Numri i botimit 24
Balkan.Perspectives #24
Rruga drejt pajtimit: Ballafaqimi me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor
Ky botim i revistës Balkan.Perspectives shqyrton një fushë të gjerë dhe të larmishme: pajtimin përmes përkujtimit të ngjarjeve të kaluara që lanë një gjurmë të përjetshme në shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ballafaqimi me trashëgiminë e luftës dhe konfliktit është dëshmuar të jetë një pikë e vështirë për diskutim produktiv dhe gjetje të së vërtetës. Luftërat ballkanike të viteve 1990 lanë plagë të thella, me krimet e luftës dhe spastrimin etnik që njollosin kujtesën kolektive të rajonit. Trajtimi i këtyre ankesave historike është vendimtar për rrugën drejt pajtimit. Përpjekje të tilla si Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) kanë luajtur një rol kryesor në kërkimin e drejtësisë. Megjithatë, këto përpjekje shpesh përballen me rezistencë nga fraksionet nacionaliste dhe një popullsi që heziton t’i ripërjetojë kujtimet e dhimbshme. Iniciativat lokale që synojnë nxitjen e dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet grupeve të ndryshme etnike kanë treguar progres. Lëvizjet dhe OJQ-të punojnë pa u lodhur për t’i kapërcyer ndarjet, por ka mungesë të vullnetit politik.
Për këtë botim të Balkan.Perspectives, Mirishahe Syla shkruan që “Ne thoshim, ‘Ishim me fat që ishim fëmijë gjatë luftës’, një ndjenjë e përbashkët mes nesh motrave, tani të rritura, gjersa reflektojmë mbi panatyrshmërinë dhe mizorinë e luftërave. Është një pasqyrë e ashpër e formës më të shëmtuar që mund të marrë fuqia njerëzore.”
Ky citim na shërben si një kujtesë e fuqishme se Lufta dhe pasojat e saj janë pjesë e pashmangshme e jetës, duke ndikuar më vonë në moshën madhore. Duke reflektuar si e rritur, ajo kupton ndikimin e thellë psikologjik të luftës dhe pranimin e dhimbshëm se trauma e luftës zgjat shumë pasi luftimet të ndalojnë. Naum Trajanovski shkroi edhe për krizën e refugjatëve në Kosovë gjatë vitit 1999 në Republikën e Maqedonisë së atëhershme dhe efektin e përhapjes (spillover). Rreth një çerek milionë shqiptarë të Kosovës ikën në Maqedoni për shkak të represionit jugosllav dhe bombardimeve të NATO-s. Kjo krizë e refugjatëve e tensionoi balancën dhe sigurinë ndëretnike të Maqedonisë, veçanërisht pas tërheqjes së forcës paqeruajtëse UNPREDEP, e cila kishte promovuar besimin social dhe shoqërinë civile. Merima Ražanica nga ana tjetër, shkroi për praktikat memoriale që luajnë një rol vendimtar në shoqëritë pas konfliktit, duke reflektuar mbi ballafaqimin e tyre me të kaluarën e kohës së luftës dhe formësimin e identiteteve të së ardhmes. Rrethimi i Sarajevës, rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në luftën moderne, pati viktima të konsiderueshme civile dhe përkujtimi i tij zbulon dinamikën socio-politike dhe përpjekjet për ndërtimin e identitetit. Hikmet Karçiq reflekton mbi Rezolutën e propozuar të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin e Srebrenicës, e planifikuar për miratim në mes të majit, gjë që nënkupton një hap të rëndësishëm në njohjen dhe përkujtimin e kësaj ngjarje tragjike. Megjithëse rezolutës i mungojnë pasojat e drejtpërdrejta ligjore, ajo ka një rëndësi simbolike duke njohur gjenocidin dhe duke theksuar angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për përkujtimin e viktimave. Dejan Iliç nga Serbia jep perspektivën e tij për “çështjen e pazgjidhur të Kosovës” nga viti 1990 deri në vitin 2024, duke theksuar një mohim të vazhdueshëm të fakteve dhe një fiksim mbi një “regjim autoritar”. Ai i diskuton ngjarjet kryesore si Marrëveshja e Kumanovës, Plani i Ahtisaarit, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe marrëveshjet e ndryshme me Kosovën, duke theksuar refuzimin e Serbisë për t’i pranuar këto zhvillime. Jelena Lonçar e shikon Marrëveshjen e Kumanovës në bazë të reformave institucionale dhe udhëzimeve për bashkëjetesë në Kosovë pas marrëveshjes, duke çuar në tensione të vazhdueshme dhe çështje të pazgjidhura. Ajo kritikon promovimin e narrativave nacionaliste nga autoritetet si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, të cilat ajo beson se i përjetësojnë ndarjet dhe parandalojnë pajtimin kuptimplotë. Agon Maliqi ofron një analizë të thellë për sfidat kundrejt përpjekjeve për ndërtimin e paqes pas konflikteve si ai në Kosovë. Ai tërheq paralele midis përvojave të tij në Ballkan dhe vëzhgimeve nga rajone të tjera konflikti, duke theksuar temat e përbashkëta të identitetit kolektiv, ankesat historike dhe kornizat e jashtme të sigurisë. Raporti i Alban Bokshit mbi ringjalljen e etno-nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor ofron një analizë gjithëpërfshirëse të sfidave të paraqitura nga narrativat historike në vazhdimësinë e konfliktit dhe ndarjes në rajon. Duke u mbështetur në njohuri nga filozofia dhe teoria politike, Bokshi thellohet në kompleksitetin e kujtesës kolektive, formimit të identitetit dhe manipulimit të historisë nga liderët politikë.
Gjithashtu e kemi edhe një seri të re të podkasteve Balkan.Perspectives për ju. Si zakonisht, ju mund t’i dëgjoni dhe shkarkoni podkastet përmes faqes sonë të internetit www.dwp-balkan.org ose nëpërmjet shërbimit tuaj të preferuar të transmetimit si Spotify, Google Podcast ose Apple Podcast. Ne dëshirojmë t’i falënderojmë partnerët tanë, ekipin e produksionit dhe të ftuarit tanë që kontribuan në podkaste. Në Bosnje dhe Hercegovinë, falenderojmë me Nihad Kreševljaković edhe tačno.net. Në Kosovë falenderojmë me Serbeze Haxhiaj edhe Alban Bokshi. Në Maqedoninë e Veriut, falenderojmë Radio MOF dhe David Geere. Në Serbi falenderojmë me Dragan Popoviq edhe Liceulice FM – Radio Aparat. Për këtë botim të revistës, ne me kënaqësi lansojmë podkastin tonë rajonal, të përgatitur nga RadioMOF në Maqedoninë e Veriut me folës të ftuar si Naum Trajanovski, Lejla Gačanica dhe Sofija Todorovič.
Ekipi redaktues i Balkan.Perspectives ju uron një përvojë të këndshme leximi dhe dëgjimi.
Në emër të ekipit redaktues Balkan.Perspectives.
Martin Filipovski
Kryeredaktor
Impressum 24 – 07/2024
Kryeredaktor: Martin Filipovski
Ekipi redaktues: Martin Filipovski, Vera Ruljič, Alexander Vojvovda, Zlatan Hajlovac
Autorë: Mirishahe Syla, Naum Trajanovski, Dejan Iliç, Jelena Lonçar, Agon Maliqi, Alban Bokshi, Merima Ražanica, Hikmet Karçiq
Podcast: Bosnje dhe Hercegovinë: Nihad Kreshevljakoviq për tačno.net, Kosovë: Alban Bokshi për forumZFD Kosovo, Maqedonia e Veriut: Radio MOF edhe David Geere, Serbia: Dragan Popoviq për Liceulice FM në Radio Aparat
Dizajni (Kopertina): Envinion
Përkthimi: PLC Lingua (Shqip), Luna Gjorgjeviq (BHCS), Martina Kimovska (Maqedone)
Lekturimi: PLC Lingua (Shqip/Anglisht), Zinaida Lakić (BHCS), Zanet Ristoska (Maqedonisht)