Interesante ishin vullneti dhe dashuria për të krijuar – pasioni për të krijuar muzikë!

Muzika, emocionet dhe gëzimi në kohërat e luftës në Kosovë

Konceptet e luftës dhe gëzimit mund të duken pothuajse të papërputhshme. Nga njëra anë, ka çaste dhune, zhvendosjeje dhe traume, ndërsa nga ana tjetër, ekzistojnë gëzimi dhe emocionet pozitive. Mirëpo, përvojat individuale gjatë kohës së luftës kanë aspekte të shumta dhe jo çdo emocion i përjetuar gjatë luftës duhet të jetë negativ. Viteve të fundit, studimet shkencore të luftërave janë fokusuar gjithnjë e më shumë tek botërat e larmishme emocionale të atyre që janë prekur nga luftërat dhe tek përvojat e tyre personale, teksa i pranojnë realitetet e dhunshme të luftërave. Kujtimet pozitive të përditshmërisë gjatë kohës së luftës për ata që janë prekur nga lufta shpeshherë ndërthuren me praktika muzikore dhe kulturore të tjera, si krijimi i muzikës bashkërisht, përcjellja e koncerteve apo kalimi i kohës me miq. Gjatë kohërave të luftës muzika mund të marrë një sërë rolesh. Këto role përfshijnë ndjesi patriotike dhe nacionaliste dhe ofrojnë platformë për të shprehur rezistencën politike, për të nxitur moralin e ushtarëve ose për të përhapur ide pacifiste. Po ashtu mund të shërbejë si mjet i rëndësishëm emocional për civilët, të nxisë ndjesinë e komunitetit dhe të solidaritetit dhe të ruajë identitetin kulturor dhe traditat, duke ofruar mundësi që individët të ruajnë dinjitetin e tyre. Nëpërmjet muzikës, mund të rikthehet një ndjesi e normalitetit. Duke patur parasysh këto role, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që muzika të shihet si pjesë përbërëse e kulturës së kujtesës së luftës, duke përfshirë edhe emocionet pozitive që ajo ngjall. Këto emocione kanë luajtur rol edhe gjatë luftës në Kosovë, sikurse mund të shihet nga projekti hulumtues “Botët e muzikës në kohën e luftës në Kosovë”, që është marrë me skenën muzikore shqiptare të Kosovës në Prishtinë në vitet 1990-të. Fokusi i këtij projekti ishte të hidhte dritë mbi ekzistencën e atyre që kanë jetuar në luftë, duke i bërë kështu më të kuptueshme dhe më të pranueshme përvojat shumëanëshe të skenës muzikore gjatë viteve të luftës.

Skena muzikore në Prishtinë gjatë viteve 1990-të deri në vitet e luftës 1998-1999 ndërlidhet me një spektër të emocioneve si negative, ashtu edhe pozitive. Brenda këtij peizazhi, ndjesia e komunitetit dhe krijimi i përbashkët i muzikës u shfaqën si aspekte pozitive të jetës për një pjesë të konsiderueshme të asaj skene. Një shembull tregues i kësaj është deklarata nga Vjosa Shala, vokalistja kryesore e grupit metal të grave “Terror” në atë kohë. Ajo ka thënë “Grupi im, nuk është se kërkonim, ne nuk kërkonim thjesht për diçka serioze, sepse ishin adoleshente, ne donim t’i iknim realitetit dhe ishte diçka e këndëshme, pesë gra, kishim diçka të përbashkët dhe në atë kohë ishte bukur”.

Fokusi kryesor ishte tek interesat e përbashkëta, ikja nga realiteti dhe fakti që nuk e merrnin veten apo muzikën e tyre shumë seriozisht. Për Shalën, muzika përfaqësonte edhe mundësinë që të përjetonte një ndjesi të mungesës së peshës. Për Bujar Berishën, anëtar i grupit Troja, dashuria për muzikën ishte një kujtim posaçërisht pozitiv: “Serbia, që na kishte pushtuar disi, ishte nën sanksione. Ne ishim nën Serbinë, të izoluar, brenda një kubi. Nisëm të bëjmë muzikë rock, sigurisht që improvizonim me instrumente. Por çka ishte shumë interesante ishin vullneti dhe dashuria për të krijuar, pasioni për të krijuar muzikë”.

Vetë zhanri muzikor ndikonte mbi gjendjet emocionale. Muzikanti Luan Qorraj e ka artikular se si death metal në veçanti ka shërbyer si mjet për të shëruar paqen e brendshme gjatë kohës së luftës. “E kam seriozisht. Ne iu kthyem muzikës më agresive, sepse atje e gjenim paqen tonë. Dera e zbrazët e agresionit”. Ai ka treguar se si vlerat e përbashkëta dhe interesi tek muzika kanë luajtur rol me rëndësi dhe asociojnë me kujtime pozitive. Shumica e emocioneve pozitive vinin nga ndërveprimet brenda dhe me skenën muzikore. Pavarësisht a kishte të bënte me krijimin e grupeve, përcjelljen e koncerteve, akti krijues i bërjes muzikë dhe emocionet që përçonte ai, perceptimi i muzikës si arrati e brendshme, thjesht kënaqësia që buronte nga të dëgjuarit e muzikës apo përhapja e gëzimit duke krijuar muzikë vetë i kanë kontribuar ndjesisë së të qenit mirë. Baret ku puqeshin segmentet e muzikës shërbenin si streha për çaste të vogla lirie, normaliteti, dashurie dhe solidariteti. Pjesëmarrja aktive në jetën muzikore të qytetit, pavarësisht vështirësive si disponueshmëria e kufizuar e instrumenteve dhe vendeve të sigurta, i mbushnin njerëzit përplot krenari. Dritero Nikqi nga grupi punk Por_no e ka përshkruar kështu: “Ka të bëjë me reziliencën, në fakt. Dhe, e dini, kjo është diçka për të cilën jam krenar për miqtë e mi dhe grupet e tjera dhe pastaj për të gjithë ata nga skena muzikore që luanin në atë kohë, sepse ka patur shumë që kanë hequr dorë duke thënë se nuk kishte kuptim”.

Mirëpo jo të gjitha emocionet e ndërlidhura me skenën muzikore të Prishtinës së asaj kohe ishin pozitive. Sikurse ka thënë Vjosa Shala “Në njëfarë forme ne përpiqeshim t’i rezistonim situatës ku jetonim dhe dëgjonim muzikën metal, sepse ishte e vetmja arratisje nga realiteti”. Kjo ambivalencë, nga njëra anë ndjesia e një lloj arratisjeje dhe rezistence përmes muzikës dhe nga ana tjetër, shtytja drejt arratisë, pasqyrohet në shumë deklarata të dëshmitarëve. Shala ka thënë për një muzikant nga një grup metal se: “Muzika e tij ishte arrati nga gjërat që po përjetonim dhe në njëfarë mënyrë ne mbijetuam përmes muzikës së tij”. Pra, muzikës i vishej roli i shpëtimtarit, që ofronte një arratisje nga realiteti, një mbijetesë. Dritero Nikqi, i cili edhe ai e ndërlidhte muzikën me miqësinë, ka shprehur pikëpamje të njëjtë: “Për mua kishte të bënte me mbijetesën. Me miqësinë. Dhe me të qenit krijues”.

Gjatë viteve, reagimet emocionale të njerëzve ndaj muzikës kaluan nëpër ndryshime të konsiderueshme, kryesisht të ndikuara nga dy tronditje të thella. Një prej tyre ishte fillimi i intervenimit të NATO-s në Kosovë. “Kur nisën goditjet e NATO-s, ishte sikur gjithçka ndaloi. Bënim përpjekje për të mbetur gjallë”, ka thënë Petrit Çarkaxhiu, i cili është pjesë e grupit Jericho. Afrimi i përfundimit të luftës nga ana tjetër, përshkruhet si çlirim nga shtypja serbe; luftë që festohej me më shumë entuziazëm. “Entuziazmi ishte vërtet i madh. E gjithë gjendja emocionale sillej rreth çlirimit. Ishte një vlerë e shtuar, sepse të gjithë ishin gati për festë dhe të çmendeshin dhe ashtu me radhë”. Deri në përfundim të luftës, pjesëtarët e skenës muzikore shqiptare të Kosovës në Prishtinë mbijetuan nga muzika dhe nga komuniteti i tyre. Ata bashkëndanë emocione pozitive përmes miqësive, dashurisë për muzikën, largimit nga realiteti negativ i luftës dhe shprehjet krijuese. Ata jetuan me përvojat e komunitetit, me kreativitet dhe liri, duke i plotësuar përvojat e tyre me kulturën e kujtesës së një kohe vuajtjesh që në pamje të parë dukej sikur lejonte vetëm përvoja negative.


Ky artikull është rezultat i projektit “Botēt e muzikës në kohën e luftës në Kosovë”. Artikulli është shkruar nga Katharina Becker dhe Joschka Hofmann, në bashkëpunim me Anastasia Tikhomirova, Felix Fischer dhe Philipp Zimmermann.