Përveç këndit personal, ka të paktën edhe tri mënyra të tjera se si mund ta kujtojmë luftën. “Mënyra e parë përfshin kërkimin për pajtim me ish-armikun, zbutjen e konfliktit, prandaj është gjithëpërfshirëse. Mënyra e dytë promovon vetëafirmimin kombëtar duke e përjashtuar armikun, prandaj është papajtueshme dhe ekskluzive. Mënyra e tretë synon të mbrojë nga një kërcënim real ose i imagjinuar dhe të lajë hesapet e vjetra – prandaj është ekskluzive dhe konfrontuese në mënyrë agresive”.[1] Edhe pse, kur shohim lajmet e përditshme apo dëgjojmë fjalimet parazgjedhore të politikanëve, mund të na duket se mbisundojnë mënyra e dytë dhe e tretë, mënyra e parë e kujtesës së luftës ka qenë e pranishme në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi për 20 vitet e fundit dhe më shumë. Bashkë me të, ka interesim për të kaluarën dhe kujtesën me narrativë donimuese femërore dhe lokale. Ky lloj i kujtesës përjetohet nga artistet, aktivistet dhe autoret, dhe do të shtjellohet këtu si “detyrë, jo spontane”, sikurse e shpjeton Pjer Nora (Pierre Nora) pushtimin e kujtesës nga historia.[2]
Edhe pse ky tekst fokusohet tek disa ndërhyrje artistike të krijuara nga autore gra në dy apo tre vitet e kaluara, do të ishte e padrejtë të mos përmendeshin emrat e disa artisteve që luftuan kundër harresës, që u ballafaquan me të kaluarën dhe me çështje të identitetit në mënyra të ndryshme. Për shembull, disa nga punimet e artistes kroate Sanja Ivekoviq mbajnë gjallë kujtesën e grave të persekutuara gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fotografitë, instalacionet dhe format e tjera të artit të Shejla Kameriqit na sjellin komentet e saj sociale, kritike dhe intime ndër të tjera edhe për luftën në Bosnje e Hercegovinë. Video e vitit 1998 “Unë jam Milica Tomiq”[3] eksploron se si identitetet ndërtohen në ndërlidhje me mekanizma të ndërlikuar, me antagonizma dhe zbrazëti. Me fjalët e autores, “Si mund ta besoni diçka fuqishëm, ndërkohë që trupi ju thotë diçka krejtësisht të ndryshme?”[4]
Ndërhyrja është veprim që ndryshon direkt kushtet apo procesin ekzistues dhe disa prej ndërhyrjeve artistike që shtjellohen në këtë tekst funksionojnë si ndërhyrje të suksesshme kirurgjike që ndihmojnë shërbimin e strukturës së përditshmërisë sonë. Të gjitha ekspozitat e përzgjedhura kanë të bëjnë me gratë dhe autore të tyre janë gratë. Ato janë krijuar përafërsisht në të njëjtën kohë dhe ato lidhin disa breza të grave, që rrëfejnë përvojat e tyre direkte: nënat e Srebrenicës, gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, luftëtaret, aktivistetet për paqe, por edhe gratë nga Fronti Anti-Fashist (AFŽ). A ka kuptim t’i ndërlidhim këto ekspozita?
Arsyeja se përse këto ekspozita mund të ndërlidhen është se në fakt, ato tregojnë pjesë të ndryshme të së njëjtës histori. Nga AFŽ dhe “nga ajo që na ka dhënë lufta jonë” (Šta je nama naša borba dala), nëpërmjet artistes nga Beogradi e cila, me ndërhyrjen e saj, kryen një “akt të kurajos qytetare” në kontekstin serb, tek ekspozita për fëmijët e lindur nga përdhunimi në BeH, që hap një temë tabu dhe turbullon rendin social dhe tek ekspozita që shpalos rrëfimet e përditshme të paqebërjes nga gratë, por edhe fytyrat luftarake të grave. Çfarë i ndërlidh këto ndërhyrje? Që të gjitha bazohen në narrativa që kundërshtojnë, pak a shumë, narrativat dominuese të mjedisit ku ato janë krijuar. Ky mund të jetë një nga motivet për t’i krijuar këto vepra.
Kemi disa ekspozita të tilla. Ekspozita e Jelena Jaqimoviqit Arkilufta: Rrëfime dhe kujtime rreth gjenocidit në Srebrenicë; ekspozita Çlirimi për fëmijët e lindur në Bosnje e Hercegovinë si shkak i luftës, me bashkëautore Ajna Jusiqin; ekspozita Paqja me fytyrë gruaje që u krijua në bashkëpunim me lëvizjen për paqe “Paqja me fytyrë gruaje” dhe Forumin e Shërbimit për Paqe Qytetare (forumZFD); ekspozita ku u shfaqën materiale të përzgjedhura nga Arkivi i Luftës Anti-Fashiste të Grave të Bosnje e Hercegovinës dhe Jugosllavisë, mbledhur nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Crvena” (“E Kuqja”) gjatë dhjetë viteve të fundit me titullin Ne e filluam, ju përfundojeni… – AFŽ 1942; dhe ekspozita Gratë Luftëtare në Ushtrinë e Bosnje e Hercegovinës, krijuar në bashkëpunim me Shoqatën “Gratë Luftëtare 92-95”, Arkivët e Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Arkivët e USK dhe Muzeun Teshanj.
Idea e Derridës “arkivizimi e prodhon një ngjarje më shumë se sa e regjistron”[5] mund të ndërlidhet fuqishëm me qëllimin e ekspozitës “Ne e filluam, ju përfundojeni… – AFŽ 1942”. Kjo ekspozitë shfaq material të përzgjedhur specifikisht nga Arkivët e Luftës Anti-Fashiste të Grave të Bosnje e Hercegovinës dhe Jugosllavisë, që Shoqata për Kulturë dhe Art “Crvena” ka mbledhur gjatë dhjetë viteve të fundit.[6] “Crvena” është organizatë feministe dhe majtiste nga Sarajeva, që ndër të tjera, ka arkivuar dëshmi historike për “punën dhe aktivitetin e Frontit Anti-Fashist të Grave të Bosnje e Hercegovinës, pjesëmarrjen e grave në Luftën për Çlirim Kombëtar dhe ndërtimin e Jugosllavisë socialiste” gjatë dekadës së fundit.
Qëllimi i arkivit është të motivojë luftërat e reja në frontet që duhet të krijojmë dhe në shumë beteja që duhet t’i fitojmë. “Revolucioni ka ndodhur. Ta fillojmë një tjetër!” [7] Misioni i AFŽ, që u shpërbë vetëm pas njëmbëdhjetë vjetësh, ishte që të pasohej nga organizatat e grave të ish-republikave jugosllave.[8] Ekipi në “Crvena”, bashkë me Qendrën e Kulturës Bosanski Petrovac organizuan një ekspozitë pikërisht në lokacionin ku AFŽ e Jugosllavisë u themelua zyrtarisht më 6 dhe 7 dhjetor 1942. Përveç materialit të arkivuar, ekspozita paraqiti edhe qëndismën “AFŽ, punë e papërfunduar”, të punuar nga njëzetë gra në Berlin dhe Sarajevë pikërisht për këtë ekspozitë. Andreja Duganxhiq shpjegon: “Një mesazh i qëndisur nga e kaluara përpiqet të lidhë kohën e sotme me të kaluarën e largët nëpërmjet thurjes”. Kështu, qëndisma bëhet shprehje e shpresës, duke materializuar besimin e AFŽ-së se bashkërisht, gratë mund ta arnojnë botën dhe ta mbajnë atë të bashkuar. Fakti që punimi është i papërfunduar nënvizon në mënyrë simbolike se çështjet që AFŽ ka inicuar ende nuk mund të konsiderohen të përmbyllura”.[9]
Ekspozita e Jelena Jaqimoviqit, me fjalën arkiv në titull, “Arkilufta: Rrëfime dhe kujtime rreth gjenocidit në Srebrenicë”[10] sikurse thuhet në faqen ku mund të shikohet ekspozita, është krijuar si formë e rezistencës ndaj politikës dominuese të kujtesës në Serbi, të bazuar në nacionalizëm dhe militarizëm, që pasqyrohet edhe në mohimin e krimeve të luftës dhe të gjenocidit të kryer nga pala serbe, duke glorifikuar kriminelët e dënuar të luftës dhe ushtrinë, si dhe duke instrumentalizuar viktimat serbe. Autore e ekspozitës është aktivistja për paqe nga Beogradi e cila ka marrë pjesë në Marshin e Paqes[11] në 2022 dhe që ishte frymëzuar direkt nga historia e Amra Begiq Fazlliqit, “një grua që i mbijetoi gjenocidit në Srebrenicë e cila punon në Qendrën Memoriale të Potoçarit, babai dhe gjyshi i së cilës u vranë në korrik 1995″. Historia e saj për ëndrrën ku ajo ende është në kërkim të eshtrave të babait, për foshnjen Fatime, miken e saj më të mirë, fqinjët, familjarët, se si mësohet me vdekjen, për babain e saj dhe Srebrenicën, është një nga përvojat e shumta personale që duhet të dëgjohen dhe kurrë të mos harrohen”.[12] Përmes ilustrimeve dhe tekstit, ekspozita shfaq histori personale nga arkivat e dokumentave gjyqësorë, material në format të videos, fotografi dhe rrëfime që Qëndra Memoriale e Srebrenicës vazhdon të mbledhë.
Ekspozita “Paqja me Fytyrë Gruaje” është rezultat i bashkëpunimit dhe përpjekjeve të lëvizjes së grave për paqe “Paq me Fytyrë Gruaje” dhe Forumit të Shërbimit për Paqe Qytetare (forumZFD) që të integrojë perspektivën femërore dhe paraqitjen e tyre në proceset e ballafqimit me të kaluarën dhe ndërtimin e paqes në Bosnje e Hercegovinë (BeH), përfshirë anën femërore të rrëfimit të mbijetesës dhe tejkalimit të pasojave të luftës. Kur është pyetur për rëndësinë e organizimit të një ekspoite për luftën nga perspektiva e grave, Radmilla Zhigiq, koordinatore e nismës “Paqja pe Fytyrë Gruaje” që e ka krijuar ekspozitën, ka thënë: “Për shkak të faktit të thjeshtë që gratë përbëjnë 50 përqind të popullsisë. Ne jetojmë në shoqëri patriarkale, ku ngjarjet e mëdha historike shtjellohen nga perspektiva e burrave, sidomos ushtarëve dhe politikanëve. Kjo nuk është specifike vetëm për Bosnje e Hercegovinën, pasi ndodh edhe në vende të tjera”. Radmilla na përkujton edhe që së paku një milionë grave iu desh t’i lënë pas shtëpitë e tyre gjatë luftës, shumë ishin viktima të dhunës seksuale dhe rreth dhjetë mijë gra u vranë. “Ky realitet, si dhe fatet individuale, duhet të jenë pjesë e kujtesës sonë. Historia u takon të gjithëve, edhe grave”. Ekspozita paraqet aktivistet qytetare dhe kështu, thyen stereotipin e grave si viktima pasive të luftës.[13]
Ajna Jusiq dhe Shoqata “Fëmijët e Harruar të Luftës” kanë krijuar një ekspozitë rreth nënave dhe fëmijëve të tyre të lindur si pasojë e luftës në Bosnje e Hercegovinë. Ekspozita, me titullin “Çlirimi” mori emër ndërkombëtarisht[14] dhe u frymëzua nga lufta e gjatë dhe fuqia e fëmijëve dhe historitë e nënave të tyre. Ekspozita shfaq fotografi të fëmijëve që tani janë në fund të moshës njëzetë vjeçare dhe janë ngjizur e lindur për shkak të dhunës seksuale gjatë luftës. Fotografitë përfshijnë edhe fëmijë të pjesëtarëve të misioneve paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, fëmijë të punonjësve humanitarë të angazhuar në Bosnje e Hercegovinë, si dhe nënat e tyre. Ajna Jusiq ka shpjeguar se “pjesëtarët e misioneve paqeruajtëse të OKB-së dhe punonjësit humanitarë erdhën në Bosnje e Hercegovinë për të ngritur në këmbë disa struktura për paqe dhe për të ndihmuar, por disa prej tyre, edhe pse nuk u lejohej, përmes marrëdhënieve të vullnetshme dhe jo të dhunshme, por edhe përmes dhunës seksuale, krijuan pasardhës që mbetën tërësisht të panjohur, me probleme të mëdha kulturore dhe identitete të paqarta”.[15] Ekspozita “Luftëtaret e Ushtrisë së Bosnje e Hercegovinës”[16] u hap në Ditën e ushtrisë së RBeH-së, ku shfaqeshin 183 artikuj gazetash dhe dokumente në 30 panele, bashkë me 204 fotografi të 40 grave, pjesëmarrëse dhe anëtare të ushtrisë së RBeH-së. Ekspozita thërrmonte paragjykimin kryesor se në fushëbeteja kishin luftuar vetëm burrat, duke theksuar se më shumë se pesë mijë gra kishin luftuar në njësitë e Ushtrisë së RBeH-së, shumë prej të cilave vidqën dhe disa morën medaljet më të larta të luftës. Çuditërisht, shoqata e grave anëtare të Ushtrisë së RBeH-së u themelua me emërtimin “Luftëtaret 92-95” vetëm në dhjetor 2020. Faqja e tyre në Facebook thotë se shoqata avokon për ruajtjen e arritjeve të pjesëmarrjes së grave luftëtare.[17]
Një raport nga dhjetë vjet më parë eksploronte përvojat e grave të përfshira në ushtri gjatë luftës në Sarajevë, të ushtareve të Forcave të Armatosura të Bosnje e Hercegovinës që u demobilizuan dhe të atyre që mbetën në shërbimin ushtarak edhe pas luftës.[18] Një nga çështjet me të cilat ato u përballën, krahas shumë grave të tjera joushtarake, ishte shpërfillja në hapësirën publike. Rrjedhimisht, shumë gra, roli i të cilave gjatë luftës kishte qenë kryesor, tani ishin të padukshme, të panjohura në shoqëri, pa përkrahje për t’iu rikthyer jetës normale pas demobilizimit, si për shembull për të gjetur punë e kështu. Ndoshta për shkak të stereotipit se gratë zakonisht janë ato që japin kujdes, janë mjeke apo paqebërëse, gratë të cilat luftuan në vijat e frontit mbetën të padukshme nevojat e tyre nuk u njohën tërësisht as brenda institucioneve.
Më fund të këtij teksti dhe si hyrje për një tekst të ri, i kërkova Melina Sadikoviqit[19], e cila më ndihmoi shumë që ta shkruaja këtë tekst, të më jepte një shpjegim të shkurtër për dallimin ndërmjet koncepteve të “kujturës së kujtesës”, “politikës së kujtesës” dhe “studimeve të kujtimit” dhe të më rekomandonte literaturë:
“Këtu është e vështirë të gjenden pëgjigje të thjeshta dhe nuk ka përkufizime definitive apo uniforme. Në hapësirën publike, si dhe në qarqet intelektuale në Bosnje e Hercegovinë dhe në vende të tjera të pas-Jugosllavisë, ne flasim për harresën (selektive), ‘luftërat e kujtesës’ dhe ‘kulturat e kujtesës’ kundërshtare. Disa hulumtus besojnë se një nga shkaqet e pikëpamjeve kundërshtare në diskutimet intelektuale është pikërisht angazhimi i pamjaftueshëm në zhvillimin e teorisë së sensibilizuar dhe metodologjisë për hulumtimin e kulturës së kujtesës të pasluftës dhe të koncepteve të tjera të ndërlidhura, si dhe një numër i vogël i punimeve të përkthyera teorike dhe metodologjike që kanë formësuar këto fusha akademike.
Një nga shembujt e mirë është libri i Kuljiqit Kultura e kujtesës[20], që shpalos rrëfim kritik të debatit teorik dhe të zhvillimit të shpjegimeve të ndryshme shkencore rreth përdorimit të së kaluarës. Ekzistojnë edhe veprat (e përkthyera) nga Aleida dhe Jan Asman, si dhe nga autorë të tjerë të rëndësishëm të kësaj sfere, si Moris Albvaks (Maurice Halbwachs), Pjer Nora (Pierre Nora), Xhefri K. Olik (Jeffrey K. Olick), Pol Rikër (Paul Rickoer) dhe Astrid Erll. Po ashtu, ekzistojnë edhe disa uebfaqe të disa organizatave që mbështesin hulumtimin dhe publikimin e kukturës së kujtesës ose merren me çështje të kulturës së kujtesës, politikën e kujtesës dhe studime të kujtesës që ia vlen të vizitohen, si Documenta[21], Fondi për të Drejtën Humanitare, Friedrich Ebert Stiftung[22], ZfD dhe të tjerë. Për ata që janë të interesuar në atë se si traumat individuale të luftës formësojnë kujtesën kolektive dhe nëse ka ndonjë narrative specifike femërore të kujtesës në ndërtimin e kulturës dhe politikës së kujtesës, tekstet e Nirman Moranjak Bamburaqit[23] dhe Damir Arsenijeviqit japin përgjigje”.[24]
Të kuptosh manifestimet e realitetit nëpërmjet studimeve gjinore, të paqes, punës, kulturës dhe të sferave të tjera arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të disiplinave humanistike dhe sociale dhe krijimit të teorisë ndërdisiplinore dhe veprimit praktik. Këto studime mund ta ndryshojmë botën akademike, ashtu si veprimi nëpërmjet artit ndryshon njerëzit.
Jasmina Çausheviq ka diplomuar për letërsi dhe gjuhë nga Fakulteti i Filologjisë në Beograd dhe e ka marrë gradën master në shkencat sociale në fushën e studimeve gjinore pranë Universitetit të Sarajevës në vitin 2008.
[2]https://documenta.hr/kultura-sjecanja/
[4]https://library.fes.de/pdf-files/bueros/sarajevo/06914.pdf
[5]https://www.archiwar.com/oizlozbiabouttheexibition
[6]Për shembull: https://sveske.ba/en/content/trauma-%E2%80%93-memorija-%E2%80%93-pripovijedanje
[7]E gjithë intervista me Radmila Zhigiqin gjendet në: https://dwp-balkan.org/bs/historija-pripada-svima-ukljucujuci-zene/
[8]Rekomandojmë sidomos tekstin “A public language of grief: Art, poetry, and transitional justice in post-conflict Bosnia” shkruar nga Damir Arsenijević, Jasmina Husanović dhe Sari Wastel që gjendet në: https://tinyurl.com/ma55e83b Tekste të tjera nga Damir Arsenijević mund të gjenden në: https ://scholar.google.com/citations?user=cfJXQ_4AAAAJ&hl=en
[9]Teksti i Ajna Jusić gjendet në : https://dwp-balkan.org/bs/generacija-mladi/
[10]Mund të lexoni më shumë për ekspozitën në: https://www.aa.com.tr/ba/balkan/beograd-otvorena-izlo%C5%BEba-breaking-free-o-deci-ro%C4%91enoj-zbog-rata -in-Bosnia-and-Herzegovina/2709934
[11]Mund të lexoni më shumë për ekspozitën në: https://n1info.ba/vijesti/zene-borci-armije-rbih-za-mir-u-drzavi-se-borilo-5-360-pripadnica-os-bih/ si dhe në: https://www.novigradsarajevo.ba/news/default/zene-borci-armije-bosne-i-hercegovine-postavalna-u-centru-za-kulturu-i-edukaciju-safet-zajko/
[12]https://www.facebook.com/Zene.borci.92.95
[13]Dautbegović-Bošnjaković, S. (2013), “The Forgotten Dimension of the War in Bosnia and Herzegovina – Female S”. U: What is the gender of safety, Sarajevo: Sarajevo Open Center, p. 84-85.
[14]Holm Sundhaussen, “Yugoslavia and its Successor States. Construction, destruction and new construction of ‘memory’ and myths”. U: Culture of memory and history, redaktuar nga M. Brkljačić dhe S. Prlenda. Zagreb: Golden marketing – Tehnička knjiga, p. 277.
[15]Nora, Pierre. 2006 “Between memory and history.” The problem of place”. U: Culture of memory and history, redaktuar nga M. Brkljačić dhe S. Prlenda. Zagreb: Golden marketing – Tehnička knjiga, p. 29-30.
[16]https://www.youtube.com/watch?v=b1kagFMbQ5k
[17]Milica Tomić: We were the dark vanguard of global changes – Portal Novosti
[18]Derrida, J. and Prenowitz, E. (1995). Archive Fever: A Freudian Impression. Diacritics, 25(2), 9-63. Gjendet në: https://doi.org/10.2307/465144, dhe përkthimi i citatit marrë nga: Renata Jambrešić Kirin, “Gender aspects of the socialist politics of memory of the Second World War. U: Culture of memory: 1945, Friedrich Ebert Stiftung BiH: 2009.
[19]Mund të lexoni më shumë për ekspozitën në: https://crvena.ba/izlozba-sta-smo-zapocele-vi-zavrsite-06-12-2022-bosanski-petrovac/
[20]Uebfaqja e këtij Arkivi është: https://afzarhiv.org/
[21]Rekomandojmë të lexohet libri i redaktuar nga Andreja Dugandžić dhe Tijana Okić The Lost Revolution: AFŽ between myth and oblivion which is available at: http://afzarhiv.org/files/original/6ddd554425a4e713c4adb37d4d8b78dc.pdf
[22]Melina Sadiković ka marrë gradën e doktoraturës nga Universiteti i Brajtonit, ajo është hulumtuesee ndërdisiplinore nga Sarajeva. Fushat e edukimit dhe hulumtimit ndërdisiplinor të saj janë studimet kulturore, kujtesa e kulturës dhe edukimi për paqe.
[23]Lexoni më shumë në:https://bljesak.info/kultura/flash/80-godina-od-osnutka-afz-a-biti-zena-znaci-svakodnevno-se-braniti/408624
[24]TodorKuljić(2006),Memory Culture, Beograd: Čigoja štampa. Gjendet në: https://www.academia.edu/9679479/Kultura_secanja