“Turpi është i atyre”

Pasi theu heshtjen si i mbijetuari i parë mashkull i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dëshmia e plotë (dikur anonime) e Ramadan Nishorit tani është publikuar nga Pro Peace me identitetin e tij.

Në prill të vitit 2025, Ramadan Nishori u bë burri i parë që deklaroi publikisht se ishte dhunuar seksualisht gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë. Dëshmia e tij erdhi shtatë vjet pasi Vasfije Krasniqi Goodman u bë gruaja e parë në Kosovë që kishte folur publikisht rreth përvojës së dhunës seksuale në konflikt (DhSK), duke i hapur rrugë një përballjeje të shumëpritur publike.

Të mbijetuarit në Kosovë sigurisht që kishin folur konfidencialisht, brenda qarqeve të besueshme, por Vasfija doli puiblikisht dhe mblodhi masat të bëhen dëshmitarë. Duke sfiduar mohimin dhe turpin, ajo ndihmoi në shpërfaqjen e një gjuhe të re të njohjes dhe riparimit. Vasfija dhe ndjekësit e shembullit të saj, pohuan: ka ndodhur, mbijetuam, dhe tani e tërë shoqëria duhet të ballafaqohet me këtë të vërtetë.

Paraqitja publike e Ramadanit është pjesë e gjenealogjisë në rritje e sipër të forcës dhe kujdesit. Ishin fjalët e vetë Vasfijes që e frymëzuan Ramadanin të kontaktonte me të, dhe më vonë edhe me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ku nisi të merrte mbështetje psikologjike. Përmes QKRMT-së, ai fillimisht e ndau historinë e tij në mënyrë anonime përmes librit të botuar më 2021 “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Tregime rreth traumës së dhunës seksuale gjatë luftës”, në bashkëpunim me Pro Peace. Katër vite më vonë, ai vendosi që t’ia zbulonte identitetin e tij botës. Që atëherë, rrëfimi i së vërtetës nga ana e tij ka inkurajuar edhe burra të tjerë, të heshtur për gati tre dekada, që të kërkojnë ndihmën që ia kishin mohuar vetes prej kohësh.

Kjo lidhje simbolike ndërmjet të mbijetuarve nuk është rastësi. Më 14 prill 2025, saktësisht 26 vite pas sulmit ndaj Krasniqi Goodman, Nishori deklaroi: “Turp nuk është i joni, turpi është i atyne [dorasve]”, duke ringjallur fjalët e të mbijetuarës së dhunës seksuale Gisèle Pelicot që kishin bërë jehonë në tërë botën qysh një vit më parë: “Turpi duhet të ndërrojë anë”. Herë pas here, janë lidhjet njerëzore, emocionale dhe politike midis të mbijetuarve ato që çjerrin mbulesën e rëndë të heshtjes që rrethon dhunën seksuale, të endur nga logjika patriarkale.

Logjika e patriarkatit, e dominimit gjinor, nuk i sheh trupat si pjesë që ju takojnë njerëzve që jetojnë në ta, por si një sferë me kuptim kolektiv, të ndërlidhura me normat dhe simbolet shoqërore që pritet t’i bartin dhe t’i mbrojnë. Nga kjo pikëpamje, turpi nuk bie mbi trupin e dhunuesit, por mbi atë të të dhunuarit. Dhe kur trupi i dhunuar është mashkullor, turpi që shoqëria e hedhë mbi të bëhet pothuajse i pamundur për t’u përballuar; madje edhe burri që ndërhyri për të parandaluar një sulm të dytë ndaj Nishorit i kërkon që të heshtë. Është pikërisht kjo peshë stigme dhe pritjeje që e mbajti Nishorin të heshtur për kaq gjatë. Për arsye të tilla, edhe dëshmia publike e një burri për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës në Kosovë ishte shtyrë për shtatë vjet pas daljes së parë publike të një gruaje.

Shërimi i vërtetë fillon duke i thyer këto kategori të ngurta. Ramadan Nishori nuk është vetëm i mbijetuar i dhunës seksuale. Historia e tij është e shtresuar, komplekse dhe e papërpunuar. Ajo mbart shenjat e privimit, dehumanizimit dhe tjetërsimit, si para ashtu edhe pas luftës, në duart e më shumë se një burimi. Pritshmëritë (nga të tjerët dhe nga ai vetë) lidhur me dhunën të cilës iu nënshtrua, por edhe të tjera, e rëndonin tejmase.

Muajve të fundit, është ndezur debati mbi numrat dhe terminologjinë e pasaktë në dokumentimin e krimeve të luftës dhe rrëfimin e luftës së Kosovës. Kjo u nxit nga një ekspozitë në qendër të Prishtinës mbi masakrat e viteve 1998–99 në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Masakrën e Burgut të Dubravës, të cilën Ramadani e kishte përjetuar e mbijetuar edhe vetë. Më shumë sesa kërkesa për saktësi, dëshmia e tij na kthen përsëri te trupi, te vetë trupi i tij. Na kërkon të qëndrojmë me gjestet e tij, ta dëgjojmë, t’i lëmë fjalët e tij të flasin për përvojën e tij, t’i rezistojmë tërheqjes së reduktimit të rrëfimeve në statistika ose shkrirjes së rrëfimeve të vogla në histori të mëdha.

Historia e Ramadanit është para së gjithash historia e tij, personale. Dëshmia e tij, tani e de-anonimizuar me pëlqim të plotë, ofron një portret të një djali, dhe më pas të një burri, i cili e përjetoi atë që asnjë fëmijë apo i rritur nuk duhet ta përjetojë. E megjithatë, kjo histori shpërfaqë po ashtu dikë që, në fund, gjeti forcën për t’u rilidhur me të tjerët dhe me veten, dhe për të kërkuar dinjitetin përkrah traumës dhe viktimizimit. Burri që foli publikisht në prill të vitit 2025 nuk është i thyer. Ai është i përmbushur. Burrë që ka rimarrë aftësinë e vet për të kuptuar, përcaktuar dhe rrëfyer publikisht dhe pa turp se kush është.

Në rreshtat përmbyllës të dëshmisë së tij, Ramadani flet për një frikë që ende e ndjek dhe një këshillë që ai dëshiron ta ndajë me të tjerët. Jemi mirënjohës që frika e tij nuk u bë realitet dhe se, në fund, ai gjeti forcën për t’i dëgjuar vërtet fjalët e veta.

***

Kushtet e jetesës gjatë fëmijërisë sime ishin të vështira, siç ishin për të gjithë gjatë okupimit. Babai im ishte ai që mbante familjen me një rrogë modeste, duke na mbështetur të gjithëve: shtatë fëmijë – katër djem dhe tri vajza, së bashku me nënën tonë.

Gjyshi im i ndjerë ishte i përfshirë në politikë dhe mori pjesë në lëvizjet e hershme të rezistencës kundër regjimit jugosllav. Ai ishte armëpunues tejet i aftë; thonë se Tito dikur mbante një pushkë që e kishte bërë gjyshi im.

Regjimi jugosllav e ndoqi tre ose katër herë. Sa herë që ndërtonte pushkë, ata vinin dhe ia konfiskonin. Por ai u thoshte: “Mund të ma merrni pushkën, por kurrë zanatin. Do ta bëj një tjetër dhe s’mund të më ndaloni”. Për dallim, babai im nuk u përfshi kurrë në politikë.

Si gjyshi ashtu edhe babai ishin tejet fetarë. Gjyshi ishte edhe imam, megjithëse kurrë jo strikt. U prehtë në paqe! Nuk ishte si disa nga imamët striktë sot, të cilët mund të jenë mjaft paragjykues. Isha nën dhjetë vjeç kur e dëgjova tek thoshte: “Grave duhet t’u lejohet të veshin pantallona!” Në atë kohë, asnjë grua nuk vishte. Njerëzit shpesh e pyesnin: “Si mund ta thuash, si imam, një gjë të tillë?” Dhe ai u përgjigjej: “Nëse unë kam të drejtë të vesh pantallona, ​​atëherë edhe ato duhet ta kenë këtë të drejtë”. Ishte shumë mendjehapur dhe të gjithë e donin.

E kam kaluar fëmijërinë pa televizor, radio apo gjë tjetër. Deri pas luftës, nuk kishim asgjë. Regjimi serb dhe ish-regjimi jugosllav na ndëshkuan për shkak të aktivizmit politik të gjyshit. Ia konfiskuan krejt tokën dhe e detyruan të jetonte në male i vetëm, në një shtëpi në mes të një lugine. Shtëpia jonë ishte kilometra larg fshatit më të afërt. Prej andej, e tëra çfarë shihje ishte qielli dhe pylli.

Babai iku në Slloveni kur isha 11 vjeç. Mund të kishim pasur energji elektrike si të gjithë të tjerët në atë kohë, por regjimi serb nuk na e lejoi kurrë. Pasi emigroi babai, kushtet tona të jetesës u përmirësuan pak. Na solli një televizor, por e përdornim rrallë; vetëm kur kishim benzinë ​​të mjaftueshme për ta vënë në punë gjeneratorin.

Babai ishte gjithmonë përkrahës i fortë i arsimit, madje edhe para luftës, në një kohë kur nuk ishte e zakonshme që djemtë dhe vajzat të kalonin kohë së bashku. Ai kishte qenë student i shkëlqyer, por gjyshi im nuk e la t’i vazhdonte studimet. Regjimi gjithashtu i pengonte, pasi po e përndiqnin familjen tonë.

Megjithatë, babai u thoshte gjithmonë motrave të mia: “Nëse doni të shkoni në shkollë, shkoni. Do t’ju mbështes deri në fund. Dhe nëse dashuroheni me ndonjë djalë aty, thjesht ma thuani. Nuk është fare problem. Do ta njoh më mirë dhe gjithçka do të shkojë në rregull”. Edhe atëherë, ai ishte jashtëzakonisht tolerant.

Babai është ende gjallë dhe ende nuk e duron padrejtësinë. Gjithmonë i ka trajtuar bijat dhe djemtë e vet në mënyrë të barabartë. Më kujtohet që i tha njërës prej motrave: “Nëse nuk do të shkosh në shkollë, kjo është zgjedhja jote. Nuk do të të martoj ose fejoj pa e takuar ti vet burrin”. Dhe e mbajti fjalën: nuk i martoi bijat e veta pa dëshirën dhe pëlqimin e tyre.

Kur isha 11 vjeç, në një farë mënyre u bëra unë përgjegjës për familjen. Gjyshi kishte vdekur një vit më parë dhe më pas babai u largua, kështu që si djali më i madh i shtëpisë, përgjegjësia ra mbi mua të kujdesesha për vëllezërit dhe motrat e mia. Një nga motrat ishte më e madhe se unë, por unë isha më i madhi prej djemve, dhe në familjen tonë, kjo do të thoshte të merrja drejtimin e shtëpisë.

Ishte tepër e vështirë ta bëja këtë në atë moshë. Nëse do t’i thoja dikujt sot se isha përgjegjës për familjen time qysh në moshën 11 vjeç, ndoshta nuk do ta besonin. Por nuk kisha zgjidhje tjetër. Më duhej të mblidhja dru për dimër vetë, duke i mbajtur mbi supe, krejt vetë, me shumë mund.

Kisha një marrëdhënie shumë të ngushtë me vëllezërit dhe motrat, veçanërisht me motrën e madhe. Ajo ishte si vëlla për mua; vetëm dy vjet më e madhe, gjindej gjithmonë pranë meje. Sa herë që shkoja në pyll për të prerë dru, ajo vinte me mua. Nëse më duhej të shkoja në fshat ose të rregulloja gardhin, ajo ishte aty. Ishte krahu im i djathtë atëherë, dhe është edhe sot. Kam tre vëllezër dhe dy motra të tjera, por unë dhe ajo ishim të pandashëm, të paktën derisa u martua. Edhe tani, e ndiej një lidhje më të fortë me të sesa me ndonjë nga vëllezërit e motrat e mia të tjera.

Meqenëse familja jonë ishte vazhdimisht nën mbikëqyrjen e policisë, askush nuk guxonte të na ndihmonte. Regjimi serb ishte siguruar që i gjithë fshati të kishte frikë; njerëzit ishin paralajmëruar dhe vëzhguar, dhe shumica vendosën të qëndronin larg.

Kur një familje përkushtohet për një rrugë të caktuar, fëmijët shpesh e ndjekin atë rrugë. Ky ishte realiteti në të cilin u rritëm. Kishim pak zgjedhje. Në ditët e para të lëvizjes, gjersa UÇK-ja filloi të merrte formë, shtëpia jonë u bë vendtakimi ku ata ktheheshin vazhdimisht. Me vetëm një rrugë hyrëse dhe dalëse, shtëpia ofronte një lloj sigurie që nuk mund ta gjenin diku tjetër.

Në atë kohë, nëse do t’i thoshe dikujt se Ushtria Çlirimtare ishte tashmë aktive në Kosovë, nuk do të të besonte. Por që në vitin 1994, ata vinin rregullisht në shtëpinë tonë. Zakonisht vinin natën që fëmijët të mos i shihnin. Lëvizjet e tyre ishin të kufizuara, por meqenëse shtëpia jonë ishte afër pyllit, ishte e lehtë për ta të vinin e të shkonin. Shpesh qëndronin me ditë të tëra, duke fjetur në dhomën e mysafirëve. Xhaxhai ishte në mesin e tyre.

Mësoja mirë në shkollë. Fillova shkollën fillore në moshën tetë vjeçare. Më vonë se fëmijët e tjerë, meqenëse isha djali më i madh dhe dimrat ishin të ashpër. Shumë nga mësuesit tanë ishin ish-të burgosur politikë dhe, ashtu si të tjerët në pozitën e tyre, ende persekutoheshin. Që kur isha fëmijë, shërbeva si ndërlidhës i tyre. Duke filluar që kur isha vetëm 11 vjeç, u bëra lajmëtari i tyre sekret, duke dërguar e kthyer letra. Duhej ta bëja. Babai ishte larg dhe ne ishim vetëm.

Pasi mbarova klasën e tetë, fillova shkollën e mesme në degën e elektroteknikës. Bëra ca shokë, por jo shumë. Shumica e fëmijëve të moshës sime rrinin në grupe më të mëdha, ndërsa grupi ynë ishte i vogël dhe rrinte vetëm. Nuk dilnim e nuk luanim shumë me të tjerët.

E kreva vetëm vitin e parë. Kur filloi viti i dytë në shtator, policia filloi të na kërkonte për shkak të disa broshurave që kishim shpërndarë. Vijuam vetëm dy javët e para të vitit shkollor dhe nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të ndërprisnim shkollën. Pas kësaj, i kalova ditët në pyll, duke u kujdesur për bagëtinë dhe shtëpinë. Ishim të sigurt atje, sepse ishim thellë në male.

Që në moshë të hershme kisha një lidhje të ngushtë me dajët e mi. Njëri prej tyre, Kadriu i ndjerë, ishte aktiv në fazat e hershme të lëvizjes kombëtare dhe mbante kontakt të vazhdueshëm me ne. Përfundimisht, edhe unë iu bashkova lëvizjes. Rrallë dilja në treg apo diku tjetër. Motra ime e madhe zakonisht kujdesej për gjithçka jashtë shtëpisë dhe kujdesej për ne, të paktën derisa u martua.

Babai ynë na mbështeteste nga Sllovenia. Vinte për vizitë herë pas here, por sa herë që vinte, përballej me keqtrajtim. Para çdo vizite, xhaxhai duhej të shkonte në stacionin e policisë për t’i njoftuar, duke u thënë saktësisht se kur do të vinte babai dhe sa kohë planifikonte të qëndronte. Vetëm pasi të jepte leje zyrtare policia, tek atëherë mund të vinte babai. Ishin gjithmonë xhaxhai ose vëllai im që i raportonin këto vizita në stacionin e policisë; kurrë nuk guxoja të shkoja vetë. Kisha shumë frikë.

U përfshiva më intenzivisht në ushtri. Kisha qenë me ta që kur isha 11 vjeç dhe kur filloi lufta, iu dedikova plotësisht. Por sot, ndihem shumë i zhgënjyer. Nuk pendohem për atë që bëra për vendin tim. Ia kishim borxh gjithçka. Ajo që dhemb është të shohësh se si populli ynë ka braktisur vlerat për të cilat luftuam, duke e zhvlerësuar kuptimin e luftës sonë. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përfundonte kështu.

***

Për mua, lufta filloi në vitin 1995, në një ditë të ftohtë dimri. Isha duke vizituar kushërinjtë e mi, të cilët zakonisht jetonin në Zvicër, por kishin ardhur në shtëpi për vizitë. Qëndruam me ta sepse shtëpia e tyre kishte energji elektrike, televizor dhe kushte më të mira jetese. Papritur, policia serbe u shfaq dhe mori një nga kushërinjtë e mi. Brenda pak sekondash, dola fshehurazi nga një dritare e pasme. Isha gjithmonë i përgatitur për të ikur. Pas kësaj, e tërë jeta më kaloi në ikje, deri ditën kur më në fund më kapën dhe më dërguan në burg.

E çuan kushëririn tim në stacionin e policisë, duke pretenduar se kishte një gjobë trafiku të papaguar. Por ishte vetëm pretekst. E dinin se ai dhe vëllai i tij punonin në Zvicër dhe donin t’i zhvatnin. E rrahën dhe e trajtuan mizorisht, duke u kërkuar vazhdimisht armë. Policia bashkëpunoi me informatorë vendorë të cilët i lajmëronin, duke u thënë: “Ky ka para, bastiseni për armë”. Por kushërinjtë e mi nuk kishin të bënin fare me këtë. Ishin plotësisht të pafajshëm, e megjithatë i rrahën, i ngacmuan e i grabitën.

Ishte përgjegjësia ime të transportoja armë për UÇK-në. Edhe pse isha shumë i ri, udhëtova për në Shqipëri shtatë herë. Mbaja me vete dokumente të rëndësishme. Në atë kohë, pak kush e dinte se çfarë ishte UÇK-ja. Vetëm më vonë, kur filluan të shfaqeshin në publik me maska, njerëzit filluan ta kuptonin kush ishin ata.

Shkonim kurdo që kishin nevojë për ne. Meqenëse isha shumë i ri, askush nuk dyshonte kurrë se isha i përfshirë. Dukej si krejt fëmijët e tjerë. Por pavarësisht moshës, gjithmonë bëja atë që më kërkohej.

Kur lufta shpërtheu zyrtarisht në vitin 1998, gjendesha në shtëpi. Gjithmonë kishim qëndruar aty. Muaj më herët, në dhjetor të vitit 1997, UÇK-ja kishte pyetur nëse mund të përdornin njërën nga dy shtëpitë tona. U pajtuam. Që nga ai moment, shtëpia jonë kryesore u bë në thelb një bazë e UÇK-së, madje edhe para Betejës për Grykën e Llapushnikut.

Familja u zhvendos në shtëpinë e dajës tim në Negrovc. I vizitoja shpesh nënën, vëllezërit dhe motrën e vogël. Por jeta atje ishte e vështirë. Shtëpia ishte e plotë njerëz dhe kushtet nuk ishin aspak të lehta. Në fund, m’u desh t’ua gjeja një vend tjetër. Nuk mund të qëndronin më atje.

Për fat të mirë, nëna është ende gjallë, megjithëse këto ditë është shumë e lodhur dhe vuan nga tensioni i lartë i gjakut. Ajo ka luajtur një rol të madh në jetën time. Ishte nënë e baba për mua. Gjithmonë jam përpjekur t’ia jap respektin që meriton.

Ishte e rreptë në çdo aspekt, veçanërisht kur bëhej fjalë për paratë. Gjatë ditës, ishte shumë e zënë me punë, kështu që financat i kontrollonte natën. Numëronte çdo cent, me shumë kujdes. Nuk e kishte mbaruar shkollën, por gjithmonë e dinte saktësisht se ku shkonin paratë. Kaloi nëpër shumë vështirësi për shkakun tim. U bashkova me ushtrinë kur isha ende shumë i ri dhe ajo më qëndroi pranë në çdo gjë… ditë e natë. Ndoshta nuk e vlerësoja vërtet kur isha i lirë, por gjithçka ndryshoi kur përfundova në burg. Ajo periudhë i la gjurmë të madhe.

Në vitin 1998, gjersa ushtria nisi ofensivën për të marrë kontrollin e Grykës së Llapushnikut, nëna dhe të tjerët po vizitonin dajën. Kur arrita në shtëpinë e tij, një ushtar që më vonë do të bëhej martir më tërhoqi mënjanë dhe më tha: “Kemi shumë më tepër nevojë për ty pa uniformë sesa me të”. Ndërmora shumë rreziqe gjatë asaj kohe, duke udhëtuar disa herë në Prishtinë për të mbledhur para dhe për të sjellë furnizime për luftëtarët. Isha civil; pa uniformë, pa pushkë nën sqetull. Puna ime ishte ti dërgoja para dhe letra Adem Demaçit dhe ushtrisë.

Në vitin 1998, gjatë ofensivës së Grykës së Llapushnikut në korrik, Ymer Elshani, një shok lufte, më nxiti: “Shko te familja jote në Negrovc, te daja yt!” Unë hezitova dhe i thashë: “Por është i njëjti rrezik si këtu si atje”. Ai këmbënguli: “Situata është e keqe. Duhet të jesh me dajën, me familjen tënde”. Unë iu përgjigja: “Jam më i sigurt këtu sesa te daja”. Por ai ishte i vendosur: “Dëgjo, duhet patjetër të shkosh te familja”.

Pasi ra Gryka e Llapushnikut nga forcat serbe, unë qëndrova në shtëpinë e dajës në Negrovc. Qëndruam aty deri në fund të shtatorit të vitit ’98, kur fshati u sulmua nga ushtria më 25, 26 dhe 27. Më 27 shtator, më zunë ushtria dhe policia serbe dhe më burgosën.

***

Na çuan në stacionin e policisë në Drenas. Në oborr, kishte garazhe të mbushura me burra që ishin arrestuar para nesh. Rreth orës 2 ose 3 të pasdites, filluan të na thërrisnin një nga një për të bërë analiza, duke kontrolluar me doreza parafine nëse kishim qëlluar me armë ose nëse kishim përdorur barut. Secili prej nesh duhej të hynte vetëm.

Më erdhi radha rreth mesnatës. E mbaj mend si sot; jashtë po binte shi dhe brenda ndërtesës dëgjoheshin britma. E kuptova se pas atyre mureve po ndodhnin të gjitha llojet e torturave.

Më futën brenda dhe ma morën mostrën e parafinës. Tek prisja të më merrnin në pyetje, dy oficerë policie më kapën papritur dhe më tërhoqën zvarrë në banjo. U përpoqa të rezistoja. Po bërtisja dhe ulërija teksa njëri prej tyre më mbante ulur, duke më shtyrë kokën përpara. Tjetri nxori një thikë për të ma prerë rripin dhe pantallonat. Dhe pastaj oficeri i parë më dhunoi seksualisht.

Nuk i di emrat e tyre, por do t’ua njihja fytyrat po t’i shihja përsëri. Fatkeqësisht, Hamzë Hajra nuk është më gjallë; ai do ta kishte ditur se kush ishin. Ai punonte si përkthyes në stacionin e policisë atë kohë. Teksa bërtisja dhe mundohesha t’u kundërvihesha, ishte Hamza ai që më dëgjoi dhe më shpëtoi. Oficeri i parë vecse e kishte kryer atë që e pati ndërmend, por Hamza e shqelmoi derën përpara se i dyti të mund të bënte të njëjtën gjë. Më nxori jashtë.

Pas kësaj, as nuk morën mundin të më merrnin në pyetje. Nuk më çuan në dhomën e marrjes në pyetje si të tjerët. Hamza më nxori jashtë.

Por ky nuk ishte fundi. Të tjerët po dilnin të rrahur dhe të mavijosur, por unë jo. Njerëzit më pyesnin: “Çfarë të ndodhi ty? Pse neve na rrahën e ty jo?” Nuk mund t’u tregoja të vërtetën. Kur Hamza më nxori nga ajo banjo, më tha: “Mos i trego askujt për këtë”. Dhe ashtu bëra. Nuk i tregova askujt, përveç kushëririt tim. Atij i tregova.

Atë natë, qëndruam në stacionin e policisë, të uritur e të etur. I vetmi ujë që kishim pirë ishte nga pikat e shiut që rridhnin nga çatia. Vetëm aq.

Të nesërmen në mëngjes, e shtuan emrin tim në një listë. Së bashku me të tjerë, më hipën në një nga dy autobusët që shkonin në burgun e Prishtinës. Ishte 28 shtatori i vitit 1998. Atëherë filloi një lloj i ri abuzimi. Lloji që vetëm Ministria e Punëve të Brendshme, SUP-i serb, dinte si ta kryente.

Na morën në pyetje për tri ditë rresht. Kalova 48 orë i lidhur, duke u përballur me një rrjedhë të pafundme pyetjesh në lidhje me UÇK-në. Por në të vërtetë, nuk ishin përgjigjet ajo çka ata kërkonin. Përgjigjet i kishin tashmë. Ata kishin foto të luftëtarëve, foto të çdo ushtari. Nëse dikush ishte vrarë, imazhi i tij ishte shenjuar me një X. Nuk kishte të bënte me informacion. Donin vetëm të më lëndonin.

Na torturuan në çdo mënyrë të imagjinueshme. Na fusnin gjilpëra nën thonj që të flasim. Vazhdonin të pyesnin për të gjithë: Azem Sylën, Ymer Elshanin, etj., të gjithë udhëheqësinë e UÇK-së, duke kërkuar të dinin se ku ishin fshehur. As nuk hëngra e as nuk piva gjatë gjithë kohës. Por në momente të tilla, ushqimi as nuk të vjen ndërmend. Mund të mbijetosh pa ngrënë. Është etja që të thyen.

Më mbajtën të lidhur pas një radiatori. Në mes të dhomës ndodhej një tavolinë e vogël dhe mbi të, një shishe plastike uji 1.5 litra. Një nga oficerët vazhdonte ta hidhte drejt meje. I kisha duart e lidhura, kështu që stepesha e përpiqesha të lëvizja, por ai nuk ishte qëllimi. Nuk e kishte për qëllim të më godiste. E kishte për qëllim të më thyente. Isha vetëm 18 vjeç.

Pas 48 orësh, oficerët ndërruan turnet, por deri atëherë mezi flisja. Gjuha më ishte ënjtur aq shumë sa mezi pëshpërisja: “Nuk mund të flas nëse nuk më jepni ujë”. Shishja ishte ende aty para meje. Duke e parë, kaq afër por larg, ishte më keq sesa të vdisja. Një nga oficerët më në fund ma zgjidhi njërën dorë. Kapa shishen, piva pak ujë dhe menjëherë më ra të fikët. Nuk mbaj mend asgjë pas kësaj. Kur erdha në vete, isha ende në të njëjtën dhomë.

Më kishin dhunuar brutalisht. Më kishin rrahur fort, më kishin thyer. Në një moment, morën një vezë të sapozier, ende të nxehtë, dhe ma shtypën fort në sqetull. Më kujtohet që mendova me vete: “Pse nuk më vrasin? Do të ishte shumë më mirë”.

***

Pastaj filloi procesi gjyqësor. Gjykatëse hetuese ishte Danica Marinković. Më tha: “Nga sot e tutje, do të jesh i sigurt. Në momentin që gjendesh para një gjykatësi, je i mbrojtur”. Por e kishte gabim.

Nuk kam qenë kurrë nga ata që rrinë të heshtur dhe ndoshta kjo vetëm sa i përkeqësonte gjërat për mua. Gjithmonë kam qenë kokëfortë, kurrë nga ata që zbrapsen. Isha i njëjti para gjyqtarit, i njëjti gjatë marrjes në pyetje nga SUP-i dhe i njëjti në gjykatë me gjyqtarin Dragoljub Zdravković. Kurrë nuk u bëra pjesë e lojës së tyre.

Në fillim, gjatë gjashtë ose shtatë muajve të parë, dhunimi nuk më vinte ndërmend; ishte thjesht një kujtim tjetër i humbur në mjegullën e gjithçkaje tjetër. Por, me kalimin e kohës dhe shtimin e abuzimit, mu rikthye në memorie.

Kalova gjashtë muaj në burg në Prishtinë, duke duruar abuzime përtej imagjinatës. Pastaj na transferuan në Lipjan. Ishte një rregull e pashkruar; sa herë që të transferonin nga një burg në tjetrin, të rrihnin aq keq sa që ishte e vështirë ta shprehësh me fjalë. Isha ende në Lipjan kur filluan bombardimet e NATO-s.

Vitet nuk e kanë lehtësuar dhimbjen; ato vetëm sa e kanë thelluar. Një fjalë rasti, një vështrim i caktuar, një moment në shtëpi, dhe unë përpëlitesha, i bindur se e kanë zbuluar: “E kanë zbuluar!” Është një peshë që nuk kam mundur ta heq kurrë nga supet.

***

Nga Lipjani, na transferuan në Dubravë. Aty na ushqyen më mirë dhe u bë e qartë se e kishin zbrazur burgun nga të burgosurit e rregullt. Vendi ishte shndërruar në një bazë ushtarake. Kur mbërritëm, çdo derë qelie ishte e mbuluar me shenja, metali plot me vrima thikash. I sollën të burgosurit politikë një nga një: Ukshin Hotin, Avni Klinakun, Nait Hasanin, Bislim Zogun dhe Enver Dugollin nga Mitrovica e Sremit; të gjithë ishin aty. Pata rastin të flisja me Ukshinin, Naitin dhe Avniun gjersa ishim në Dubravë. Më vonë do ta shihja përsëri Avniun në burg në Nish, pas masakrës së Dubravës.

Ishte e diel, 16 maj 1999, një datë që e mbaj mend sikur dje, kur Ukshin Hoti u lirua, së bashku me dy burra të tjerë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen tash.

Vetëm tri ditë më vonë, më 19 maj, burgu u bombardua për herë të parë. Sulmi i parë goditi vetëm një pavijon. Mes kaosit, arritëm t’i thyenim dyert dhe të iknim jashtë. Edhe rojet po iknin. Atë ditë, ndodhi vetëm një sulm dhe një person mbeti i vrarë: një burrë nga Ferizaj i cili ishte mbyllur në qeli izolimi. Një pjesë e tavanit u shemb mbi të.

Të nesërmen, më 20 maj, bombardimet vazhduan. Këtë herë, u godit pavijoni i dytë, por jo pjesa ku ndodheshim ne.

Sulmi i 21 majit ishte më i keqi. Bombardimet zgjatën gjithë ditën. Asnjë ndërtesë në burgun e Dubravës nuk u kursye. I përplasëm dyert përsëri dhe ikëm me vrap. Ishim pranë kuzhinës kur filloi bombardimi. Shpërthimi i parë goditi sistemin e ngrohjes. Predha e dytë ra në kuzhinë. Prej andej, u drejtuam për në fushën e sportit, jashtë, ku ndodhi masakra.

Atë natë, fjetëm jashtë në fushën e sportit. Ishte rrezik të qëndronim brenda. Morëm çfarë mundëm: dyshekë të hollë dhe batanije nga shtretërit tanë dhe u përpoqëm të pushonim. Por zhurma dhe tensioni zgjatën gjithë natën. Gjithë natën, dëgjuam zëra në errësirë, njerëz që pëshpërisnin dhe lëviznin përreth. Disa thoshin: “Serbisë i erdhi fundi”. Pastaj, menjëherë pas agimit, një zë thirri nga njëra prej kullave të rojeve. Një burrë me megafon bërtiti: “Rreshtohuni! Po ju numërojnë dhe po ju zhvendosin. Nuk është i sigurt vendi këtu më”.

Sapo u rreshtuam në fushën e sportit, filluan të qëllonin me kallashnikovë, snajperë dhe madje edhe me granata dore. Edhe sot e 20 vite më vonë, nuk e di se si ia dola mbanë.

Aty ndodhej një shpat i vogël që na ofronte mbrojtje të mjaftueshme nga plumbat. Mbaj mend që isha ulur aty, duke u lutur. Jo për të mbijetuar, por që gjithçka të mbaronte. Se kur mbaron jeta është diçka që vetëm Zoti mund ta vendosë. Dhe në atë moment, po i lutesha Zotit të ma merrte shpirtin. Vazhdimisht përsërisja të njëjtat fjalë: “Merrma shpirtin, o Zot. Mos më lër të jetoj”.

Nuk ishin vetëm të shtënat me armë zjarri apo frika nga vdekja. Ishte pesha që mbaja brenda. Mendimi se dikush mund ta zbulonte një ditë se çfarë më kishte ndodhur… kjo ishte ajo që më tmerronte vërtet. Të jetosh me atë barrë më dukej e pamundur.

Kaluam edhe katër ditë të tjera aty, duke u fshehur kudo që mundeshim. Herë ishte bodrumi i kuzhinës, herë fusha e sportit, madje nganjëherë edhe pusetat e kanalizimeve, të cilat ishin aq të mëdha sa për t’u futur brenda, rreth dy metra të gjera dhe dy metra të thella. E dinim se edhe me lëvizjen më të vogël mund të përfundonim të vrarë. Çdo lëvizje dhe snajperi do të tërhiqte këmbëzën.

E kaluam ditën e fundit të mbyllur në bodrumin e kuzhinës, të pushtuar nga frika se çdo moment mund të hynin dhe të na vrisnin. Në atë pikë, nuk më interesonte më. Vazhdoja të lutesha: “Zot, le të më qëllojë një plumb, e të ma ndalë këtë dhimbje”. Ndihesha sikur po ngulfatesha vetvetiu. Kujtimet, gjithçka që kisha kaluar, po më ngulfatnin. Por asgjë nuk ndodhi. Askush nuk erdhi. Ishte caktimi i Zotit dhe ja ku jam, ende gjallë.

U fshehëm gjithë natën dhe të nesërmen, forcat që kishin bombarduar Dubravën më në fund hynë brenda. Erdhën duke bërtitur: ‘Dorëzohuni!’ Por ne ishim të burgosur të paarmatosur dhe të pafuqishëm. Çfarë kishte aty për t’u dorëzuar? Megjithatë, hynë me forcë, duke hedhur granata dore në puset e kanalizimeve dhe në bodrumin e kuzhinës, të dyja plot me njerëz të fshehur brenda.

Nuk kaloi shumë kohë, e u shfaq ushtria e rregullt. Mund ta dallonim ndryshimin. Ata ishin më të rinj se paramilitarët dhe rezervistët, të cilët ishin kryesisht burra të moshuar. Për më shumë se gjysmë ore, sulmuan me armë. Në një moment, dikush bërtiti: “Do të ta pres kokën? E kam dorën e shpejtë!” Shpërtheu kaosi sepse edhe të burgosurit serbë ishin armatosur dhe të veshur me uniformë për të marrë pjesë në vrasje. E dimë saktë se kush janë ata. Kemi emrat e tyre, fotot e tyre, gjithçka.

Pasi ndaluan të shtënat, ushtria e rregullt mori kontrollin. Një ushtar i rangut të lartë bërtiti: “Ndalni të shtënat menjëherë!” Pastaj tha: “Jemi ushtria e rregullt. As mos t’ju vijë ndërmend t’i kërceni muret. Kushdo që i afrohet NATO-s do të vritet”. Dhe pastaj shtoi: “Edhe ne jemi në rrezik. Nuk kemi çfarë të bëjmë”.

Dolëm jashtë dhe filluam t’i mbledhim të plagosurit. Më shumë se 300 njerëz ishin plagosur në mënyrat më mizore. Mblodhëm edhe trupat e të vdekurve. Për secilin prej tyre, shkruam emrin dhe mbiemrin e tyre në një copë letër, e palosëm në një qese plastike dhe e vendosëm bashkë me trupin për identifikim. Ishte më e mira që mund të bënim.

Ishte ditë maji dhe temperaturat ishin të larta. Gjersa orët kalonin, kufomat filluan të kalbeshin. U përpoqëm t’i mbulonim, por era shpejt u bë e padurueshme. Po vdisnim urie. Pak nga pak, u mpimë. Nuk mund ta dallonim më ndryshimin: gjallë a vdekur, nuk kishte rëndësi më.

Kaluan edhe katër ditë të tjera para se të na transferonin përsëri në burgun e Lipjanit, ku qëndruam për tri javë të tjera. Natën e 9 qershorit, na i lidhën duart me litarë aq fort sa disa të burgosur humbën ndjenjat. Qëndruam kështu deri të nesërmen, kur më në fund na zgjidhën. Më 10 qershor 1999, na hipën në një “Nish Express” dhe na çuan në burgun e Nishit. E mbaj mend sikur dje. Pavarësisht gjithçkaje që kisha kaluar, ende nuk isha dënuar. Vetëm pasi mbërritëm në Nish na çuan para një gjykatësi dhe na dënuan.

***

Edhe pas përfundimit të luftës, abuzimi nuk u ndal. Për sa kohë që regjimi i Millosheviqit qëndroi në pushtet, shqiptarët vazhduan të përballeshin me keqtrajtim të pamëshirshëm. Vetëm pas rënies së regjimit në tetor të vitit 2000 dhe arrestimit të Millosheviqit në vitin 2001, gjërat më në fund filluan të qetësoheshin. Abuzimi mori fund, veçanërisht pasi Kryqi i Kuq dhe organizata të tjera ndërkombëtare filluan t’i vizitojnë burgjet. Që nga ai moment, ne nuk keqtrajtoheshim më. Na duhej vetëm t’i kryenim dënimet që na ishin dhënë. Në fakt, rojet në Nish madje preferonin të caktoheshin tek pavijonet tona, pasi ndanim cigaret e mira që familjet tona na dërgonin nga shtëpia.

Nëna erdhi deri në burgun e Nishit për të më parë, por udhëtimi me makinë i kishte shkaktuar mundim. Kishte marrë një injeksion intravenoz në krah. Udhëtoi me të njëjtën makinë me nënat e Enver Dugollit dhe Bislim Zogut, të gjitha së bashku, vetëm për të na vizituar. Kur mbërritën, rojet kërkuan që të flisnim me to në serbisht. Por si mund të flisnim? Nëna ime kishte pak shkollë dhe nuk kuptonte asnjë fjalë serbisht. I luta: “Duhet t’i flas shqip; përndryshe nuk do të kuptojë çfarë më ka ndodhur”. Por refuzuan. Ishim të emocionuar për vizitën e tyre, por vendosëm të mos i takonim. Ishte më mirë të mos i shihnim fare sesa të përpiqeshim të flisnim në një gjuhë që asnjëra prej tyre nuk e dinte. Nënat tona nuk kishin mësuar kurrë serbisht. Asnjë nga gratë në familjen tonë nuk e dinte serbishten.

E kontaktuam një avokat të specializuar në të drejtat e njeriut në Serbi. Nuk më kujtohet emri i tij, por ishte shqiptar. Na vizitoi dhe ua bëmë të qartë se nëse na lejoheshin vizitorë, duhet të lejoheshim të flisnim në gjuhën tonë amtare, pasi nënat tona nuk kuptonin asnjë gjuhë tjetër. Pas një kohe, ranë dakord për këtë.

Kur nëna erdhi për vizitë herën e dytë, ishte me të fejuarën time, me të cilën isha fejuar para se të burgosesha. I trajtuan shumë keq. Nëna nuk i kuptonte rregullat; nuk e dinte se nuk i lejohej të më jepte asgjë dhe se duhej vetëm të flisnim. Meqenëse gjithmonë më kishin pëlqyer orët e dorës, ajo hoqi të sajën dhe u përpoq të ma jepte kur pa se nuk kisha orë. Rojet e ndaluan shpejt. Atë ditë, vizita ime u ndërpre tri herë dhe përfundova duke kaluar më shumë kohë duke u shpjeguar situatën rojeve sesa duke folur me nënën.

Më vjen keq për të. Përjetoi shumë gjëra për shkakun tim. Sa herë që vinte në Nish, shfaqej në burg me një injeksion në krah. Udhëtimet me makinë e mundonin shumë. U përpoqëm me gjithçka për t’ia lehtësuar, por asgjë nuk funksionoi.

E fejuara ime vinte me nënën çdo herë. U fejuam në vitin 1997 dhe ishte gjithmonë pranë nënës për t’i dalë në ndihmë. Babai i saj e mbështeti shumë në këtë drejtim.

Në vitin 2000, të burgosurit serbë filluan të kërkonin amnisti. E shkatërruan dhe i vunë flakën disa pjesëve të burgut, duke shkaktuar trazira masive. Ne qëndruam të mbyllur në qelitë tona. Në katin e parë mbaheshin të burgosur të dënuar për krime ordinere, ndërsa ne ishim në katet e sipërme. 145 të burgosur nga Gjakova, të njohur si “Grupi i Gjakovës”, ishin në katin e dytë, ndërsa ne ishim në të tretin. Nga frika e kaosit jashtë, i bllokuam dyert.

Situata e tensionuar zgjati dhjetë ditë. Gjatë asaj kohe, Natasa Kandić dhe Flora Brovina erdhën të na vizitonin. Flora ishte liruar nga burgu vetëm disa javë më parë, ndoshta një muaj, megjithëse nuk më kujtohet saktë.

Pastaj, në qershor të vitit 2001, morëm lajm nga gjykata se parlamenti serb kishte miratuar ligjin e amnistisë, pas presionit ndërkombëtar. Mora një letër që më njoftonte se do të lirohesha.

Isha dënuar për organizimin e takimeve që synonin ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. U akuzuam për udhëtim në Shqipëri, mbajtjen e armëve dhe planifikimin e mënyrës se si do ta realizonim këtë ngjarje. Na ngritën akuzat sipas neneve 125 dhe 136, të dyja të lidhura me terrorizmin.

***

Kryqi i Kuq na mori ditën e premte. Meqenëse KFOR-i nuk lejonte askënd pranë kufirit, më çuan në Prishtinë. E gjithë familja po më priste aty; ishte tronditëse. Kur më arrestuan, të gjithë ishin ende të vegjël. Tani dukeshin të rritur, që të gjithë.

Kthimi në shtëpi ishte gëzim i vërtetë. Babai erdhi nga Zvicra një javë më vonë, meqenëse nuk kishte mundur të vinte më herët. Qëndroi një javë dhe vazhdonte të thoshte: “Do të kthehem në Zvicër për një muaj, pastaj do të kthehem dhe do të organizoj një dasmë të madhe për djalin tim të madh”. Por vjehrrit dhe të tjerët e bindën: “Do të kujdesemi ne për këtë, ti mund të shkosh”. Nuk kishte shumë kohë për të qëndruar gjithsesi.

U martova një muaj pasi u lirova. Po festonim dhe nuk kisha kohë të përpunoja gjithçka që kisha kaluar.

Kur lindi vajza, gjërat u bënë pak më të lehta. Por me kalimin e viteve, në vend që plagët të shëroheshin, u bë më e vështirë. Jetoja me frikë të vazhdueshme se dikush mund ta zbulonte. Gjithmonë nën presion, gjithmonë duke mbajtur faj, gjithmonë duke pasur frikë se e kaluara do të rishfaqej. Edhe tani, kur dëgjoj të afërmit duke folur, mendja ime shkon menjëherë aty: “E kanë zbuluar. Po flasin për mua”. Kjo frikë ende më përndjek. Nuk është zbehur, vetëm është rënduar me kalimin e kohës.

Dy vjet më vonë, lindi djali ynë. Nga viti 2004 deri në vitin 2010, nuk patëm fëmijë. Në vitin 2010, erdhi në jetë djali ynë i dytë. Që nga korriku i vitit 2002, jetojmë në një shtëpi me qira në Fushë Kosovë. U zhvendosa atje për të qëndruar sa më larg të ishte e mundur, në rast se e vërteta do të dilte ndonjëherë në dritë.

Kur u zhvendosëm për herë të parë, vajza ishte dy-tri muajshe. Mbaj mend që kalova katër ditë e netë duke mbijetuar me një tavë të vogël ushqimi, mezi ia dilnim. Por gruaja ime nuk u dorëzua kurrë. E tillë është ajo.

I vizitonim vjehrrit e mi dhe na pyesnin: “Si po kaloni?” Ajo buzëqeshte dhe u thoshte: “Gjithçka është mirë, po kalojmë mirë”. Por e vërteta ishte se mezi siguronim ushqim për shtëpi. Nuk kisha dalë nga burgu për shumë kohë dhe ishte pothuajse e pamundur të gjeja punë. Isha larguar nga shtëpia dhe për 18 vjet, pa punë, kisha jetuar në vende me qira, jo për shkak të ndonjë konflikti me familjen time, por sepse kisha frikë. Kisha frikë se mos dikush e zbulonte.

Në atë kohë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ishte pranë menzës së studentëve. U nisa drejt saj katër ose pesë herë, por çdo herë tek mbërrija te Klinika Gjermane e Syve, rrugës për në qendër, gjithmonë kthehesha prapa para se të arrija aty. Nuk mund ta detyroja veten të flisja me askënd. Por kur më në fund u miratua ligji për njohjen e statusit, u ktheva. Dhe këtë herë, i shkova deri në fund.

U desh të kalojë një vit që nga aplikimi deri në dhënien e statusit tonë. Por tani, gjërat janë shumë më të lehta.

Lehtësimi më i madh për mua erdhi kur më në fund i tregova gruas sime, përpara se statusi im të njihej. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të më mbështeste kaq shumë, por pikërisht ashtu u përgjigj. Jam jashtëzakonisht mirënjohëse për këtë. Ajo më ka ndihmuar më shumë sesa mund ta shpreh me fjalë. Sa herë që flasim, ajo më thotë: “Kjo i përket të kaluarës. Përqendrohu në të tashmen, mendo pozitivisht, mendo për fëmijët dhe shiko drejt së ardhmes”. Gruaja bën gjithçka që mundet për të më ndihmuar të ec përpara, por e di që kjo është diçka që nuk do të kalojë kurrë plotësisht. Qëndron me mua, thellë në zemrën time. Gruaja ime e kupton këtë, e megjithatë ajo është gjithmonë pranë meje, duke më ofruar mbështetje. Ajo është shtylla ime, dora ime e djathtë.

Megjithatë, mendoj për atë që më ka ndodhur gjatë tërë kohës. Shpesh e pyes gruan: “Po sikur fëmijët ta zbulojnë?” Dhe ajo më qetëson: “Askush nuk do ta zbulojë”. Mbështetja e saj do të thotë gjithçka, por frika ime më e madhe është po sikur ta zbulojnë të vërtetën nesër? Po atëherë? Ndoshta nuk do të ndodhë asgjë, por burri gjithmonë ka frikë më të keqen.

Nëse ka një gjë që kam mësuar dhe një mesazh që dua të ndaj, është ky: mos e vuaj dhimbjen tënde vetëm. E bëra për vite me radhë dhe gati sa nuk më shkatërroi. Do të doja t’ia kisha hapur zemrën gruas sime më herët; lehtësimi që ndjeva kur i tregova më në fund ishte i jashtëzakonshëm. Fol me dikë që ti i beson.

Për njerëz si ne, këto shqetësime nuk zhduken vetvetiu. I marrim me vete në varr. Por ndarja e tyre e bën barrën më të lehtë për t’u mbajtur. Që kur erdha këtu, në QKRMT, dhe e hapa zemrën si me ty [terapisten time] ashtu edhe me gruan time, më në fund ndihem më i lehtësuar.

Ky artikull është version i redaktuar i dëshmisë së publikuar fillimisht nën pseudonimin “Luli” në librin “Përtej dhimbjes, drejt guximit: Rrëfime për traumën e dhunës seksuale në luftë”, botuar në bashkëpunim ndërmjet Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Pro Peace Kosovë. Për ta lexuar botimin e plotë, klikoni këtu.

Redaktimi: Luca Tesei Li Bassi/Pro Peace
Fotografitë: Luca Tesei Li Bassi/Pro Peace
Rishikimi dhe deanonimizimi: Korab Krasniqi/Pro Peace
Intervistuesja: Selvi Izeti/KRCT
Kohëzgjatja e intervistës: 99:32 minuta
Intervista e zhvilluar: në shtator 2021

Kjo intervistë është zhvilluar fillimisht në gjuhën shqipe. Hyrja dhe redaktimet janë përgatitur në gjuhën angleze. Për këtë publikim, teksti është përkthyer sërish në shqip. Dallimet e vogla në formulim pasqyrojnë procesin e përkthimit dhe redaktimit, ndërsa përmbajtja dhe qëllimi i intervistës mbeten të pandryshuara.