Shtabi i Përgjithshëm, për shkak të dizajnit impozant, funksionit por edhe vendndodhjes qendrore direkt përballë ndërtesës së Qeverisë së Serbisë është bërë simbol i bombardimeve të vitit 1999 dhe për gjithçka që, me vetëdije ose nëndije lidhet me atë ngjarje – traumë e pamohueshme nga ajo kohë, të indinjatës se vetë-drejtësisë për agresionin “e paprovokuar” ilegal të NATO-s dhe cenimin e integritetit territorial të Serbisë, por edhe i stagnimit të përgjithshëm dhe pamundësisë që nga disfata të ndërtohet një shoqëri funksionale.
Isha dhjetë vjeç kur për herë të parë i kushtova vëmendje ndërtesës së rrënuar dhe të tejmbushur me bar te keq në rrugën Nemanjina. Udhëtonim me transportin publik nga Resniku i largët për në “qendër” dhe duke parë ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm nga dritarja e autobusit, e pyeta nënën time se çfarë ishte ajo dhe pse një ndërtesë gjysmë e shkatërruar qëndronte në një vend të tillë. Ajo më tha se ushtria ishte aty dhe se ndërtesa ishte shkatërruar gjatë bombardimeve. Ndonëse në atë kohë isha i vogël, i mbaj mend mirë bombardimet, kështu që nuk bëra pyetje të tjera, gjithçka ishte e qartë. Sidoqoftë, mendoja me vete: “Pse nuk e prishin këtë ndërtesë të vjetër dhe të ndërtojnë një godinë moderne – si Beogradasja (Beograđanka), vetëm më të madhe?”
Mundet pra, të thuhet se kuptimi progresiv i planifikimit urban është në nivelin e një dhjetëvjeçari. Njëzet vite më vonë, ministri i Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, paralajmëroi nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi për zbatimin e atij plani tim vizionar me ndihmën e kompanisë së Jared Kushnerit, vjehrrit të ish (e ndoshta edhe të ardhshmit) Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Një pjesë e publikut me prirje opozitare reagoi ashpër ndaj këtij njoftimi, ndërsa pjesa tjetër, shumë më e madhe, nuk e ka aspak të qartë se pse po ngrihet fama rreth këtij grumbulli betoni të vjetër dhe guri rozë shumë të bukur.
Në fund të fundit, kjo nuk është hera e parë (dhe nuk do të jetë as e fundit) që një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë arkitekturore jugosllave shkatërrohet për të ngritur një monument falusoid për triumfin e rendit dominues kapitalist. Le të kujtojmë një shembull të ngjashëm të kompleksit ndërtimor Skyline në rrugën Knez Milosha, i cili është pothuajse i përfunduar në vendin e ish-Ministrisë Federale të Brendshme, i cili gjithashtu ishte dëmtuar rëndë gjatë bombardimeve në vitin 1999 dhe ishte lënë në atë gjendje deri në vitin 2020. Do të shtoja edhe një shembull nga lagjja ime, ku u rrënua fabrika e IMR-së legjendare për ndërtimin e një qendre tregtare.
Dallimi është se këta dy shembuj nuk kanë ngarkesën emocionale të një Shtabi të Përgjithshëm, i cili, për shkak të dizajnit impozant, funksionit por edhe vendndodhjes qendrore direkt përballë ndërtesës së Qeverisë së Serbisë është bërë simbol i bombardimeve të vitit 1999 dhe për gjithçka që, me vetëdije ose nëndije lidhet me atë ngjarje – traumë e pamohueshme nga ajo kohë, të indinjatës se vetë-drejtësisë për agresionin “e paprovokuar” ilegal të NATO-s dhe cenimin e integritetit territorial të Serbisë, por edhe i stagnimit të përgjithshëm dhe pamundësisë që nga disfata të ndërtohet një shoqëri funksionale. Ajo që mungon është çfarëdo kapaciteti për vetë-reflektim për aparteidin që u zbatua në atë kohë në Kosovë, i cili, edhe pse nuk përbën arsyetim për bombardimin, të paktën mund të kuptohet si shkak i tij.
Aco i quajtur Pub
Ndoshta ky njoftim është i afërt me Serbinë tjetër edhe për shkak se paraqet një lëvizje politike jashtëzakonisht të zgjuar dhe efektive. Sepse, pse u kujtuan vetëm tash për Shtabin e Përgjithshëm, kur për të paktën 10 vitet e fundit ai shërbeu si billbord për fushatën e rekrutimit të kadetëve në Ushtrinë Serbe, të mishëruar prej kohësh në thënien e Zhivojin Mishiqit – “Kush guxon, ai mundet…”, (i cili në një periudhë paraprake ishte zëvendësuar me një imazh militarist)? Përgjigja është se në fushatën e pandërprerë parazgjedhore, e cila edhe më tej është forcuar në përgatitjet për zgjedhjet gjoja vendimtare në Beograd në muajin qershor, prej kohësh më nuk po zgjidhen mjetet. Në fakt, ky projekt mund të shihet si një partneritet publiko-privat për përmbushjen e disa qëllimeve strategjike të qeverisë progresive në të njëjtën kohë.
Së pari, edhe pse duket me pashije t’i japësh një kompanie amerikane koncesion njëqindvjeçar në tokën e Shtabit të Përgjithshëm në vitin kur bëhen 25 vjet nga bombardimet e NATO-s, publiku votues i hutuar është në këtë drejtim ushqim i gatuar moti. Le të kujtojmë fillimin e karrierës së Vuçiqit si kryeministër dhe vizitën e Tony Blair në Qeverinë e Serbisë në cilësinë e furnitorit “njësisë së dorëzimit” të harruar prej kohësh (por padyshim shtrenjtë të paguar) – drejtpërdrejt përballë rrënojave për të cilat pjesërisht është përgjegjës. Vuçiqi ishte më i vogël se fara e lulëkuqes kur u ul pranë Bill Clintonit në një panel për Srebrenicën të organizuar nga Fondacioni Clinton, ndërsa Gerhard Schröder foli në një takim parazgjedhor të SNS-së (PPS) në Arena – Sapijenti sat, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s në vitin 2017. Logjika është shumë e thjeshtë – është e nevojshme të fitohet mbështetja e figurave politike perëndimore me ndikim, të cilët nuk neveriten nga fondet publike të regjimeve hibride. Ka shumë prej tyre në të dyja anët e spektrit politik.
Me fjalë të tjera, projekti i Shtabit të Përgjithshëm duhet të shërbejë si bast i vënë për vazhdimin e bashkëpunimit të nisur në mandatin e parë të Trumpit, kur u nënshkrua e ashtuquajtura Marrëveshja e Uashingtonit, dispozitat e së cilës i referohen kryesisht rregullimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – me Izraelin. Si një kumarxhi kompulsiv, Vuçiqi ka vënë bast për të dytën herë të gjithë Serbinë duke luajtur me kartën Trump, edhe pse tashmë ka humbur një herë, duke llogaritur në faktin se do të mund së paku ta nxjerrë edhe një mandat tjetër katërvjeçar, pa zgjidhur asnjë nga problemet jetike të këtij vendi, kështu që, nëse kalon, kalon.
Në anën tjetër të transaksionit, Trumpi aktualisht po përballet me një numër të paprecedentë të padive serioze, ku ndoshta më e rënda është ajo në shtetin federativ të Nju Jorkut, ku siç duket korporatës së tij do t’i ndalohet të bëjë biznes për shkak të fryrjes së vlerës së portofolit të pasurive të paluajtshme. Përveç tarifave për avokatët, Trumpi do të duhet të paguajë edhe garancinë që arrin në dhjetëra, nëse jo qindra miliona dollarë, por edhe vetë fushata presidenciale, thënë së buti, nuk është e lirë. Prandaj është aktivizuar e gjithë makineria e magnatëve, e mediave dhe e lloj-lloj internacionaleve globalë joliberalë të hoshtaplerëve dhe kleptokrateve djathtistë – anëtare e ndershme e të cilëve është Serbia, për t’i siguruar Trumpit likuiditet aktual, por edhe një strehë për kapitalin larg dorës së gjatë të sistemit amerikan të drejtësisë.
Ne jemi bota
Anëtarësimi në internacionalen joliberale i sjell qeverisë progresiste, përveç përfitimeve sporadike të drejtpërdrejta politike, edhe një zëvendësues për internacionalizëm të vërtetë, për të cilin, për shkak të ADN-së së saj radikale, është në mënyrë kronike e paaftë. Në përpjekje për të forcuar pozicionin e tij në vëllazërinë e errët globale, Vuçiqi vitin e kaluar u takua në Budapest (tek vëllai i madh liberal Orbani) me “analistin” e preferuar djathtistë të Trumpit, Tucker Carlson, nga i cili ka hequr dorë edhe Fox News-i famëkeq. Që atëherë, Carlson e përdor vazhdimisht Serbinë si një shembull të një vendi që trashëgon vlerat tradicionale konservatore (lexo: shoviniste të bardhë, mizogjene dhe homofobike), të cilat sigurisht arritën edhe te Trumpi dhe rrethi i tij.
Beogradi është e vetmja gjë internacionale që ka qeveria progresiste dhe prandaj assesi nuk mund të heqë dorë nga ai. Në fakt, të gjitha projektet megalomane të qeverisë, duke përfshirë edhe Beogradin mbi ujë, i cili këto ditë është përhapur si oktapod nëpër Beograd, duke e dyfishuar sipërfaqen e tij; projekti EXPO, i cili nga një event anësor i konceptuar si përmbajtje shoqëruese për Panairin kryesor Botëror u fry në një paradigmë për zhvillimin e përgjithshëm të Serbisë në vitet e ardhshme, duke përfshirë edhe “sjelljen” e Louis Vuitton në Beograd, përfaqësojnë një përpjekje që të kapërcehet trauma e izolimit ndërkombëtar të Serbisë në vitet 1990, që qeveria progresiste të paraqitet para qytetarëve si një anëtar i respektuar i bashkësisë ndërkombëtare – të njëjtën kundër të cilës luftoi atëherë, dhe madje ende po lufton tani kur është politikisht oportune.
Antifashizmi si guralec në këpucë
Pikërisht për këtë, ndoshta në mënyrë paradoksale, po realizohet nacionalizimi i zgjedhjeve lokale në Beograd. Progresistët e dinë se nuk mund të ofrojnë zgjidhje për problemet Beogradasve – nuk dinë të ulin ndotjen e ajrit, nuk duan të zgjidhin çështjet e banimit të bashkëqytetarëve të tyre, nuk e kanë idenë se duke zgjeruar rrugët po krijojnë edhe më shumë mbingarkesë – ka shembuj të panumërt, dhe ato janë kudo rreth nesh. Në anën tjetër, qysh në vitet e 90-ta kanë doktoruar në temat e Kosovës, tradhtarëve vendas dhe mercenarëve të huaj, hajdutëve të verdhë, mediave të magnatëve, mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës. Ata diktojnë rregullat e lojës dhe luajnë sipas pikave të tyre të forta.
Prandaj nëpër Beograd janë nën mbrojtje jozyrtare policore, por jo edhe të pavërtetë, muralet e Ratko Mlladiqit, si dhe e gjithë franshiza e muraleve me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Prandaj u njoftua rrënimi i Hotel Jugosllavia, një tjetër perlë të arkitekturës jugosllave që pësoi nga bombardimet në vitin 1999, dhe iu revokua mbrojtja në vitin 2011, me gjithë interierin spektakolar të mesit të shekullit me llambadarin e famshëm të kristalit. Për këtë arsye kryetari teknik i Beogradit, Aleksandar Shapiq, e ka njoftuar zhvarrosjen e Josip Broz Titos nga shtëpia e luleve dhe transferimin e eshtrave në vendlindjen e tij, Kumrovec.
Jugosllavia është një pasqyrë e pakëndshme e dështimit të progresistëve dhe papjekurisë. Të gjithë këta shembuj, duke përfshirë Shtabin e Përgjithshëm, tregojnë se Jugosllavia duhet të varroset, të fshihet sikur të mos ekzistonte kurrë, sepse trashëgimia jugosllave e emancipimit, utopizmit, multikulturalizmit dhe veçanërisht antifashizmit është një kërcënim ekzistencial, jo vetëm për teknologjinë e tyre të qeverisë, e cila bazohet në lyerjen e syve të qytetarëve nga ndarjet e ndryshme të shpikura, por edhe në identitetin e tyre, pas të cilit nuk ka asgjë tjetër veç nofullave të hapura të kapitalit të pangopur që gllabëron gjithçka përballë, përfshirë edhe antifashizmin.
Në fund, nuk mund të mos vëmë re se Trumpi dhe progresistët duket se i bashkon pasioni për pronat e paluajtshme, si një nga degët e pakta të biznesit që mund të zotërohet edhe nga lënda e parë më e madhe. Për më tepër, sa më e madhe të jetë lënda e parë – aq më i mirë është biznesmeni! Gjithsesi, një tjetër kompleks afarist-banesor në flluskën tashmë të fryrë të tregut të pasurive të paluajtshme në Beograd, vështirë se do të del si një investim i mirë për cilëndo palë (e më së paku për qytetarët), por nga ana tjetër, mund të çojë tek fakti se Jaredi do të angazhohet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, siç e kishte zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez atëherë.
Ky tekst u publikua fillimisht në faqen e internetit të Fondacionit “Heinrich Bell” në Beograd më 19 prill 2024, ndërsa për ribotim është modifikuar pak duke i shtuar kontekstin dhe burimet e destinuara për lexuesit dhe lexueset e huaj.
Nemanja Georgijeviq është gjuhëtar, përkthyes dhe politolog. Aktualisht punon si Asistent Programi në Fondacionin “Heinrich Bell” në Beograd.
Ky artikull është ribotuar me lejen e Zyrës së Fondacionit Heinrich Böll në Beograd dhe vetë autorëve. Është pjesë e një bashkëpunimi ndërmjet Zyrës së Fondacionit Heinrich Böll në Beograd dhe Programit të Ballkanit Perëndimor të forumZFD