shkollë fillore, ni shoqe pat fillu me m’thirrë “Ajkunë”, një personazh i ni drame shqipe të asaj kohe, ni djalë që u veshke me tesha të çikave. Mua m’thirrshin qashtu se ju doksha si çikë, ama unë nuk e kom ni veten t’ofendumë. S’i kom marrë për bazë hiç, e kom marrë me humor edhe e kom vazhdu jetën qashtu. Në përgjithësi, gjithmonë jom kanë tip që i marr gjanat me humor. Ndoshta edhe qajo m’ka ndihmu me i kalu shumë sene ma lehtë.
Kur fillova me u rritë, erdhën edhe disa ndjenja që nuk i kuptojsha fort mirë. Ni ditë jom kanë tu shku në bibliotekë me ndrru lektyrën. Po m’nal ni djalë edhe m’pyet: “A m’pranon?” I thashë: “Unë djalë jom,” edhe ika. Atëherë i kom pasë flokët e gjata, mendimi jem u kanë që ju kom dokë si vajzë edhe për qata m’tha ashtu. S’mka shku mendja tjetërkah.
Mandej, në shkollë t’mesme, dikun 16–17 vjet, fillova me kuptu që ka edhe tjerë si unë. Deri atëherë mendojsha që jom i vetmi edhe çuditërisht, kjo nuk m’ka ba me u ndi keq, përkundrazi, e kom menu: “Unë jom i veçantë për diçka.” Nuk kom ra në depresion, as nuk e kom shti veten me e stërmendu – thjesht e kom pranu.
Kjo koha e shkollës t’mesme u kanë edhe koha kur situata në Kosovë veç ishke tu u përkeqësu. Prindi jem ka pasë ma shumë liri në Jugosllavi, si na qitash. Po në kohën tem liria u kufizu. Na majshim mësim nëpër shpija-shkolla veç me mujtë me vazhdu shkollën. Policia serbe shpesh m’ka nalë rrugës, m’ka vonu me qëllim edhe m’ka pytë: “Ku po shkon?” Tensioni u pat bo pjesë e jetës tonë. Ndoshta edhe për qata s’më ka ra në men me u rujtë a me u tutë as për seksualitet, as për shumë sene tjera. Kurr s’kena ditë mu tutë.
Në këtë kohë kom përjetu për herë t’parë diçka me ni djalë. Pata pasë punë në ni lokal edhe mu afru njani që punojke aty. M’tha: “Koke djalë i mirë…” Nashta m’vrejti pak. Edhe më tha diçka si: “A ki qef…” – e disha ku po e qet. Thashë: “Hajt po vi.”
Ai ishte ma i vjetër se unë. Kur shkova, e msheli lokalin edhe m’u afru. Mu veç m’u dridhke trupi. Herën e parë thojsha me vete: “Çka u ba? Koka edhe ky?” Dojsha mu çmend.
Mas ni kohe, po kaloj mbrapa komunës edhe e pashë qat’ personin aty në park me ni tjetër. Qaty u nala edhe thashë: “Qitu koka vendi.” Qitu paska ksi si unë. Se unë hala s’e kom ditë emnin tem çka jom. Fjala “dylber” përdorej nëpër kangë si kompliment – “i mirë si dylber”, “i mirë si çikë” – po unë atëherë nuk dijsha fort mirë çka domethanë.
Prej asaj kohe fillova me dalë edhe unë në ato vende edhe me i njoftë tjerët. Parku u kanë njani prej vendeve ma t’frekuentume prej dylberave. T’shtuneve u mbushke plot. Nuk dishe ku me shku, qaq shumë njerëz ka pasë. Mandej fillova me vizitu edhe qytete tjera edhe e kuptova që pothuajse çdo qytet i ka pasë zonat e veta ku mblidheshin gejat. Në Prishtinë, përpos parkut, ka qenë edhe ni ndërtesë afër Ministrisë s’Arsimit ku zakonisht mblidheshin dylberat prej orës 16:00, prej krejt etnive – edhe dylberat kanë pasë bashkim-vllaznim në atë kohë.
Qajo kohë, para luftës, u kanë edhe koha kur kom njoftë shumë njerëz. Na i kemi pasë mënyrat tona të komunikimit. Veç e shihshe dikon, ndaleshe pak, t’kqyrke, edhe e kuptojshe. Nganjëherë mjaftojke ni prekje, ni lëvizje me kry, edhe u kuptojshim menjëherë që jena t’njejtë. Për herë t’parë takova edhe dikon që vishej si gru, prej komunitetit ashkali. Na e krijum ni grup shoqnor edhe kemi nejtë shumë bashkë. Bojshim neja me defa e tarabuka, knojshim çdo natë. Ishte ni ndjenjë që e gjejshim njani-tjetrin.
Takimet me njerëz të ri kanë qenë ma të lehta edhe ma njerëzore. Atëherë u takojshim, dilshim. T’pëlqejke dikush, mirë. S’t’pëlqejke, mbeteshe shokë. Unë me shumicën kom mbetë shokë edhe sot. Kerkush nuk t’ka thanë “gej” ose “peder” – t’kanë thanë “si çikë”. Edhe kur m’kanë thirrë Ajkunë, s’e kom ni veten t’ofendumë. M’kanë thanë edhe sene tjera, po mu ka dokë krenari.
Para luftës jom njoftu edhe me grunë tem. Kemi qenë bashkë ni kohë, mandej kur i bona 22 vjet jemi martu. Mas ni kohe u bona edhe prind. Kur m’ka lindë fmija i parë, mu ka dokë jeta shumë interesante. U bana prind. Mu dha ni emër tjetër. Mu doke që krejt pe dijnë kush jom kur po dal. Masanej i kom pasë edhe fëmijët tjerë. Edhe jom shumë i lumtur – me familje, me fmi, me familjen e gjanë.
Veç ni brengë e kom që asnihere s’kom dalë hapur si biseksual te gruja jem. Qajo m’bren ma s’shumti. Por detyrohesh me vazhdu qashtu. Qeshtu osht’ kaniher realiteti për shumë dylbera në Kosovë.
Ajo që m’ka majtë gjithmonë u kanë shoqnia. E kemi mbështetë njani-tjetrin shumë. Gjithmonë kemi dalë ka dy a tre veta bashkë edhe ia kemi rujtë shpinën njani-tjetrit. Ka ndodhë që s’kom ble asni palë çorape për vete pa ia ble edhe dikujt tjetër t’komunitetit. Edhe ata mu. Qashtu jena kanë.
Ka pasë raste që edhe i kena dalë në ndihmë njëri-tjetrit. Ni herë dikush prej komunitetit tonë u kërcënu me emën t’UÇK-së. Unë dola edhe i thashë atij që po kërcënonte: “Ku ka me ardhë ky me u lajmëru? Në cilën zyrë? Te cili komandant?” Ai veç u dridhke. I thashë: “Fol, se e ke kërcënu shumë.” Edhe masanej u zhduk. Ironia osht’ që edhe ai vet ka qenë gej.
Shoqërimi dhe takimet mes dylberave nuk janë nalë as gjatë luftës. Krisshin automatat, ishke tu u bombardu Drenica, e na prapë takojshim dikon prej Drenice. Lufta e ndryshon jetën, po nuk i ndal nevojat e njeriut me pasë afërsi, shoqni, dashni a kontakt.
Kur dolëm refugjatë në Mal t’Zi, gjithçka ndodhi shpejt. Ushtria filloi me u stacionu afër shpijave tona edhe veç u nisëm. Fatmirësisht, luftën e kemi kalu ma lehtë se shumë tjerë. Nuk kemi pasë naj problem madhor.
Kur mrrita në Mal t’Zi, hala pa u rehatu mirë, në stacion tu lyp banesë, u takova me ni prej Kosovës. “I kahit je?”, “çka po bon?”… edhe menjëherë u lidhem. Ai kishte lanë takim me tjerë. Veç më mori edhe mu edhe shkumë bashkë. E lash banesën krejt, shkova në ni qytet tjetër. Edhe aty, ku shkojshe, pa e taku dikon t’komunitetit s’e lejshe. Menjëherë u takojshe. Rrishe si shoqni. U krijojshin lidhje shpejt, pa shumë fjalë. Rreth tre muaj kom nejtë atje.
I kam kalu tre muajt në Mal të Zi, krejt në kamp të refugjatëve. Kushtet në kamp nuk kanë qenë t’kqija. Krejt familja jem u kanë aty. Ni familjar nuk u kanë, po e dishim ku është. Ndjen dhimbje për njerëzit e vendin tand, po kur e ke familjen afër, e kalon ma lehtë.
Si u kry lufta, mas 3–4 ditëve jom kthy në Kosovë. Atëherë veçse isha i martum. U ktheva me gruan, me vllaun, me ni pjesë t’familjes. Edhe pse qyteti ishte i djegun, mu mu dokke mirë veç që u kthyem. Menjëherë fillova me punu me t’hujtë.
Koha e masluftës nuk u kanë shumë e vështirë. Nashta secila pjesë e jetës e ka bukurinë e vet. U nalke rryma, u msum pa rrymë. Ujë s’kish – me kazan u lajshim. Atëherë e pritshim me gëzim rrymën me kqyrë ni serial. Njeriu mëson prej gjithçkaje. Jeta osht’ shkollë.
Mas luftës u ba shumë ma lehtë me taku njerëz. Atëherë fillum me dalë nëpër qytete tjera edhe i njekshim pazaret. T’marteve në Prishtinë, te stacioni – aty e dije që ka ma shumë njerëz. T’shtuneve në Pejë, t’mërkurën në Prizren, t’premteve në Ferizaj. Nuk takoheshim në pazar vet, po te vendet afër. Vishin ma shumë njerëz atë ditë. T’marteve në Prishtinë, për shembull, t’dhimshin kamtë – qaq shumë njerëz ka pas.
Në atë kohë fillun edhe nejat dhe party ma shpesh. E para mbledhi që e maj në mend mirë u kanë menihere mas lufte në Tetovë. Atëherë sa kishin ardhë internet-kafejat edhe nëpër “chate” u lidhshim me njerëz. E takova ni shok t’Ferizajit edhe lamë me shku në Tetovë se “osht’ ni neje”.
Shkumë nja pesë a gjashtë vetë prej Kosove. Kur shkova atje, ato “nuset”… unë menova që jon gra. Kurrë s’kisha pa ma herët. T’veshme si nuse, krejt. T’kapshin për dore, knojshin, kcejshin… edhe ti mbeteshe tu i kqyrë. Kur u kry neja, u çu njoni, u la, u vesh me komplet edhe shkoi me jep mësim t’nesërmen në sabah – arsimtar ish kanë. Qaty e kuptova sa jetë t’dyfishta kanë jetu njerëzit.
Masanej fillun nejat gjithkah – në Dukagjin, në Prishtinë, në veri, në Maqedoni. U organizojshim vet. Pak me telefon, pak me fjalë. Unë për veti jom dalë gjithmonë me kerr. Nëse isha tu shku në party në Dukagjin, ndalesha rrugës me i marrë tjerët me vete.
Këto vende kanë qenë të shpërndame gjithkah. Veç në Prishtinë nja dhjetë vende i kom ditë: parku i madh, biblioteka në dy anët, te spitali, te stadioni, ndërtesa e policisë e rrënume, te stacioni, te parku karshi kazermës, te Termokosi, te stacioni i trenit… edhe te Skënderbeu, ku kanë qenë do WC ma herët. Krejt këto vende – pa OJQ, pa lokale, pa kurgjo – veç ambiente t’hapura ku jemi taku mes vete.
Takimet shpesh kanë qenë për seks, po jo gjithmonë. Ka ndodhë me hypë n’kerr veç me ardhë me ba ni llaf në Prishtinë. Me nejtë. Me folë. Shpesh jena mbledhë nëpër banesa. Bojshim bukë, muzikë, kcejshim, folshim deri vonë. Këto neja kanë qenë ma të vogla, ma intime. Visheshim, bojshim hajgare: “Hajt kishe kanagjegj”, “hajt kishe po martohesh”… edhe ka ndodhë jena mbledhë me qitë llokuma, me ba pite, me gatu bashkë.
Shumicën kemi qenë burra – gej, biseksual. Gra ka pasë shumë pak. Unë për veti nuk e kom ditë shumë për lezbike atëherë. Madje nuk e kom ditë as që ekzistojnë. Kom menu që veç na djem me djem.
Mas lufte fillum me kuptu edhe shumë gjana tjera. Kena kuptu që ka pasë shumë persona t’komunitetit që janë vra, ose që kanë qenë në ushtri, në polici, doktorë që kanë ndihmu gjatë luftës. Edhe sot i ki gjithkah – në polici, në FSK, në ministri, në presidencë.
Këtë po e përmendi veç për me e dëshmu që komunitet ka pasë gjithmonë. Kur jom kanë i ri, ka pasë edhe pleq t’komunitetit me plis t’bardhë. Shumë prej atyne që s’kanë dashtë me u martu kanë mbetë vetëm krejt jetën.
Edhe sot i ki asi njerëz. Në qytetin tem osht’ ni burrë mbi 70 vjet, kurrë s’u martu. Gej osht’. Po ai nuk u dalë kurrë me e shkru n’ballë “jom gej”. As nuk ka dalë në paradë. Krejt tjetër kohë ka qenë atëherë.
Sot, kur e kqyri Kosovën, këtë vizibilitet, këto të drejta, paradat, organizimet… nuk e kom besu kurrë që kena me mrrijtë deri këtu. Sidomos kaq shpejt. Unë kom menu që gjithmonë kena me mbetë t’msheft.
Edhe kur e krahason me vendet tjera, m’doket që na kemi ecë shumë shpejt. Mali i Zi, Maqedonia – s’kanë përjetu luftë si na edhe kanë qenë republika. Na s’jena kanë as republikë, s’kena pasë as polici tonën. Kemi qenë nën kontrollë. Me arritë deri këtu osht’ sukses i madh.
Po me folë sot me veten tem t’asaj kohe, as vet s’kisha besu. Nuk e kom besu që kom me përjetu ni paradë në Kosovë. Edhe me ma thanë dikush, nuk e kisha marrë seriozisht. Pa e përjetu vet, zor osht’ me besu. Po erdh shumë ma shpejt se që kom menu. Edhe e mbrrijta me e pa.
Për arsye privatësie dhe sigurie, emri dhe vendbanimi i personit që ka dhanë këtë dëshmi janë ndryshu.
Imazhi i ballinës: Dylberizm
Kjo intervistë është prodhuar dhe botuar fillimisht nga Dylberizm, në bashkëpunim me Pro Peace.




