Ulërimë në të kaluarën

”Pashë një ëndërr me Nerminin tim…”, thotë një nënë nga Srebrenica, Saliha Osmanoviq, teksa jemi ulur në dhomën e fëmijëve të saj të vdekur, që nuk ka ndryshuar aspak.  

Fshati Dobrak gjendet rreth një orë largm me makinë nga Srebrenica dhe rruga për në fshat kërkon ca kohë. Makina ecën nëpër rrugë të vjetëruara, nëpër kodra të gjelbra, rrethuar nga duaj sane të sapotharë. Ne po i japim makinës ngadalë dhe dëshirojmë që retë të mbulojnë diellin së paku për një çast. Por kjo nuk ndodh. Si duket ky udhëtim duhet të jetë i vështirë, ashtu si çdo përpjekje për ballafaqimin me të kaluarën. Një pjesë e udhëtimit për në Srebrenicë kalon disi më shpejt dhe më lehtë dhe më duket se makina tashmë i ka mbuluar ato kilometra dhe se është gati për to, njësoj si ne. Arrijmë në Srebrenicë rreth mesditës. Befasohem nga fakti se ka gjallëri dhe lëvizje dhe dielli vendos të na ndriçojë vetëm pjesët e bukura të arkitekturës dhe pemëve të saj, që sfidojmë asfaltin dominues, ashtu si jeta sfidon vdekjen. Ndalemi dhe regjistrojmë zërat e fëmijëve që luajnë në park.

Vazhdojmë të ecim me makinë dhe meqë nuk e dimë si të shkojmë në Dobrak, ndalemi tek një shtëpi ku na pret nëna Ajshe. Dyert e saj janë gjithnjë të hapura dhe ajo ka byrek boshnjak dhe kafe të nxehtë që ua ofron të gjithë të uriturve dhe kalimtarëve të lodhur. ”Me siguri po shkoni në shtëpinë e Salihës?” na pyet Ajshja. Pasi e konfirmojmë, ajo shton se kur të kthehemi do të na bëjë byrek me kungull. Duhet të ndalemi edhe njëherë për udhëzime dhe një burrë misterioz veshur me kostum dhe çantë zyrtare na jep udhëzime të hollësishme. Ai ngjan si një mësimdhënës matematike zemërmirë. “Duhet të ecni drejt dhe pastaj kthehuni majtas tek xhamia. Do ta dalloni shtëpinë me fasatë të bardhë dhe zbukurime ngjyrë rozë”, thotë ai.

Menjëherë e dallojmë shtëpinë e bukur që na përshkroi burri me çantë. Parkohemi përballë shtëpisë dhe nisemi drejt kopshtit. Meqë jemi rreth një orë me vonësë, Saliha ka vendosur të pushojë, por e ka lënë derën hapur si shenjë të mirëseardhjes.

Ajo na përshëndet menjëherë sikur të na ketë familje dhe më bën pyetjen që me siguri ia bën çdo kalimtari mashkull: ”Kur ke lindur?” ”Kam lindur në vitin 1986”, i them. ”Djali im Nermin lindi në vitin 1976”, thotë ajo teksa lëviz me fuqi nëpër kuzhinë dhe ngroh speca të mbushur, pret bostan, nxjerr ëmbëlsira dhe na bën kafe.

”Pas gjithë asaj i kam mbijetuar, jam mirë… jetoj jetën time”, thotë Saliha kur fillon rrëfimin e saj. Pasi bën një telefonatë të shkurtër me fqinjën Safija, ajo vazhdon: ”Asnjëherë nuk kam patur frikë të flas. Kam qenë në Hagë, Londër, Francë, dy herë në Beograd. Flas hapur kudo që shkoj. Kështu ka ndodhur. Më pëlqen të kem vizitorë dhe të jem në gjendje të flas për atë. Do t’ju kishin vrarë edhe ju po të kishit qenë myslimanë. A kam frikë se mos më vrasin? Jo, aspak, ata kanë vrarë të gjithë që kisha. Martohesh, bën fëmijë, i do, epo ju e dini se ç’do të thotë të kesh fëmijë. ata e bënë… Në Potoçari, Mlladiqi tha se mund të rrinim, se mund të zhdukeshim. Ai ecte dhe na shikonte… ashtu bënte.”

Saliha ndal së folur për pak dhe shkon në kuzhinë të sjellë specat që ka ngrohur dhe të vërë xhezven e kafesë mbi pllakë që kafja të vlojë dhe një herë. Teksa bën këto veprime, ajo na tregon se para luftës ka jetuar mirë, se burri i saj Ramo punonte për një kompani në Beograd dhe se kishin krijuar një parajsë të vogël në këtë vend që tani është i zbrazët, se kishin një shtëpi të vogël, një garazh, makinën e tyre, një traktor, një kopsht të vogël me perime dhe dy djem të bukur dhe të mençur.

Papritmas, kujtimet e Salihës për jetën e saj të vjetër ndërpriten nga disa rrufe kërcënuese. Një dhimbje e fortë në kyçet e saj të vjetra parashikon se do të bjerë shiu që mezi e presin. Saliha na fton të shkojmë në koopsht, ku është më rehat dhe ku mund ta shohim kopshtin e perimeve. Diku ndërmjet specave të mbushur dhe kafes, ajo nis një monolog për kopshtin e perimeve, për patatet më të mira në të gjithë Dobrakin, për kallinjtë e misrit që bëhen deri 20 cm të gjatë, shoqëruar nga një përshkrim i hollësishëm dhe shpjegim për perimet e ndryshme që janë mbjellur dhe ku. Pastaj ajo na tregon për shtëpinë që vet e ka “ringjallur nga hiri”, për rrënojat që gjeti kur u kthye, për fqinjin e saj Dushan që e ndihmoi ta mbyllte gropën septike dhe për jetën e re që ka nisur vet.

Unë vetëm dija që Saliha Osmanoviqi ishte gruaja e të ndjerit Ramo, memoriali i të cilit tani gjendet në Veliki park në Sarajevë, ku ai paraqitet duke thirrur djalin e tij: ”Nermin, eja. Ai është i rraskapitur, i dërrmuar dhe i frikësuar, shihet në filmim duke i thirrur djalit të tij Nerminit që të dorëzohet, gjë që i solli atij vdekjen. Mirëpo, kur mësojmë për diçka nga media, ajo mbetet vetëm në sipërfaqe të konjicionit tonë racional. Vetëm kur e takon personalisht një njeri dhe mëson për fatin e tij, jemi në gjendje ta pranojmë si të vërtetë. Kjo vlen edhe për rrëfmin e Ramos dhe gjenocidin. Kur dëgjojmë rrëfimin e Salihas, e kuptoj për të parën herë se ka ekzistuar një burrë i cili ka qenë i detyruar t’i thotë djalit të tij të dorëzohet, gjë që rezultoi në vdekjen e birit të tij.

”Ramo refuzoi ta linte Nerminin të shkonte në shkollë atë ditë. Më duket se do të përfundonte vitin e parë të shkollës së mesme për pesë ose dhjetë ditë. Mirëpo në mbrëmje filluan të shtënat. Nga Serbia, nga ai drejtim. Kur nisën të shtënat, ne nuk kishim ide ku të shkonim. Ata gjuanin prej andej, plumbat fishkëllenin… Ikëm në pyll… me rrobat që kishim në trup… U ndalëm diku në Skejiqi. Pastaj kaluam në Osat. Atje ndenjëm një muaj. Më vonë shkuam në Srebrenicë, zonë e mbrojtur. Mirëpo nuk ishte aspak, një tmerr… Djali im i vogël Edini u vra nga një minë në fushën e stërvitjes. U varros në Kazani gjatë natës. Asokohe nuk kishte qendra memoriale. Kjo ndodhi me 6 korrik, ndërsa Srebrenica ra më 11. I thamë mirupafshim në pompën e benzinës në Kazani. Ramo dhe Nermin im nuk shkuan drejt qendrës memoriale, por në pyll, duke ndjekur të tjerët, me shpresën se do të kalonin. Ishim me mijëra, pothuajse e pamundur ta përshkruash. Ishin të shterruar, të rraskapitur, nuk dinin çfarë të bënin ose ku të shkonin. Pastaj Mlladiqi që ulërinte, që i pyeste se kush kishte sende me vete… E çfarë mund të kishim me vete? Atje kaluam natën, shikonim rrotull, njerëzit qanin, ishte një tmerr. Vendosa t’i ndiqja njerëzit, nuk dija çfarë tjetër të bëja. Hipëm në një kamion. Lexoja tabelat e rrugëve dhe mendoja, nëse na çojnë në Bratunac, ka marrë fund. Zbritëm në Tishqe dhe më pas na u desh të ecim deri në Kladanj. Atje na ndalën dhe shoferi i gjorë zbriti dhe tha: përse po i ngacmoni këta njerëz të pafajshëm, duhet t’ju vijë turp nga vetja… ishte çmenduri, vërtet çmenduri. Më vonë, u zgjova në një kopsht fëmijësh dhe pashë që kisha një serum. Nuk e kisha idenë ku gjendesha, çfarë kishte ndodhur, vetëm pashë ngjyrat e tavanit… nuk kisha ide se çfarë kishte ndodhur… isha çmendur, vërtet, e traumatizuar, e stresuar. Pastaj isha në Solina, më vonë Jasenicë, një nga kunetërit e mi mbijetoi, tjetri u vra, edhe vjehrra ime ishte aty. Ata kishin dhomën e tyre, unë timen… një mëngjes, po shikoja një gazetë… nuk kisha as pjatë, nuk kisha asgjë… kur mora gazetën, pashë Ramon. Mendova se ishte gjallë. Epo si ishte e mundur? Ai nuk ishte aty. Pastaj pashë Ramon në TV, që thërriste Nerminin. Sërish mendova se ishe gjallë. Dhe pastaj i thashë vetes si ka mundësi kjo gjë. Dhe se si serbi i tha: Nermin, zbrit poshtë, si shau… Atëherë e kuptova. Ditë pas dite, nuk kishte njeri. Prisja, duke menduar se do të vinin, por ata kishin ikur”.

Kur dëgjoja historinë e Salihës, mund ta shihja burrin nga video në YouTube dhe skulptura në Veliki park pak e nga pak fitoi zë. Biseda ime me Salihën ndali zhurmën e shiut, pikat e të cilit përziheshin me ezanin që pothuajse nuk dëgjohej nga distanca. Saliha më tha se do të falej me vonë, por ajo doli për një çast që të merrte rrobat që kishte larë. Pata mjaft kohë të mendoja për gjithçka. Pastaj na ftoi në pjesën e vjetër të shtëpisë për të na i treguar të gjitha hollësitë, që i kishte përgatitur vetë dhe e dija se donte të na tregonte dhomat e paprekura të fëmijëve. Kur mbetëm vetëm, ajo më tregoi për ëndrrën e saj:

“Pashë në ëndërr Nerminin tim… Duke shpresuar t’ia dëgjoja zërin të nesërmen. Isha në shtëpi, kur kjo ende nuk kishte përfunduar. Këtu kishte një garazh. Në ëndërr, u ngjita lart dhe oh Zoti im. Shkova tek ajo dërrasa atje dhe u ula, nuk e disa sa ishte ora. E shihja shumë qartë. E shihja kështu. Dhe ai më tha, mami mos qaj. I shihja xhinset e tij. Ose ndoshta i pashë në mendimet e mia, nuk e di. Kishte flokë të zinj. Ditën tjetër më erdhi lajmi. Ëndrra ime ishte pothuajse identike. E kam parë disa herë këtë ëndërr… sidomos kur dua të shkoj në shtrat dhe filloj të mendoj, është sikur era fryn dhe bën grurin të përkulet, ose kur Drina mbushet ujë dhe unë mendoj, oh Zot, tani do të kisha patur nipër”.

Shiu pushoi ngadalë dhe Saliha shfrytëzoi rastin të mblidhte ca patate të reja për të na i dhënë me vete. Bëmë fotografi, u përshëndetëm dhe premtuan se do të ktheheshim sërish. Në kokën time, dëgjoja një zë që përsëriste emrat vazhdimisht: Srebrenica, Bratunac, Foça, Prijedor, Kljuç, Sanski Most, Vllasenica, Zvornik… Srebrenica, Bratunac, Foça, Prijedor, Kljuç, Sanski Most, Vllasenica, Zvornik… Srebrenica, Bratunac, Foça, Prijedor, Kljuç, Sanski Most, Vllasenica, Zvornik… Si kurrë më parë, u bëra i vetëdijshëm se kundër njerëzve të mi, në vendin ku kisha planifikuar të jetoj dhe të krijoj, ishte bërë gjenocid. Heshtja, brenda së cilës kjo grua trime mbetet pasi ne largohemi nga kopshti i saj, bëhet edhe heshtja ime dhe klithma e Ramos nga filmimi bëhet klithma ime nga e kaluara.

Mund ta dëgjoni edhe dokumentarin për radio ”Një ditë në jetën e Saliha Osmanoviqit”: http://www.bhrt.ba/radio-dokument-jedan-dan-u-zivotu-salihe-osmanovic/

____________________________

Mirza Skenderagiq (1986) ka botuar shumë tekste, ese, kritika filmike, letrare dhe teatri, recensione, intervista dhe tregime të shkurtra. Aktualisht është anëtar i bordit redaktues të programit për dramë dhe dokumentarë të Radios së Bosnje e Hercegovinës. Ai ka marrë bursë nga Fondacioni Karim Zaimoviq për dramën e tij ”Më zgjoni kur të marrë fund” në vitin 2014. Ai ka fituar Çmimin Heartefact për tekstin më të mirë rajonal të dramës moderne sociale në vitin 2016. Dokumentari i tij ”Unë mund të flas” ka fituar Çmimin Golden Apple në Festivalin e 13-të të Filmit të Bosnje e Hercegovinës në Nju Jork dhe çmim në Festivalin e Filmit Pravo Ljudski në vitin 2016.