Serbeze Haxhiaj

Një zë për të pazëshmit

Pak ditë para se të nisë gjykimi ndaj ish eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, Zyra e Alex Whiting, Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë ka publikuar një version më pak të redaktuar të aktakuzës. Versioni ka zbuluar emrat e më shumë viktimave civile shqiptarë e serbë, përfshi edhe ushtarë e policë serbë të zënë peng gjatë luftës.

Versioni i aktakuzës ndaj ish-presidentit,Thaçi, dhe tre bashkëluftëtarëve të tij zbulon detaje të rrahjeve, vrasjeve, një varr masiv, si dhe identitetin e 70 viktimave.

Më shumë se dy dekada më vonë emrat e tyre përbëjnë atë që aktakuza e përfshin si krime kundër njerëzimit dhe krime lufte sipas të Drejtës Ndërkombëtare.

Në mesin e emrave të publikuara të viktimave, gjysma e të cilëve janë civilë shqiptarë, gra e burra, nga vende të ndryshme të Kosovës, të vrarë në rrethana të errëta gjatë viteve 1998-2000. Shumë pak prej familjeve të tyre kanë folur deri më tani për ata që u vranë në rrethana të pandriçuara gjatë kohës së luftës.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se pas publikimit të emrave të viktimave në aktakuzë, ka pasur një reagim negativ nga përkrahësit e të akuzuarve. ”Kjo ka ndodhur rëndom edhe në rastet e mëhershme të akuzave për krime lufte të pjesëtarëve të UÇK-së”, thotë ai.

Në listën e viktimave shumë prej tyre janë emra për të cilët nuk është dëgjuar më herët ngase pak nga të mbijetuarit kanë folur publikisht. Historitë e tyre lidhen me 31 qendra të supozuara ndalimi të UÇK-së në gjithë Kosovën.

Të akuzuarit kanë hedhur poshtë akuzat që u ngarkohen dhe vazhdojnë të mohojnë fajësinë për krime kundër civilëve.

Në përshkrimin e aktakuzës për këta njerëz nuk sqarohet shumë motivi e rrethanat se si ata njerëz përfunduan në ato qendra ndalimi. Sipas përditësimit të Zyrës së Viktimave aktualisht 140 persona të pranuara si viktima tashmë janë regjistruar të marrin pjesë në proceset gjyqësore, shumë të tjerë u refuzuan. Të frikësuar nga ndëshkimi i mundshëm pothuajse të gjithë kanë kërkuar të mos zbulohet identiteti i tyre.

Në Kosovë, thashethemet janë po aq të rrezikshme sa edhe faktet. Të të bëhet me gisht si dëshmitar i prokurorisë deri më tani është parë si turp për personin dhe familjen e tij, pavarësisht nëse ka qenë viktimë ose asaj që kanë vuajtur. Prandaj që të gjitha viktimat janë regjistruar si anonime. Për të mbajtur sekret identitetin e tyre gjykata ka vendosur që ata të mos kenë të drejtë të përfqsohen nga një avokat shqiptar apo serb.

“Fakti se një përqindje e konsiderueshme e numrit total të viktimave, identiteti i tyre ende është i redaktuar apo i fshehur për publikun jep një mesazh të qartë për pozitën e tyre të rrezikuar në këto procese”, thotë Alija.

Shumë nga viktimat e përmendura në aktakuzë, përfshi edhe femra, janë të rinj, në të njëzetat, përderisa disa të tjerë janë të moshuar. Trupat e shumë prej tyre u gjetën gjatë dhe pas luftës, por shumë të tjerë janë ende të zhdukur. Për shumë prej tyre aktakuza përfshin histori të shkurtra, por tronditëse.

 Në materien e aktakuzës mbeten ende shumë emra të redaktuar që ndërlidhën me disa nga pjesët kyçe të ngjarjeve që rëndojnë mbi të akuzuarit. Por nuk janë vetëm 6 të akuzuarit që tashmë ndodhen në Hagë. Në historitë e ndalimeve, torturimeve dhe vrasjeve aktakuza përmend shumë emra të tjerë të ish pjesëtarëve të UÇK-së, shumë nga të cilët tashmë janë intervistuar si të dyshuar apo dëshmitarë. Të tjerët janë akuzuar në procese të tjera gjyqësore gjithashtu.

Së fundi, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave e Dhomave të Specializuara konfirmoi se ka kërkesa të reja për të marrë pjesë si viktima në gjykim, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave pjesëmarrëse në rastin e Thaçit dhe të tjerëve në 140 persona.

“Por ato ende nuk kanë një zë”, thotë Nora Ahmetaj një hulumtuese në fushën e drejtësisë tranzicionale në Kosovë .

Në Tribunalin Penal për Krime në ish Jugosllavi dhe gjykatat vendore u ftuan për të dëshmuar vetëm disa nga viktimat që u panë si qenësore për procesin. Ndonëse viktimave iu njoh e drejta e kompensimit ata nuk morën kurrë asgjë për vuajtjet dhe dëmin që pësuan.

Për herë të parë viktimat do të kenë të drejtën për të marrë pjesë në procedurë dhe për kompensim. 

Gjykata Speciale ka përfshirë urdhëresat për dëmshpërblime individuale dhe kolektive të viktimave, një gjë që nuk e ka ndodhur më herët në gjykatat vendase as kur viktimat kanë qenë shqiptare dhe të akuzuarit ish policë e ushtarakë serbë.

“Derisa viktimat nuk do të dëgjohen nuk do të ketë një narrative të ndryshuar”, thotë Ahmetaj.

Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka hartuar një strategji për drejtësinë tranzicionale që nënvizon mundësinë që zërat e viktimave të dëgjohen në një platformë publike, konkretisht Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit. Nëse do të ndodhë, kjo do t’u ofronte njohje, lehtësim të vuajtjeve dhe ndoshta do të  ndihmonte rehabilitimin e viktimave.


Serbeze Haxhiaj është gazetare hulumtuese dhe redaktore e lajmeve në Prishtinë, Kosovë, e cila e ka fokusin tek korrupsioni, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë, ekstremizmi fetar, terrorizmi dhe krimet e luftës. Aktualisht ajo është redatore pranë Radio Televizionit të Kosovës dhe gazetare e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).