25 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës:

Dominimi i armiqësisë dhe vetë-viktimizimit

Më 9 qershor bëhen 25 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, e lidhur në vitin 1999 në aeroportin ushtarak afër Kumanovës, ndërmjet qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë nga njëra anë dhe KFOR-it në anën tjetër. Marrëveshja u nënshkrua nga gjenerali i Ushtrisë Jugosllave Svetozar Marjanoviç, gjenerali i Ministrisë së Brendshme të Serbisë Obrad Stevanoviq dhe gjenerali britanik Michael Jackson.

Kjo marrëveshje nuk ka sjellë reforma institucionale në Kosovë dhe as nuk ka dhënë udhëzime për bashkëjetesë pas luftës. Ishte e rëndësishme për një arsye tjetër: nënshkrimi i kësaj marrëveshje nënkuptonte ndalimin përfundimtar të krimeve të luftës në Kosovë dhe ndërprerjen e bombardimeve të Republikës Federale të Jugosllavisë nga forcat e NATO-s.

Edhe sot, 25 vjet pas ndërprerjes zyrtare të konfliktit të armatosur, qytetarët e Serbisë dhe Kosovës dinë shumë pak se çfarë i ka paraprirë kësaj marrëveshjeje.

Nga këndvështrimi i Serbisë, lufta në Kosovë ishte mbrojtëse dhe bombardimet e mëvonshme portretizohen si agresion i NATO-s kundër një vendi sovran që synon marrjen e një pjese të territorit të tij. Gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht pas ngritjes në pushtet të Partisë Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiq, Serbia ka përkujtuar fillimin e bombardimeve duke forcuar narrativat e viktimizimit, historitë e rikthimit të krenarisë së popullit serb dhe duke i kremtuar kriminelët si heronj.[1] Kjo ka krijuar një imazh të popullit serb si heroik, krenar dhe i drejtë. Nuk përmenden shkaqet e bombardimeve; në vend të kësaj, serbët paraqiten si viktima të fuqive të mëdha dhe të interesave të tyre. Represioni kundër popullatës shqiptare në fillim të viteve 1990 dhe krimet e viteve 1998 dhe 1999 janë heshtur në mënyrë agresive dhe janë fshehur qëllimisht nga opinioni publik. Përfaqësuesit e Kosovës gjithashtu promovojnë intensivisht një kujtim të njëanshëm të luftës që përkujton heronjtë e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe i paraqet shqiptarët si viktimat e vetme të luftës, ndërsa viktimat serbe dhe të tjera joshqiptare pothuajse nuk përmenden kurrë. Bombardimi shënohet si një mision humanitar dhe çlirimtar, me mirënjohje të madhe për komunitetin ndërkombëtar.[2]

Ndërsa të dyja palët lavdërojnë rolin e tyre si viktima, viktimat e vërteta të luftës ose harrohen ose instrumentalizohen për qëllimet politike të elitave në pushtet. Listat e viktimave, së bashku me dokumentacionin e vuajtjeve të tyre, nuk janë përpiluar nga institucionet shtetërore, por nga organizatat e shoqërisë civile. Sipas të dhënave të Qendrës për të Drejtën Humanitare dhe Qendrës për të Drejtën Humanitare në Kosovë, 13,535 persona janë vrarë[3] gjatë luftës në Kosovë nga viti 1998 deri në vitin 2000. Në vitin 1998 humbën jetën 2156 persona, nga të cilët 1804 viktima shqiptare, 269 serbë, 63 romë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera etnike. Në mesin e këtyre viktimave, shumica ishin civilë. Numri më i madh i viktimave u shkaktuan menjëherë para dhe gjatë bombardimeve.

Nga fillimi i vitit 1999 deri më 14 qershor 1999, 10,122 njerëz u vranë në Kosovë – shumica e të cilëve ishin civilë shqiptarë (7,346) dhe pjesëtarë të UÇK-së (1,354), ndërsa u vranë 385 civilë serbë dhe 865 pjesëtarë të forcave të armatosura jugosllave. Nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës e deri në fund të vitit 2000, janë vrarë 717 serbë, 307 shqiptarë, 233 romë dhe pjesëtarë të grupeve të tjera etnike, me gjithsej 1257 viktima. Pas luftës, varreza masive u gjetën në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Serbi, si ato në Batajnicë, Bajina Bashta dhe Petrovo Selo, ku trupat e civilëve shqiptarë të vrarë në Kosovë u transferuan me kamionë frigoriferë. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të pazgjidhura shumë raste të personave të zhdukur, trupat e të cilëve nuk janë gjetur kurrë. Përveç kësaj, lufta solli një numër të madh refugjatësh dhe personash të zhvendosur brenda vendit dhe shkatërrim të gjerë të pasurisë. Gjatë viteve 1998 dhe 1999, mbi 850,000 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Shumica e tyre janë kthyer në Kosovë pas luftës. Nga ana tjetër, pas luftës, apo pas tërheqjes së forcave serbe, llogaritet se rreth 230.000 serbë, romë dhe minoritete të tjera janë larguar nga territori i Kosovës.

Bisedimet për Paqe

Duke marrë parasysh numrin e madh të viktimave dhe pasojat shkatërruese të luftës, komuniteti ndërkombëtar reagoi relativisht shpejt. Duke mësuar nga reagimi i saj i ngadaltë gjatë luftës në Bosnje dhe nga frika se krimet si gjenocidi në Srebrenicë mund të përsëriten në Kosovë, NATO filloi përgatitjet për ndërhyrje ushtarake që në verën e vitit 1998. Në shtator u miratua Rezoluta 1199[4] , e cila kërkon që serbët dhe shqiptarët të ndërpresin armiqësitë dhe të fillojnë negociatat. Në tetor të vitit 1998, një delegacion amerikan, i kryesuar nga i dërguari i posaçëm Richard Holbrooke, mbërriti në Beograd dhe pas disa ditë negociatash, Millosheviqi ra dakord për disa lëshime: tërheqjen e disa forcave të sigurisë nga Kosova së bashku me vendosjen e një misioni të OSBE-së në Kosovë. Sipas marrëveshjes së arritur në atë kohë, Kosova duhej të merrte autonomi por brenda Jugosllavisë. Forcat serbe tentuan t’i shmangen zbatimit të disa dispozitave të marrëveshjes dhe meqenëse UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në këto negociata, ato nuk i konsideruan të detyrueshme dhe përdorën tërheqjen e pjesshme të forcave serbe për të zgjeruar zonat nën kontrollin e tyre. Konflikti u përshkallëzua sërish në fund të vitit.

Pas masakrës në Reçak në janar të vitit 1999, në të cilën u vranë 45 civilë shqiptarë, përpjekjet përfundimtare për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit u organizuan në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars 1999. Projektmarrëveshja ofronte një periudhë kalimtare në të cilën shqiptarët do të fitonin autonomi brenda Jugosllavisë, por mundësia e negociatave të mëvonshme për pavarësinë e Kosovës u la e hapur. NATO-ja duhej të drejtonte një mision paqeruajtës gjatë kësaj periudhe tranzitore, dhe OSBE-ja të merrte përgjegjësinë për zbatimin e tij. Ndërsa delegacioni shqiptar nënshkroi marrëveshjen, përfaqësuesit e Serbisë hodhën poshtë çdo mundësi për të shqyrtuar pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e trupave të huaja në territorin e saj. Pas negociatave të dështuara në Rambuje dhe Paris, NATO-ja filloi bombardimin e Republikës Federale të Jugosllavisë, e që zgjati 78 ditë.

Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar më 9 qershor 1999, shënoi fundin e bombardimeve dhe konflikteve të armatosura. Sipas marrëveshjes, Serbia u detyrua të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga territori i Kosovës në disa faza, brenda 11 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes. U arrit pajtimi që “në asnjë rrethanë asnjë nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë nuk duhet të hyjë, të rihyjë ose të qëndrojë në territorin e Kosovës ose në zonën e sigurisë tokësore ose zonën e sigurisë ajrore” pa paraparë pëlqimin e komandantit të KFOR-it (neni 4a). Nënshkruesit gjithashtu u pajtuan që të mos inkurajojnë, organizojnë ose nuk mbështesin asnjë veprim armiqësor ose provokues kundër asnjë personi në Kosovë. Për më tepër, u arrit pajtimi që forcat ndërkombëtare të sigurisë (KFOR) do të vendosen në Kosovë me autoritetin për të “ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të krijuar dhe mbajtur një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës” (Aneksi B, pika 1). Dispozitat e kësaj marrëveshjeje u integruan në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua një vit më vonë.

Pasojat 25 vjet më vonë

Misioni i KFOR-it fillimisht përbëhej nga rreth 50,000 anëtarë, duke u zvogëluar gradualisht me kalimin e viteve në rreth 3,700 ushtarë nga 27 vende në vitet e fundit. Pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës në vitin 2023, në Kosovë mbërritën rreth 700 ushtarë. Situata e paqëndrueshme në veri të Kosovës tregon se institucionet vendore ende nuk janë në gjendje të garantojnë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët.

Edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga përfundimi i luftës, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës të japin përshtypjen se lufta është ende në vazhdim. Rrëfimet e promovuara gjatë viteve 1990 vazhdojnë të dominojnë hapësirën publike; nuk ka asnjë konfrontim me të kaluarën apo normalizim afatgjatë të marrëdhënieve. Autoritetet si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd nxisin ndarjet ndërmjet viktimave dhe heronjve në njërën anë dhe kriminelëve në anën tjetër, pa një vlerësim kritik të së kaluarës dhe duke krijuar hapësirë për mirëkuptim dhe një të ardhme të përbashkët. Gjatë gjithë periudhës së pasluftës, viktimat e luftës janë margjinalizuar, u është mohuar hapësira për të ndarë përvojat e tyre, nuk u është thënë e vërteta për të dashurit e tyre, apo kërkim i ndonjë formë faljeje apo dhënie kompensimi. Përkundrazi, autoritetet bëjnë gjithçka për t’i instrumentalizuar për përfitime personale, duke i poshtëruar dhe heshtur më tej.

Si në Serbi ashtu edhe në Kosovë jemi dëshmitarë të forcimit të nacionalizmit dhe populizmit të djathtë dhe prodhimit të vazhdueshëm të krizave, tensioneve dhe të frikës së tjetrit. Në rrethana të tilla, negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat kanë vazhduar për më shumë se një dekadë, nuk japin shpresë për normalizim thelbësor të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt. Asnjëra palë nuk tregon gatishmëri për të zbatuar atë që është rënë dakord, për të pranuar përgjegjësinë dhe për të zgjidhur trashëgiminë e së kaluarës, dhe tensionet po transferohen gjithnjë e më shumë në shoqërinë civile. Mbetet shpresë se brezat e rinj do të gjejnë forcën për t’u kthyer në forcimin e solidaritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në kërkimin e tyre për përgjigje për problemet e sotme, duke zgjedhur aktivistët e paqes nga vitet 1990 si modele në vend të kriminelëve të luftës që u imponohen në sferën publike.

Si në Serbi ashtu edhe në Kosovë jemi dëshmitarë të forcimit të nacionalizmit dhe populizmit të djathtë dhe prodhimit të vazhdueshëm të krizave, tensioneve dhe të frikës së tjetrit. Në rrethana të tilla, negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat kanë vazhduar për më shumë se një dekadë, nuk japin shpresë për normalizim thelbësor të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt. Asnjëra palë nuk tregon gatishmëri për të zbatuar atë që është rënë dakord, për të pranuar përgjegjësinë dhe për të zgjidhur trashëgiminë e së kaluarës, dhe tensionet po transferohen gjithnjë e më shumë në shoqërinë civile. Mbetet shpresë se brezat e rinj do të gjejnë forcën për t’iu drejtuar mirëkuptimit dhe solidaritetit të ndërsjellë në kërkimin e tyre për përgjigje për problemet e sotme, duke zgjedhur aktivistët e paqes të viteve 1990 si modele në vend të kriminelëve të luftës që u janë imponuar në sferën publike.

Jelena Lonçar është profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike, në Universitetin e Beogradit, ku ligjëron lëndë të ndërlidhura me sociologjinë politike. Ajo përfundoi studimet e doktoraturës në Universitetin e York-ut në Mbretërinë e Bashkuar. Interesat e saj kërkimore përfshijnë përfaqësimin politik, gjininë dhe politikën, marrëdhëniet etnike dhe shoqërinë civile. Vitet e fundit, ajo ka shkruar intensivisht për përfaqësimin politik të grave dhe pakicave kombëtare, si dhe për tendencat autokratike në Evropën Juglindore.


[1] https://www.recom.link/wp-content/uploads/2024/01/IV-Decenija-secanja-u-Srbiji.pdf; https://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2021/10/Politika_secanja_bhs.pdf

[2] https://www.recom.link/wp-content/uploads/2024/01/V-Decenija-secanja-na-Kosovu.pdf

[3] http://www.kosovskaknjigapamcenja.org/

[4] http://unscr.com/files/1998/01199.pdf