Zërat e grave, të cilat s’u lejuan të shkonin në shkollë.
Qysh prej viteve ‘40, Shemsije Havolli nga Gllamniku i Podujevës kishte parë breza e breza tek vinin në konakun e tyre e merrnin mësim në odën e familjes së saj. “Prej tona rrethinave kanë ardhë në odë”, thotë 62-vjeçarja, përmes ekranit të vogël të kompjuterit, teksa nga Austria, ku jeton sot, flet për vajzërinë e saj në fshatin Gllamnik.
Por, oda, për të cilën Havolli thotë se s’i mbyllte kurrë dyert, nuk ia çeli dot derën motrës së saj të madhe kur i kishte ardhur mosha për shkollë. Ajo dhomë jo fort e madhe ruante me përpikëri trashëgiminë e vet mashkullore.
“Motra jeme nuk është leju me hi në odë të vet, në konak të vet me e mësu alfabetin e gjuhës shqipe”, thotë ajo
Asokohe, siç shkruan historiani i arsimit, Hajrullah Koliqi në “Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar”, burra që kishin dalë nga mësimet e Medresesë së Madhe të Aleksandrit I në Shkup, midis viteve 1925-1941, atë dije e ndanin me të tjerët nëpër ambiente shtëpiake, përfshirë odat.
Një nga një, Havolli pa katër motrat tek i ndalnin nga shkolla, njërën pas fillores, e tri të tjerat pas klasës së katërt. Ai avaz e priti edhe vetë atë, të cilës, në klasën e katërt, vitin 1974 ia ndërprenë shkollimin. “Baba është kanë qaq këmbëngulës, jo edhe jo”, thotë Havolli.
Anipse i kishin punët mirë financiarisht, përkundër kundërshtimeve të motrës së saj e edhe përpjekjeve të vëllezërve, të cilët kishin ofruar të marrin përsipër barrën financiare të shkollimit të saj, i ati nuk lëshonte pe.
“Edhe sot jam kureshtare me ditë kah e ka marrë baba gjithë atë urrejtje për shkollim të një fëmije, të femrës”, thotë Havolli.
Tash, shtatorët, që dikur shenjonin gëzimin e nisjes së shkollës, u shndërruan në përkujtim të asaj që iu mohua. “Kur vishin shtatorët, sikur edhe zoti më duket e ndiejke atë dhimbjen, ata lotët e mi, gjithë merrke shi edhe vranët”, thotë Havolli. “Thojsha, edhe shtatori po vajton për mu! Jo veç për mu, se tash më dhimke edhe për motrat, edhe kish edhe tjera”.
Në krejt ato rrethana të pamundura, ajo gjeti mënyra të fitonte sadopak kontroll mbi jetën e vet. Në po atë vit, u regjistrua fshehurazi në bibliotekën e fshatit dhe vazhdoi të lexojë, të paktën deri dikur.
“Qysh kam pasë kohë, a në muaj a në dy-tre muaj, ka një libër e kam marrë. Kam lexu vazhdimisht deri në të tetën”, thotë ajo. “Kur jam ba ma e madhe, tani nuk ka ba. Ajo alternativë veç ra, se e rritne e me shku në bibliotekë. Tani i kam ble, ja m’i kanë dhanë shoqet. Leximin e kam vazhdu si ngushëllim”.
Ndonëse qysh para Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavi arsimi themelor ishte i detyrueshëm dhe pa pagesë, shkalla e analfabetizmit ishte e lartë. Të dhënat tregojnë që përqindja e popullsisë analfabete ishte ende 44,6%. Në atë kohë, vitin 1931, analfabetizmi tek gratë në Kosovë ishte 85%. Në Bosnjë e Hercegovinë, ishte në 87%, kurse Maqedoni, 67.5%.
Pasojat e ndalimit të shkollës nuk ishin veç një dëshpërim i atypëratyshëm për Havollin teksa shihte të tjerët që para saj preknin ëndrrën që ajo e kishte pasur. Jehona e atij vendimi e përcolli gjithë jetën. “Më ka vyjtë shumë [shkollimi] që erdha në emigrim, bile me e pasë të tetën” thotë ajo. “Kur erdha këtu, ka pasë kurse pa pare, ka pasë profesoresha që me shpirt më ndihmojshin, po shtëpia pa themel të fortë nuk mbarohet”.
Ajo thotë se shkollimi do t’i jepte agjenci, një mundësi për jetë më të mirë. “Gjithë e kam vujtë këtë, se kur e ki një status, edhe nëse fshin, ajo të trajton ndryshe”, thotë Havolli, e cila pasi e la Kosovën, punoi si pastruese. “Na kanë keqtrajtu në çdo firmë. Jam ndier aq e ulët, qaq e fyeme.”

Bashkë me Havollin, breza të tërë grash shqiptare që në atë kohë ishin në moshë shkollore, u ballafaquan me këtë mohim: secila prej tyre në rrethana krejtësisht të veçme. Por të gjitha copëzat e veçanta të rrethanave në të cilat atyre ua mohuan shkollimin, bashkë me mënyrat se si ato i gjetën format e jetesës me këtë mohim, përbëjnë një copë të rëndësishme e tregimit kolektiv të Kosovës, që nuk u trajtua publikisht si i tillë, shpesh duke u lënë vetëm brenda hapësirave joformale.
Ndër të tjera, lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë solli realitete të reja, edhe në atë se cilat përvoja dhe përvojat e kujt kujtohen. Karakteri maskulin i memorializimit publik, që u përforcua pas këtij momenti traumatik shoqëror, i shtyu edhe më në cep tregimet e grave në përgjithësi dhe sidomos ato tregime që kishin ndodhur para luftës.
Me gjithë mosproblematizimin publik të tij, mohimi i shkollimit vazhdon të jehojë, së pari në përditshmërinë e grave që e pësuan e së dyti, në dinamikat shoqërore, historike e gjinore të Kosovës.
Gratë, kurbani i parë i rrethanave
Shkalla e lartë e analfabetizmit në Jugosllavi nuk kishte kaluar pa u vërejtur dhe u përcoll me përpjekje për ndërrime, qoftë në legjislacion, e edhe në mekanizmat për ta vënë atë legjislacion në praktikë. Sipas Ligjit të vitit 1929 të Mbretërisë Jugosllave për Shkollat Fillore, edukimi fillestar duhej të zgjaste tetë vjet dhe ndahej në edukim fillor të ulët dhe të lartë. Por nga viti 1929 deri në vitin 1941, si pasojë edhe e Luftës së Parë Botërore, asnjë planprogram për këtë lloj edukimi nuk ishte hartuar.
Pas Luftës së Dytë Botërore, u tentua të ndryshohej ky realitet në tashmë Republikën Federale Socialiste Jugosllave. Si rezultat, më 26 tetor 1945, Kryesia e Kuvendit Provizional të Popullit Jugosllav miratoi Ligjin për Edukimin e Detyrueshëm Shtatë-vjeçar, sipas të cilit shkollimi i detyrueshëm duhej filluar në moshën shtatë-vjeçare dhe të zgjaste deri në moshën 15-vjeçare.
Në Kosovë, që u bë krahinë autonome tek me kushtetutën e vitit 1974 të Jugosllavisë, këto ndryshime ligjore nuk i përgjigjeshin realitetit të cilin e jetonin shqiptarët. Anipse lejoheshin, shkollat shqipe ishin të pakta dhe shpesh të paarritshme; shkollat ishin larg, rrugët ishin të paasfaltuara e mënyra transporti nuk kishte.
Politikat shtypëse e përjashtuese kundër shqiptarëve që vetëm sa u shtuan gjatë kohës së udhëheqësit të shërbimit të sigurimit të Jugosllavisë, Aleksandar Ranković midis viteve 1945 dhe 1966, nxitën edhe më shumë mosbesim e frikë tek ta ndaj gjithçkaje që asociohej me shtetin jugosllav. Edhe vendimi për shkollimin e obligueshëm u prit me rezistencë nga shqiptarët e Kosovës, sidomos në zonat rurale.
Presioni shtetëror për edukimin e vajzave, në kontekst të Kosovës, nuk mund të përceptohej thjesht si përpjekje e shtetit të ri për të ulur shkallën e analfabetizmit dhe për edukim të popullsisë. Jo në një kontekst ku gjithçka, përfshirë shkollimin e vajzave, instrumentalizohej për t’i shtypur tutje shqiptarët. Kjo ilustrohet, për shembull, me planin e njohur të politikanit Vaso Čubrilović për dëbimin e shqiptarëve, të vitit 1937, sipas së cilit, ndër masa të tjera që sugjeroheshin për arritjen e dëbimit ishin kolonizimi i Kosovës, shkatërrimi i varrezave dhe përmes zbatimit të rreptë të rregullores për dërgimin e vajzave në shkollë, gjë që cilësohej se shkonte në kundërshti me dëshirat e shqiptarëve asokohe.
Kur vendimi për të bërë edukimin primar të obligueshëm në gjithë Jugosllavinë, u takua edhe me patriarki, varfëri, si dhe frikën dhe mosbesimin e përgjithshëm të shqiptarëve nga dhe në institucionet jugosllave, gratë u bënë kurban i një ndërthurjeje dinamikash kulturore, ekonomike e politike që përcaktuan fatet dhe trajektoret e tyre jetësore.
Pak pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948, 90% e grave shqiptare ishin analfabete, derisa analfabetizmi i përgjithshëm në popullsinë shqiptare ishte 74%. Pavarësisht ligjeve, pak ndërroi për gratë shqiptare. Sipas të dhënave të vitit 1961, deri në atë kohë rreth 3.2% e popullsisë kishin mbaruar një lloj edukimi sekondar. Sidoqoftë, kjo statistikë reflekton vetëm rastet e atyre që figuronin si të regjistruar në regjistrat e shkollave. Në praktikë, shumica e vajzave shqiptare ndaleshin nga shkolla, përkundër që zyrtarisht vazhdonin të figuronin si të regjistruara. Sipas të dhënave të vitit 1971, ndërkohë, vetëm 6.1% e popullësisë mbi 10 vjeç kishin mbaruar ndonjë lloj të edukimit dytësor.
Kështu, gra prej gjithandej Kosovës i bën bashkë fakti se u lindën e u rritën në zonat rurale të Kosovës ndërmjet viteve ‘50-’70, në familje thellësisht patriarkale dhe në sisteme politike thellësisht përjashtuese për shqiptarët e Kosovës në ish-Jugosllavi.
Ka diçka që përvidhet në gjuhë, e që është shumështresore, e treguese për kontekstin historik, politik e shoqëror të tregimeve. Si në një përpjekje për të rimarrë agjencinë e tyre, apo për të mos fajësuar askënd, momentin kur iu ndalua shkolla, shumë gra e përshkruajnë si veprim të vetin. Pra, thonë, “e lashë,” e jo, “ma ndaluan,” apo, “ma mohuan,” apo “ma ndalën”.
Llafet e grave, edhe atë në ambiente krejtësisht private e kryesisht me familjaret e tyre vajza e gra, të cilave ua kanë ndaluar shkollën kanë qenë dhe mbesin pothuajse e vetmja mënyrë e artikulimit dhe transmetimit të këtyre tregimeve.
Por sado të shtypura midis ngjarjeve të mëdha, rrëfimet e grave dalin në sipërfaqe dhe kur ato janë të njëjta për breza të tërë, ato shpërfaqin jo thjesht fate të izoluara personale. Bëhet fjalë për mohim agjencie: fate të përcaktuara kolektivisht për to, jo thjesht paligjshëm, por dhunshëm e padrejtësisht.
Prandaj, ato nuk e lanë shkollën vullnetshëm. Shkolla iu mohua dhe ai mohim ua përcaktoi jetët në rrafshin personal e edhe atë të [mos]pavarësisë ekonomike e shoqërore. Si rrjedhojë, pa i shtjelluar këto histori si hallka të pamohueshme të zingjirit që i pengon gratë edhe sot prej qasjes në lirinë e tyre e pa i nxjerrë këto tregime nga cepat e shtëpive, vështirë se mund të merret vesh historia.
Se jemi të varfër
Në vitet ‘50 dhe ‘60, anembanë qendrave urbane të Jugosllavisë diskutohej ajo që njihej si “çështja e grave” ku artikuloheshin çështje si barra e punëve të shtëpisë në kontekst të përfshirjes gjithnjë e më të madhe të grave në tregun e punës e në jetën publike e politike në emër të “ndërtimit të socializmit”.
Ndërsa në Kosovë, varfërimi ekonomik vetëm sa thellohej. Të përjashtuar ndër dekada nga jeta publike e institucionale, shqiptarët merreshin kryesisht me bujqësi dhe atë pa mjete të domosdoshme e me kufizime. Ndërsa përfshirja e grave, sidomos në zonat rurale, në tregun formal të punës, as që mund të paramendohej. Për to, çështja ishte a do të arrijnë të përfundojnë të paktën katër vjet shkollim. Siç ndodhi në shumë raste ato përfunduan pa as edhe një ditë në shkollë.
Në klasën e tretë të shkollës fillore, Hedije Shalës, 60-vjeçare nga Llozhani i Pejës i kishte vdekur e ëma pas një sëmundjeje që zgjati disa muaj. I ati, pas një kacafytjeje me dikë shkaku i një konflikti pronësor ishte në burg. Katër fëmijët e tyre, motra e vëllezër të Shalës, mbetën nën kujdesin e saj dhe të gjyshes së saj.
Më i vogli ishte vëllai i saj dy-vjeçar të cilit Shala mundohej disi t’ia lehtësonte mallin për nënën. “Gjithë natën u pshtetsha për kreveti, atëherë rrokaça nuk kish”, thotë Shala “e merrsha çibritin e ja bojsha kashtat e çibritit që janë në çibrit, bojsha kështu në vend të rrokaçës, më merrke gjumi e pshtetun për muri. Deri sa flejke ai”.
Por, e vogël ishte edhe vetë Shala. “Unë e vogël, me gatu s’disha”, kujton Shala, e cila flet për të kaluarën e saj, prapë me kujdes për të kursyer nga fajësimi të gjithë njerëzit përreth saj. “Kur gatujshin gratë e mixhëve që u ndanë, shkojsha i kqyrsha qysh po e bëjnë brumin”.
Kjo periudhë shënoi edhe fillimin e fundit të shkollimit, edhe ashtu të vështirë, për të. Përkundër kushteve që ishin vështirësuar pas vdekjes së të ëmës, Shala ishte përpjekur ta vazhdonte shkollimin. “Më ka shku shkolla, e kam dashtë shumë”, thotë ajo. ”Me një fletore kam mësu. Me një gjysë lapsi. Me një gjysë gome”.
Sikur vështirësitë ekonomike të mos mjaftonin, barra e kujdesjes për motrat e vëllezërit, shtëpinë dhe punët e fushës e kishin vënë atë dhe babain e saj, i cili ndërkohë ishte liruar nga burgu, përballë një zgjedhjeje të vështirë.
Sado përpiqej të shkonte në shkollë, edhe me këmbënguljen e babait, largimi prej shtëpisë u shndërrua në burim faji: punët e prisnin në shtëpi e ajo kohën e çonte në shkollë. Edhe në shkollë, herë shkonte, herë nuk shkonte. “Mungojsha”, thotë Shala. “Ma dishin hallin arsimtarët çfare e kam, kurrë nuk më kanë thanë, ‘Pse ke mungu?’ Se e dishin që nuk kam nanë”.
Shala nuk kujton që babai i saj t’i ketë thënë drejtpërdrejt ta lë shkollën. Përkundrazi, sipas saj, ai hezitonte, “‘Qysh e ki këta kry të ngritë. Duhet [të shkosh në shkollë],’ thojke, ‘se më dënojnë, më kazmitin’”, mban mend t’i ketë thënë i ati. Pasi shkollimi themelor ishte i detyrueshëm, asokohe, shteti jugosllav angazhonte inspektorë që shkonin nëpër shkolla e shtëpi për ta pëcjellur vijueshmërinë. Për familjet që i nuk i bindeshin ligjit parashiheshin dënime. Përkundër kësaj, disa familje gjenin mënyra për t’i rezistuar këtij ligji. Kryesisht, i ndalnin vajzat nga shkolla dhe gjenin mënyra për t’i korruptuar inspektorët, duke i bërë ato të paraqiten sikur janë duke vijuar shkollën, pa e vijuar njëmend. Ndërsa në raste kur inspektorët shkonin t’i kërkonin nëpër shtëpi, disa familje i fshehnin vajzat apo detyronin ato të aktronin sikur kanë aftësi të kufizuara fizike ose mendore, që i pengojnë nga ndjekja e shkollës.
Megjithatë, një bisedë e të atit me gjyshen e saj, kishte qenë mjaftueshëm treguese për sa shumë telashe po i shkaktonte familjes vazhdimi i shkollimit. “Unë e kam pasë ni babën nji herë me vesh të mitë, po mu nuk më thojke, ‘Çka u kanë mirë Hedija me e lanë shkollën!’”, thotë 60-vjeçarja.

Por puna në shtëpi dhe ajo e përkujdesit nuk ishte e vetmja arsye. “Po edhe nuk u shkojke në shkollë me një gjysë çizme, pa jakne, pa kurgjo? Qysh me shku?” pyet Shala. “Edhe u nala krejt”. Ai moment përfundimtar mbetet më i hidhuri për të, dekada të tëra pas. “Kurrë ma keq në jetë nuk jam ndi”, thotë ajo.
Si fëmijë, vazhdoi të përballej me peshën e asaj dite. “Kur erdh vakti, do shoqe në mahallë qaty në katun niva që u regjistrun [në shkollë], ku-ku çka lakmova! O zot çka lakmova”, kujton Shala. “U ula e po kaj në oborr. S’dita çka me ba, u ula po kaj.”
Për këtë, pos Shalës, dëshmojnë edhe gra tjera: Sanije Hoti, 64-vjeçare nga Krusha e Madhe e Rahovecit, Havolli nga Gllamniku e Xhezide Bajraktari, 75-vjeçare nga Rezalla e Skënderajt.
Të gjitha kishin arritur moshën shkollore në fillim apo mes të viteve të ‘60-ta, kur shkollimi filloi më gjerësisht të ofrohej në gjuhën shqipe për nivelin fillor, teksa ai i nivelit të mesëm ende vazhdonte të ofrohej vetëm në gjuhën serbe.
Vendimet e marra për to e jo nga to, ua përcaktuan rrënjësisht trajektoret e jetëve jo vetëm Bajraktarit, Havollit, Hotit e Shalës, por edhe dhjetëra brezave të grave nga Kosova, të cilave iu ndërpre shkollimi ndërmjet viteve 1950-1970 pavarësisht faktit se ai ishte i detyrueshëm.
Veç se nuk bën, veç se je rritur, veç se…
Anipse varfërimi i shqiptarëve nën Jugosllavi ishte faktor i rëndësishëm që ndikoi në pamundësimin e shkollimit për gratë në Kosovë, varfëria, si e vetme, s’ishte gjithnjë vendimtare.
Havolli nga Podujeva nuk mban mend të ketë qenë e varfër. Përkundër që familja e saj qëndronin mirë ekonomikisht, asaj dhe të gjitha motrave të saj iu ndërpre shkollimi. “Nuk bën”, në rastin e Havollit, nuk erdhi as për mungesë të historisë së edukimit në familjen e saj. Erdhi sepse ajo ishte tepër larg në piramidën e vendimmarrjes për jetën e vet. “Atëherë kanë vendosë gjithë për ty”, thotë Havolli. “Njëherë ka vendosë prindi, tani ka vendosë… as burri jo, vjehrri”.
Për të, “nuk bën” ishte rregull, mjet për të kontrolluar trupin e jetën e saj. Ishte një urdhër që nuk zhbëhej dot. “Është kanë qaq i rreptë, që s’ke guxu me e kundërshtu hiç,” kujton ajo për të atin që e ndali nga shkolla.
Anipse nuk e bëri atëherë, pyetja, “Pse?” ndaj të cilës nuk mori asnjëherë përgjigje, e shoqëron edhe sot. “Këtu jam skeptike, edhe jam kureshtare me e ditë pse kanë ngurru [me na çu në shkollë] kur janë kanë qaq të punës, janë kanë humanitarë. Pse këtu kanë ngecë?”
Dënimet nga shteti nuk kishin qenë problem për familjen e Sanije Hotit, 64-vjeçare nga Krusha e Rahovecit. Qëndronin mirë ekonomikisht dhe madje kishin paguar të holla që shteti të mbyllte një sy për mungesën e Hotit në shkollë pas përfundimit të klasës së katërt fillore.
Si Shala nga Gorozhdeci i Pejës e Bajraktari nga Rezalla e Skënderajt, edhe Hoti tregon që në atë kohë ka qenë e ndaluar të ndalen fëmijët nga shkolla. “Është dashtë me pagu pare ose gjashtë muaj në burg”, rrëfen ajo.
Edhe Hoti i kishte dëgjuar familjarët të bisedojnë për të. Këtë herë, ishte gjetur një arsye tjetër. “Nuk bën me shku se shumë e rritne”, ishte njëri prej argumenteve vendimtare që ta ndalnin nga shkolla. As fakti se kishte qenë nxënëse e dalluar dhe për këtë kishte marrë pjesë edhe në gara të ndryshme, nuk i kishte penguar.
“Jam kanë e mirë në shkollë. E para në klasë”, thotë Hoti. “Për katër vjet për matematikë jam kanë e para. Kam marrë pjesë në gara, kam shku në Rahovec e andej. Shkollën afër e kemi pasë, po nuk na lanë”.
Pagesat e ryshfetit, siç kujton Hoti, funksiononin në atë mënyrë që në evidencat shkollore shkruhej sikur vajzat për të cilat paguhej të ndalen nga shkolla, figuronin sikur kishin shkuar në shkollë. Sidoqoftë, në raste kur kishte inspeksione për vijueshmëri, ndodhte që të detyrohen që për një gjysmë dite të bëhen gjoja se janë duke e vijuar mësimin.
“Një herë kanë ardhë [inspektorati] në shpi me kontrollu, e kam marrë çantën, kam shku edhe jam kthy. Demek, ‘është kanë e është kthy.’ Kjo është kanë një ndjenjë mos vet”, thotë ajo. Por edhe për Hotin, njëlloj si për Havollin, rezistenca ndaj këtyre vendimeve nuk ishte opsion, “Nuk kemi guxu me bo fjalë”, thotë ajo.

Edhe Xhezide Bajraktari nga Rezalla e Skënderajt njëherë e një kohë u gëzohej shtatorëve po aq sa Havolli. Sidomos shtatori i vitit 1956 e kishte lumturuar tejmase. Atë vit shkollor ajo nuk i kishte mbushur ende shtatë vjet, aq sa ishte mosha e lejuar për të filluar klasën e parë. Megjithkëtë, tashmë kishte mësuar gjithë shkronjat e alfabetit nga kushëriri i saj që ishte mësues në shkollën e një fshati tjetër.
Kur dy kushërirave të saj, “u kishte ardhë ftesa për shkollë”, siç thotë Bajraktari, ajo i kishte lutur ta merrnin me vete edhe atë. Pas një këmbënguljeje të gjatë, e morën. Ngazëllimi iu kthye shpejt në vaj. Mësuesi në shkollë i kishte thënë se nuk e ka mbërritur ende moshën për klasë të parë dhe nuk mund të vazhdote të shkojë në shkollë.
Prapëseprapë, Bajraktari gjashtë-vjeçare, nuk hoqi dorë. Me t’u kthyer në shtëpi i kërkoi kushëririt të saj mësues që të gjente një mënyrë e ta regjistronte.
“Kur erdh, kurrë s’e harroj, tha, ‘Xhezide, je pranu në shkollë. T’ka regjistru!” Hej gëzimi jem”, kujton Bajraktari. “Edhe m’i pruni ‘Abetaren’ edhe librën e matematikës. Laps e fletore e goma e këto. O besoj Zotit, natën u çojsha m’i kqyrë ato libra. Me këqyrë ‘Abetaren’”.
Zellin e shkollës veç e kish kultivuar më parë dhe shkuarjen në të nuk e merrte si të mirëqenë. U bë gati mirë për ditën e parë. “U çova në mëngjes. Djali i mixhës e marrke gazetën ditore a javore, qysh dilshin. Krejt që i pshtjella ‘Abetaren’ me gazeta, deri edhe fletoret i pshtjella edhe ja u shkruva emrin vetë a din”.
Bajraktari shkoi në shkollën fillore të Rezallës për katër vjet, ndërsa shkolla e mesme e ulët apo klasët prej të pestës deri në të tetën vijoheshin në fshatin Likovc të Skënderajt, ku ajo vazhdoi edhe klasën e pestë e të gjashtë. Dashurinë dhe përkushtimin e saj në mësime e tregon me modesti. “Ndoshta po i bjen keq me thanë, veç jam kanë shumë nxanëse e mirë. Fort e kam dashtë shkollën, fort e kam dashtë”.
Dijet e saj në gjeografi, histori e lëndë të tjera i kishte dëshmuar edhe gjatë një inspektimi të rregullt në shkollën e Rezallës. Inspektorët vetë ishin angazhuar të bindin të atin e Bajraktarit që të mos e ndalonte të bijën nga shkolla. “Shumë koka vajzë e zgjutë”, kujton t’i kenë thënë inspektorët mësuesit të saj, “kemi me shku te prindërit e saj.”
Bajraktari nuk e besonte që kjo gjë do të ndodhte në realitet, por kur mbaroi orarin e shkollës e u kthye në shpi, u befasua kur pa tek dera e oborrit të shtëpisë së vet inspektorët bashkë me mësuesin.
“Erdhën ata inspektorët me mësuesin tem e hinën në dyer tonat”, mban mend ajo. “Edhe kurrë nuk e harroj iu drejtun babës, ‘baci Sokol’, i thanë babës tem, ‘mos e nal këtë vajzë se pak ka qëso kategorie nxanësa. ‘E qëta’, tha, ‘çka janë qështu ma të dallum në mësim, qëtyne duhet me ju dhanë përkrahje’”.
Si Shala, Havolli e Hoti, edhe Bajraktari dëgjoi të tjerët tek bisedonin për fatin e saj pa të. “Me nalë çikën”, mban mend ta ketë dëgjuar babain e saj duke folur me të ëmën. “‘Jo’ thotë nana, ‘se krejt fëmija e mahallës po shkojnë, s’pe nalim’. Ju kam dhimtë unë nanës”, thotë Bajraktari.
Megjithatë, i ati i Bajraktarit kishte vendosur ndryshe. “Si ma shkurt mbet që jo me vazhdu unë shkollën”. Shkolla ishte tepër larg dhe frika se mos po e gjen diçka, thotë Bajraktari, e cila ishte vajzë hastreti, u bë vendimtare në ndalimin e shkollës.

Prapëseprapë, babai i saj kishte kërkuar forma tjera për ta mbajtur pranë shkollës. Ai kishte shkuar në një shkollë të Rrezallës, më afër shtëpisë, ku kishte nisur kursi për mësim bazik të shkrim-leximit e higjienës së shtëpisë për gratë e reja. “A bon çikën me marrë” iu kishte thënë. “Veç le të ngjehet që është në shkollë se edhe po më vjen gjynah me nalë krejt”, e mban mend Bajraktari se kishte thënë babai i saj.
Kështu, për dy vjet pas ndërprerjes së shkollimit më 1960, duke qenë se ajo ishte nxënëse e dalluar, Bajraktarin e kishin angazhuar si asistente të mësuesit në shkollën e Rezallës, për kursin që ofrohej për gratë e reja.
Kurse të ngjashme ishin shpërndarë anekënd Jugosllavisë në përpjekjet e Frontit Antifashist të Grave dhe organizatave të tjera të grave socialiste për të ulur shkallën e analfabetizmit, sidomos tek gratë, që sipas parullave të kohës, duhej të përfshiheshin në “ndërtimin e socializmit”.
Një i këtillë, siç mban në mend Bajraktari, ishte hapur edhe në Rezallë. Në të, vijonin mësime gra të reja të martuara, që ajo mban në mend të shoqëroheshin edhe nga vjehrrat e tyre, të cilat kujdeseshin për fëmijët e të rejave; ashtu që në rast se të vegjlit kishin nevojë të ushqeheshin me gji, apo për përkujdesje nga nënat e tyre, të ishin pranë vendit ku ato po ndiqnin kursin.
Anipse kjo formë e angazhimit nuk ia kishte përmbushur kurrë boshllëkun e lënë nga ndërprerja e shkollimit, sidoqoftë i shërbeu si një mënyrë për të mos u larguar krejtësisht nga hapësira që e donte aq shumë.
Pa shkollë për vete, për shkollimin e të tjerëve
Kur u bënë nëna, me fëmijë të rritur, e kur zëri nisi t’u dëgjohej mbase veç pak më shumë sesa kur ishin fëmijë, më këmbëngulje e shpesh vetësakrificë, shkollimi i të tjerëve, qoftë motrave e vëllezërve më të reja e të ri në moshë, qoftë i fëmijëve të tyre, u bë mision i këtyre grave.
Shala, Bajraktari, Havolli e Hoti, ishin angazhuar jo vetëm që më vonë fëmijët e tyre të shkolloheshin, por edhe në atë kohë kur atyre u ishte ndaluar shkollimi, cikli të këputej tek ato. Ndihmonin në gjithfarë mënyrash: duke iu qëndruar pranë vëllezërve e motrave të veta, duke kryer punët e shtëpisë në mënyrë që ato e ata të mos kishin nevojë të bënin sakrifica për mirëqenien e familjeve të tyre e edhe duke ua punuar detyrat e shtëpisë.
“Kur m’u banë vëllaznia, ja u bojsha detyrat, e i mësojsha… Krejt vetë! Kurrë vëllau jem as motra s’më kanë ngelë. Kurrë! Se i mësojsha vetë”, thotë Shala.
Duke u kujdesur për shtëpinë, Shala vazhdonte ta mbante veten në shkollë, pa qenë në shkollë. Njëlloj, pa qenë në shkollë, me përpikëri u angazhuan për shkollimin e të tjerëve edhe shumë gra tjera, gjithkund përreth nesh; gra me të cilat u rritëm, gra që na rritën. Ndër to edhe nëna ime, të cilës ia ndaluan shkollën pas klasës së tetë, kështu bënte kur me aq zell e përpikëri na ndihmonte me detyrat e shtëpisë. Nëna ime shkoi në shkollë pak përmes meje, pak përmes motrave të mia e pak përmes vëllait tim. Paramendoni po të kishte shkuar përmes vetes e për veten. Ajo ishte gjithmonë aty për të na kursyer nga gjithçka që mund të na shkëpuste nga mësimet. Në një kohë kur sidomos prej vajzave pritej të lanin e pastronin, nëna përsëriste me vendosmëri “Nuk janë këto për ju, mësoni”!
Tash, as brezi im i grave në shkollë mbase nuk shkon veç për vete, është njëfarë përgjegjësie për ta jetuar sa më shumë e sa më plot një përvojë që iu mohua nënave, tezeve, hallave, kushërirave, komshijeve: grave që na rritën.

Kështu kujton t’ia ketë kryer detyrat shkollore vëllaut edhe Havolli nga Podujeva, së cilës ia ndërprenë shkollimin përfundimit të klasës së katërt fillore.
“Vëllaut ia pata përgatit [përmbledhjen] ‘Sikur të isha djalë’ të Haki Stërmillit. Vëllau më tha ‘Çka dreqin ke ba?’ Thashë ‘Këqyre’’ Se s’e kish lexu veprën hiç”, mban mend Havolli. “Thashë: ‘O vëlla, ka me të nxanë mësuesja. Këqyre, kur t’i bën qeto tri pyetje, në fillim e në midis e në marim’. ‘Ku e ke ditë’, thojke, ‘që më vetë?’”
Të rezistojë i ishte dashur Bajraktarit kur në fillim të viteve të ‘90-ta, e bija i ishte bërë për të vazhduar shkollën e mesme dhe e bindur se nëse këtë bisedë do ta hapte për diskutim me vjehrrin dhe familjen e saj, do të përfundonte keq për të bijën.
Ajo kujton se si ka gjetur mënyrat që çështja e vazhdimit të shkollimi të së bijës as të mos problematizohej, pra, të mos krijohet mundësi që vazhdimi i shkollimit të trajtohej si diçka opsionale, sepse historia ua ka dëshmuar që sa herë është hapur kjo bisedë, opsionet kanë qenë të këqija për vajzat. Vjehrri i ishte hidhëruar se nuk e kishin pyetur për ta çuar vajzën në shkollë.
“Nuk t’vetëm bre babë, se këqyre babë”, tregon ajo për bisedën me vjehrrin. “Unë jam me merak që s’jam shkollu, unë s’muj me marrë me mend çika jem mos me u shkollu”, kujton Bajraktari t’i jetë përgjigjur rezistencës së vjehrrit të saj që e bija të vazhdonte shkollimin.
Ndërsa, kur në të 2000-tat e hershme, në familje kishin tentuar ta ndalnin nga shkolla të bijën, Hoti e kishte marrë fatin e saj nën kontrollë, “Çikën s’kanë dashtë me e lanë me ardhë [në Prishtinë] e me vazhdu shkollën”, kujton ajo, “Ju thashë qysh të doni boni, unë me të miat kam me e çu. Edhe e kam çu. Si në të mesmen, si në fakultet. Kur e kam çu në fakultet, ia kam bajtë boll dert që mërzitna, veç a ka liri me dalë, s’jam mërzitë hiç”. Për t’ia siguruar të bijës kushtet për shkollim, ajo kishte punuar punë dore, “Kam qepë këmisha, kam qëndisë, i kam ba tana punët edhe e kam shkollu. Edhe vek kam maru”, thotë Hoti.
Fatet, jetët dhe trupat e Hedije Shalës, Shemsije Havollit, Xhezide Bajraktarit, Sanije Hotit dhe qindra grave të tjera nga Kosova u vendosën në një kryqëzim rrethanash e sistemesh komplekse të pushtetit e shtypjes që atyre ua ndërprenë shkollimin, duke ua përcaktuar përjetësisht kahjet e jetës. Përkundër që atyre iu mohua, në raport të zhdrejtë u kultivua vetëdija dhe dëshira e tyre për arsimin. Sa më larg arsimit për vete, aq më shumë ia ndienin mungesën dhe dinin vlerën atij.
Tregimet e tyre janë dëshmi e një strukture komplekse të niveleve të shumëfishta të shtypjes që gratë e Kosovës përjetuan në ish-Jugosllavi e që rrallë kanë zënë vend në artikulimin e zhvillimit të arsimit në Kosovë.
Në rrëfimin e grave që nuk u lanë t’i ndjekin ëndrrat e tyre apo të kenë qasje në të drejtën themelore për shkollim mund të fshihet një pjesë e mirë e përgjigjes se pse u organizua shoqëria ashtu si u organizua, kush kujtohet, kush zë vendet e punës, kush prek pavarësinë financiare, lirinë, kush kujtohet, kush heroizohet, kush ulet në zyra, kush shtyp e kush shtypet. Ato rrëfime janë të tyret së pari sepse ato i vuajtën pasojat, por janë edhe pjesë e kujtesës sonë kolektive.
Mohimi i shumëfishtë i të drejtave të tyre ka shumë adresa, arsye, faktorë, doras. Nuk është as i thjeshtë për t’u kuptuar e as tepër i ndërlikuar. Këtyre grave u është mohuar shumëçka. Tash është koha të mos u mohohen kujtesa dhe rrëfimi.
Fotografia kryesore: David Çavallari / Galeria 17
Artikulli: Aurela Kadriu
Fotografitë: Gentiana Pallaska
Aurela Kadriu është sociologe, hulumtuese dhe menaxhere kulturore me përvojë si producente filmi dhe teatri. Hulumtimet e saj për kujtesën, socio-urbanizmin, gjininë e të drejtat e njeriut përqendrohen në historinë bashkëkohore të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Është drejtore e programit në Qendra Multimedia — organizatë kulturore e përqendruar në prodhim kulturor të fokusuar në teatër dhe letërsi bashkëkohore.
Gentiana Pallaska është arkitekte dhe fotografe. Me një formim në dizajn të orientuar nga kërkimi, ajo ka punuar në projekte që eksplorojnë ndërthurjen e hapësirës urbane, kulturës dhe kujtesës kolektive. Ajo bashkëthemeloi “Architecture for Humans”, një studio arkitekturore e bazuar në kërkim, dhe ka shërbyer si këshilltare e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës nga viti 2021 deri në vitin 2025.
Ky artikull është botuar edhe në Kosovo 2.0.




