Tavolina e verdhë e kafesë 

E verdha e vizllueshme e drurit, tashmë të vjetëruar, bëhet edhe më e ndezur kur rrezet e diellit bien mbi të. Në një ditë si sot, kur marsi është më i nxehtë se zakonisht, këndet e plasaritura të tavolinës së kafesë bëhen edhe më të dukshme. Njëjtë si gjurmët e gotave që kanë pushuar aty ndër vite, edhe të gishtërinjëve të rastësishëm, edhe vijëzat e lapsave kimikë dikur.

Pas tre muajve e strehuar në Shkup, në shtëpinë e gjyshit dhe gjyshes, isha rikthyer në Kosovë si përkthyese e KFOR-it. Fillimisht isha angazhuar si përkthyese për mjekët e NATO-s, të cilët ishin përgjegjës për ngritjen e kampit të refugjatëve në Stenkovec. Me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës, që hapte rrugën për hyrjen e trupave të KFOR-it në Kosovë, vazhdova angazhimin si përkthyese për KFOR-in britanik.

Kështu, më 12 qershor të vitit 1999, pas disa orëve rrugëtim, derisa konvoji ushtarak, me të cilin isha edhe unë, ҫante midis vapës, pengesave dhe gazetarëve të shumtë, ishim ndalur para Lipjanit. Radio-lidhjet në Land Rover-ët ushtarakë gumëzhinin dhe na ishte thënë të ndalonim. Kishte rënë terri, na kishte kapluar lodhja dhe duhej të kalonim natën diku, para se të vazhdonim rrugën të nesërmen për në Prishtinë.

Një shi i imët nisi të freskonte atë mbrëmje të nxehtë qershori. Pas kërkimeve të shpejta, u vendos që fabrika e letrës në Lipjan do të ishte hapësira më e përshtatshme për ta kaluar natën. Mezi prisnim të shtrinim kokën diku. Hapësira ishte disa hektarëshe me disa objekte të ndara e të shpërndara, sigurisht për pjesë të ndryshme të prodhimit. Në fund të rrugicës nga hyrja, shtrihej një hapësirë e gjerë, që ngjante me pistat e aeroportit, e që i zuri të gjitha automjetet e kamionët ushtarakë të parkuar pranë njëri-tjetrit.

Pa pasur kohë për t’i hapur tendat, të lodhur, ia këputëm gjumit në automjetin e bataljonit të ndërlidhjes politike, në të cilin punoja. Ani që gjumi nënkuptonte kokën e mbështetur në arkat e municionit në pjesën e prapme të makinës. Të nesërmen, ende të dërrmuar, tash edhe nga fjetja e improvizuar, vazhduam për në Prishtinë dhe u vendosëm në kazermën e ushtrisë jugosllave, ku u ngrit kampi ushtarak, i cili më pas operoi si i tillë për vite me radhë.

Unë, muzgjet e atyre ditëve i prisja e ulur mbi tanket e parkuara, duke u përpjekur të shoh kulmin e banesës sime të vjetër, te e cila kërkoja të shkoja çdo ditë. Ishte ende rrezik, forcat serbe ende nuk ishin larguar nga Kosova, prandaj, kthimi në banesë u bë i mundur vetëm pas disa ditësh. Nën përcjelljen e një grupi ushtarësh, u nisëm për në lagjen time në “Kodrën e Diellit”, nga e cila isha larguar në mars 1999, me motrën e vogël, në autobusin e fundit për në Shkup. Më rrinte para sysh banesa në kohë vere, kur dritaret rrinin hapur, e perdet i valëviste era, derisa nga brenda dëgjoheshin tinguj pianoje, teksa unë ushtroja partiturat për provimet e qershorit. Atëherë kur rrugica buçiste nga zëra fëmijësh në lojë e gratë përshprisnin nga ballkonet e banesave.

Por unë e dija që banesa nuk do të ishte siç e kishim lënë. Pas largimit të familjes tonë, atë e kishin thyer policë serbë dhe kishin marrë kompjuterin dhe disa dorëshkrime të babit. Pas policëve, siç na tregonin fqinjët dhe të afërmit që kishin qëndruar në Prishtinë gjatë luftës, në banesën tonë ishte vendosur një familje serbe nga Graҫanica.

Ndërkaq, me të kuptuar që unë veҫ isha kthyer, familja serbe ishte larguar më të shpejtë nga banesa. Edhe derën e kishin lënë hapur. Kur arritëm në kthesën që të ҫonte për te banesa, ndieva mbase një nga emocionet ma të bukura ndonjëherë. E lirë, po kthehesha në shtëpinë që e kisha ëndërruar ҫdo natë, gjatë kohës që ishim strehuar në Maqedoni. Lagjja dukej e njëjtë, sikur mos të kishte ndodhur luftë. Fqinjët që gjendeshin në rrugë më përqafuan ngrohtësisht, ndërkaq në ballkonin e hyrjes ngjitur, Buqja, shoqja ime e ngushtë, më priste për mëngjes me petulla.

Me padurim, doja të shkoja në shtëpi. Pas kontrollit fillestar të dorëzave të dyerve e dritareve, si dhe ndërprerësve të dritave, ishte e sigurt të hyja në shtëpi. Shtyva derën e hapur. Në mes të dhomës së ditës qëndronte një bicikletë fëmijësh. Televizori nuk ishte yni. Mbi shporet, dy tenxhere me mish të zier.

Ndërkohë, në korridor dëgjoj fqinjët, ndër ta edhe Zoricën, e cila kishte vjedhur karriget e tryezarisë, stolitë e mamit dhe fustanet e mia. Gjatë telefonatave të rralla me fqinjët, na tregonin që Zorica, bashkë me familjen, endej nëpër lagje e veshur me rrobat tona e me takat e mamit. 

Kur u përballëm, më tha që mi kishte ruajtur gjërat dhe tash po mi kthente. “Ċuvala sam ti stvari”, (T’i kam ruajtur gjërat), e përsëriste vazhdimisht. E mbaj mend fort mirë hidhërimin, por mbaj mend gjithashtu që i kisha kërkuar të më hiqej sysh. Ajo s’do të mund të më vidhte edhe atë moment. Asgjë nuk kishte më shumë rëndësi në ato ҫaste sesa fakti që unë isha kthyer në shtëpi.

Pak ditë më pas, e gjithë familja u rikthye dhe nisëm të rindërtonim jetën në liri. Unë vazhdova punën me KFOR-in britanik edhe për një kohë dhe me rrogën e parë të lirisë, bleva tavolinën e kafesë për dhomë të ditës. Pas rikthimit, shumë nga moblijet i kishim hedhur: të parat, ato që nuk ishin tonat.

Ndërkohë, derisa vitet rridhnin, unë rritesha dhe ndërroja vendbanim. U martova dhe bëra shtëpinë time. Tavolina qëndroi për një kohë në banesën e vjetër derisa erdhi koha ta shisnim edhe atë. Por, në të gjitha shtëpitë tona të reja, tavolina e verdhë e kafesë vinte me ne. Vitet e fundit, ajo u vendos në dhomën e ditës në banesën e motrës sime të vogël, e cila në luftë kishte mbushur pesë vjet. Tavolina ishte vjetëruar, banesa e motrës ishte e re, kështu që duhet të blihej tavolinë e re. I kërkova motrës të mos e hudhte edhe për pak kohë, derisa ta merrja në banesën time. E mora, e vendosa në dhomën time të ditës tani, dhe e mbajta për një kohë. Pas disa muajve, e zhvendosa në një kënd të ballkonit.

Sa herë e shikoja, më kujtohej dhoma e ditës në banesën e fëmijërisë: atë që dhunshëm e kishim braktisur e të cilën e kishim gjetur të vjedhur, pas kthimit, të lirë. Më kujtohej edhe vera e vitit 1999, dhe tingulli i hareshëm i lojës së fëmijëve që depërtonte përmes dritareve krahëhapur, derisa babi dëgjonte lajmet, vëllai dhe motra shikonin televizorin nën tavolinë, ndërkaq mami pinte kafenë me filxhanin mbi tavolinë.

E shikoj dhe më rikthehen kujtimet: rininë që ngeci diku në vitet e ‘90-ta, në grinë e aparthejdit; shkollat-shtëpi që, pos mësimit, na ndjellnin shpresën; dashuritë që mbetën në gjysmë, por që u rigjetën pas luftës; demonstratat që nuk i shuante as dhuna; solidaritetin e pashoq midis njerëzve; detyrimin për të mbetur gjallë. Kujtimet dhembin, rikujtojnë frikën, por edhe forcën e mbijetesës.

Sepse lufta prish plane, anulon mbrëmje të maturës, ekskurzione gjimnazi, diplomime. Gjatë gjimnazit, asnjëherë nuk kishim shkuar në ekskurzione, ndërkaq mbëmjen e maturës e kishim festuar në zyret e babait të një vajze të klasës. Sigurisht, edhe ceremoni të diplomimit nuk kishte pasur atë vit për gjeneratën tonë. Sepse lufta ҫrregullon agjenda, qoftë të përditshme apo afatgjate, i përmbys planet ditore e sigurisht edhe të jetës, mjegullon të ardhmen, ndryshon njerëzit. Lufta vjedh kujtimet që do të mund të bëheshin.

E kur ajo të përfundojë e ti je me fat të shohësh fundin, ti duhet të rindërtosh veten. Dhe kjo nis duke bërë paqen me kujtimet: duke u pajtuar me ëndrrat e ndërprera përgjysmë, me rininë midis gazit lotsjellës, me frikën e strehimit, me pasigurinë se kur do të ktheheshim në shtëpi. 

Para disa ditësh, bleva një tavolinë të re kafeje. Plot 27 vitesh më pas. Por të verdhën, atë të lirisë, akoma s’e kam larguar krejt, krejt. Ajo rrin e pret në ballkon, derisa të bëj paqen edhe me të. Ndërkohë, sa herë e shikoj, ma kujton sa e ëmbël është liria.

Ilustrimi: Albana Hajdini / Pro Peace

Rrezarta Reka Thaqi është politologe me përvojë të gjatë në organizata ndërkombëtare, në fushat e qeverisjes së mirë dhe demokratizimit. Mban titullin doktore e shkencave politike nga Universiteti i Evropës Juglindore dhe ka përfunduar studimet master në administratë dhe menaxhim publik nga Universiteti i Pittsburghut. Është autore e dy librave: “Zemra më e butë se barku” (2016), një rrëfim i sinqertë për amësinë, dhe “Kronikë në Zemër: këto ishin të 90-tat”, (2024), rrëfime të frymëzuara nga ditari personal, gjatë aparthejdit të të ’90-tave, në Kosovë.

Ky blog është pjesë e serisë Rrëfime të Papërfunduara. Zbuloni më shumë rrëfime këtu.