90’s between Oda and Cafeteria I: Folk vs Alternative

Harresa dhe kujtesa janë dy prej brengave kryesore të të qenit-në-botë. Të paktën këtë e konstaton Milan Kundera në librin e tij “E qeshura dhe harresës.” Po kështu, edhe  shkrimtari Primo Levi në shprehjen ekzistencialo-fenomenologjike të Aushvicit na dëfton që ‘kujtesa është ndër gjërat e mrekullueshme por është e gënjeshtërt’ kjo vjen si rrjedhojë e  josingularitetit të tregimit për ngjarjen të cilën e përjetojmë. Andaj narratologjia sipas Levit nuk penetron në vrragët (gjurmët) që i mban në vete përjetimi i ngjarjes. Duket se letërsia si ‘labaratori etik’ (Ricoeur) i yni tenton gjithmonë nëpërmjet sendimentit të ekstazës të ekzistencës ta sfidojë çdo lexim narratologjik rreth një konteksti të caktuar historik. Duket se ky është mallkimi i historisë botërore të narrativit që gjithmonë do të jetë peng i konkurrencës së pamëshirshme për prodhimin e fabulës për të cilën besohet se është ‘më e vërtetë.’

Por mua më duket që e vetmja instancë që i jep një lloj legjitimiteti identitetit narrativ, nëse duhet ta përdorim këtë diskursion juridik, janë fonotopet ose hapësirat aureale. Ky konstatim vjen për shkak të dy parashtrimeve që i ngërthen fonotopi në vetvete: 1) është aspekti ekzistencial i vijëzimit të imazhit poetik të ngjarjes [ereignis] dhe 2) është aspekti politiko-etik i shprehjes së res-societas. Pra, duke qenë si njëri ndër ishujt tanë antropologjikë, fonotopi si identitetit narrativ i huazon këto dy aspekte të rëndësishme të shprehjes së vet. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se fonotopet i takojnë festivalit si formë e sociabilitetit, sic do të thoshte Attali. Ato nuk i takojnë kishës, zgjatim i së cilës janë institucionet. Përkundrazi, ato janë relacion me institucionet por nuk janë të përcaktuara nga ato. Festivali si [vox loci] formë e sociabilitetit është i rëndësishëm për hapësirat tingullore ngase ndihmon shumë të kapen shtresëzimet e situara në praktikat e ndryshme diskursive por në të njëjtën kohë vë në spikamë zhvillimin e dinamikave mikrohistorike e mikrosociale. Gjithashtu, aty vijëzohet dominimi i disa narrativave karshi heshtjes së disa të tjerave. 

Folk vs Alternative

Dy fonotopet kryesore që kanë prevaluar gjatë periudhës së aparteidit në Kosovën e viteve 90 kanë qenë: odat dhe kafiteritë. Ndoshta metafora që përfaqëson më së miri këto fonotope gjendet në tekstin e filozofit Astrit Salihut “Beavis and Butthead dhe Mic Sokoli.” I pari hero i maskulturës dhe hiperrealitetit ndërsa tjetri hero romantik i etos-it atavist. Duhet të themi se ky ekzaminim është modest e nuk është shterues por variantin e zgjeruar të tij do ta keni në tekstet e tjera.  

Të kthehemi te analiza e odës. Ajo është e lidhur me folkkulturën që njëherazi synon një koherencë konceptuale rreth atij identitetit të domosdoshëm ose asaj që njihet si idealiteti i qenies kombëtare. Oda gjithmonë e ka simbolizuar një lloj mburoje që ka konservuar disa vlera që lidhen me të qenit shqiptar dhe një variant heroik të shqiptarizmës. Ajo ka shenjuar homogjenitetin apo ligjërimin hipersimbolik (Todorov) për ‘bankën kombëtare të patriotizmit’ (Limani). Nëse e bëjmë një parabolë, të njëjtat manifestime mund t’i gjenim edhe te kulturat e tjera duke rikujtuar trajtesën e Heidegger-it për vendin që lidhet ngushtësisht me kasollen [Hütte] si një lloj mburoje autentike e të qenit. Oda si fonotop e si hapësirë aureale ka tentuar ta ruajë një integralizëm sonoristik nëpërmjet interpretimit me çifteli, debateve që janë bërë nëpërmjet ngritjes së zërit. Krejt këto kanë shërbyer si mburojë ndaj dinamikës së jetës inautentike e që përfaqësohet nga zhurma e megapolit apo qytetit. Kjo mburojë mund të lexohej në dy plane: 1) si një lloj rezistence për ndërtimin e tregimit kundër kolonializmit serb dhe 2) në variantin regresiv apo të zvetnuar të një lloj refuzimi të murgut nëpërmjet tharmit të folkut ndaj kulturës perëndimore e që në kontekstin e viteve 80 dhe 90 lidhej me rok kulturën apo me format e reja të shprehjes së Techno-s që kishin filluar të manifestoheshin nëpër ndejat apo “zhurkat” e qytetit.  

Kafiteritë apo “kafiçat” shenjojnë nyjën konceptuale të shprehjes politiko-kulturore dhe ekzistenciale të jetës inautentike e të jetuarit në qytet. E qyteti si diçka demokratike që i hap krahët për të gjithë ata që synojnë të ndërtojnë një jetë të re në të si në refrenin e këngëve të bendit “Gjurmët” ‘…eja të shkojmë në Prishtinë… me çika të mira t’rrijmë’ e mban edhe atë anën nokturnale të saj nga zhurma e kanalizimit kur bie shi në qytet e deri tek zhurma akustike e veturave e që e formojnë korin eternal të krejt qytetit. Revolta autentike për diçka inautentike na shprehet në formë psiko-aukstike ngase përjetimi ynë për qytetin për aq sa i kalojmë vitet në të ai nuk na duket  yni; por në të njëjtën kohë ndodh që qyteti bëhet i tjetrit.

Kafiteritë apo ‘kafiçat’ janë pjesë integrale e narratvit për qytetin. Në vitet  90 nën “Kurriz” në Prishtinë kanë qenë ato më përfaqësueset si: Hani i 2 Robertëve, Boys-i e deri tek Papilloni. Nëse flasim në rrafshin e semiosferës shënjuesit dhe referentët e saj janë: rok muzika, Levi’s 501 xhinset, gjin toniku, coka-cola, LP-të, kasetat, studiot muzikore e deri te MTV-ja. Në vitet  90 ato e mirëmbajnë polis-in paralel. Personazhi kryesor i polisit paralel është ai i gazetarit roker që ka një cinizëm të rafinuar nga Alan Fordi. Ai është në zhurmën politike me diskutimin e tij me diplomatët dhe gazetarët e huaj, por që në të njëjtën kohë nëpërmjet sharmit diskret sikurse në filmin e Bunel-it duhet të krijojë një identitet narrativ që është kritikë imanente ndaj totalitarizmit. Kafiteritë si hapësira aureale kanë kultivuar edhe shijen e atyre që kanë ardhur në to. Aty nëpërmjet autoparlantëve ke hyrë në një aventurë të re të ekstazës sonoristike. Duke dëgjuar muzikë ti ke filluar t’i zgjidhësh disa nyja rreth asaj se çka përfaqëson ti në jetë-botë [lebenswelt]. Ajo në të njëjtën kohë ka sendërtuar identitetin tënd kulturor dhe ekzistencial. Pëveç diskutimit rreth politikës dhe takimit me diplomatë, kafiteritë kanë qenë një lloj zone mbrojtëse ndaj kiçit në art dhe ‘kiç politikës’ (Bobi) por duhet ta theksojmë se e kanë krijuar edhe shtresën e snobizmit provincial dhe ‘mimikrinë urbane’ (Salihu) që do ta vërejmë të theksuar pas luftës.     

Pas luftës në Kosovë këto fonotope dominojnë edhe pse ky i pari dalngadalë është duke u  shuar nga fuqia anhiluese e erosit 0 dhe 1. Hendeku mes këtyre mbetet i njëjtë e gjëja që po i përbashkon janë ishujt antropovirtualë të kiberohapësirës ku ishullorët e tyre tanimë kanë migruar në teknosferë (Land/Paic). Ta bëjmë një intervenim për qytetin ngase në të prapë dëgjohet britma sikurse në sintagmën e Lyotard-it për homo re-domesticus-in ‘se ti nuk je njëri prej nesh’ duke e persekutuar(anatemuar stigmatikuar) dikë që migron. Qyteti është demokratik joperfekt andaj ne kurrë nuk do të mund ta zotërojmë. E kur flasim për fantazmën sonoristike që si tek Derrida e ndjek Prishtinën, na duhet vetëm ta kujtojmë vargun e  këngës së bendit PMG Kolektiv “të 90-at unë e ti.”


Labinot Kelmendi është filozof nga Prishtina. Ai ka kryer studimet e nivelit master në Filozofi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Departamenti i Filozofisë, dhe aktualisht është duke vazhduar studimet e doktoraturës në Filozofi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit. Aktualisht shërben si asistent në Fakultetin Filozofik (Departamenti i Filozofisë) dhe në Fakultetin e Arteve. Përveç kësaj, ai mban një pozitë në kryesinë e Shoqatës së Filozofëvetë Kosovës. Nga viti 2015 deri në vitin 2021, ai ka qenë bashkëautor i programit televiziv të parë filozofik në Kosovë, “Filozofema”, që transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Ai drejton Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër- dhe Trans-disiplinor për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë, i njohur si “Filozofema”. Përtej pjesës akademike, ai angazhohet në mënyrë aktive në sferën kulturore, fillimisht si anëtar i grupeve të ndryshme dhe projekteve muzikore alternative, duke përfshirë “Madgod” dhe “Elektorati Intelektual”. Për më tepër, ai ka kontribuar me artikuj në platformën “Cineks”, duke ofruar kritika për filmat vendas dhe duke shërbyer si kurator dhe kritikë arti për bienalen e vizatimit dhe ekspozita të tjera.