A do të takohen ndonjëherë Dara nga Jasenovaci dhe Aida nga Srebrenica?

“Shpresoj që filmat si Quo Vadis, Aida?, Dara nga Jasenovaci dhe filma tjerë të ngjashëm do të kontribuojnë në zhvillimin e kulturës së përkujtimit në Ballkan, respektimit të viktimave dhe pajtimit rajonal”, kishte deklaruar Jelena Trivan, kryetare e Bordit të Qendrës së Filmit të Serbisë, tre vjet më parë kur ishte publikuar lajmi se Quo Vadis, Aida? u përfshi në listën e ngushtë për çmimin Oskar për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar.

Edhe pse filmi kandidat i Bosnjë-Hercegovinës nuk e fitoi Oskarin, ai mori ekuivalentin evropian të këtij çmimi, duke u vlerësuar si filmi më i mirë nga Akademia Evropiane e Filmit. Ndërsa industria e filmit boshnjak ka vazhduar të ndjekë standardin e vendosur nga fitimi i çmimit të Oskarit të parë (dhe Oskari i parë në ish-Jugosllavi, përveç filmit të animuar të Dušana Vukotić-it, Surogat); Serbia, në anën tjetër, nuk ka arritur të sigurojë as nominim për këtë çmim për më shumë se një dekadë e gjysmë.

Megjithëse fitimi ose humbja e çmimeve nuk është shqetësimi kryesor në këtë diskutim – “Kontributi i filmit në proceset e ballafaqimit me të kaluarën”, në shembullin e sipërpërmendur kjo temë bëhet e rëndësishme, veçanërisht sepse deklarata erdhi nga një zyrtare e emëruar politikisht që mbikëqyr një institucion shtetëror të madh të filmit i cili nxjerr në pah një formë “të garës” që ka kaluar nga politika në kulturë. Kjo garë përfshin përcaktimin se kush vuajti më shumë në luftërat që u zhvilluan në Jugosllavi, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri në kohët e fundit. Me këtë logjikë lind pyetja se kush janë kriminelët, si dhe kush dhe në çfarë mënyre merret me ta, qoftë edhe përmes filmit. Sepse përballja me të kaluarën do të thotë para së gjithash, dhe ndoshta vetëm, përballje me gabimet personale.

Në këtë kontekst, këtu do të flasim në mënyrë të veçantë për tre filma të prodhuar pas rënies së Jugosllavisë në tre vende të sapoformuara. Filmat e prodhuar në Jugosllavi me temën e përmendur, për Luftën e Dytë Botërore (p.sh. veprat e Lordan Zafranović-it) nuk do të diskutohen këtu, pasi trajtojnë temën e së keqes në një mënyrë universale dhe identifikojnë qartë keqbërësit. Në anën tjetër, filmat nga vendet e lindura nga shpërbërja e Jugosllavisë shpesh përdorin tema të së keqes dhe krimit për të ndërtuar identitete etnike të secilit prej këtyre vendeve. Një arsye për përparimin e ngadaltë dhe të pjesshëm në përballjen me të kaluarën është se pas identiteteve kombëtare gjinden keqbërës me emër e mbiemër- njerëz që kanë kryer krime (gjoja) në emër të kombeve të veçanta.

Përveç filmit Quo Vadis, Aida?, i cili nuk mund të përdoret për të ilustruar idenë se, në ballafaqimin me të kaluarën, autorët duhet të merren me krimet dhe kriminelët e shoqërive të tyre, duhet përmendur edhe filmi “Dobra žena” (Gruaja e mirë) i prodhuar në Serbi dhe “Dnevnik Diane Budisavljević” (Ditari i Diana Budisavljević) nga Kroacia. Ndonëse formalisht të ndryshëm, të tre filmat shfaqin protagoniste femra, të tre u bënë me regji të grave dhe që të tre bazohen në ngjarje historike, qoftë nga periudha më të vjetra ose më të reja. “Dobra žena” (Gruaja e mirë), debutimi regjisorial i aktores Mirjana Karanović, e cila luan edhe personazhin e titullit, flet për një grua që jeton në një martesë të lumtur me një bashkëshort që kishte marr pjesë në fushë beteja në ish-Jugosllavi. Lumturia e familjes mbetet e patrazuar nga e kaluara e tij; e kaluara sfidohet vetëm nga vajza e tyre rebele, një artiste, puna e së cilës shpërfaq hapur angazhimin shoqëror. Megjithatë, zbulimi aksidental i një videoje të VHS që dëshmon likuidimin brutal të të burgosurve të luftës – civilëve (një referencë e qartë për krimin e kryer nga famëkeqit Scorpions në Bosnje), e fshehur pa kujdes në shtëpi, përkon në të njëjtën kohë me zbulimin e personazhit kryesor se ajo vuan nga kanceri. Sëmundja e saj bëhet një rrugëtim për t’u përballur edhe me të kaluarën e saj personale, familjare dhe kombëtare, duke përfshirë edhe krimet e kryera në emër të Serbisë gjatë viteve 1990. Ky ballafaqim me të kaluarën përfundimisht çon në shërimin e saj, duke simbolizuar kështu shërimin e mundshëm të shoqërisë serbe.

Mirjana Karanović gjithashtu luan edhe në filmin Dnevnik Diane Budisavljević (Ditari i Diana Budisavljević), me regji të Dana Budisavljević, i cili rrëfen historinë e një humaniste e cila kishte shpëtuar shumë fëmijë serbë nga kampet e përqendrimit të ustashëve. Filmi gërsheton dramatizime bardh e zi, si një triler i vërtetë, të përvojave të Dianës, një gruaje e cila kupton me tmerr se çfarë po ndodhte në të vërtetë në Shtetin e Pavarur të Kroacisë dhe e cila bën gjithçka që mundet për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet; krahas dëshmive të dokumentuara nga fëmijët e mbijetuar, tani të moshuar, si dhe përmes pamjeve filmike rrëqethëse të fëmijëve në kampe. Rolin kryesor e luan në mënyrë të përsosur aktorja kroate Alma Prica. Ky film, i mbështetur me dokumente, por edhe nga kërkimi i së vërtetës nga një kënd neutral, tregon në mënyrën më të mirë se si mund të flitet për një temë të vështirë me delikatesë dhe në të njëjtën kohë të ngrit pikëpyetje të dhimbshme për shoqërinë bashkëkohore kroate. Edhe pse disi jashtë asaj që do të konsiderohej rryma kryesore kinematografike, ai fitoi çmimin kryesor vendas, Arena e Artë në Pula. Vetë autorja ka dhënë intervista në të cilat kishte deklaruar se ishte mirë që të rinjtë në Kroaci të dinin se çfarë kishte ndodhur në shtetin e pavarur të Kroacisë dhe filmi që atëherë është përfshirë në kurrikulën shkollore kroate.

Përpara Aidës, regjisorja boshnjake Jasmila Žbanić kishte incizuar filmin Grbavica, një film për një grua e cila kishte mbetur shtatzënë nga përdhunimi gjatë luftës dhe më pas kishte lindur një vajzë. Mirjana Karanović luajti rolin kryesor edhe në këtë film. Filmi fitoi Ariun e Artë në Berlin në vitin 2006 dhe u shfaq në FEST në Beograd si pjesë e programit kryesor në teatrin Sava Center. Žbanić, u ngrit në skenë pas shfaqjes dhe përkundër disa brohoritjeve fyese u përcoll me një duartrokitje të madhe. Në anën tjetër, Quo Vadis, Aida?, film i cili fletpër gjenocidin e Srebrenicës, edhe pesëmbëdhjetë vjet më vonë në një klimë krejtësisht të ndryshme socio-politike, nuk është shfaqur në asnjë festival të madh filmi në Serbi dhe nuk ka gjasa të transmetohet në televizionin shtetëror serb. Ndërkohë, Dara iz Jasenovca (Dara nga Jasenovaci) i Predraga Antonijević, një film i cili flet për vuajtjet e serbëve në një kamp ustashësh, u transmetua në kohën kryesore në RTS, duke anashkaluar protokollet e zakonshme për filmat e financuar nga Qendra Serbe e Filmit, ku kërkohet që filmat fillimisht duhet të shfaqen si premierë në kinema. Ky nxitim sugjeron një përpjekje për t’i dhënë përparësi viktimave serbe mbi të tjerët, veçanërisht viktimave boshnjake të forcave serbe në vitet 1990. Megjithatë, aktorët serbë mbrojtën dinjitetin e kombit në këtë garë të pahijshme – jo për çmimet Oskar apo meritat artistike, por për paraqitjen e vuajtjeve “tona” në një garë se vuajtja e kujt ishte më e keqe (lloji më i keq i estetizimit banal të dhunës). Jasna Đuričić portretizoi rolin kryesor në Quo Vadis, Aida?, dhe bashkëshorti i saj, aktori Boris Isaković, përshkroi me mjeshtëri karakterin e Ratko Mladić-it. Fakti që një kriminel lufte që kreu krime lufte kundër boshnjakëve, në emër të Serbisë, u portretizua nga një aktor nga Serbia, diçka që në fillim mund të duket e parëndësishme për këtë temë dhe interpretimin e saj, mund të jetë me rëndësi vendimtare për shikuesit serbë. Paraqitje të tilla kinematografike-biografike të jetës reale kanë një efekt të fuqishëm te audienca dhe mund të ndihmojnë në trajtimin e traumës së Srebrenicës, rreth së cilës ende mungon konsensusi në Serbi dhe shumica e qytetarëve as që e dinë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Apo ndoshta të gjithë e dinë? Sido që të jetë, mundësia e përfshirjes së këtij filmi në kurrikulën shkollore të Serbisë, në mënyrën se si Dnevnik Diane Budisavljević (Ditari i Diana Budisavljević) u përfshi në Kroaci, ka të ngjarë të ngjallte zemërim të gjerë nacionalist.

Boris Isaković dhe Jasna Đuričić shfaqen gjithashtu në filmin Dobra žena (Gruaja e mirë), me Isakoviç-in si kriminel lufte dhe Đuričić-in si gruan e një anëtari tjetër paraushtarak, i cili është lidhja më e dobët në mbajtjen e një sekreti të tmerrshëm nga lufta dhe si rrjedhojë një objektiv për kërcënime dhe ngacmime, dhe më vonë vrasje.

Një shembull tjetër i ballafaqimit me të kaluarën është filmi kroat Svjedoci (Dëshmitarët), me regji të Vinko Brešan, për ushtarët kroatë që kryejnë krime kundër civilëve serbë gjatë viteve 1990, të hetuar në një stil të trilerit nga një gazetare e guximshme e portretizuar nga Alma Prica. Edhe në këtë film luan Mirjana Karanović duke portretizuar nënën e ushtarëve kroatë e cila është e gatshme të mbulojë krimin e tyre me çdo kusht (të tmerrshëm). Duhet ta përmendim edhe filmin Teret (Ngarkesa)të regjisorit serb Ognjen Glavonić, i cili trajton krimet serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Rolin kryesor në këtë film e luan aktori kroat Leon Luçev, i cili ishte pjesë e kastit edhe në disa filma të tjerë të përmendur në këtë shkrim. Pra, tani mund të flasim për një grup kineastësh dhe aktorësh të shquar jugosllavë, aftësia dhe guximi i të cilëve në aktrim i kanë nxjerrë në dritë të gjitha këto tema.

Edhe nëse disa nga këta filma nuk janë parë gjerësisht, nuk patën mundësinë të transmetoheshin në frekuencat kombëtare, ose censuroheshin dhe anashkaloheshin në mënyra të tjera, ata u realizuan dhe vazhdojnë të ekzistojnë. Ata prej nesh që ndiejnë nevojën për të bërë pyetje dhe për të kërkuar përgjigje, mund ta bëjnë këtë, të frymëzuar nga ky lloj i kinematografisë. Në këtë mënyrë, të paktën individët, nëse jo shoqëria në tërësi, mund të përpiqen të gjejnë një rrugë drejt së vërtetës, dhe rrjedhimisht drejt drejtësisë. Përndryshe, metastazat (që është edhe titulli i një filmi bashkëkohor kroat) që po përhapen gjithnjë e më shumë, do të konsumojnë mbetjet e fundit të shoqërive tona të mbushura me sëmundje, pa ndërgjegje.

Ivana Matijević (Beograd, 1973) është redaktore e kulturës në edicionin e shtypur të gazetës së përditshme Danas. Ka diplomuar për letërsi dhe gjuhë serbe për letërsi të përgjithshme në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit, ku ka mbrojtur edhe temën e magjistraturës. Ajo ka përfunduar programin e Studimeve i Fetare në Rrjetin Arsimor Akademik Alternativ. Ajo ka bashkëpunuar dhe ka shkruar për edicionin serb të revistës Elle, revistën e letrare të komunës së Vršac-it – Kovine, gazetën teatrore Ludus, Forum ZFD, e të tjera. Ajo redakton shtojcën e librit në edicionin e fundjavës të Danas, si dhe shtojca dhe rubrika të shumta kushtuar ngjarjeve kulturore dhe artistike.