Në skaj të vetullës së djathtë kam një shenjë, një vijë të hollë të drejtë, që e mbaj prej vitit 1998, kur ende s’i kisha mbushur dy vjet. Teksa po luaja me dajën tim Xhavitin, i cili asokohe ishte 24 vjeç kisha rënë me ballë në qoshen e një tavoline të mprehtë prej xhami. Gjaku, që ma kishte mbuluar fytyrën, ishte shenjë që duhej të shkoja në spital.
Shenjë që duhej të dilnim prej shtëpisë, ku nuk kishte lojë. Policia serbe patrullonte qytetin. Unë dhe nëna ime, shtatzënë me vëllaun tim, asokohe kishim gjetur strehim te dajët e mi, të cilët qëndronin te disa të afërm tjerë në Pejë. Lufta kishte filluar të ndihej sidomos në disa zona; që në ag të vitit 1998, në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, kishin ndodhur masakrat e Likoshanit dhe Qirezit, që u përcollën pastaj prej masakrës në Prekaz. Çdo ditë sillte frikë e pasiguri të re.
Sapo kishte dalë në rrugë, për të më çuar në spital, nënën e kishte ndaluar një grup policësh serbë. Frika e saj kishte qenë e papërshkrueshme. Megjithatë, u kishte treguar gjendjen time, fytyrën e mbuluar me gjak dhe u ishte lutur ta lëshonin. Për çudi dhe për fat, e kishin lënë të kalonte.
Nëna më çoi në spital. Plaga u shërua, por mbeti një shenjë. Me kalimin e viteve, ajo m’u bë më shumë se një gjurmë e një aksidenti të vogël fëmijërie. Më kujton dajën Xhavit. Imagjinoj sikur ta kisha mundësinë t’i them atëherë:
“Dajë, mos u brengos. Ti vetëm doje të luaje me mua.”
Në mëngjesin e 29 marsit 1999, rreth një vit pasi isha rrëzuar nga loja me dajën Xhavit, krismat e automatikëve filluan të dëgjoheshin pranë fshatit. Atë ditë Xhaviti kishte lënë gotën e qumështit përgjysmë dhe një kafshatë buke në tavolinë, në shtëpinë e tij në fshatin Poterç të Klinës dhe ishte detyruar të largohej me ngut bashkë me familjen.
Pesë ditë më herët, më 24 mars 1999, kishin filluar bombardimet e NATO-s për t’i ndalur krimet e forcave serbe në Kosovë. Të gjithë e kishin një fije shprese, derisa jehonat e masakrave mbanin të gjallë edhe frikën.
Në ato momente, pas një breshëri të shtënash shpejtë e shpejtë familja e nënës, gjyshi dhe gjyshja, tre dajët me bashkëshortet e tyre, bashkëshortja e dajës, i cili kishte vdekur më herët dhe nëntë fëmijë vendosën të ndaheshin në dy grupe. Përpos dajëve, Aliut dhe Xhavitit, të gjithë do të qëndronin në shtëpinë e një familjari në fshat. Asokohe, për shkak që sidomos burrat ishin nën shënjestër, nuk rekomandohej që shumë burra të një familjeje të qëndronin bashkë në një vend.
Aliu e Xhaviti u nisën rrugës për t’u larguar nga fshati, bashkë me disa kushërinj pa një destinacion, por me qëllimin të shpëtonin. Me të dalë nga fshati kishin hyrë në një shtëpi për të pushuar, kur papritmas ishin rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Të gjithë personat brenda asaj shtëpie i nxorën jashtë, duke i ndarë burrat nga gratë.
Burrat i larguan në një oborr afër dhe i pushkatuan.
Aty i vranë dy dajët e mi, bashkë me nëntë burra tjerë.
Daja Ali, i cili ishte 31 vjeç kur u vra, la pas dy vajza të vogla. Daja Xhavit, 25 vjeç kur u vra, ishte i martuar, por nuk kishte ende fëmijë.
Bashkëshortet e tyre ishin shtatëzëna. Ato po prisnin djem, të cilët lindën tre muaj pas vrasjes së baballarëve të tyre, më 30 qershor 1999. Të dy lindën në të njëjtën ditë, brenda një ore, ashtu siç baballarët e tyre vdiqën në të njëjtën ditë, më 29 mars 1999.
Të dy djemtë morën emrat e tyre: Ali e Xhavit. Emrat e atyre që nuk patën fatin t’i takonin.

Pas luftës, mëngjeset e mia si fëmijë nisnin me sytë drejt fotografive, të cilat ishin të varura në mur, përballë shtratit tim. Në ato korniza me ngjyrë të zezë ishin tre njerëz që shikonin pingul drejt meje: daja Ali dhe daja Xhavit, bashkë me babain e tyre, Hasanin. Fotografitë ishin të vendosura aty qëkur u ndërtua shtëpia jonë në Shtupel, e njohuritë e mia për jetën e tyre ishin po aq të kufizuara sa kornizat që rrethonin fytyrat e tyre. Kisha një shenjë në vetull, që më bënte t’i ndieja afër dhe të ndieja njëfarë përkatësie në historinë e jetës së tyre.
Kur herë luaja në dhomë, shpesh ndalesha para fotografive dhe i shikoja gjatë, sikur kërkoja diçka që nuk dija ta emërtoja. Doja të dija më shumë, por mbi të gjitha doja që realiteti të kishte qenë më i butë, që ajo luftë të mos na kishte prekur kurrë, të mos i kishte dhënë jetës sonë një drejtim kaq të dhimbshëm.
Si fëmijë, nuk e kuptoja vdekjen; nuk besoja se mungesa mund të ishte e përhershme. Mbase sepse fotografitë e tyre ishin aty çdo mëngjes, çdo natë, si një prani e heshtur. Mendja e një fëmije nuk e kupton lehtë mungesën. Nuk e kupton se si një njeri, që dje ishte aty, sot mund të mos jetë më. Nuk e kupton pse të rriturit flasin për njeriun me të cilin ti ke luajtur e vrapuar dikur, në kohën e shkuar, duke qajtur, ndërsa fytyra e tij vazhdon të buzëqeshë nëpër fotografi.
Për mua si fëmijë, prania nuk matej me jetën apo vdekjen; matej me atë që sheh dhe ndien. Dhe unë i shihja çdo ditë, në fotografi. Më dukej sikur në një mënyrë a një tjetër këta njerëz vazhdonin të ishin pjesë e shtëpisë sonë. Prandaj, vdekja nuk më dukej fund; më dukej thjesht një lloj largësie që nuk arrija ta kuptoja.
Vitet kalonin dhe pyetjet që më vinin vazhdimisht në mendje ishin të njëjta. Si ka mundësi? Pse ata? Çka ndodhi saktësisht? Dhe mbi të gjitha: çka nëse do të kishin shpëtuar?
Në mendjen time krijoja pafund skena alternative.
Nëse do të mund të zgjedhja një gjë nga e kaluara për ta parë me sytë e mi, ndoshta nuk do të ishte një ngjarje e madhe. Do të ishte një pasdite e zakonshme duke pirë kafe mes dajëvë dhe nënës sime. Ata ishin shumë të afërt, bisedonin gjatë dhe e gjenin gjithmonë kohën për njëri-tjetrin. Do të doja të ulesha në një qoshe dhe thjesht t’i dëgjoja brengat e tyre, si flisnin, si qeshnin e si mbështeteshin tek njëri-tjetri. Ndoshta atëherë do ta kuptoja më mirë jo vetëm kush ishin dajët e mi, por edhe do ta njihja më mirë nënën time.
Ka momente kur më duket sikur kam mall për kujtime që nuk kam arritur kurrë t’i krijoj. Sikur të ekzistojnë diku skena të jetës sime që nuk janë xhiruar kurrë, por që unë ende i njoh. I shoh në mendje si imazhe të paqarta dhe sa herë përpiqem t’i kap, ato zhduken.
Kështu jeton një familje pas luftës. Jo vetëm me dhimbjen e humbjes, por me peshën e gjithë jetës që mund të ishte jetuar ndryshe.
Sot ndalem para pasqyrës mbi të cilën janë të varura fotografitë e tyre. Drita është e njëjtë, dhoma e njëjtë, lëvizjet e mia të zakonshme, por tash nuk jam më fëmijë. Vjen një çast kur gjithçka ngushtohet në një vijë të vetme në fytyrën time, dhe nuk ka më as tinguj, as mendime.
Vetëm një heshtje e gjatë.
Ilustrimi: Albana Hajdini / Pro Peace
Eriona Hoti ka përfunduar studimet master për komunikim strategjik dhe avokim në universitetin James Madison në SHBA dhe ka përvojë në gazetari, komunikim dhe angazhim publik. Ka bashkëpunuar me organizata në Kosovë dhe SHBA, përfshirë American Councils dhe FarField Center, duke qene e përfshirë në projekte në fushën e komunikimit, edukimit dhe informimit të publikut.
Ky blog është pjesë e serisë Rrëfime të Papërfunduara. Zbuloni më shumë rrëfime këtu.




