Gjykimi në mungesë, jo përmbushës, por opsioni i vetëm në rrethanat e tashme.
Të hënën e 23 shkurtit 2026, sa ishte rrugës për në xhami, Ramë Shabani nga fshati Reçak, pranoi një telefonatë. Zyrtarë të Prokurorisë Speciale e ftuan për takim lidhur me përgatitjen e dëshmisë së tij para nisjes së gjykimit ndaj 21 personave për masakrën, që kishte ndodhur në fshatin e tij në janar 1999, ku u vranë 45 civilë.
E kishte të pamundur të takohej për shkak të disa obligimeve tjera në kohën kur pranoi telefonatën. Prandaj, thotë se u dakorduan të mbeteshin në kontakt për takim në tjetër ditë. Por, prej 23 shkurtit, Shabani, 60-vjeçar thotë se nuk e kontaktoi kush më.
Shabani thotë se asnjëherë nuk do të hezitojë të dëshmojë para institucioneve, anipse ka pak pritje që drejtësia do të arrijë, pasi gjykimi do të zhvillohet në mungesë.
“Unë aty [në gjykatë] foli sikur me ty, ai nuk mundet me ma kthy, as me më kundërshtu”, thotë ai. “Për çka thuhet me u ulë në bankën e të akuzuarit? Këtu veç të drejtën nuk po e shoh”.
Shabani thotë se është në mesin e pak të mbijetuarëve të kësaj masakre që janë ende gjallë, andaj dëshmia e tij është vendimtare për gjykimin që pritet të nisë së shpejti.
Masakra e ndodhur më 15 janar 1999 në fshatin Reçak, përfaqëson një nga ngjarjet më të rënda që ndodhën në luftën e Kosovës. Forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, çka u dokumentua dhe u denoncua nga vëzhgues ndërkombëtarë, përfshirë Misionin Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me në krye William Walker. Kjo ngjarje u kthye në pikë kthese në opinionin ndërkombëtar, duke nxitur reagime të mëdha diplomatike dhe duke kontribuuar drejtpërdrejt në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave serbe. Derisa autoritetet serbe këmbëngulnin se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK, Walker, i cili vizitoi Reçakun një ditë pas masakrës, e quajti atë “krim kundër njerëzimit”, dukë thënë se viktimat ishin civilë. Masakra ishte pjesë e aktakuzës së prokurorisë së Gjykatës së Hagës kundër presidentit të Jugosllavisë Sllobodan Milošević.
Masakra e Reçakut sot shënohet jo vetëm si një tragjedi, por edhe si një moment kyç që ekspozoi shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe përshpejtoi ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
Prokuroria Speciale e Kosovës, në fund të dhjetorit të vitit 2025, ngriti aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave për krime lufte në fshatin Reçak. Aktakuza përfshin disa vepra penale si: vrasje, tortura e trajtim çnjerëzor ndaj popullatës civile, shkatërrim të pasurisë e dëbim të popullësisë civile.
Pas ndryshimeve të miratuara në vitin 2021 në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, Kosova ka nisur gjykimet në mungesë. Kjo formë e gjykimit zhvillohet pa praninë e personit të akuzuar, kur ai është i pakapshëm ose kur vullnetarisht heq dorë nga e drejta për pjesëmarrje në gjykim.
Megjithatë, në raste të tilla, trupi gjykues duhet të mbajë një seancë dëgjimore për të vendosur nëse kërkesa për gjykim në mungesë është e bazuar, si dhe prokuroria dhe gjykatat duhet të kenë realizuar të gjitha detyrat për sigurimin e të akuzuarit.
Deri tash, bazuar në të dhënat e Prokurorisë Speciale, në Kosovë janë dorëzuar 20 aktakuza për gjykim në mungesë, ndaj 102 personave, kurse vetëm gjatë vitit 2025 janë akuzuar 33 persona për gjykim në mungesë. Në mesin e tyre, edhe aktakuza për masakrën në Reçak.
Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale kishin ardhur pas një kohe të gjatë kritikash rreth adresimit të krimeve të luftës. Menjëherë pas përfundimit të luftës këto rastet e krimeve të luftës ishin nën udhëheqjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më pas, pas shpalljes së pavarësisë u menaxhuan nga misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
Hetimet nisnin, e pushonin më pas duke qenë se shumica e të dyshurave ishin të pakapshëm për institucionet. Prokuroria e Kosovës mori kompetencat ekskluzive për të hetuar krimet e luftës tek në vitin 2018. Si rezultat, u hap diskutimi për nevojën e gjykimit në mungesë për rastet e krimeve të luftës. Pjesa më e madhe e partive politike e mbështetën ndryshimin, megjithatë Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, vlerësonte se kjo nuk është zgjidhje, marrë për bazë rrezikun për cenimin e të drejtave të njeriut.
Pavarësisht se e drejta për drejtësi është një nga parimet bazë të drejtësisë tranzicionale, disa nga organizatat, që punojnë në fushën e ballafaqimit me të kaluarën, patën dilema nëse gjykimi në mungesë është rruga e duhur për zbardhjen e krimeve të luftës. Në kuadër të drejtësisë tranzicionale, e drejta për drejtësi nënkupton të drejtën e viktimave dhe të shoqërisë që shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të hetohen, autorët të mbahen përgjegjës dhe të vendoset drejtësia në mënyrë të paanshme. Ajo lidhet me ndjekjen penale të krimeve, zbulimin e së vërtetës, dënimin e përgjegjësve dhe sigurimin që padrejtësitë e së kaluarës të mos mbeten të pandëshkuara.
Në këtë kontekst, kjo e drejtë është thelbësore për rikthimin e besimit në institucione, për njohjen e vuajtjeve të viktimave dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë pas periudhave të konfliktit. Megjithatë, edhe të mbijetuarit, e edhe familjarët kanë hezitimet e tyre për gjykimin në mungesë.
Prapëseprapë, për një varg arsyesh, kjo formë mund të jetë opsioni i vetëm tash për tash për vënien në vend të drejtësisë.
Drejtësi e paplotë
Masakra e Reçakut është prej ngjarjeve më të rënda në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë e njëherit prej ngjarjeve vendimtare që nxiti reagim ndërkombëtar, që u manifestua edhe me vendimin për nisjen e bombardimeve të NATO-s, në mars të vitit 1999.
Megjithatë, procesi për arritjen e drejtësisë për viktimat e kësaj masakre nuk e ka përmbushur Shabanin. Ai, tash e 27 vjet, kërkon drejtësi si i mbijetuar i kësaj masakre, e edhe si dikush që në të humbi vëllain dhe dhjetëra të afërm. Gjykimi në mungesë po e bren.
“Ajo nuk është drejtësi hiç, as gjysmëdrejtësie bile”, thotë Shabani. “Unë ndihem i përmbushur kur ta shoh komandantin e policisë prapa grilave dhe t’i them që ‘ty të kam pa duke folë në radiolidhje, ti i ke numëru krejt trupat’”.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale, e ngritur në mungesë, nuk ka përmbushur as banorët tjerë në fshatin Reçak. Këta 21 persona janë, ndër tjera, pjesëtarë të ndryshëm të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, njësive të veçanta të policisë, pjesëtarë të ushtrisë jugosllave e komandantë të stacioneve policore.
Përfaqësuesi i këtij fshati, Adem Ramadani, i cili është zgjedhur nga banorët për t’i përfaqësuar interesat e fshatit, dhe i cili ka po ashtu familjarë të vrarë në këtë masakër, e konsideron këtë numër të të akuzuarve si të ulët dhe gjykimin në mungesë si të pamjaftueshëm.
“Nuk na duhen veç me qenë të akuzuar, e në anën tjetër të njëjtit me qenë të lirë”, thotë Ramadani. “21 persona ata kanë qenë veç me një vend, një grup krejt i vogël. Fshati nuk është i përmbushur pa i parë të gjithë të dënuar, por jo në mungesë, sepse ata jetojnë të lumtur në Serbi”.
Përveç aktakuzës më të fundit, lidhur me masakrën e Reçakut, tashmë ekziston edhe një dënim. Ai u shpall në dhjetor 2024, kur Čedomir Aksić u dënua me 15 vjet burg për krime lufte.
Megjithatë, më vonë, Gjykata e Apelit e ktheu gjithë procesin në rigjykim. Kjo ndodhi pasi trupi gjykues konstatoi se nuk ishin ndërmarrë hapat e nevojshëm për njoftimin e të akuzuarit dhe për sigurimin e pranisë së tij në procedurë.
Ky vendim nuk e befasoi profesoren e së drejtës ndërkombëtare, Gjylbehare Murati, e cila thekson se njoftimi i të akuzuarit mbetet problemi më i madh në rastet e gjykimeve në mungesë.
“Gjykata duhet të ketë prova që i pandehuri është njoftuar, ose të paktën që janë bërë përpjekje serioze dhe të dokumentuara për ta njoftuar atë”, thotë Murati. “Marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet shteteve dhe nevoja për dorëzim efektiv të njoftimeve e bëjnë këtë proces shumë të vështirë”.
Gjykata e Apelit gjithashtu konstatoi se institucionet kishin dështuar të zhvillonin një fushatë të plotë informimi për ta njoftuar të akuzuarin për këtë proces.
Për këtë, Arbnora Luta, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale të Kosovës, thotë se për secilën aktakuzë përcillet një proces informimi, që përfshin publikimin e aktakuzës në ueb-faqe të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Prokurorisë Speciale dhe një varg hapash tjerë.
“Po ashtu, publikohen edhe ftesat për pjesëmarrje në proces gjyqësor. Këto ftesa shërbejnë si njoftim për të pandehurit dhe mundësojnë zhvillimin e gjykimit në mungesë, ashtu siç parashihet dhe kërkohet nga Kodi i Procedurës Penale”, thotë Luta.
Por përveç këtij aktgjykimi dënues që u kthye në pikën zero, janë edhe dy të tjerë të shpallur në mungesë.
Çka ka ndodhur deri tash?
Më 10 prill të vitit 1998, Hafir Shala u ndalua nga disa pjesëtarë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Sipas aktakuzës, Shala ishte i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë në veturë kur ishte marrë dhe dërguar në objektin e Sigurimit të Shtetit në Prishtinë, ku sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ishte rrahur e keqtrajtuar. Që nga atëherë, nuk dihet asgjë për mjekun e njohur nga Drenasi.
Në mesin e personave që ndaluan dhe morën pjesë në zhdukjen e mjekut Shala ishte Slaviša Filić, i cili, në vitin 2025, u dënua me 15 vjet burgim në mungesë për veprën penale të krimeve të luftës nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Dënimi ndaj Filić në mungesë, dhe pa arrest, është në mesin e tri aktgjykimeve dënuese që janë shpallur në mungesë për veprat e krimeve të luftës. Gentrit Shala, djali i Hafir Shalës ka marrë pjesë në të gjitha seancat. Edhe pse thotë që gjykimi në mungesë nuk është adresim i plotë i fajësisë për personat, të cilët ia maltretuan e zhdukën prindin, Shala këtë e quan një drejtësi minimale.
“Është një hap drejt drejtësisë, por jo e plotë”, thotë Shala. “Kur kapja e kriminelëve duket e vështirë, gjykimet në mungesë janë mjet i domosdoshëm për të dokumentuar krimet e luftës dhe mos lejuar harresën”.
Pos kësaj, babai i tij vazhdon të mbetet i zhdukur, një tjetër fakt që pengon arritjen e plotë të drejtësisë për të. “Dënimi është dhënë, përgjegjësia është emërtuar nga gjykata, por fati i babait ende nuk është zbardhur”, thotë Shala. “Nuk kemi një varr ku të vendosim lule, drejtësia në letër ekziston, por e vërteta e plotë mungon”.

Familja Shala në këtë proces gjyqësor u përfaqësua nga avokati Kujtim Kërveshi. Edhe pse procesi u zhvillua në mungesë, Kërveshi thotë se kjo nuk pengoi në vërtetimin e fajësisë së Filić. Edhe Kërveshi si pengesë e sheh mungesën e bashkëpunimit midis shteteve.
“Gjykimi në mungesë mund të vlerësohet si e vetmja formë e gjykimit të personave që akuzohen për krime të tilla duke qenë se Serbia nuk bashkëpunon me Kosovën” thotë ai. “Të njëjtit të akuzuar mbrohen nga vetë shteti i Serbisë”, thotë avokati Kërveshi.
Krimet e luftës, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do të ishte ideale të gjykohen me personat e akuzuar, të cilët arrestohen. Mirëpo, në rastin e Kosovës, kjo është shpesh e pamundur. Shumë prej personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës gjenden në Serbi. Kosova, për të pasur mundësi t’i arrestojë, duhet të ketë marrëveshje ekstradimi, apo bashkëpunim me shtetin tjetër. Në rastin e Serbisë, ky bashkëpunim nuk ekziston. Si rezultat, nëse ndonjë i dyshuar rastësisht futet në Kosovë, ai arrestohet.
Nëse as kjo nuk ndodh, atëherë si opsion i fundit mbetet fletëarresti nëpërmjet Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) nëse një i dënuar kapet në shtetet tjera. Megjithatë, edhe në këtë rast, ekstradimi mbetet i varur nga marrëveshjet që Kosova (nuk) ka me atë shtet, ose nga ndihma e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), duke qenë se Kosova nuk është pjesë e INTERPOL.
Mungesën e bashkëpunimit e thekson edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i cili ka monitoruar qindra procese gjyqësore të krimeve të luftës në Kosovë.
“Aktualisht nuk shihet vullnet politik për një bashkëpunim të tillë”, thotë Alija. “Për këtë arsye, bashkësia ndërkombëtare duhet të insistojë në nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Kosovës, Serbisë dhe shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë”.
Aktgjykimi tjetër, i shpallur në mungesë për krime të luftës, ishte ndaj Ivica Rajković dhe Dragan Denić, po ashtu në vitin 2025. Të dy u dënuan me nga 15 vjet për krime të luftës.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Rajković e Denić ishin pjesëtarë të forcave policore në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, dhe pas fillimit të bombardimeve të NAT), morën pjesë në një sulm të gjerë ndaj popullatës civile. Të dy, u konstatua se kryen dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare.
Rasti dhe dosja e këtij dhunimi ishte deponuar në institucione nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT), organizatë që merret kryesisht me mbështetje për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Nga QKRMT theksojnë se e mbijetuara e dhunës seksuale në këtë rast e ka mirëpritur dënimin, por që drejtësia nuk është e plotë pa u arrestuar të dënuarit.
“Megjithatë, ajo [e mbijetuara] ka theksuar se qetësinë e plotë shpirtërore do ta arrijë vetëm kur t’i shohë kryerësit duke vuajtur dënimin prapa grilave. Aktgjykimi sjell konfirmim dhe forcim, por drejtësia e plotë lidhet me ekzekutimin e dënimit”, shkruhet në përgjigjen e QKRMT-së.
Gjykimin në mungesë, kjo organizatë e sheh si të rëndësishëm për adresimin e drejtësisë. Prapëseprapë, sipas tyre, një drejtësi e plotë asnjëherë nuk do të quhet e tillë pa arrestimin e të gjithë atyre që morën pjesë në krime të luftës.
Nëse bëhet sipas kushteve të caktuara, për profesorin e së drejtës penale ndërkombëtare, Ismet Salihu, gjykimi në mungesë mbetet aktualisht e vetmja mënyrë e adresimit të drejtësisë për krimet e luftës, duke marrë për bazë mungesën e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Është nismë e mirë, satisfaksioni për viktimat dhe ushtrim i juridiksionit. Gjithashtu mundet me u shpallë fletëarresti ndërkombëtar, INTERPOL-i me i zënë, e me u dënu në prezencë”, thotë Salihu.
Në momentin kur apo nëse i akuzuari ose i dënuari në mungesë arrestohet, ai ka të drejtë për rigjykim të plotë. Për shkak të gjithë këtyre implikimeve, gjykimi në mungesë nuk është ideal dhe për t’u realizuar si duhet, kërkon përcjellje rigoroze të standardeve. Disa vende tjera në Evropë, të cilat zbatojnë gjykimin në mungesë, janë përballur me sfida për t’i përmbushur këto standarde.
Gjykimi në mungesë në shtetet e tjera
Kosova është një prej shumë vendeve në Evropë që mundësojnë gjykimin në mungesë. Ka shumë raste prej të cilave mund të marrë shembull, sidomos raste që lidhen me dështimet e shteteve për ta realizuar gjykimin në mungesë sipas standardeve që mbrojnë të drejtën për gjykim të drejtë, e njëherit edhe që sigurohen që të ketë drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarit.
Në shkurt të vitit 2015, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vendosi një standard të rëndësishëm në gjykimet në mungesë për krimet e luftës, e tek të cilët sot bazohen të gjitha shtetet evropiane, përfshirë Kosovën.
GjEDNj konstatoi se Kroacia kishte shkelur parimin e gjykimit të drejtë për ish-paramilitarin serb, Mile Sanader, kur ai ishte dënuar për krime të luftës. Sanader ishte dënuar në shtator të vitit 1991, me 20 vjet burg, për përfshirjen në vrasjen e 27 të burgosurve kroatë në Petrinjë. 24 vjet pas dënimit, Sanader ishte ankuar në GjEDNj, e cila më pas konstatoi se kishte shkelje të të drejtave të njeriut.
Në këtë rast, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se gjykimi në mungesë mund të jetë i pranueshëm në rrethana të caktuara, por që duhet të garantohet edhe mundësia efektive për rigjykim. Sipas GjEDNj, Kroacia nuk i kishte siguruar Sanader mundësi të sigurta për rigjykim. Po ashtu, gjykata konstatoi se Kroacia ka krijuar pengesa disproporcionale ndaj mundësisë mundësi reale dhe të sigurt që Sanader ta mbrojë veten në një proces të ri gjyqësor.
Megjithatë, Kroacia ka vazhduar me gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, ku sipas raportimeve, në vitin 2022 shteti kroat kishte pasur 61 raste të krimeve të luftës, prej të cilave 41 apo gati 70% ishin në mungesë.
Gjykimi në mungesë praktikohet edhe në vendet tjera të rajonit, përfshirë Serbinë, e cila gjithashtu fokusin kryesor e ka tek krimet e pretenduara të luftës që, sipas tyre, janë kryer nga ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe në këtë rast, mungon bashkëpunimi ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, Serbia ka dënuar në mungesë edhe për raste të tjera, siç është shembulli me disa anëtarë të një grupi kriminal me bazë në Mal të Zi.
Edhe Maqedonia e Veriut lejon gjykimin në mungesë me disa kushte strikte, madje atje, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, është dënuar në mungesë për keqpërdorime financiare. Raste të dënimeve në mungesë ka edhe në Malin e Zi, ku atje në vitin 2021 u zhvillua një rigjykim ku kishin qenë të dënuar disa persona, përfshirë edhe të huaj apo subjektë të papranishëm, për akuza të ndryshme dhe vendimet fillestare ishin anuluar apo rishqyrtuar.
Mënyra e gjykimit në mungesë lejohet edhe në shtete të tjera evropiane, e në disa të tjera është shumë i kushtëzuar. Holanda, Spanja e Franca lejojnë gjykimin në mungesë, sipas parimeve të GjEDNj.
Kurse, Gjermania është në mesin e shteteve që e ka të kushtëzuar skajshmërisht gjykimin në mungesë. Gjykimi i plotë në mungesë nuk lejohet për vepra serioze. Sistemi gjerman e konsideron praninë fizike si pjesë parimore të së drejtës kushtetuese për mbrojtjes dhe element thelbësor për rapnimin e provave.
Kurse Italia, pas disa vendimeve të cilat u rrëzuan nga GjEDNj, ndryshoi rregullimin ligjor. Në Itali njihet rasti Colozza ku Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut shqyrtoi se Giacinto Colozza ishte gjykuar e dënuar në mungesë për një varg akuzash, përfshirë mashtrimin, duke u konsideruar si i arratisur. Dhe gjykata konstatoi se atij iu cenua e drejta për gjykim të drejtë.
Kjo pasi autoritetet italiane kishin supozuar se i akuzuari kishte hequr nga e drejta për gjykim dhe ishte shpallur i arratisur. Megjithatë, GjEDNj konstatoi se Colozza nuk ishte në dijeni për procedurat apo që po i shmangej drejtësisë. Për më tepër, sipas aktgjykimit, përpjekjet e autoriteteve italiane ishin të pamjaftueshme për ta informuar, edhe pse mundësitë reale ekzistonin.
Gjithashtu njihet edhe rasti i Ismet Sejdovic, ku vendimi i GjEDNj, është i ngjashëm sikur në rastin e Sanader me Kroacinë. Edhe tek rasti i Sejdovic, gjykata konstatoi se të dënuarit nuk i ishte dhënë mundësia e plotë për një rigjykim.
Si rezultat, në raste kur gjykimet në mungesë zhvillohen mes shteteve që nuk kanë bashkëpunim, apo kur të akuzuarit mbrohen nga shteti tjetër, atëherë është shumë problematik shfrytëzimi i të gjithë mekanizmave për njoftimin e tij lidhur me të gjitha këto procedura, ngjashëm siç është rasti mes Kosovës e Serbisë.
Ndërkohë, teksa Kosova gjendet në fillet e gjykimit në mungesë, viktimat dhe të mbijetuarit e krimeve të luftës ndodhen përballë kohës që kalon dhe mungesës së drejtësisë.
Shumë bashkëfshatarë të tij kanë vdekur pa e thënë fjalën e tyre në Gjykatë, të njëjtën frikë e ka edhe Shabani nga Reçaku. Është i gatshëm të shkojë edhe në Beograd që të përballet me personat e akuzuar. Por, pa praninë e tyre në gjykatore, ai nuk ndihet i përmbushur.
“Kjo më shumë sa për adet. Hëngrëm drekë pa hangër hiç”, thotë ai.
Fotografia kryesore: Valdrin Xhemaj
Besian Beha është gazetar në Nacionale. Me 9 vite përvojë, ai ka punuar për media të ndryshme online dhe për transmetuesin publik RTK. Ai është shpërblyer me një sërë çmimesh në gazetari për mbulimin e drejtësisë tranzicionale, gazetarisë hulumtuese, raportimit mbi antigjipsizmin dhe fuqizimit të grave në vendin e punës.
Ky artikull është botuar edhe në Nacionale.




