Vendvarrimet akuzojnë: mjekët ligjorë që gërmojnë për të zhdukurit në Kosovë – Seri blogjesh

Qoftë në vendin e krimit, në një stol ose në kompjuter, mjekët ligjorë që kanë punuar në ekzaminimin e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, dhe në vendet tjera, u janë ekspozuar përjetimit të mizorive dhe kanë dëshmuar ato. Ata kanë identifikuar të zhdukurit, duke ndihmuar në bashkimin e mbetjeve me familjet. Ata kanë bërë ekzaminimet si një mjet i drejtësisë penale, por gjithashtu mbajnë tagrin emocional të punës që bërë. Katër nga ata që kanë punuar në Kosovë tregojnë historitë e tyre: Valon Hyseni, Robert McNeil, Luísa Marinho dhe Javier Santana. Seri blogjesh nga Serbeze Haxhiaj. 

Robert McNeil: hija e fytyrave gri

Historia e Robert McNeil nuk është thjesht e një mjeku ligjor që bën ekzaminimin e trupave të të vdekurve. Në zemër të historisë së tij është përvoja e të mbledhurit prova për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Bosnje e Kosovë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.

Pas më shumë se më shumë se 20 vitesh ekzaminime brenda vendit të tij, në Britani të Madhe, McNeil u ftua t’i bashkohej ekipeve të mjekësisë ligjore ndërkombëtare për të ekzaminuar personat e vrarë dhe varrosura në varreza masive në zonat e luftës në Ballkan dhe në Afrikë. 

Kur nisi të punonte në ekipin e atyre që duhej të ekzaminonin trupat e të vrarëve në masakrën e Srebrenicës në Bosnjë, për McNeil dhe kolegët e tij, kjo ishte“një tronditje” ngase duhej të përcaktonin shkaqet e vdekjes të aq shumë njerëzve njëkohësisht.

“Deri atëherë asnjë nga ne nuk kishte punuar me aq shumë trupa të vrarë e të gjymtuar. Shumë nga ata i kishin duart e lidhura dhe sytë e mbyllur. Kishin përjetuar aq shumë vuajtje deri në vdekje”, tregon ai.

Për ekspertët mjekoligjor si ai ishte rrëqethëse se si ishin përpjekur t’i fshihnin krimet. “Ekzaminimet që po bënim thjeshtë dëshmonin për gjenocid”, shton ai.

Rrëfimi i tij mbështjell me ankthin teksa udhëton në zemrën e errët të mizorive të kryera gjatë shpërbërjes së federatës jugosllave gjatë viteve 1990. 

Historia e McNeil është një pjesë e të pathënave të shkencëtarëve të mjekësisë ligjore që punuan për të ribashkuar familjet me mbetjet e shpërndara të të dashurve të tyre dhe për të sjellë autorët para drejtësisë. 

“Përmes autopsive kuptonim se çfarë janë të aftë njerëzit të bëjnë kur verbohen nga urrejtja dhe paragjykimi”, thotë ai.

McNeil tregon se sado që nuk përfshihesh,mizoritë si ajo në Srebrenicë depërtojnë thellë qenien njerëzore.

Përjetimi këtyre mizorive për të u bë edhe më i frikshëm kur në qershor të vitit 1999 erdhi në Kosovë, si pjesë e ekipeve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavi. “Kishte shumë fëmijë. Disa nga trupat ishin ende të freskët. Ishte tejet e rëndë të ballafaqoheshe me ankthin që të jepnin”, thotë ai.

“Derisa i nxirrnim, fryma na ndalej brenda mbështjellësve tanë të plastikës”, kujton McNeil.

Përmes rrobave dhe gjurmëve të plumbave ai ka skanuar mijëra dhimbje të përjetuara nga viktimat derisa ato kanë vdekur. 

Ai tregon se si gjatë ekzaminimeve në Srebrenicë, në ekip po analizonin gjurmët e një xhemperi që kishte një vrimë plumbi me një trajektore në rënie në pjesën e zonës së poshtme kurrizore. “Dukej se ishte në gjunjë kur u vra, ose ishte detyruar të ulej. Më pas kjo la gjurmë te ne”, thotë McNeil.

Ai thotë se kërkimi për të zhdukurit është një proces shpesh i pafund, por jo i pashpresë. “Përmes ADN kemi bërë identifikimin e qindra ushtarëve britanikë dhe australianë të vrarë dhe të varrosur në varre masive në Francë gjatë Luftës së Parë Botërore”. 

Përvoja e tij prej mjeku ligjor gjatë hetimit më të gjerë ndërkombëtar në histori të kryer nga Tribunali për Ish Jugosllavinë i Kombeve të Bashkuara u bë vulë e dëshmive të krimeve kundër njerëzimit në Bosnje dhe Kosovë. 

Historia e punës së tij në pjesën më të madhe është ajo e ballafaqimit me  “fytyrat e zymta” siç e ka përshkruar në librin e tij të memoareve.

McNeil shtron pyetje universale, duke u përpjekur të kuptojë përmasën e mizorive të kryera ndaj kaq shumë civilëve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.

“Shumë nga mizoritë që u kryen, sidomos në Srebrenicë, kishin për qëllim të poshtërojnë viktimat, veçanërisht kur kemi të bëjmë me dhunimin e grave”, tregon ai.

McNeil gjatë viteve të ekzaminimeve në Bosnjë e Kosovë kishte mbajtur një ditar ngase si pjesë e ekipit nuk i lejohej të fotografonte apo mbante shënime personale. 

Duket se ai dhe të tjerët i kishin mbyllur mendjet ndaj tmerreve që panë, duke fokusuar në verifikimin shkencor për të bërë atë që duhej të bënin.

Për të kostoja psikologjike erdhi më vonë kur u pensionua dhe kur fantazmat nga atje ku kishte punuar po ia trazonin gjumin.

“Më pas fillova të kem simptoma të anktheve dhe rikthime të skenave të tmerrshme dhe ëndrra të këqija”, tregon McNeil.

Ishte radha e tij të trajtonte stresin post-traumatikdhe ai e bëri përmes artit, duke filluar të pikturojë.

“Unë e kam trajtuar atë përmes artit. Ende herë pas here shoh ëndrra të këqija. Por jam mësuar të pranoj se kjo është kështu, siç është”,thotë Robert McNeil.