Hartat e rajonit, që dikur tregonin kufijtë e ish-shtetit të përbashkët, Jugosllavisë, tani janë përplot vija të trasha që shenjojnë kufijtë e shteteve të pavarura si dhe vija të holla që shenjojnë njësitë e tyre të brendshme (entitete, kantone, rajone). Ka ende dilema në rastin e trashësisë së vijës që kufizon Kosovën dhe është e pasigurtë nëse kjo dilemë mund të “rrjedhë” në kufijë e Bosnje e Hercegovinës. Kosova, që haptazi po trajtohet si ‘çështje’ e hapur dhe e pazgjidhur (në diskursin politik), është e gjithëpranishme, jo vetëm brenda kufijve të vet, por edhe përtej, si nevojë e herëpashershme për të kapërcyer në çështjen e Bosnje e Hercegovinës dhe strukturës së saj të brendshme. Nëse ka ndodhur në Serbi, mund të ndodhë edhe në Bosnje e Hercegovinë. Rishkrimi i kufijve, për të qenë më të saktë. Secesioni, për të qenë edhe më të saktë. Kur një konstrukt i tillë vihet në kontekst të BeH-së, shtetit të Dejtonit, priten pa mëdyshje reagime nga partitë (drejtuese) nacionaliste. Përkundrejt kësaj, kjo analizë, duke marrë parasysh edhe një realitet të tillë, do të përpiqet të rishikojë çështjen e kufijve dhe marrëdhënien ndërmjet shtetit-kufirit-popullit-sovranitetit si dhe marrëdhënien ndërmjet shteteve. Teksti më poshtë përmban tema të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për të kuptuar diskurset ekzistuese mbi kufijë e Bosnje e Hercegovinës dhe stabilitetin e tyre, por edhe që nënkuptojnë këndvështrime të ndryshme: shkaqet për rëndësinë e kufijve të Bosnje e Hercegovinës, bazën për nevojën për një shtet dhe kufijtë e tij, si dhe shqyrtimin ligjor të asaj se çfarë janë kufijtë dhe ku jemi aktualisht. Duke i dhënë përgjigje pyetjes “e kujt”, pra, kujt i përket diçka, në fakt po përpiqem t’i jap përgjigjepyetjeve se përse ekzistojnë vijat e përshkruara në fillim të këtij teksti çfarë nënkuptojnë ato pa shtresat shtesë (shpeshherë, nacionaliste).
Lufta e kujt?
Nëse vëzhgojmë konfliktet në këtë pjesë të Evropës (1990), mund të vërejmë menjëherë lidhjen ndërmjet luftës dhe kufijve: jo vetëm që njëri nga qëllimet e këtyre luftërave ka qenë lëvizja kufijve, por luftërat edhe kanë përfunduar si rezultat i lëvizjes së kufijve. Nëse shkaqet dhe pasojat e konfliktit janë kufijtë e rinj, a e garantojnë ata paqen e sapoarritur? Në rastin tonë (specifik), do të thoja se ka dy përgjigje: ato garantojnë paqen në nivel të shteteve individuale si të tilla, territori i të cilave ka qenë sheshluftimi gjatë konfliktit (që do të thotë se territori i shtetit iu nënshtrua pushtimit dhe negociatave). Duke përcaktuar kufijtë pas luftës, shteti konfirmon legjitimitetin e vet në bazë të territorit, duke i futur kufijtë në hartë, jo vetëm për vete, por edhe për të gjithë të tjerët. Prandaj, kufijtë sigurojnë shtetësinë dhe identitetin, gjë që garanton stabilitet në nivel më të lartë ligjor. Nga ana tjetër, përvojat tona na mësojnë se kufijtë nuk janë krejtësisht garanci e paqes në nivel të shoqërisë. Edhe pse jemi të vetëdijshëm për kufijtë shtetërorë (të shtetit tonë dhe të shteteve fqinje), ende jetojmë në frikë nga lufta (që shpesh përmendet si opsion), në tension të vazhdueshëm politik, që gjithashtu përmban intervenime nga shtetet e tjera. Konflikti “ynë” përshkruhet si konflikt i ngrirë dhe jeta në shtet, kufijtë e të cilit janë shenjuar në hartat zyrtare, reduktohen në frazën ‘Gjithçka është mirë, për sa kohë që nuk ka luftëra’. Marrëdhënia ndërmjet luftës dhe shtetit të Bosnje e Hercegovinës mund të përdoret këtu si shembull: “Gjendja e luftës dhe pasojat e luftës përbëjnë një konstante shoqërore, që ofron kornizë specifike për të interpretuar dhe shpjeguar konstruktet kushtetuese. Përveç komponentit territorial, karakteristikat e tjera të modelit kushtetues boshnjak mund të kuptohen vetëm mbi bazën e luftës. Prandaj, ekziston një varësi e ngushtë dhe reale midis luftës në Bosnje e Hercegovinë dhe karakteristikave të saj kushtetuese, ndaj ato nuk mund të shpjegohen apo të vendosen në marrëdhënie të pranueshme racionale pa tjetrën”. (Sharçeviq 2009:67).
Luftërat gjithnjë kanë qenë të vështira, vuajtja dhe traumat janë ende të freskëta dhe ajo çka të gjithë kemi ‘marrë’ reduktohet në kufij. Kufijtë ose janë mbrojtur, ose janë pushtuar (varësisht këndvështrimit), por në fund të fundit janë rezultat i luftës që kemi përjetuar si shoqëri. Prandaj, është me rëndësi të përcaktojmë se e kujt ishte lufta. E atyre personave që ishin në vijën e frontit; e atyre personave që u zhvendosën, u torturuan, u paraburgosën; e atyre personave që ishin viktima civile kolaterale; apo e atyre që përfunduan refugjatë në mbarë botën? Dhënia fund e luftës ka kuptim për viktima të ndryshme (së paku) kanë një shtet për të cilin kanë luftuar/vuajtur. Kufijtë e atij shteti atëherë nuk janë thjesht një vijë e trashë mbi hartë, por kanë kuptim më të gjerë në aspekt njerëzor dhe shoqëror. Ky këndvështrim duhet të merret parasysh kur flasim për kufijtë e atyre shteteve. Prandaj, janë garanci e ndërvarësisë së këtyre shteteve, por edhe burim i kundërshtive të vazhdueshme për pranim, sepse duket që qytetarët në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë pjesërisht ende jetojnë në të kaluarën e ‘papërfunduar’, duke kundërshtuar gjithçka me përjashtim të faktit se konflikti ka ndodhur.
Vendi i kujt?
Kufiri në realitet përkufizon një vend: atdheun, shtetin, territorin. Nocioni i përkatësisë cakton kufijë të strukturës së brendshme të një vendi, të shenjuara me vija të holla. Marrëveshja e Paqes së Dejtorini konfirmoi kufijtë e jashtëm dhe prezantoi linjat e demarkacionit të brendshëm në Bosnje e Hercegovinë, nuk ka kuptim të shqyrtojmë nëse kishte mundur apo ishte dashur të jenë të ndryshme, por mund të pyesim nëse kjo është zgjidhje funksionale. Nuk po mendoj se fshij kufijtë e brendshëm këtu (dhe nuk po mendoj të nis kufij të rinj të brendshëm), por po pyes se në çfarë ka rezultuar ndarja e brendshme në rastin e Bosnje e Hercegovinës. Ajo ka rezultuar në aparat administrativ të stërmadh, një sistem të stërndërlikuar të kompetencave, që i pengon qytetarët të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore, në terren pjellor për korrupsion të çdo lloji. Nga njëra anë, kufijtë kanë cimentuar ndasitë shoqërore që u shfaqën gjatë luftës dhe i mbajnë shumë të gjalla narrativat dominuese të luftës, duke vijuar politikën sipas asaj që secili duhet të qëndrojë brenda ‘grupit’ të vet (etnik).
Në veprën e tij “Kushtetuta si atdhe – rreth shtypjes gjermane të shtetit”, Jozef Isenze shpreh opinionin se fjala atdhe është zhdukur nga gjuha politike dhe është zëvendësuar nga termi identitet. Prandaj, ai ngre pyetjen: ç’do të thotë identiteti për një gjerman, nëse shteti nuk është në gjendje ta ofrojë? Autori gjithashtu analizon veçantësistë e strukturës kushtetuese gjermane, ku arsyetimi i vjetër për shtetin është zëvendësuar nga “arsyetimi kushtetues”. Kështu, patriotizmi shndërrohet në “patriotizëm kushtetues” dhe Kushtetuta shndërrohet në atdhe. I vetmi patriotizëm ende i mundshëm sot është “patriotizmi kushtetues” (Isensee 2001). Pyetja jonë këtu do të përfshinte edhe gatishmërinë për ta lidhur identitetin me kushtetutën ose për të kërkuar atdheun brenda kufijve të dhënë.
Kufiri i kujt?
Kryetituj si “A po përballet rajoni me rihartim të ri të kufijve” [L1], që mund të gjenden kohëve të fundit në media dhe në diskursin politik, paralajmërojnë për ndikimin e ‘çështjes së Kosovës’, specifikisht në Bosnje e Hercegovinë. Kjo ishte dhe arsyeja e vërtetë për të shkruar këtë tekst. Diskursi arbitrar dhe nxitës për dy vendet në rajon (Bosnja e Hercegovina dhe Kosova), duke i sjellë ato vazhdimisht në një marrëdhënie të ndërvarur reciproke, që tejzgjat dhe inkurajon diskursin për brishtësinë e kufijve dhe shteteve dhe në të njëjtn kohë justifikon intervenimin dhe sfidat e sovranitetit në vend nga fqinjët e vet. Të gjitha këto mbështillen si duhet me shqetësime lidhur me stabilitetin e rajonit! Në rast të tillë, për kufijtë e kujt po flasim dhe si po e bëjmë? A janë shenjuar këto dy vende të rejonit si shtete që kanë nevojë për kujdestarë apo vërtet kanë nevojë për ta? A kanë Bosnja e Hercegovina dhe Kosova të njëjtin pozicion shtetëror dhe ligjor? A ka ndonjë lidhje apo ndërlidhje ndërmjet të dyve sa i përket pavarësisë? Sa të sigurta dhe të qëndrueshme janë vijat e tyre të trasha mbi hartë?
Edhe pse të dy territoret kanë elemente shumë të rëndësishme kontekstuale në të gjithë historinë, për qëllime të koncizitetit të këtij punimi, fokusi do të jetë në periudhën nga Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë (më tutje në tekst: RFSJ), deri tek ndryshimet e fundit lidhur me pavarësinë e tyre.
Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga RFSJ-ja në vitin 1992 (fillimisht, Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës miratoi Memorandumin e Pavarësisë në vitin 1991; po atë vit, Komuniteti Evropian miratoi Deklaratën për Jugosllavinë, ku të gjitha republikave jugosllave u kërkohej të deklaronin nëse donin të njiheshin si shtete të pavarura; referndumi për pavarësi u mbaj më 29 shkurt dhe 1 mars 1992) dhe emri zyrtar i shtetit të ri ishte Republika e Bosnje e Hercegovinës. Territori i saj ishte i njëjtë me atë që kishte qenë si republikë federale në RFSJ. Komuniteti Evropian dhe SHBA-të vendosën në vitin 1992 ta njihnin Bosnje e Hercegovinën si shtet të pavarur. Po atë vit, vendi u bë anëtar i OKB-së. Shpallja e pavarësisë u pasua nga konflikte të armatosura brenda territorit të shtetit. Marrëveshja për Paqe e Dejtonit i dha fund konflikteve të armatosura dhe Neni 4 i Marrëveshjes përmbante Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës ku thuhet: ”Republika e Bosnje e Hercegovinës, emri zyrtar i së cilës tani është ”Bosnja e Hercegovina’’, vazhdon ekzistencën e vet ligjore në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare si shtet, me strukturën e brendshme të modifikuar nga kjo Kushtetutë dhe kufijtë ekzistues të njohur ndërkombëtarisht’’ (Neni I/1 i Kushtetutës). Kufijtë e Bosnje e Hercegovinës mbetën të njëjtit, përkatësisht kufijtë ekzistues të njohur ndërkombëtarisht nga Marrëveshja për Paqe e Dejtonit/Kushtetuta dhe struktura e brendshme përbëhet nga dy entitete: Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska. Shtojca në vijim gjithashtu rregullon statusin e Qarkut të Bërçkos (2000). “Ruajtja e integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës ka konfirmuar pikëpamjet e komunitetit ndërkombëtar, që thekson parimin e statukuosë territoriale të të gjitha shteteve që kanë rezultuar nga shpërbërja e Jugosllavisë” (Miljko 2006:76).
Kufijtë e brendshëm janë kufijtë e entiteteve, edhe pse në terma formalë dhe ligjorë, entitetet nuk kanë kufij, por vija demarkacioni ndërentitete (vijat e demarkacionit ndërmjet entiteteve janë përcaktuar në Shtesën e Shtojcës 2 të Marrëveshjes për Paqe të Dejtonit) dhe nuk e kanë statusin e ‘kufirit’, gjë që e bën të pamundur parandalimin e lëvizjes së lirë brenda territorit të shtetit (“Asnjë entitet nuk do të ushtrojë asnjë lloj kontrolli mbi kufirin ndërmjet entiteteve”). Niveli i autonomisë së entiteteve dhe Qarkut të Bërçkos përkufizohet në vetë Kushtetutën: entitetet kanë autonomi relative kushtetuese (ato kanë kushtetutat e veta që duhet të jenë në pajtueshmëri me tekstin e Kushtetutës në nivel shtetëror), që do të thotë se entitetet kanë të drejtën të specifikojnë më tej hollësitë e dispozitave të Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës në kushtetutat e tyre, por edhe në mënyrë të ndërvarur të rregullojnë ato çështje që Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk ka përcaktuar si kompetencë të nivelit shtetëror në mënyrë që nuk bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës (Ademoviq 2012:107). Për më tepër, ekziston një ndarje ndërmjet shtetit dhe entiteteve/QB dhe entitetet kanë pushtetin e tyre ligjor, gjyqësor dhe ekzekutiv. Në pajtueshmëri me Nenin III/2a të Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, entitetet kanë të drejtën të themelojnë marrëdhënie të ndara paralele me vendet fqinje, edhe pse kjo nuk do të thotë se ato janë kompetente për punët e jashtme, ku përfshihen edhe marrëdhëniet kontraktuale me vendet fqinje që është kompetencë e shtetit.
“Të dy entitetet dhe QB janë elemente përbërëse të shtetit. Ky përkufizim i territorit të shtetit është tipik për shtete të përbëra dhe ka dy kuptime: 1) Nga njëra anë, nënkupton se territori i entitetit është në të njëjtën kohë territor shtetëror. Të dy nivelet e qeverisjes kanë të drejtë të ushtrojnë pushtetin mbi atë territor. E drejta e qeverisë në nivel shtetëror për të zbatuar fuqitë e shtetit sovran mbi të gjithë territorin dhe e drejta e entiteteve për të ushtruar pushtetet e tyre mbi territoret e tyre në parim varet nga ndarja kushtetuese e kompetencave midis këtyre dy niveleve të qeverisjes dhe nga dokumentat e tjerë që rregullojnë këto marrëdhënie. 2) Nga njëra anë, kjo nënkupton se nuk ka territor shtetëror që nuk i pëtket së paku njërit prej entiteteve. Me fjalë të tjera, qeveria e nivelit shtetëror nuk disponon territor ekskluzivisht shtetëror që i përket vetëm qeverisë së nivelit mbi entitet, në rastin e të cili entitetet nuk kanë asnjë kompetencë”. (Ademoviq 2012:101).
Pas 23 vjetësh, edhe kufijtë e jashtëm, edhe të brendshëm, janë të njëjtë, ashtu si edhe narrativa për secesion (RS) dhe një entitet të tretë (kroat). Shteti i papërsosur me të gjitha kompleksitetet e veta thjesht është strukur brenda strukturës së Dejtonit dhe arsyet ende të freskëta për të bërë pyetje si ‘lufta e kujt’ dhe ‘vendi i kujt’ mund të përdoren si karburanti i duhur për të ruajtur statukuonë.
. . .
Kosova ishte pjesë e RFSJ-së dhe Kushtetuta e vitit 1974 i dha Kosovës autonomi të zgjeruar dhe statusin e njësisë federale të RFSJ-së. Parlamenti i Kosovës miratoi Deklaratën Kushtetuese (1990), ku Kosova shpallte statusin e saj si republikë, të barabartë me republikat e tjera Jugosllave (Pavlica [L2] 2011).
Ajo që vijoi ishin procese paralele: shpërbërja e Parlamentit të Kosovës nga Serbia, refuzimi për të dhënë fonde si dhe themelimi fshehurazi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe hartimi i kushtetutës së re. Referndumi jozyrtar për pavarësi u mbajt në vitin 1991 dhe si rezultat i tij “Republika e Kosovës e panjohur u shpall të jetë e pavarur nga Jugosllavia… Në vitet 1990, Kosova u shndërrua në shtet policor të qeverisur nga Beogradi”. (Pavlica 2011). Ky territor u shenjua edhe nga konflikti i armatosur (lufta e Kosovës): intervenimi i komunitetit ndërkombëtar i dha fund konfliktit dhe në pajtueshmëri me Rezolutën 1244, Kosova mbeti pjesë e Republikës Socialiste të Jugosllave, por nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara. Negociatat për statusin e Kosovës nisën në vitin 2006 dhe Asambleja e Kuvendit të Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, që u shpall e paligjshme nga Qeveria e Serbisë. Kosova së pari u njoh si shtet nga Kosta Rika, Afganistani, SHBA-të, Franca, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Turqia po atë vit. OKB-ja dhe BE-ja nuk kanë këndvështrim të përbashkët, por ia kanë lënë në dorë të shteteve të vendosin në mënyrë të pavarur nëse duan ta njohin pavarësinë e Kosovës apo jo (shumica e Shteteve Anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën). Tribunali Ndërkombëtar në Hagë miratoi një opinion këshillimor sips të cilat shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Në një sërë marrëveshjesh, Serbia ‘njeh’ disa elemente të caktuara të Kosovës dhe duhet theksuar se të njëjtat elemente përbëjnë karakteristika të shtetit (territori, dokumentat, shtetësia, institucionet). Për momentin, duket se kur është fjala për pikëpamjen e Serbisë, nuk flasim më për të njëjtin kontest rreth ekzistencës së një shteti të ri, por për negociatat finale lidhur me qëndrueshmërinë e kufijve të rinj.
Në të dyja rastet, rruga drejt pavarësisë është mbrujtur me vështirës, dhunë, e karakterizuar nga viktima në rastin e të cilave, është e vështirë të arrihen marrëveshje. Edhe pse lufta për pavarësinë e Kosovës ka zgjatur për një kohë të gjatë dhe ka patur ndikime të tjera përveç konfliktit luftarak, vazhdimësia e Bosnje e Hercegovinës një njësi territoriale është më e gjatë dhe më e qëndrueshme përgjatë historisë, gjë që është përcaktues i rëndësishëm, duke patur parasysh faktin se ideja për vijën e brendshme të entitetit ka ekzistuar vetëm që nga vitet 1990. Procesi i konfirmimit të territorit dhe krijimi i një kufiri të vetëm shtetëror disi ka përfunduar në Bosnje e Hercegovinë: është specifikuar formalisht në marrëveshjen për paqe dhe është bërë funksional gjatë shtetndërtimit pas konfliktit. Në rastin e Kosovës, kemi përshtypjen se procesi është në vijim e sipër dhe opinionet që avokojnë për shkëmbim të territoreve që vijnë nga pala kosovare i kontribuojnë kësaj përshtypjeje. Një qasje e tillë të krijon edhe përshtypjen se ende ka hapësirë për kundërshti të mëtejshme lidhur me (mos)ekzistencënnon e Kosovës si shtet me kufijtë dhe territorin e vet. Në rastin e paqes së brishtë, negociatat për kufij nuk përhapin trazira vetëm në Serbi dhe në Kosovë, por ngacmojnë edhe kujtimet për mënyrën se si janë definuar ato kufij. Lufta e kujt dhe kufijtë e kujt? Nëse e rikthejmë këtë diskutim në kontekst të përkufizimeve ligjore të shtetit dhe shtetësisë, atëherë duhet t’i përkujtojmë vetes se elementët bazë që e bëjnë një shtet janë qeveria, territori, popullsia, juridiksioni. Specifikisht, shembuj e përmendur të Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës e bëjnë të dukshme se deri në ç’shkallë këto elemente janë të ndërlidhur, duke kushtëzuar njëri-tjetrin dhe që e nxjerrin legjitimitetin e tyre nga vetë ekzistenca e tyre, në kontekstin e të cilëve lindir shtetet. Nëse fokusohemi ‘vetëm’ tek çështja e territoreve dhe kufijve, është e panevojshme të theksojmë sa vijon:
“Territori shtetëror është term i rëndësishëm kushtetues dhe ligjor. Përveç “popullit të shtetit” dhe “qeverisë së shtetit”, është një nga tre termat që përbëjnë elementet e domosdoshëm të çdo shteti sa i përket së drejtës ndërkombëtare. Në kuptimin ligjor të fjalës, termi “territor shtetëror” nënkupton hapësirë brenda së cilës shteti është i autorizuar të ushtrojë pushtetin e vet sovran… territori shtetëror është vija deri ku shkon sovraniteti i tij. Ushtrimi i pushtetit sovran të një shteti dhe e drejta për të disponuar territorin shtetëror quhet sovranitet territorial. Sovraniteti territorial në aspektin e disponimit të territorit të shtetit është privilegj vetëm i qeverisë në nivel shteti (federal, qeveria qendrore) dhe jo i qeverive më të ilëta në nivel administrativ dhe territorial.” (Ademoviq 2012:101).
Përse pasojat e ‘tendencave separatiste’ konsiderohen të jenë të rëndësishme/rrezikshme për Bosnje e Hercegovinën? Do të thoja se arsyeja është diskursi për strukturën e brendshme, ku ekziston interpretin se një entitet i Bosnje e Hercegovinës është gjithnjë në prag të ndarjes. Një retorikë e tillë post-dejtoniane ka dalë të jetë mjet efektiv për të trazuar masat, për të fituar zgjedhjet, për të siguruar lidhjen ideologjike me Serbinë. E njëjta retorikë përdoret edhe në entitetin tjetër si mjet për diskurs të përmbysur. Dhe vijat e holla të brendshme kështu ruhen me sukses në Bosnje e Hercegovinë. Dhe sa herë që përmendet secesioni diku në Evropë, ne me ankth pyesim veten nëse do të jetë nxitësi për ndryshimin e kufijve tanë edhe në vendin tonë. Megjithatë, duhet t’ia kujtojmë vetes se këtu, entitetet në Bosnje e Hercegovinë nuk janë “shtete anëtare të bashkuara, duke krijuar kështu Bosnje e Hercegovinën, ndaj nuk e kanë statusin e shteteve në të drejtën ndërkombëtare” (Shahagjiq 2006:25).
Sidoqoftë, tema që duhet të merret vërtet në konsideratë, duke patur parasysh idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, janë shoqëritë brenda këtyre kufijve. Sipas idesë [L3] së paraqitur në rastin e Kosovës, territoret që duhet të shkëmbehen janë ato ku shumica e popullsisë janë serbë dhe kosovarë, që nënkupton se shtetet e reja do të jenë më homogjene në aspektin etnik. Rreziqet e tendencave për të krijuar shtete monoetnike në këtë rajon kurrë nuk duhen shpërfillur.
Brenda kufijve, përtej përkatësisë
“Kushtetuta nuk përfshin përkufizim të Bosnje e Hercegovinës” (Markoviq 2009:68), por e përshkruan si shtet demokratik me strukturë të brendshme të modifikuar dhe shtet dhe vazhdimësi ligjore. Përkufizimi i Bosnje e Hercegovinës si shtet duhet të shihet nga dy kënde: nga jashtë, është një shtet i vetëm dhe nga brenda, është kompleks (Ademoviq 2012:101). Diskutimet për cilësimin e përbërjes së tij si shtet ende vijojnë (shtet unitar, shtet i decentralizuar, konfederatë, federatë), por kufijtë dhe demarkacionet ndëretnike mbeten të palëkundura. Edhe pse është e mundur të dëgjosh interpretime të ndryshme se kush ka qenë në fillim, entiteti apo shteti, ne ri-ekzaminojmë veten në lidhje me atë se kujt i përkasim – kufirit të trashë apo kufirit të hollë? Deri në ç’masë varet stabiliteti i kufijve nga këndvështrimet sociale të përkatësisë ndaj tyre, pra, a do të ishim vërtet të gatshëm të lejojmë rivizatimin e kufijve? Nëse vija e trashë në rastin e Bosnje e Hercegovinës nuk mbahet nga identiteti kombëtar (jo nacionalist!), atëherë ajo përkufizohet/konfirmohet nga marrëveshja për paqe. Pyetja ime, si përgjigje ndaj të gjitha shkaqeve dhe efekteve të lidhjeve mes Serbisë, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës do të ishte: a mund ta bëjmë më mirë (ndryshe)?
“Pothuajse gjithkund, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të konceptohet ‘përkatësia’ individuale dhe kolektive – marrëdhëniet midis qytetarëve janë bërë kontraverse.” (Muller 2010:15). A ka ndonjë drejtim të ndryshëm kur është fjala për përmirësimin e shteteve ku jetojmë, që nuk mbështetet tek ndarja? Koncepti i patriotizmit kushtetues, që gjithashtu propozohet si formë e përkatësisë në shoqëri thellësisht të përçara të pasluftës, “mund të jetë me rëndësi për të sjellë sistem demokratik në shoqëri ku ka gjithnjë e më shumë dallime mes popullsisë që përpiqen të sigurojnë ndonjë lloj të ‘minimumit qytetar’ për të përcaktuar bashkëekzistencën e tyre” (Muller 2010:11). Duke patur parasysh të gjitha ndasitë që mbeten, ende jemi në kërkim të asaj që është ‘e jona’. Brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht.
Burimet e përdorura në punimin Hartëzimi i përkatësisë