Një raport i Komisionerit të Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut për ballafaqimin me të kaluarën në rajonin e ish-Jugosllavisë ka dhënë një paralajmërim të ashpër: “narrativat përçarëse dhe urrejtëse të luftrave të viteve 1990-ta janë rikthyer dhe po rifitojnë forcë”. Raporti thekson një rritje të dokumentuar të gjuhës së urrejtjes, dhunës ndëretnike dhe mostolerancës. Ka një rritje alarmante në diskursin etno-nacionalist dhe mbështetja për grupet e ekstremit të djathtë me lidhje rajonale dhe ndërkombëtare po rritet, duke mohuar mizoritë dhe duke glorifikuar kriminelët e luftës, ku politikanët që përdorin shpesh diskurs nacionalist, duke manipuluar me të kaluarën për të qëndruar në pushtet. Historitë kombëtare dhe pikëpamjet përçarëse për të kaluarën janë forca shtytëse prapa këtyre diskurseve të rrezikshme.
Raporti rendit një numër dështimesh që kanë çuar në situatën aktuale gati tre dekada pas luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Kryesorja midis tyre është dështimi i vendeve të rajonit për të nisur procese domethënëse të drejtësisë tranzicionale. Pas marrëveshjeve të Dejtonit dhe Kumanovës dhe rënies së Sllobodan Millosheviqit në Serbi, u krijua një përshtypje se luftërat në Ballkan i përkasin së shkuarës. Së paku në Kosovë kishte një ndjenjë triumfi, se drejtësia kishte mbizotëruar, besimi në “fundin e historisë” dhe lindja e një epoke të re paqeje dhe prosperiteti. Megjithatë, njëzet e pesë vjet më vonë, historia duket se gati po përsëritet me të njëjtit akterë që brohorasin të njëjtat slogane të vjetra të njëzet e pesë viteve më parë.
Është pothuajse sikur njerëzit të kenë besuar se epoka e përparimit, demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut, do t’i bënte luftërat një kujtim të së shkuarës dhe një akt vetëm të barbarëve të prapambetur tribalist. Ky besim se me kalimin e kohës disa gjëra do të mbeteshin vetëm si kujtime, si të padenja për kombet e qytetëruara, lidhet me idenë e përparimit si zgjidhje ndaj të gjitha ankesave dhe padrejtësive të së shkuarës. Kur njerëzit ngrenë pyetjen se si është e mundur që njëzet e pesë vjet më vonë luftërat janë ende të mundshme, ata e demonstrojnë besimin e tyre në idenë e përparimit. Ose siç do të thoshte Walter Benjamin, në shkrimet e tij në vitin 1940, njerëzit janë të habitur që “gjërat që po i përjetojmë janë ‘ende’ të mundshme edhe në shekullin e njëzetë”. Por, për të, kjo habi është e mundur vetëm nëse kapemi për një pikëpamje të paqëndrueshme e historisë.
Tribalizmi progresiv
Përparimet teknologjike të shekullit njëzet e një duhet të kishin nisur një epokë bashkëpunimi, ku e vetmja histori e mundshme është ajo e së ardhmes që shfajëson atë të së shkuarës. Racionaliteti shkencor supozohej se ofronte besime arkaike në mite, histori dhe komb. Megjithatë, njerëzimi po tregon një aftësi të pabesueshme për t’i bashkuar mitet, fabulat historike, tribalizmin nacionalist me përparimet shkencore, pa ndonjë kontradiktë apo paradoks të dukshëm, veçanërisht në formën e përparimeve ushtarake. Ky i fundit po vihet në shërbim të të parëve. Dikush mund të thotë me siguri se në shekullin e njëzet e një, historia është rikthyer fuqishëm. Megjithatë, siç e dijmë nga luftërat në ish-Jugosllavi dhe gjetkë në mbarë globin, historia nuk zhduket kurrë.
Historia dhe koncepti i një të kaluare të lavdishme të kombit që do të shfajësohet janë thelbësore për mënyrën sesi kombet ballkanike e imagjinojnë veten dhe politikën e tyre, që nga shpallja e tyre si shtete të pavarura në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Kjo e kaluar është e mbushur me një ndjenjë mesianizmi, ku toni i saj parashikon ngritjen e një Kombi të Madh. Siç edhe thekson Benjamini, “Ekziston një marrëveshje e fshehtë midis brezave të kaluar dhe të tanishëm. Ardhja jonë pritej në tokë.”
Parimi kryesor metodologjik që mbështet narrativat historike zyrtare në rajon është koncepti i një vazhdimësie unitare të historisë. Historia është një rrjedhë e një vazhdimësie të pandërprerë dhe të pafund, që siguron që ne jemi të njëjtit njerëz që nga kohëra të lashta e deri më sot, që thelbi ynë i pastër kombëtar është i gdhendur në kodin tonë gjenetik, se territoret stërgjyshore ku ne banojmë nuk kanë ndryshuar kurrë, por kanë qenë vetëm të tkurrura nga sulmi i barbarëve, që legjitimiteti ynë për të rimarrë atë që kemi humbur rrjedh nga e drejta jonë e patjetërsueshme historike për këtë kohë dhe vend. Siç thotë në mënyrë të përmbledhur Michel Foucault, “Historia e vazhdueshme është korrelativi i domosdoshëm i funksionit themelues të subjektit: garancia se çdo gjë që i ka ikur mund t’i rikthehet; siguria se koha nuk do të shpërndajë asgjë pa e rivendosur një unitet të rindërtuar; premtimin se një ditë subjekti – në formën e ndërgjegjes historike – do të jetë sërish në gjendje të përvetësojë, të rikthejë nën ndikimin e tij, të gjitha ato gjëra që mbahen në distancë nga ndryshimi dhe të gjejë në to atë që mund të quhet shtëpi.”
Konceptime të tilla të historisë, nxisin ideologjitë etno-nacionaliste dhe ekstremiste dhe i fuqizojnë ankesat për padrejtësitë e perceptuara historike. Raporti i KE-së thekson se diskursi publik për të kaluarën dominohet nga narrativat etno-nacionaliste në pjesën më të madhe të rajonit, nga manipulimi dhe polarizimi i këtyre narrativave nga liderët politikë që nxisin përçarje, së bashku me përhapjen e frikës për grupet e tjera etnike.
Kërcënimi i “tjetrit” si një kërcënim biologjik është ajo që e shtyu Foucault-in të arrinte në përfundimin se shteti modern në një moment gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë u ngatërrua me racizmin. Kjo formë e re e racizmit kërkon të arrijë pastërtinë e racës dhe për këtë arsye i shehë të gjithë anëtarët inferiorë të grupit si dhe anëtarët e grupeve të tjera si kërcënime biologjike për mbijetesën e vet. Si biopolitikë, kjo u manifestua në ekstremin e saj në shekullin e njëzetë nën Gjermaninë naziste, ku çdokush që mendohej të njolloste pastërtinë e racës ose të “devijonte” nga bio-norma ishte në shënjestër për eliminim. Këtu përfshihen komunietet e grave, komuniteti LGBTQI+, komunitetet me aftësi të kufizuara dhe ata të paaftë për punë, komunitetet e emigrantëve dhe armikut. Vetë Benjamini vuajti vdekjen nga duart e një politike të tillë, duke i marrë vetes jetën duke e ditur se vetëm kampet e përqendrimit dhe vdekja e prisnin atje si hebre.
Në vazhdën e ringjalljes globale të fraksioneve të ekstremit të djathtë, së bashku me përforcimin e retorikës etno-nacionaliste, ne jemi dëshmitarë të një sulmi të ripërtërirë ndaj komuniteteve që konsiderohen “devijantë” ose “inferiorë”. Kjo është e dukshme në përshkallëzimin e përpjekjeve për të rregulluar dhe kufizuar autonominë e grave, për të kufizuar të drejtat dhe liritë e individëve dhe komuniteteve LGBTQI+, për të sulmuar emigrantët dhe popullatat minoritare dhe për përhapjen e dezinformatave, që shtrihen nga vaksinat e COVID-19 e deri te ndryshimet klimatike. Në thelb të kësaj ringjalljeje qëndrojnë nocionet e pastërtisë racore dhe të drejtës së perceptuar stërgjyshore për të rimarrë trashëgiminë e supozuar të humbur civilizuese.
Një histori e së vërtetës
Kundër koncepteve lineare të kohës dhe historisë, të imagjinuara si progres, Benjamin mëton të kundërshtojë një kuptim tjetër të kohës, një kuptim që hap historinë për një angazhim politik aktiv në “kohën e tashme”. Në fillim të tezës XII, ai citon Niçen nga libri i tij “Mbi dobinë dhe dëmin e historisë për jetën”, duke thënë: “Ne kemi nevojë për historinë, por jo ashtu siç i duhet një njeriu të llastuar në kopshtin e dijes”. Me një fjalë, çdo profeci për fundin e historisë nuk është vetëm e rreme, por më keq, ato do të shërbejnë vetëm për të përforcuar nocionet ekzistuese të historisë si një tërësi unitare dhe koherente.
Pyetja është më tepër se çfarë lloj historie na duhet? Për çfarë lloj historie ka nevojë rajoni ynë? Me politikanët kryesorë dhe komunitetin ndërkombëtar që lënë anash proceset e drejtësisë tranzicionale, përgjegjësia bie mbi shoqërinë civile, akademikët, mediat, shoqatat e të mbijetuarve dhe familjet e viktimave civile të luftës nga luftërat e viteve 1990-ta për të ndjekur së bashku një synim të përbashkët për të përcaktuar të vërtetën e këtyre luftërave. Qëllimi i kësaj duhet të jetë të sfidohen dhe të kundërshtohen narrativat dominuese etno-nacionaliste në rajon dhe të krijohet hapësirë për pikëpamje pluraliste të së kaluarës.
Alban Bokshi – Albani ka përfunduar studimet Master në Filozofinë Kontinentale në Universitetin e Staffordshire, MB, me diplomë MA nga Universiteti i Sussex, MB, në Studime Bashkëkohore Evropiane dhe ka diplomuar në Universitetin Amerikan në Bullgari në Studime Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare/Shkenca Politike. Ai ka përvojë të gjatë në sektorin e shoqërisë civile si themelues dhe drejtor, hulumtues dhe menaxher projektesh në disa OJQ, që punojnë në fusha të ndryshme nga antikorrupsioni deri tek analizat e politikës së jashtme. Ai gjithashtu ka përvojë në administratën publike si konsulent dhe këshilltar politik për projekte të ndryshme në Qeverinë e Kosovës. Albani kontribuon në mediat lokale dhe blogje me shkrimet për çështje që kanë të bëjnë me politikën, zhvillimet sociale dhe filozofinë.