E njofta në bazë të teshave e të dhomëve

Në mars të vitit 1999, në prag të bombardimeve nga Aleanca e NATO-s, kur banorët e fshatit Polac detyrohen të ikin për ta shpëtu jetën, burrat ndahen nga gratë, prandaj edhe Beqir Koci, atëherë 18-vjeçar, ndahet nga nëna e gjyshja. Grupi në të cilin ndodhet ai sulmohet nga forcat sërbe, të cilat ia vrasin një vëlla të mitur. Vëllanë e madh të tij, që ndodhet me nënën e gjyshen meqë me aftësi të kufizuara mendore, e vrasin pasi e shkëpusin nga kolona. Beqiri rrëfen për kohët e vështira gjatë luftës e fill pas saj, kur vihet në kërkim të kufomave të vëllëzërve.

Beqir Koci

Kom lindë në Polac. Nonën, babën e kam pasë, gjyshin, gjyshën. Pesë vllazni jena konë para luftës, tash jemi tre. Në shkollë kam shku në Polac deri në klasën e tetë, ma anej s’kom vazhdu. Qashtu edhe vllaznia, do jonë shku, do s’jonë shku, deri në klasë tetë a nontë, po ma anej jo.

            Xhevdeti o konë i madhi, ‘79-sh i lindun, unë mas tina ‘81-sh, Jetoni ‘85-sh, Nexhmedini ‘87-sh, Dritoni ‘88-sh. Baba o le e rritë këtu në Polac. E ka kry ushtrinë në Slloveni, masnej ka punu gjithë, non-stop atje. Edhe sot jeton e punon atje, ama vjen, edhe pse koxha nji kohë s’ka ardhë kësaj here, masi qekjo pandemia. Nona osht e lindne në Drenicë.

            Pesë vllazni jena rritë tu lujtë bashkë, tu shku në shkollë. Tash jeta jonë si në fshat mo; kena pas edhe bagëti, i kena lëshu i kena rujtë, kena lujt lloj-lloj lojnash. Ma shok prej vëllazënve e kom pas Jetonin. Vllau i madh, Xhevdeti, o konë me aftësi të kufizume, nuk ka dalë fort, ma shumë ka nejtë te shpia. E me Jetonin kena dalë në fushë, me lujtë top,  gjithkah. Jena konë vllazën, po edhe shokë, gjithkund bashkë. Edhe lopët i kena lëshu na të dy bashkë.

            Baba o konë në gurbet gjithë; veç kur o ardhë nji javë a dy në pushim. E nanën, për gjithçka e kena pasë: nanë, babë, tana. Nejse, jonë konë edhe babëgjyshi, gjyshja, po njeri ma i lidhun osht me nonën edhe babën kur e ka. Me nonën çdo fëmijë osht i lidhun.

            Nevojat e Xhevdetit jonë konë shumë të mëdhaja, se osht dashtë gjithëherë m’i nejtë gati. Kur ka dalë, gjithëherë kom nejtë afër tij, mos me lanë vetun, se ai në çdo moment o konë tu lujtë tap-rrap, e kapke njifarë ngërçi. Domethonë, asnjiherë nuk ke mujtë m’e konë i lirë me lujtë me shokë, shkaku që e ke pasë me veti se o dashtë m’u kujdesë.

            Masi kom hi në shkollë, Xhevdeti ka fillu me ardhë me mu, deri në klasë të tretë ka ardhë, tani o dashtë me nalë, se s’u bojke. I vishin sulmet. Ka pasë ditë që s’i ndodhke hiç kurgjo, ka pasë ditë që e ka rrokë tri-katër herë. Ka ndodhë edhe në shkollë e ka rrokë, derisa tha mësuesi, “Ma mirë mos me ardhë, se po të pengon edhe ty”.

            E Jetoni osht regjistru mas nesh dy-tre vjet, domethanë unë në klasë të tretë, ai në të parën. O konë nxanës mesatar, jo prej atyne ma të mirëve. Mu fillimisht mirë më shkojke shkolla, tani ma vonë nisi tu ra. Derisa kom dalë në të pestën, jom konë nxanës i shkëlqyshëm. Në klasë të pestë e anej, edhe si ma i madhi në shpi, e babëgjyshi i vetëm, pak tu i nimu atij, fillova me dalë në ara, me i livru, e shkollën e lashë, se si nxanës jom konë shumë i mirë në fillim. Rreth ndërtimtarisë gjithë jom konë ma i prirun si fëmijë. Çdo shpi që asht maru edhe knej, gjithë jom shku te mjeshtrit. Kom pasë qef shumë për inxhinier ndërtimtarie me vazhdu, po s’u bo.

            Raportet me vëllaznit i kena pasë të mira. Ata ishin ma të vogjël.  Unë si ma i madhi jom kujdesë gjithë për ta. Për çdo gja, në shkollë kur kanë hi, jom konë si në vend prindit. Gjithëherë edhe në mbledhje të prindërve kam shku për ta. Çka ka pasë nevojë në shkollë, jam kujdesë unë.

            Të ‘90-tat mandej filluen me protesta, me greva. Në shkollë për shembull, më kujtohet, kur na gjujtën helm. U infektuen nxanësat.  Unë për veti jo, veç shokë të klasës ka pasë që janë shtre krejt. Iu kena nimu, iu kena qitë ujë. E, mu s’më ka kapë personalisht.

            Veç vike dikush me nji kerr edhe lshojke si tim, avull, e u helmojshin nxanësat, u alivanosshin përtokë. Bile nji çikë e rrokke ma së shpeshti. Si dilshim në pushim të gjatë, fill na rrishin gati. Po edhe protestat u majshin, ama unë s’kom marrë pjesë.

            Lufta kur ka nisë, e di që ma së pari e vrajtën Halil Gecin. Tani këtu në Qirez, në Likoshan krisi. O konë 28 shkurti, jena konë në oborr, i kena pa njerëzit, thojshin, “O u dhez lufta!”. Të nesërmen jena shku, vetë jom konë, i kom pa kufomat. Jena mledhë krejt, ka pas burra e fëmijë, të moshës teme, ma të rij. Gjithçka kena pa aty. Tmerr, masakër! Aty e kena marrë tutën ma të madhe. E kishin pas vra familjen Ahmeti atje, ma knena gruen shtatzanë, e plot tjerë. Rend në çdo shpi jena hi me kusherij, ka pasë edhe burra ma të moçëm, e ata thojshin, “Mos i leni këta të rijtë me hi”. Unë jom konë 17 vjeç. Na bërtitshin mos me hi m’i pa. Veç, aty kena pa tmerr!

            Prej aty pat krisë te Adem Jashari, me 5 mars. Edhe aty kena shku. Bile te vorrimi i Jasharëve kom marrë pjesë edhe në hapjen e varrezave nji ditë. Të dytën ditë s’kena shku mo. Në të parën ditë kena kqyë, e shkatërrume gjithçka. Kena fillu sa kena mujtë me çelë vorre. Dikur na dhanë urdhër m’u tërhjekë krejt prej aty. Shkitë rrishin me autoblinda përballë. Na kena ecë, tani ata i kishin pasë vorrosë ma anej, e mo s’jom shku.

            Atë ditë që ka kërsitë te Adem Jashari jena konë këtu në shpi, edhe jena ikë, kena nejtë në mal gjithë ditën. Veni thirret Lugu i Lajthisë atje, nifarë mali. Kena nejtë deri sa u terru, e jena ardhë vonë në shpi. Ka vazhdu atje lufta, po unë të nesërmen kom nejtë në shpi, s’jom dalë hiç. Disa edhe kanë dalë në mal, se s’kanë guxu me nejtë në shpi. Unë nuk jom tutë me nejtë në shpi, po ma shumë edhe gjyshja më tha, “Rri se këtu nuk vijnë, anena janë tu luftu”. Na ka majtë me do fjalë edhe s’na ka lonë me dalë.

            Shkijet e kanë pasë punktin qitu te Kodra e Zane që thirrët, aty kanë nejtë non-stop. Po na e kena vazhdu në nifarë mënyre jetën, mirëpo pa shku asfaltit. Gjithçka o dashtë tjera udhëve, me vazhdu jetën pak a shumë tu u marrë me bujqësi, me sene që ka shpija. Pra, ndërpremë gjithçka, veç tu u marrë me punë të fshatit për me mbijetu. Na ka çu pare baba prej atjeshit, se përndryshe s’ke pasë tjetërkah për me jetu.

            Filloi njifarë ofenzive e shtatorit. Herët në mëngjes ia patën nisë me gjujtë. Babëgjyshi rrike natën gjithë si në roje, e na thirri, “Çohnu se vallahi sot do me kërsitë dikah”. Ia kanë nisë shkitë me gjujtë, na jena hypë në traktor. Prej këtu i kom marrë krejt familjen, edhe do të kojshive çka ka pasë, se veç na kishim traktor, e nja katër shpi a pesë knena s’kishin.

            Prej shpisë tonë jena konë komplet familja: gjyshja, nana e pesë vllazni. Babëgjyshi s’ka ardhë, ai ka dalë veç deri në mal. Prej kojshive ka ardhë nji gru, i thojmë dada Hafize. O ardhë edhe dada Feride – asaj burrin ia kanë vra, veç me dy çika ka pasë metë. Edhe këta kojshitë e bacit Emin janë ardhë, gruja me dy çikat e me dy djem ma të vogjël; ata ma të mëdhejtë s’janë ardhë.

            Kena marrë syngjera, plafa, krejt çka na duhet, edhe e kena bo planin me nejtë gjithëherë në mal. Ushqim me veti kena marrë çka kena mujtë. Jo gjithçka, se pak si për ngut ikëm, e kemi dalë në Shtuticë, tani nëpër Doshevc e në Gradicë. Gruja e djalit t’mixhës s’babës osht pi Gradice. Atje kena nejtë ni natë. Ajo u nal aty, e na vazhduem në Kushnicë, se i kom dy halla të martune aty. Edhe aty nejtëm dy-tri net, tani shkuem në Bajr, në Mitrovicë, na lëshoi njoni shpinë; tash ia kom harru edhe emnin me thonë drejt. Kena nejtë derisa jonë hi OSBE-ja, ata me kerre të portokallta.

            Atëherë ka ardhë baba prej Sllovenie e na ka marrë, jena kthy në Polac, në shpi. Na kishin pasë kallë odën, po shpinë jo. E kena pasë nji shpi të moçme me gur, e ka pasë ni hajat midis dhome, në dy anët ka ni dhomë. Oda jonë osht ndër të parat në Polac që e kanë kallë. Edhe shpia e Rizait. Kena pas grunë të mbjellun, komplet arën gjysë hekteri, veç pritshim me nisë me korrë, po e na kishin kallë krejt. Po, kena vazhdu mandej qatë dimën deri në mars këtu në shpi.

            O konë qajo kohë që nisën ndërmjetsusit. E kena kalu dimnin tu kqyrë çka po bohet, tu ngu çdo ditë çka po ndodh. Jeta e vështirë, se edhe me dashtë me punu, edhe me dashtë me jetu mirë nuk ke pasë. Rrethana të luftës ishin. 

            Baba nejti derisa na rahatoi pak, siguroi do ushqim. Pak ma u shlirum, e ai u nis u kthy anej. Na nuk dijshim as qysh shkon, as a munet, me dalë, a mos p’e nalin kund. Frikën ma të madhe e kishim derisa shkoi atje.

            Deri me 21 mars 1999 kena nejtë në shpi. Me 21 mars ka fillu prej Prekazi, jon nisë policia e ushtria serbe. Kanë fillu m’u ngjitë përpjetë Radevcit, edhe për Prekazi në tana anët gjujshin. Aty kena marrë me hypë në traktor, po s’dike njeri as kah me ia majtë. Ishim nana, gjyshja, katër vllaznit e mi edhe unë. Kena dalë për Rezallë të re, jena shku në Kllodonicë te halla e te dajtë. Kena nejtë aty derisa kanë fillu bombardimet e NATO-s. Kur patën fillu bombardimet, jena konë flejtë në odë. Kanë gjujtë nja 200 metra ma nalt, tona ka ra ni granatë prej Mokne. Nuk e di qysh, veç thanë që kanë gjujtë shkitë prej Mokne. Nji djalë i hallës, o konë 20 vjet, u ngjit dej atje, kqyri, tha, “I kish vra do” tha, “ishin të vramë, se iu kish ra granata para shpije”. Tani kena dalë në mal gjithë ditën. Prej aty thanë me shku në Tushilë, se qatje po grumbullohen.

            Prej Kllodonice me traktor vazhduem në drejtim të Tushilës. Aty jena konë dy familjet, qeky djali i hallës edhe i dajës. Xhevati e ka pasë traktorin, ai edhe ka ardhë. I kena ngarku dy familjet, edhe të dajëve edhe tonën. Në traktor të dajëve o konë komplet familja e dajëve. Dy djem të hallës, halla, gruja e dajës tjetër. Kësaj hallës i ka pasë dekë burri ma moti, në aksident kah vjen prej Gjermanisë, i ka pasë lanë jetima, edhe o konë motra e tij, e Xhevatit edhe e Esatit, se këta ishin dy vllazni e nji motër.

            Jena nisë prej Kllodonice në drejtim Turiqevcit, edhe jena dalë në Tushilë. Atje thanë burrat mos me nejtë me gratë, me i lonë veç, se gratë e fëminë s’i ngucin. Fjalë të njerëzve, “Kush o prej burrave, le të dalin ma mirë në mal diku ku s’i gjojnë shkitë”. Se, çka i nxejshin burra, veç i vrajshin, i masakrojshin.

            Jena zatetë tani me do ushtarë, i njofsha tre a katër të anës tonë. Jena nisë me ta. Nona me dy vllaznit e vogjël edhe me gjyshën kanë metë aty me familje të dajëve, edhe ata jonë nda. Unë u dava me vllaun tem Jetonin, me Xhevatin, Esatin, edhe djemtë e mixhës së babës, edhe i kishim do kusheri që jonë konë ushtarë. Xhevdeti o metë me nonën. Na jemi nisë me dalë prej Tushile në Polac. Se thanë, “Po vijnë knena!”. Ҫdo herë diqysh kqyrshim me iu dalë mrapa gjatë natës, që ditën me konë mrapa tyne, menja jonë pak ma sigurt. Edhe pse i sigurt s’je konë se luftë, kurrkun i sigurt s’je konë.

            Kena ecë dej dikun, nisi m’u zdritë. O konë njifarë lugu, në kodra. Thanë, “Deri të terrohet në aksham, qetu në lug. Kur të terrohet vazhdojmë”. Kena nejtë aty gjatë ditës. Jonë ardhë do vetë, ishin konë tu i njekë shkitë. Kur kanë fillu me na gjujtë, jena ngjitë kodrës me ikë. Ata gjujshin, na ikshim. Jena konë nji grup koxha i madh, nja 100 vetë, mos ma shumë.

Tu ikë, jena dalë në kodër, udha e malit qysh ish konë. Kur jena dalë, ishin konë shkitë tu na pritë në udhë. Ky djali i mixhës së babës, nja katër vjet para meje o konë, gjithë thojke, “Mos ikni shpejt, po bini kur gjujnë”. E në momentin kur kanë gjujtë ata, unë jom konë nja 30-40 metra ma mbrapa se ky djali i dajës Esati edhe vllau jem. Këta ma përpara, na përmas.

            Jetonin e kishin pas vra, po nuk e kom pa me sy, derisa jom dalë. E kom pa masnej në udhë edhe Esatin tu u kthy përmas. Kur, tu u kthy, u rrxu. Kom nga, e kom kapë, edhe ka ardh edhe djali mixhës së babës, Bashkim Koci, me mu. Ia kom qitë kryt në prehën tu e thirrë, “Esat, Esat”. Bashkimi ia ka shti duert në trup, me pa ku e ka kapë plumi, ku ka gjak, e me ia dhonë ndihmën e parë. Në qato momente na ka hi plumi në midis, e ka ça lisin edhe na jena ra e mo s’kena livritë. Derisa janë hekë shkitë, si të dektë kena nejtë, nja gjysë ore po. S’kena livritë hiç.

            Esati ma dha shpirt. E, kur s’pat mo lëvizje, i pamë edhe dy të vramë ma anena. Ishin konë vllavi jem edhe njoni i Prekazit. Po, për së rati nuk e dishim kush janë, deri jena avitë. U çu Bashkimi, tha, “Rri qitu se po shkoj po kqyri anej a kanë metë shki”. Unë kom nejtë ratë, ai ka vazhdu. Tha, “Shkije s’paska”.

            E kom kqyrë krejt trupin e Esatit, asni plum s’e ka pasë, veç si i ri, i ka ra pika në zemër. S’e ka kapë plumi hiç, e vllaun tem Jetonin, po. Ai ka pasë plagë shumë, jom afru e kom kqyrë.

            Masanena nisi m’u terru se o konë ora diku tre masdite. Ish konë edhe njoni i Prekazit i vramë, e njofshim si figurë, e dishim vllavi i kujt osht. Menojshim qysh me i shti në dhe, bojshim plan, po s’kishim me çka, se kurrgjo me veti s’kishim. Shpija afër jo, që me marrë naj kaci. U desh m’i lonë qaty. Jena konë tre veta, Bashkimi me vëlla të vet edhe unë, e kena nejtë atë natë qaty në mal. Tjetra pjesë kanë dalë. Ka ra shi gjithë natën, as me çka me u mlu s’kena pasë.

            E Xhevati, tjetri djalë i dajës, në ato momente kish pas ikë ma larg. Ai o vra te Llausha, në tentim m’u kthy në Tushilë. Edhe ai osht gjetë mas nja 4-5 vjetëve.

            Masi u terru, vendosëm me nejtë se s’dishim kah me ia majtë, nuk mujshim m’u orientu, thojshim mos po zatetim najkun në shkije, gjithë me tutë. Tu ecë qashtu, janë do linja tensioni të naltë, qitu nëpër Polac, Llaushë, e shkojnë në Mal të Zi. Kur i kena pa, me to jena orientu. Thamë, “Sonte po rrimë qitu, kur të zdritet e vëzhgojmë pak terrenin me kqyrë kah me dalë”. Jena hi si nër to edhe orientimin e kena pasë me qato.

            E, masi na gjujtën, na hupi busulla, mo s’dishim as kah me ia majtë. Tri ditë e tri net qaty në mal. Bile natën e parë pat ra shi pa nalë. Kur u zdrit, jena dalë pak ma në kodër, e kena pa shtegun e Skenderajit, njifarë lugu edhe jena lshu kadale dej dikun. Ish konë njoni i Llaushës aty, i kish pasë do bukë me veti, na dha do. Tha, “Të tanë janë dalë, veç ju kokeni metë. Edhe ju si të terrohet, dilni qeknena”.

            Kena nejtë gjithë ditën me tà, derisa u terru, e kah në dhetë të natës kena vazhdu, kena dalë afër qytetit t’Skenderajit, Reka thirrët aty, edhe kena vazhdu për Skenderaj, në lagjen Tre, e tani qaty na ka dhonë njoni do bukë. Tani jena dalë në Prekaz, jena hi mrapa Polacit, e kena nejtë në Deshevc gjithë natën atë natë. Kur nisi m’u zdritë edhe aty në Deshevc, jena shku te ni shpi, s’ish konë kurrkush aty. Ish konë ni stan ku i lojnë kafshët e yshqymin e gjave. Kena flejtë qaty në kashtë tre vetë. Prej aty, kur u zdrit, dolëm në krye të malit edhe e shihshim Polacin. Jena zhdjergë e tani jena zatetë me plot kusheri. Na vetshin, “A keni pshtu?” e po ju kallxojmë. U mërzitën kur nijtën për vdekjen e vllaut tem, të nipit e tjerëve.

            Tani kena nejtë gjithë ditën aty. Kishin pasë ata ushqim me veti, se kishin pasë ardhë natën te shpia me marrë, se natën u kthejshin në shpi, bojshin do ushqim, ditën dilshin me nejtë në mal. E jena ardhë qekho poshtë. Tana shpijat e kallta. Ni kusherini iu kish pasë kallë shpija, garazhën e kish ndreqë m’i nejtë familja. Tani jena shku në garazhë të tijna. Kena nejtë natën, kena bo ushqim, gjyshja ish konë ardhë prej Kllodonice, krejt nëpër punkte të shkive. Kish kapërcy, e s’di në sa vene e kishin nalë. Tha, “Thikën në fyt ma qitshin”. Kur kish ardhë te veni i qujtun Te Betoni, në përpjetëze të Hadecit, aty kish thonë, “Qitu m’i kanë vra djemtë mu”, edhe kish hi 25 kufoma rend m’i rrotullu, i ka kqyrë, tu thonë “Cili o djali jem, se ma kanë vra”. Ajo e bindun që na jena vra, se i kish pasë thonë dikush.

            Kur ka ardhë këtu e më ka gjetë veç mu, po më thotë “Ku janë tjerët?”. U munojshim mos m’i kallxu që i kanë vra. “Janë në mal, hajt se vijnë, shko ti anej” e qesi sene, po dikur i kallxum. U mërzit boll. Tani pat nejtë ni natë me ne, tani apet ka shku te robtë në Drenicë. I kishin pas çu te shkolla prej Tushile. Atje, i kishin pas nisë për Shqipni. Domethonë prej krejt familjes janë vra këta dy, edhe Xhevdetin që e kanë marrë policia, veç gjyshja edhe unë e kena ditë. Deri sa u kry lufta tjetërkush s’e ka ditë që jonë vra.

            Xhevdetin policia e kishin pas marrë në Tushilë. Na jena nda prej grave, e Xhevdeti ka metë me nanën në Kllodonicë. Kur kanë ardhë shkijet, iu kanë hi ren këtyne të Tushilës, iu kanë thonë, “Hecni prej këtu”. E kishin fillu me iau kallë traktorat. Tonin e kishin pas kallë krejt. E këta kanë fillu me ecë në kolonë. Shkije në të dy anët. Cilin e kanë pa të rritun e kanë nalë. Xhevdeti o konë ma shumë i lidhtë me gjyshën, se kjo nuk ia çartke, mbasi gjendjen e kish qysh e kish.

            Tha gjyshja, “E kom pasë për krahi, ma ka marrë policia; unë ‘O mosni se nuk osht’ i aftë!’ po s’dashtën hiç me ni, ma morën”. E kishin pasë çu në stacion të policisë në Skenderaj, e kanë majtë gjithë natën. Më kanë kallxu masanena do që e kanë njoftë. I kanë torturu, po kur i kanë lëshu të nesrit ata qi i kanë zonë, iu kanë thonë, “Shkoni nëpër shpija se kërkush nuk ju vran”. Po, ai o konë me aftësi të kufizume, s’ka ditë as çka po i thojnë. Si i kanë lëshu, të tanë janë nisë me shku për Llaushë, po ky o da, o nis me ardhë te shpijat tona në Polac. O nisë stanit të rekës mas stacionit të autobusave, kur aty do policë. Po kallxon ni djal i dajës i nonës, tha, “E kom pa me dy sytë e mi kur e kanë vra te reka, se policia shkun e kapën, e ky e shtyjti ni polic, e rrëzoi në tokë. Si e ka rrëzu, tjetri e ka vra”.

            Aty kur e kanë vra, njonit të Vojnikit, në lagjën Dy, mbi stacion të policisë, i kish pas dekë nona edhe ai, qysh me varrosë, s’ka guxu me dalë, o dashtë me shku në polici. Iu ka thonë, “A më jepni leje me shku me varrosë nonën, a më nimoni me çu me diçka se s’kam me çka me çu”. Atij i kishin pas thonë, “Po leje të japim, veç me ardhë me marrë edhe njonin qatje te stacioni i autobusave, rrase në qatë harxh se po i vjen era, ish dekë”. S’i kanë thonë që e kanë vra vetë.

            Atij i kishin pas dhonë leje, tha, “Jonë ardhë me pizgaver shkijet”, ia kanë marrë nonën, e kanë çu atje, e kanë ardhë me marrë edhe vllaun tem. Ai e kish çu me varrosë, e kanë çelë vorrin, e kanë mblu.

            Masi o kry lufta, na tu e lypë, gjithëherë tu vetë nëpër njerëz. Baballaki i qetij Xhevatit, se ky o konë i martum, i Llaushës ai, o interesu pak a shumë për dhondër të vet edhe për Xhevdetin. Kur erdh këtu, masi kish kalu nja ni vit e gjysë a dy pi lufte, na tha, “Po thotë njoni e kom varrosë dikon, e në bazë të shejave qysh po kallxoni ju çka ka pas veshë, munet me konë ai”.

            Kena shku, gjyshja, unë edhe babëgjyshi, e kena vetë atë njerin. Na ka kallxu çka ka pasë veshë, edhe në bazë të çka kallxojke ai, neve na u përputhke e mujshim me ditë. Jena shku, e kena çplu aty. Bile mu nuk m’lejshin as me punu kusheritë, “Jo, rri qanena, rri qanena”. Kur e kanë çplu, si jonë dokë teshat, thanë, “A osht ai?” E ka kqyrë gjyshja, tha, “Po, osht’”. Për m’u siguru mirë thashë, “Edhe unë du me kqyrë”. Kur e pashë, thashë, “Qeky osht’”. E njofta në bazë të teshave e të dhomëve. Trupi ish i dekompozum, po u njofka njeri.

            Mandej më kapi ni kusheri, më largoi prej aty, s’më la hiç me nejtë. Ata e kanë çplu, e kanë pshtjellë edhe e kanë varrosë. Tani ia kena majtë ceremoninë e të pamës. Këtu te shpija janë ardhë gjinja, na kanë pa.

            Na u patëm nda, se poplli thojshin, “Granimi edhe fmija me nejt qitu tubë, se s’iu bojnë kurrgjo”. Mandej kishin ardhë shkitë, i kishin përzonë, apet për Kllodonicë. Tani i kishin pas tubu, i kishin pas hi shkitë nëpër shpija, i kishin pas çu në shkollë të Kllodonicës. Në oborr të shkollës iu kanë thonë, “Hajde me ecë për Shipni, krejt”. E në ato momente që o ditë se kanë hi shkitë, edhe babëgjyshin e dajëve e kanë vra në shpi, se kur jena dalë na prej Kllodonice, atij i kena bo rixha, “Hajde hyp në traktor me ne”. Na tha, “Une qitu jom le, qitu kom me dekë, nuk e lshoj venin, le të vijnë le të më vrajnë, une prej venit tem nuk iki”. E kanë vra te dera e ahrit, tu i qitë bagëtive ushqim.

            Pjesa tjetër e familjes janë nisë për Shqipni tu hecë në kolonë. Kanë vazhdu nëpër Turiqevc, kanë dalë në Burojë edhe kanë vazhdu për Klinë, Gjakovë, tani janë dalë në Prizren, edhe anena. Fillimisht kanë shku në Kukës, ish konë, qysh kallxojnë, nifarë kampi aty, kish pas shumë kallabllak. Tani ka ardhë baba prej Sllovenije, bile kanë pritë gjithë ditën në rend me telefon me lajmru që janë dalë. S’kanë mujtë atë ditë me ardhë në ren, tek t’nesrit. Qaq shumë njerëz tu pritë me lajmru kush e ka pasë dikon jashtë. E kishin lajmru që i kanë qitë në Shipni.

            O shku baba pi Sllovenije, i ka gjetë atje, i ka marrë prej Kukësi, i ka çu në Durrës me ni fshat, Shijak u thirrke. I ka vendosë me ni shpi, iau ka pagu edhe qiranë. Gjyshja atje, edhe pse e ka ditë kush ka dekë, s’i ka kallxu as nanës as kërkujt, veç vetë e ka ditë.

            Gjatë krejt qasaj kohe kom nejtë këtu në Polac, krejt nja dy-tri javë. Kur patëm ardhë te qeta kusheritë ma poshtë, atyne iau kanë pas kallë shpijat, po edhe ni garazhë e kanë pasë. Ne qatë garazhë jena hi, e kena pregaditë do bukë edhe me disa kusheri ksajde thamë, “Nuk dojna me dalë hiç”. Para shpije e ka pasë ky kusherini nifarë podrumi, ni birë 60 me 60. Me hi aty tjetër hymje s’ka pasë, e para se m’u zdritë, jena hi shtatë vetë qaty. E kena marrë ni shporet të rrymës të kalltë, e kena ngrehë, e kena qitë mbi atë birën. Ka ora 11:00 e ditës kanë ardhë shkijet në oborr, na mrena shtatë persona. Edhe kena nejtë gjithë ditën aty, shkijet nalt, na përfundi.

            Në aksham, jonë konë tri shpija ren, dy të kallta, kjo e treta jo. Në qatà jonë stacionu ata, i kena ni tu folë sërbisht. Unë s’e kom ditë sërbishtën, po disa e dishin, e thanë qi e bojshin plan ku me i qitë rojet. Kur u terru, krejt në 11 të natës jena dalë, jena ngjitë përpjetë në mal.

            Në mal ishin konë do të lagjës Ali Uka, ishin vra shtatë persona qatë ditë. I kena gjetë në mramje tu i varrosë, masi u terru. Pi aty kena vazhdu në drejtim të Mikushnicës, e prej Luzhnice jena dalë atje te Lubaveci, e në Kuqicë. I kanë pasë këta djemtë e mixhës s’babës dajët atje. Une me ta kom nejtë nja tri javë te dajët e tyne. Tani jena kthy prap në Polac, prej Kuqicës, edhe kom nejtë nja nji javë në Polac, tani edhe në Kushnicë nja tri javë tjera te halla. Po halla o dalë në Shipni, veç dhondri o konë aty, e me tà kom nejtë.

            Fshati Kushnicë nuk ka pasë lug e mal, shkitë ma rrallë jonë shku aty edhe kena nejtë na në shpija të fshatit. Të kallta i kanë pasë, po i kena pasë bo kapak meremet, i mlojshim sa me nejtë qaty. I kanë pasë do lopë, me qumësht, me miell kena pasë, e kena vazhdu qaty jetën.

            Masi o kry lufta, prej Luzhnice jom kthy në Polac, kom nejtë me kusherij, te lugu i Lajthisë, ditën bojshim ushqim, natën rrishim, e kem pas maru nifarë sere me llastik, e kur rake shi hishim, po kur nisi m’u nxe edhe koha rrishim nër hije.

            I ngojshim lajmet me nji tranzistor, bile as bateria s’kishim, i mushshim me akumulator të traktorave bateriat për me i ngu lajmet, me ditë çka po bohet. Jena konë në mal kur Zoni i Amerikës tregoi që po hyn NATO-ja në Kosovë. Jena pasë gëzu shumë. Kur kanë fillu m’u mledhë shkijet që u tërhiqshin, jena dalë prej mali, hala pa u hjekë ata, jena ardhë nëpër shpija, tani qitu kena nejtë edhe me djemtë e mixhës së babës.

            Këtu në shpinë teme o konë gjithçka e rrënume. Kurgjo s’kena pasë, as pulë, as zog, as lopë. Ish konë rritë bari, o Zot qysh ish bo oborri, pa ardhë na kurrë. Atë ditë kena nejtë aty, të nesërmen në sabah, thashë, “Du me shku me i gjetë kufomat edhe me i varrosë”. Ata thanë, “Po, edhe na me ty”. E janë ardhë me mu edhe ni kusheri qekho e kish pasë lëshu traktorin, edhe me Bashkim Kocin bashkë jena shku. Me këta telat që e dishim ku i kena lonë, që shkon tensioni i naltë për Mal të Zi, jena orientu deri atje. E kena gjetë atë udhën, ku e dishim që janë. Kena vazhdu qasaj udhe edhe pse kish ndryshu shumë, se mugulloi mali, e në mars o konë pa mugullu. Tani NATO bile hala s’patën hi në Skenderaj, veç në Drenas kanë pasë ardhë.

            I kena gjetë atë ditë aty. Të parin Esatin, tani Jetonin, aty tre janë konë në qatë vend. Atë ditë u bonëm koxha si vonë, e s’mujtëm me i marrë. Tani bonëm llaf për nesra me shku me i marrë me i varrosë. Të nesërmen ka ardhë ai kusherini me traktor.

            Këta kusherijtë e pajshin që po mërzitna shumë. Më thanë, “Rri ti këtu, shko kallxoju ktynve ku me çelë vorrin, na shkojmë e bina”. Shkuen atje e u vonuen koxha shumë. E kanë marrë nipin, e kanë çu në Kllodonicë e kanë varrosë. Kishin dalë do kojshi të dajëve, e kanë varrosë, tani e kanë pru vllaun tem këtu. Tani iu thashë, “Pse bre e çojshit pa mu aty?” se kisha qef me shku, po ish kry ceremonia.

            Tani babëgjyshi, e ka pasë ni vlla, ka pas dalë në mal, Belincë i thojshin, ma ngat shkive, para lufte jetojke atje. Babëgjyshi paska nejtë gjithë me tà atje, unë s’e kom ditë kurrë ku osht babëgjyshi. Ai gjithë ka nejtë atje, e s’e kish ditë as që janë vra këta, dej ka ardhë këtu e më ka gjetë mu, që i kom kallxu. Tani u mërzit edhe ai boll. Fillun gjinja me ardhë me na pa, e s’kishim as ku me i pritë, se s’kena pasë ven. Dikush vike nër hije me na pa, me na ngushllu për vdekjen e vëllaut.

            Jetonin e kena varrosë me krejt kusheritë, djemtë e mixhës të babës, kena shku e kena çelë vorrin. I kom pasë marrë bile do dërrasa të këqija, se s’kishum, i pata qitë, edhe e varrosëm.

Po, kush e ka vra nuk e di, se nuk e kom pa. Mirë kish qenë m’u zbardhë rasti, m’u dënu dikush për këto, jo veç për vëllaun tem, po për çdo krim në Kosovë.

            Masi u kry varrimi, mas nja dy jave a tri, ka ardhë nana me këta prej Shipnije. Kur erdhën më gjetën veç mu edhe babëgjyshin. Nuk kishim ku me nejtë, as shpi, te djemtë e mixhës së babës kena nejtë, veç në podrum se edhe shpia e tyne e kalltë o konë. Në podrum kena nejtë deri na e kanë dhanë ni shator. Tani rrishim në oborr. Shpija që o kallë o konë koxha e vjetër, me gurë, edhe o rrëzu. Veç oda o konë pak si ma e re, se e kena maru ma vonë. Ka pasë do mure, tani kena ble do qeremide, e kena mlu, qaty kena vazhdu, nja tri vjet kena nejtë në qatë odë. Veç ni odë e ni hajat.

            Nana kur ka ardhë e më ka gjetë veç mue, e ka kuptu çka ka ndodhë, edhe o mërzitë, po tani ma tutje i ka kallxu gjyshja si ma kadal.

            Dimni na ka pasë nxonë në shator. Deri në vjeshtën mas këtij vakti, e kemi pasë vonu odën. E patëm mlu, nja dy ditë e patëm pagu nji mjeshtër me na ndreqë kulmin. Ni kusheri punon me instalime të rrymës, e kena thirr me bo instalimin, s’na ka marrë pare hiç, edhe nji pjesë kapak e kom pas ly vetë me mallter. E patëm bo me do llamperia, tavanin e patëm bo sa me nejtë dimrit. Mirë u nxejke, po veni i vogël.

            Shpinë kemi fillu ma vonë me rregullu, 2001-tën. Na patën dhonë do material si ndihma për nji kat. Une kisha qef dykatëshe me bo, po as pare nuk kishim mjeshtrit m’ia pagu, këtà e kom maru vetë. Diku 20 vjet i kom pasë, më kanë nimu edhe djeltë kapak, vetë i kom çelë temelat, i kom mushë, po edhe tu i thirrë njerëzit me më nimu. I kom bo me mure, me plloqë, dej në kulm, dej në çelsa, krejt vetë, si ma i madhi në familje që pata metë. Babëgjyshi o konë i moçëm, nuk mujke me punu, i ka pas 75-76 vjet.

            Deri 2004-tën kena nejtë në odë, tani hinëm në shpi. Baba në Slloveni o konë, po e ka pasë ni rrogë shumë të vogël, veç për haje e pije, se kështu me ndërtu diçka s’ka mujtë pare me çu.

            Unë punojsha te ni dhondër, shitke ai landë e qesi sene, edhe aty patëm marrë për odën landë veresije e tani jom shku jom bo argat. Ia kom la kulmin, edhe herë punojsha atje, herë këtu, tu bo kapak pare, me bo diçka. Ni pjesë, për kat të dytë, baba erdh prej Sllovenie i blejti do blloka, tani patëm vazhdu pak e pak dej n’2004-tën që jena hi në shpi. Këtu për momentin jam unë me Dritonin, me vllaun, gruen e tij, nana, gruja jem, gjyshja edhe baba kur vjen prej gurbeti. Nexhmedini e ka ble ni banesë në Skenderaj.   

            Sot punoj me instalime të ujit edhe të nxemjes. Tash edhe e kom maru ni shpi për veti, e kjo tash i jet Dritonit, me nonën e gjyshën. Se prej 2006-tës e knena kom punu për njerëz, qe katër vjet e kom çelë firmën, e jam ngjallë pak ma shumë. Punoj me Dritonin, vllaun e vogël edhe ni punëtor e kom.

            Jom martu në 2008-tën. Gruja quhet Valmira. Jemi lidhë, qysh o konë koha, me msitni. N’2007-tën u pata feju. I bona diku 27 vjet, edhe gjithë familja kishin qef m’u martu, se ma i madhi, po thojsha, “Jo, se niherë s’kam kushte”, masi nime kushtet para edhe pas luftës ishin të vështira. Ishim koxha familje e varfën, se s’kena pasë të ardhuna ku me ditë sa. E tash e bojmë jetën ma mirë. Edhe gjithëherë gjyshja, nona edhe hallat, “O po presim me të martu, o po presim me të martu”. Ni tezak i babës erdh me nejtë, gjyshja i tha, “Me ia gjetë ni nuse qetij djali se po kom qef me martu edhe me dekë”. Po qe ymri, tash i ka pa te tretë, jena martu të tretë.

            Ditën e martesës e kena bo me ato traditat tona: me thirrë krejt akraballakun, me miqasi e me krejt. Edhe jena shku me marrë nusen me kerre. Unë s’jom shku, jam martu me nji traditë qysh e kena pasë knena gjithë. Po, nja tre muj para se mu martu, babëgjyshi më ka pasë vdekë. Po pak para se me vdekë, ka pas metë ratë nja dy muj a tre. Çikat e veta qitu janë ardhë me e pa. Na veç e patëm da vadën kur m’u martu, e ai pat thonë, “Amanet po jau lo mos me nalë dasmën, edhe nëse vdes unë, po me martu djalin me tupana”. Edhe halla e madhe i kish pas pagu tupanat, i ka pru. E, kena bo dasëm, nja 100 burra jonë konë, që janë shku me 25 kerre, e kanë pru nusen.

            Na jena martu me 10 gusht 2008, e çika ka lindë me 07 gusht, pra tri ditë pa u bo ni vit. Kur lindi fëmija, kuptohet isha pak i emocionum, si prind për herë të parë. Gëzohesh e tana, po të hin edhe ni obligim ma tepër, ndryshon tani.

            Mandej ka lindë Jetlira, mas dy vjetëve, në gusht të 2011-tës. Fëmija i tretë osht Jetoni, ia kam lonë emrin e vllaut. Ai osht lindë në dhjetor 2014, sivjet i bon gjashtë vjet. Ia përtëriva, se kisha qef me më le djalë e me ia ngjitë emnin. Kur lindi, i thashë edhe nonës. Të tanë patën qef, u gëzuen.

            Fillimisht kur ia lashë, më vike zor me thirrë në emër. Po knej në Drenicë ka shumë emra të përtërimë. Veç s’kam mujtë me thirrë në emër në fillim, po njerëzit më thojshin, “Ma mirë nisja me fillim thirre në emër, e ma vonë nuk të vjen zor”. E tash kur e thërras pak ma lehtëson dhimtën.

            Djali e din prej kujt e ka emnin. Zakonisht, natën e Bajramit të vogël kur i vizitojmë varrezat, gjithë shkoj i pastroj vorret. I ka pasë tre vjet, kur shkova te vorret, edhe qekjo çika e dytë edhe djali më thanë, “Edhe unë po vi me ty”. Erdh edhe gjyshja. Kur shkoj aty, gjithë ia pastroj fotografinë. Tre vjet i ka pasë kur e kom marrë, e shkojke rrike veç te fotografia e tij, e fshijke. Tash e din që e ka pasë axhë.

            Vllau tjetër, Nexhmedini, e ka ni djalë, Elionin. Dritoni u martu sivjet. Po, pse ke pandemi, dasëm s’ka bo. U pat feju, e patëm bo nifarë fejese të vogël. Dojshim me bo dasëm, po pandemia na e pshtjelli edhe e mur gruen pa dasëm. Tash u martu, po jeton mirë, me mu po rrin.

            Për njerëzit që e lexojnë këtë libër, porosia jeme kish me qenë që mos ta harrojnë të kalumen, mos ta harrojnë luftën, që ka ndodhë, mos ta harrojnë gjakun e dëshmorëve, gjakun e martirëve, të vramëve, mundin e çdo personi që ka jetu në këtë vend, po të punojnë te tonë për këtë shtet pak ma mirë se që janë tu punu.


Ky rrëfim është nxjerrë nga libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera: rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë’ dhe publikohet si seri dhe si pjesë të kornizës së aksioneve të koordinuara të shoqërisë civile në Kosovë, të organizuara për të shënuar Ditën Nndërkombëtare të Zzhdukjeve të Dhunshme – 30 gusht 2023. Libri është botuar në bashkëpunim ndërmjet  forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë. Prishtinë, 2022