Ecja nga e kaluara është veҫ se një cikël i përsëritur

Fotografia e kopertinës: Luca Tesei Li Bassi / forumZFD

Për një monitoruese të proceseve gjyqësore, dita e 15 shtatorit të vitit 2023 dukej si një ditë krejtësisht e zakonshme pune derisa po përgatitesha të nisesha nga shtëpia për të raportuar mbi seancat gjyqësore. Megjithatë, atë ditë, kuptova se e kaluara kurrë nuk është me të vërtetë prapa nesh. Ajo gjen mënyra për t’u rishfaqur, duke riformësuar kuptimin tonë për historinë dhe për përjetimet tona, duke nxitur dëshira të reja në kërkim të së vërtetës personale dhe kolektive. 

Teksa po orientohesha nëpër korridoret e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe u gjenda në bankat e sallës së gjyqit, pata rastin t’i shihja nga afër detajet e rastit që po shpalosej para meje. Në ato momente bëra një zbulim rrënqethës: rasti për të cilin po raportoja për BIRN-in kishte të bënte me ngjarjet që kishin ndodhur pikërisht në ditën kur unë dhe familja ime u larguam nga Kosova njëzet e pesë vjet më parë, pikërisht në fshatin që kishim lënë pas. Shkrimi i atij artikulli më ktheu në fëmijërinë time – një refugjate përkrah nënës dhe vëllait tim, të frikësuar në çdo hap që hidhnim.

Papritmas u bë e vështirë të ndaja punën time si monitoruese nga refugjatja brenda meje. Aktakuza nxirrte në pah detaje të brutalitetit që pasqyronin frikën që kisha përjetuar pa e ditur si fëmijë – vrasje, rrahje dhe trajtim çnjerëzor të civilëve.

Isha vetëm katër vjeçare kur u larguam nga Saradrani i Istogut dhe shkuam në Tiranë, të ngjeshur në një traktor të stërmbushur me anëtarët e tjerë të familjes së nënës sime. I kishim paketuar gjërat tona me nxitim nën frikën që na kishte mbuluar si një lëkurë e dytë. Kujtimi i asaj dite është një copëz imazhesh të fragmentuara të nxjerra si nga kujtimet e mia ashtu edhe nga historitë që më treguan kur u rrita: kaosi, sirenat, fytyrat e të huajve, të gjithë duke ikur nga një tmerr i paimagjinueshëm që nuk mund ta kuptoja në atë kohë por që mund të ndihej gjithandej rreth meje.

Saradran-Istog. Foto: Donjeta Rexhbogaj / forumZFD

Nëna ime tregonte shpesh historitë e largimit tonë, të cilat dukeshin si një jehonë e një historie të përbashkët. Ajo fliste për netët e 7 dhe 8 majit të vitit 1999, kur ishim mbledhur në një fushë, të strukur së bashku, ndërsa frika na mbështillej si një batanije e ftohtë. Teksa përpiqej të flinte nën qiellin e hapur bashkë me dy fëmijët e saj, britmat dhe lëvizjet e policisë serbe e kishin zgjuar atë me nxitim. Ato net të kaluara në një traktor në një fushë të hapur ishin të mbushura nga gjëmat e largëta të armëve – një simfoni shqetësuese që i kishte pushtuar ëndrrat e saj. Ajo shpesh i përshkruante ato dy net si më të tmerrshmet të jetës së saj.

Gjetëm sigurinë në Tiranë, të ndryshuar përgjithmonë nga dhuna që kishim shpëtuar. Largimi ynë nga fshati ishte vetëm një udhëtim i vështirë mes një fushate më të gjerë të spastrimit etnik. Tani e kuptoj se, si fëmijë, isha e mbrojtur nga pesha e plotë e asaj që ndodhte në të vërtet.

Derisa po kalonim në mes të atij kaosi, nëna ime më tregonte për përballjet tona me policët dhe paraushtarakët serbë të cilët ishin të dehur, me fytyrat e tyre të shtrembëruara nga agresiviteti teksa na kërkonin para nën kërcënimin e armëve të drejtuara drejtë nesh. Jam rritur duke dëgjuar historitë e saj, duke përfshirë edhe atë se si xhaxhai im kishte ardhur nga Gjermania me pasaporta të gatshme, me dëshirën për të na dërguar në një vend të sigurt. “Çdo ditë ishte një betejë”, thoshte ajo, duke kujtuar gjashtë javët që kaluam në Tiranë pa asnjë informacion për babain tim, të cilin ajo u detyrua ta linte në Pejë me familjen e tij.

Çuditërisht, nëna ime refuzoi të shkonte në Gjermani, e frenuar nga frika dhe pasiguria për babain tim, për të cilin nuk dinim nëse ishte gjallë apo jo. Ky vendim i saj më ka shtyrë të hamendësoj me vite të tëra, veçanërisht kur përballesha me zhgënjimin që ndërlidhej me vështirësitë ekonomike, sociale dhe politike të Kosovës. I drejtohesha shpesh asaj, duke vajtuar për vendimin e saj, sepse po të kishte pranuar ofertën e xhaxhait tim, do të kishim qenë në Gjermani duke bërë një jetë më të mirë. Ajo do të ma kujtonte me butësi: “kur të rritesh, do ta kuptosh.”

Tani, teksa reflektoj mbi ato momente, e shoh thellësinë e dashurisë dhe sakrificës së nënës sime mes atij kaosi. Nuk kishte gjithçka të bënte vetëm me sigurinë; kishte të bënte me përpjekjen për ta mbajtur familjen tonë të bashkuar, madje edhe kur bota rreth nesh po shpërbëhej. Ato rrëfime u bënë pjesë e pa ndashme e identitetit tim, duke formësuar kuptimin tim për humbjen dhe qëndrueshmërinë dhe duke më mësuar se mbijetesa shpesh vjen me një kosto të thellë emocionale.

Kur u kthyem në Kosovë, e gjetëm babanë tim dhe të afërmit e tij të gjallë dhe të sigurt. Shumë të tjerë nuk ishin aq me fat. Shumë u vranë ose u masakruan, ndërsa shumë tjerë kishin anëtarë të familjes të zhdukur me forcë, duke i lënë ata të përhumbur përgjithmonë nga krimet e tmerrshme.

Puna ime në fushën e drejtësisë më ka përballur me raste nga më të ndryshme gjyqësore, por ky ishte një rast më ndryshe. Ky rast e gërshetoi me forcë historinë time me ato të të tjerëve të panumërt të prekur nga lufta. Në muajt në vijim, ndërsa procesi zhvillohej, dëgjova me vëmendje dëshmitë e dëshmitarëve, ku çdo histori shpërfaqej si një kapitull i një romani tragjik. Mund të shihja fytyrat e atyre që kishin humbur të dashurit, me sytë e tyre që vezullonin nga lotët.

Mes tyre ishte një 86-vjeçar, i cili kishte humbur tre djem dhe dy anëtarë tjerë të familjes në ditën për të cilën i pandehuri akuzohej nga gjykata. Me gjithë humbjen dhe vuajtjen e tij të pamasë, ai, me një ngulmim të mprehtë, mori forcën për t’u përballur me të akuzuarin, duke kërkuar përgjigje për pyetjet që e kishin përndjekur prej vitesh: “Dua të di se kush i vrau tre djemtë e mi. Nëse nuk e ke bërë ti, ju duhet ta dini se kush e ka bërë.”

Varrezat ku gjenden eshtrat e tre djemve të familjes Elshani. Foto: Donjeta Rexhbogaj / forumZFD

Në mes të këtij ankthi, më bëri përshtypje që salla e gjyqit dukej si një udhëkryq i shpresës dhe i pikëllimit – një vend ku pesha e historisë përplasej me dëshirën për drejtësi. Ishte gjithashtu vend i një udhëkryqi tjetër: takimi në qark të plotë në mes të meje – tashmë të rritur dhe vetes time si një katërvjeçare, përballë një njeriu të akuzuar për krime të kryera në ditën dhe në vendin ku u bëra refugjate. Në atë moment kuptova peshën e asaj që po ndodhte rreth meje dhe zbulova një dëshirë të fshehtë, por të thellë brenda meje për t’u siguruar që historia të njihet dhe të mbahet mend.

Vendimi i gjykatës u mor në korrik të vitit 2024: 12 vjet burg për të pandehurin. Duke vështruar fytyrat që vështirë se shiheshin në transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës gjyqësore, pashë zhgënjimin që mbizotëronte në sallë. Pesha e atyre viteve dukej e pamjaftueshme në krahasim me përmasat e tragjedive që i kishin paraprirë. Megjithatë, mes emocioneve kontradiktore, kuptova se ky vendim ishte gjithashtu një fillim – një njohje e rëndësishme e gabimeve të bëra. Ishte një hap, sado i vogël, që shënoi një ndryshim në narrativë: një deklaratë publike se këto krime kishin ndodhur, se historitë e viktimave kishin rëndësi dhe se historitë tona mund të vazhdonin.

Në shtator të këtij viti, doli një aktakuzë e re për krimet e kryera në zonën e Istogut, duke nxjerrë në dritë persona të tjerë të përfshirë në këto mizori. Kjo përfshinte një vëmendje të veçantë mbi ngjarjet që ndodhën midis 7 dhe 9 majit të vitit 1999, duke ndërthurur më tej traktorin ku flinim nëna ime, vëllai im dhe unë me fijet e dhimbjes dhe humbjes të cilat përndjekin shumë njerëz.

Ky pasqyrim i historive më bëri të kuptoj se drejtësia nuk është vetëm një rezultat apo zgjidhje ligjore; është një njohje e dhimbjes dhe vuajtjes, një hap vendimtar drejt shërimit për individët dhe komunitetet njësoj. Ajo mbart me vete peshën e historisë – një psherëtimë kolektive lehtësimi e ngatërruar me jehonat e vazhdueshme të traumës. Nëpërmjet tregimit dhe kujtimit, ne mund të nderojmë ata që vuajtën dhe vazhdojnë të shtyjnë tutje trashëgiminë e tyre. Duke vepruar kështu, ne garantojmë që historitë e tyre të tregohen, betejat e tyre të njihen dhe sakrificat e tyre të mos harrohen kurrë. Dhe kur harrojmë, duhet të jemi mirënjohës për shenjat nga universi që na ri zgjojnë drejt kësaj të vërtete, siç ndodhi me mua në një ditë në dukje krejtësisht të zakonshme të shtatorit.

Storja origjinale është shkruar në gjuhën angleze.

Donjeta Rexhbogaj është e diplomuar në drejtësi dhe ka pasion për drejtësinë tranzicionale. Ajo ka hulumtuar për drejtësinë e pasluftës në Kosovë në Universitetin e Grazit dhe ka punuar në zyrën ligjore të BIRN në Kosovë. Donjetës i pëlqen të shkruajë për të drejtat e njeriut, pajtimin dhe ballafaqimin me të kaluarën.