Jellena Grujiq Zindoviq
Në këto dhjetë vite e ca të fundit, numri përafërsisht i personave që ende janë të pagjetur nga luftërat në ish-Jugosllavi ka mbetur ndërmjet 10,000 dhe 12,0001. Me fjalë të tjera, 70% e personave që u zhdukën gjatë konfliktit rajonal janë gjetur2, sipas të dhënave për të cilat pajtohen të gjithaish-republikat jugosllave.
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur (ICMP) është marrë me shumicën e punës për të pagjeturit pas konflikteve në ish-Jugosllavi dhe, duke bërë këtë, ka ndihmuar në zgjidhjen e shumicës së rasteve të të pagjeturve që janë regjistruar ndonjëherë në historinë moderne të botës3. Mirëpo, viteve të fundit, ndërsa numri i organizatave ndërkombëtare (rajonale) që merren me të pagjeturit është rritur shumë, ICMP është fokusuar më shumë tek puna jashtë rajonit. Tani, detyra për të zgjidhur rastet e të pagjeturve kryesisht i është lënë qeverive. (Personalisht, më duket si skenari i një filmi horror).
Të gjitha shtetet në rajon që merren me të pagjeturit pak a shumë flasin për të njëjtat pengesa që u zënë rrugën zgjidhjes së rasteve. Të themi të vërtetën nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të armatosur që përfundon dhe të gjitha viktimat gjenden. Mirëpo, jemi në vitin 2019 dhe dua të besoj se progresi i mëtejshëm është i mundur.
Problemet kryesore që janë identifikuar përfshijnë gjetjen e varreve, identifikimin e viktimave dhe, meqë përgjegjësinë e kanë marrë komisionet shtetërore, “shkëmbimi i informacionit lidhur me vendet e interesit të përbashkët, si dhe hulumtimi i arkivave lokale dhe ndërkombëtare për të gjetur informacion të ri” (shih, për shembull, deklaratën e Komisionit për Personat e Pagjetur të Qeverisë së Serbisë të datës 7 qershor 2019). Ka fjalë për morgje në Zagreb, Sarajevë, Tuzlla, Prishtinë dhe me siguri në Beograd, ku trupat janë mbajtur për vite të tëra dhe për arsye të ndryshme nuk mund të identifikohen. Kjo do të thotë se ka qindra trupa, një numër tmerrësisht i lartë i trupave, që rrinë atje të shtrirë, në pritje t’i marrin. Shpjegimet për moszgjidhjen e këtyre rasteve apo për mosidentifikimin e këtyre trupave janë të shumta: mungesa e ADN-së për krahasim është një prej tyre. (Ka më shumë, por kjo na çon në mjekësi ligjore dhe këtu nuk kemi hapësirë për të).
Disa vite më parë kam kërkuar shpjegime nga të gjithë institucionet relevante në rajon, duke përdorur Ligjin për Qasjen e Lirë në Informacion me Rëndësi për Publikun. Sfida kryesore e përmendur nga autoritetet në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç problemeve të “zakonshme”, ishte mungesa e “kapaciteteve” dhe e “fondeve”.
Ajo që më ka befasuar më së shumti ishte fakti se në atë kohë kishte mbi njëqind varreza masive të piketuara në Bosnje e Hercegovinë, për të cilat nuk kishte “para” që të gërrmoheshin. Kroacia i kishte shenjuar më shumë kujdes të gjitha varret (ose varrezat, sipas rastit) në territorin e vet në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar Humanitar dhe kishte fotografi të të gjitha viktimave para varrimit. Megjithatë, një sërë varrezash në Kroaci ende janë të pazhvarrosura. Mund të vëmë bast se këto varreza që kanë mbetur të pahapura janë me viktima të etnisë serbe. Kroacia kurrë nuk e ka fshehur faktin se prioritet i saj që pas luftës është të hapë varret ku gjenden kroatët e vrarë.
Këtu dalim tek një problem kyç për Serbinë, apo më mirë, për institucionet serbe përgjegjëse për viktimat civile të luftës. A po lufton ndonjë në Serbi që të zhvarrosen dhe të identifikohen njerëzit që ende janë nëpër varreza masive? Marrëdhënia e Serbisë me viktimat e veta kërkon një ese të veçantë.
“Personi kryesor” në Serbi që është përgjegjës për të zgjidhur rastet e të pagjeturve është Veljko Odalloviq. Ai nisi shërbimin në Kosovë në vitin 1987 dhe ishte shefi i Provincës së Kosovës (sikurse quhej atëherë) nga viti 1997 në 2001. Në gusht 2011, unë bëra një intervistë me të për gazetën e përjavshme NIN, ku ai deklaroi se “shtatori do të jetë muaj shumë i rëndësishëm për të pagjeturit”, pasi supozohej se autoritetet po përgatisnin një hetim në lokacione të shënjestruara. Disa muaj më vonë, asgjë e re për ne që përcillnim rajonin. U deklarua se kishin gërrmuar çdo pjesë të tokës në fjalë dhe se nuk kishin gjetur asgjë. Në intervistën për NIN, ai tha se sa i takonte Serbisë, ajo i kishte adresuar të gjitha kërkesat e Kroacisë. Në të gjitha takimet e veta me zyrtarë Kroacia ende thotë se zgjidhja e problemit të të pagjeturve është kushti i dytë ose i tretë për të zgjidhur çështjet ende të hapura në marrëdhëniet me Serbinë.
Çfarë ndodhi disa vite më pas, në vitin 2012? Pasi Odalloviqi deklaroi se gjithçka që mund të zhvarrosej në Serbi ishte zhvarrosur, u gjet një varrezë në themelet e një shtëpie të çuditshme. Shtëpia ishte ndërtuar direkt mbi një varrezë masive, ku ishin më shumë se 250 trupa. Nëse më kujtohet saktë, Odalloviqi e quajti këtë disa herë si lajm të rremë. Shtëpia, aspak e zakonshme për zonën e Rashkës, ishte gjysëm e përfunduar. Ishte shumë e qartë se ishte ndërtuar për të mbuluar provat. Kërkesat nga qeveria në Prishtinë që të shqyrtohej Rudnica në Rashkë, gjenden mbi tryezën e punës së Odalloviqit që nga viti 2004.
Po Kroacia? Varrezat masive që ata këmbëngulin se ekzistojnë, kryesisht rreth Osijekut dhe Vukovarit, mund të zbulohen lehtë nëse autoritetet serbe e duan këtë. Ish-oficerë, gjeneralë dhe ata që e dinë se ku janë, shëtisin të lirë nëpër Serbi. Disa kanë folur para Tribunalit të Hagës si dëshmitarë të mbrojtur, por vetëm sa kanë dhënë informacion për sistemin e arrestimeve dhe vrasjeve, jo për varre. Autoritetet në Serbi, sidomos “shteti i thellë” serb, e dinë shumë mirë se ku janë dhe çfarë bëjnë ata që mund t’i gjejnë varrezat e pahapura.
Ka pak hapësirë për të hapur çështjen jashtëzakonisht të rëndësishme për dëshmitë e regjistruara, që ushtria serbe i ka marrë me vete nga të gjitha territoret “e humbura”. Pas vitesh e vitesh të mohimit nga ana e Odalloviqit, ky njeri është profesionist, ka bërë punën e tij, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Kroaci në vitin 2018, i ktheu regjistrat me dëshmi që ishin marrë nga qyteza e Dvorit. Shumë qytetarë me etni serbe kanë humbur jetët në Dvor.
Jellena Grujiq Zindoviq është themeluesja e organizatës Kardan, që merret me kultivimin e kulturës së kujtesës përmes artit, medias dhe shkencës.
1 Bomberger, K (2018). “ It’s Not Too Late to Find Wartime Missing Persons.” Balkan Insight. https://balkaninsight.com/
2 Bomberger, K (2018). “ It’s Not Too Late to Find Wartime Missing Persons.” Balkan Insight.
3 ICMP. “Berlin Process Poznan Meeting: Missing Persons Group Maintains Effort To Account for Those Still Missing from 1990s Conflicts in Former Yugoslavia” ICMP Press Release, 4 Jul. 2019. https://www.icmp.int/
________________________________________________________
The article is published in the regional magazine Balkan.Perspectives number 12.
The magazine can be found on the link: https://dwp-balkan.org/ko/bpm.php?cat_id=6&text_id=2