Më shumë se dy dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ashtu si vendet e tjera të Federatës, edhe Kosova vazhdon të ketë problemin e ballafaqimit me vitet e saj komuniste.
Latif Gashi ishte vetëm pesë vjeç në vitin 1962 kur, përballë shtëpisë së tij në Landovicë, një fshat në komunën jugore të Kosovës në Prizren, filloi të ndërtohet një ngrehinë. Ai nuk e dinte se çfarë ishte, por mban mend se i pëlqente të luante rreth saj pasi punëtorët e linin punën.
Kur ai filloi shkollën, ndërtesa prej betoni në lartësi prej 10 metrash mori formë. Ai mësoi se ajo lartësonte dy partizanë: malazezin Boris Vukmiroviq dhe shqiptarin Ramiz Sadiku, të cilët u vranë bashkë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi nuk kishin dashur të ndahen.
Mëngjesin e 10 prillit 1943, Vukmiroviq dhe Sadiku, anëtarë të Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ishin kapur nga ushtarët italianë. Ushtarët italianë i kishin ofruar Ramizit faljen, por ai nuk e kishte pranuar, ndaj i kishin ekzekutuar të dy të përqafuar.
Rënia e simboleve të “vëllazërim-bashkimit”
Gati tri dekada më pas, memoriali u bë simboli i “vëllazërim-bashkimit”, motoja e Federatës Jugosllave që promovonte bashkëjetesën mes etnive. Në qershor 1999, ky memorial ishte i pari ndër shumë objekte të asaj periudhe që u shkatërruan në Kosovë.
Fatin e memorialit e patën edhe shumë monumente të tjera që u ndërtuan për të përkujtuar luftën kundër fashizmit në vend. “Unë ende besoj se kjo histori (e partizanëve) ishte një mit i krijuar për të promovuar një sajesë artificiale si Jugosllavia” thotë Gashi, i ulur në lokalin përballë vendit ku dikur gjendej ngrehina dhe që sot nuk ekziston më.
Gashi tregon se si për çdo vit shihte të vinin njerëz nga vendet e Jugosllavisë për të bërë aty nderime, përfshirë edhe vetë liderin komunist Tito dhe se memoriali ishte shndërruar në vend pelegrinazhi. “Ajo që vazhdonte pas 10 prillit ishin dasmat. Dasmorët ndaleshin këtu, nuset bënin fotografi dhe të tjerët vallëzonin. Ndodhte tri-katër palë dasmorë vinin në të njëtën kohë” rrëfen Gashi.
Kjo vazhdoi deri në vitin 1990, kur filloi shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë dhe memoriali filloi të lihej pas dore. Në të majtë të tij ishte një mural i madh me pllaka mozaiku bardhë-e-zi, me një skenë të mbushur plot fytyra, me disa që ngrinin grushtet lart, duke simbolizuar ngritjen popullore.
Një pasdite të nxehtë qershori 1999, pak ditë pasi lufta kishte mbaruar, Gashi dëgjoi një zhurmë të fortë. Një grup njerëzish me uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po e shembnin ndërtesën. Vite më vonë, kompleksi u shndërrua në varrezë të dëshmorëve dhe në vend të memorialit u ngrit një tjetër në nderim të luftës së UÇK-së.
“Nuk është se ndjeva ndonjë nostalgji për të. Nuk shihja diçka të vërtetë aty. Por megjithatë, nuk do duhej të rrënohej. Të paktën jo mozaiku”, thotë ai.
Në Prishtinë, në parkun e qytetit, ku dikur ishin të dy bustet e Boros dhe Ramizit, tash është vetëm ky i fundit. Miranda Jakisa, profesoreshë e Letërsisë dhe Kulturave Sllave në Universitetin Humboldt në Berlin, i përshkruan memorialet si ky si dëshmi e “një devotshmërie të viktimizimit aktiv”.
Anekënd Kosovës, shumë nga monumentet dhe bustet e periudhës së ish-Jugosllavisë u shkatërruan dhe ato që mbetën, ngjajnë me ngrehina të kalbura e të gërryera nga koha, me copa që u mungojnë dhe pothuajse janë gati të rrëzohen, duke u shndërruar në një trashëgimi të padëshiruar.
Histori dhe përjetim
Pas përfundimit të luftës dhe sundimit të Serbisë në ish-krahinën e saj, jo vetëm memorialet, por edhe ndërtesa të tjera të periudhës së Jugosllavisë komuniste u hoqën dhe qindra emra rrugësh u ndryshuan.
Aktualisht, janë vetëm 11 monumente që lidhen me Luftën e Dytë Botërore dhe epokën komuniste në ish-Jugosllavi. Vetëm gjashtë prej tyre janë përfshirë në listën e Ministrisë së Kulturës për Trashëgimi Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Sipas Ministrisë së Kulturës, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, rreth 5 përqind e objekteve i takojnë periudhës së gjysmës së dytë të shekullit XX.
“Ndërtesat e kësaj periudhe (Jugosllavisë) janë të një rëndësie të veçantë, ngase ndërlidhen me kujtesën kolektive dhe janë shënjues të një periudhe të caktuar, jo shumë të largët”, thotë Nora Arapi Krasniqi, këshilltare e Ministrit të Kulturës në Qeverinë e Kosovës.
Kosova ka një Agjenci për Mbrojtjen e Monumenteve, por nuk është gjetur informacion për ndonjë shërbim kujdesi ndaj këtyre monumenteve.
Monumentet e kësaj periudhe nuk janë të vetmet për të cilat po vazhdon debati nëse duhen rrënuar. Më shumë se dy dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë, sikurse vendet e tjera të Federatës, Kosova vazhdon të ketë problemin e ballafaqimit me vitet e saj komuniste.
Vitin e kaluar, autoritetet komunale të Vushtrrisë vendosën ta shndërrojnë në park ndërtesën e gjykatës, të ndërtuar më shumë se gjysmë shekulli më parë.
Aktivistë si Bledian Salihu e kundërshtuan këtë vendim duke kërkuar që ky objekt të mbetet një copë e kujtesës kolektive, për të përkujtuar represionin mbi shqiptarët. “Mendoj se ajo duhet të ruhet si një relikt i një kohe të egër, pavarësisht se ka përpjekje për t’i fshirë ato nga kujtesa kolektive e popullit”, thotë Salihu.
Salihu thotë se objekti i Gjykatës së Vushtrrisë paraqet një arkitekturë të unifikuar të objekteve të ndërtuara për funksionin e gjykatës në kohën e ish-Jugosllavisë. “Objekti është i njëjtë me objektet e tjera të gjykatave në të gjithë ish-Jugosllavinë dhe është ndër paktët në Vushtrri që paraqet arktekturën e kohës moderne”, shton ai.
Përveç vandalizmit që u është bërë menjëherë pas luftës, procesi i privatizimit të pronave shoqërore, si dhe zhvillimet e ekonomike e urbane, kanë bërë që shumë ndërtesa që i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XX të tjetërsohen.
“Ekziston nevoja që kjo periudhë të dokumentohet dhe të identifikohen ndërtesat e rëndësishme, që duhet të posedojnë status të mbrojtjes ligjore”, thotë Arapi-Krasniqi.
Ndërtesat në pronësi publike presin përcaktimin e funksionit të ri që Ministria e Kulturës thotë se duhet të bëhet “me gjithë përfshirjen e komunitetit”. Ndërsa ndërtesat që mbeten peng i procesit të privatizimit presin gjithashtu një status që i mbron nga zhdukja këto fragmente të kujtesës kolektive.
Historiani Fatlum Ibrahimi thotë se këto objekte kanë rëndësi historike, pasi tregojnë për ideologjizimin e skajshëm të shoqërisë nga sistemi komunist. “Ato nuk vlerësohen më, ngase u ndërtuan në frymën e komunizmit, të një sistemi dhe shteti që nuk ekziston më dhe për faktin se në Kosovë nuk ka pasur rezistencë të fuqishme antifashiste”.
Ministria e Kulturës e ka përfshirë muajin e kaluar objektin e gjykatës në Vushtrri në listën e vet të objekteve të Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme, duke e kategorizuar si “një objekt me vlera arkitektonike”.
Arkitekti Arbër Sadiki thotë se këto ndërtesa, të realizuara në frymën vernakulare apo popullore, janë shembuj të përdorimit të kësaj arkitekture në frymën bashkëkohore dhe përbëjnë trashëgimi. “Ndërtesat publike të periudhës së (ish-RFSJ-së) edhe sot janë shpirti i qyteteve, ngase kanë arritur ta krijojnë këtë lidhje me qytetarët e vet”, thotë Sadiki. “Ato duhen parë në report me kohën, ideologjinë e kulturën, por mbi të gjitha, përjetimin njerëzor”, thotë ai.