Midis emancipimit dhe propagandës, në kushte mbijetese.
Maji i vitit 2025 shënoi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botnore (LDB), por në Kosovë ky përvjetor kaloi pa ndonji përkujtim të veçantë. Në përgjithësi LDB nuk zë vend domethanës në kujtesën e shoqnisë në Kosovë, e kjo shihet edhe në neglizhimin e në pak raste edhe rrënimin e memorialeve dhe monumenteve të ndërtume gjatë socializmit.
Nji nga arsyet për këtë moskujtesë asht për shkak se vëmendje të madhe zë lufta e fundit 1998-1999, por edhe për arsyen se përfundimin e LDB në nandor 1944, shumica e popullatës shqiptare në Kosovë nuk e përjetoi si çlirim të vërtetë.
Megjithatë, diskutimi për LDB nuk është krejt i munguem.
Përtej qarqeve akademike, Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Kosovës (OVLANÇ), çdo vit organizon tubime lidhun me luftën antifashiste. Aktivitetet e kësaj organizate jo-qeveritare nuk marrin ndonjë vëmendje të madhe mediatike por informatat për to janë të qasshme në faqen e Facebook-ut të organizatës, të cilën e udhëheq Lekë Hoxha, i biri i Fadil Hoxhës (1916-2001) – partizan dhe figurë kyçe politike në Kosovë pas LDB, dhe Vahide Hoxhës – figurë e randësishme e Frontit Antifashist të Grave të Kosovës, e ma vonë edhe mësimdhanëse në shkollën normale në Prishtinë. Organizimi i sivjemë i OVLANÇ-së ishte tubimi në fund të tetorit në Prishtinë me temën “Kontributi dhe emancipimi i gruas në Kosovë që nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
Edhe pse ngjarje të vogla si kjo i rikthejnë rrëfimet për gratë në vëmendje, ato nuk e ndryshojnë faktin se në narrativat dominante të historiografisë shqiptare përpjekjet e grave për liri kombëtare e gjinore, edhe kur janë të pranishme, nuk trajtohen përmes kornizave teorike feministe. Nga këto rrëfime të randësishme të LDB-së e socializmit asht ai i Frontit Antifashist të Grave (FAG), apo në gjuhët sllave të Jugosllavisë, Antifašistički Front Žene-AFŽ, që doli nga LDB me premtimin për emancipim gjinor si pjesë e modernizimit të Jugosllavisë.
Në Kosovë, FAG-u u njoh kryesisht për aktivitetet e tyne pas LDB, veçanërisht për heqjen e mbulesës muslimane dhe mësimin e shkrim-leximit të popullatës, sidomos të grave. Këto fushata po ashtu përbajnë pothujse pjesën qendrore të shtypit të FAG-ut në Kosovë, që ishin Buletinët e revista “Agimi”. Roli dhe sfidat e FAG-ut në pas LDB nuk munden me u kuptu në vakum, sidomos nëse puna e tij shihet kundrejt realitetit politik e ekonomik të kohës në të cilin veproi. Nga kjo qasje del në pah nji dyzim, përkatësisht tensioni mes synimit të FAG-ut dhe mënyrës se si arritej ai synim. FAG-u si synim parësor kishte çlirimin dhe emancipimin e grave, por përbrenda shtypit të FAG-ut krijonte hapësirë edhe për avokim të politikave represive të pushtetit.
Mbase, kjo do të ketë qenë mënyra e vetme e luftës për emancipim, duke negociu me pushtetin – raste jo të rralla edhe në kontekste tjera historike e gjeografike.
Konteksti në të cilin u formësu e vepronte FAG-u
Në vitet që i paraprinë përfundimit të LDB-së, përpjekjet për definimin e statutit të Kosovës mbetën të papërmbushuna – si në Kuvendin e Mukjes, në gusht të vitit 1943, ku Balli Kombëtar kërkonte bashkimin e Kosovës me Shqipninë, ashtu dhe në Konferencën e Bujanit, në fund të dhjetorit 1943 e fillim të janarit 1944, ku delegatët komunistë shqiptarë të Kosovës kërkuen të drejtën për vetëvendosje.
Me përfundimin e luftës, Kosova mbeti si pjesë e Serbisë brenda kuadrit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).
Në Kosovë kishte formacione të ndryshme politike: ata që u bashkuan me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, si pjesë e luftës antifashiste, në koordinim me Partinë Komuniste të Shqipnisë dhe Partinë Komuniste të Jugosllavisë; dhe ato antikomuniste, të armatosuna, të cilat nuk e shihnin çlirimin në kornizën e përbashkët me Jugosllavinë, për shkak të shtypjes e kolonizimit të mahershëm gjatë Mbretnisë së Jugosllavisë.
Në skenë të kësaj periudhe në mesin e atyre që refuzonin rreshtimin me komunistë, shquhej Balli Kombëtar, me struktura në Shqipni dhe Kosovë, formacion që bashkëpunoi me Gjermaninë fashiste dhe që synonte bashkimin e Kosovës me Shqipninë. Ky bashkëpunim nuk ishte i lidhun mbi baza ideologjike, por me faktin që nuk e donin kthimin e Jugosllavisë. Siç e thotë historiani Oliver Jens Schmitt, në librin “Kosova: histori e shkurtë e një treve qëndrore ballkanike”, shqiptarët e pranuen ndihmën e Fuqive të Boshtit – Gjermanisë e Italisë – meqë ofronin mbrojtje dhe teknologji armatimi për me luftu kthimin e administratës serbe.
Dhuna nuk përfundoi me mbarimin e luftës, përkundrazi, ajo mori forma të reja brenda krijimit të rendit të ri politik të Jugosllavisë. Nga kjo periudhë ma së shumti kujtohet masakra e Tivarit. Në mars të vitit 1945, forcat jugosllave rekrutuen, kryesisht me dhunë, rreth 7.700 burra shqiptarë, të cilët i ndanë në tri konvoje dhe i nisën njeni pas tjetrit në nji rrugëtim vdekjeprurës drejt Malit të Zi, përmes veriut të Shqipnisë. Sipas historianit Uran Butka, më 31 mars 1945, vetëm në Tivar, forcat partizane masakruen 1.460 rekrutë shqiptarë. Vrasjet ndodhën edhe në vende të tjera, veçanërisht përgjatë rrugës për në Tivar.
Periudha tjetër famkeqe, ma e randa për shqiptarët gjatë Jugosllavisë socialiste ishte prej viteve 1945-1966, nën regjimin e Aleksandar Ranković – Ministrit të Punëve të Brendshme dhe udhëheqësit të Sigurimit Shtetror (Uprava državne bezbednosti, UDB). Gjatë kësaj kohe, shqiptarët përjetuen shtypje ekonomike, politike e dhunë, jo vetëm për shkak se shteti përpiqej me shu çdo lloj mbetje të rezistencës, e përdorun kjo edhe si pretekst për shtypje, por edhe për shkak të politikave që zbatoheshin dhunshëm. Historiania Miranda Vickers në librin “Between Serb and Albanian: A history of Kosovo” (në shqip: “Midis serbëve dhe shqiptarëve: një histori e Kosovës”) shkruen se duke u bazu në burime të ndryshme shqiptare, vlerësohet se nga viti 1944-1946, mes 36.000–47.000 shqiptarë ishin viktima të ekzekutimeve masive, sistematike nga komunistët. Ndërkaq, në vitin 1948 kur u mbyll kufini midis Jugosllavisë dhe Shqipnisë – pas prishjes së Josip Broz Titos, udhëheqësit të Jugosllavisë, me Joseph Stalinin, udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik (BRSS), për shkak se udhëheqësi i Shqipnisë, Enver Hoxha e mbështeti Stalinin – shtypja ndaj shqiptarëve të Kosovës u intensifiku e u zgjeru përmes spiunimeve të rrepta, marrjeve në pyetje, burgosjeve dhe dhunës.
Edhe ekonomikisht, Kosova ishte vend i varfun e i pazhvillum. Siç dëshmojnë të dhanat dhe analizat e ekonomistëve dhe demografëve, para luftës mbi 87% e shoqnisë merrej me bujqësi ekstraktive, nuk kishte fare rrugë të asfaltume, dhe vetëm 2.6% e familjeve ishin të kyçuna në rrjetin elektrik. Edhe pas luftës, kur Kosova u konsideru si e varfun dhe si e tillë në 1956 u përfshi në Fondin për kreditimi e krahinave të pazhvillume, gjendja ndryshoi ngadalë. Në këtë Fond, të gjitha njësitë federale kontribonin me rreth 1.8% të të ardhunave të sektorit shoqnor, dhe këto mjete shpërndaheshin pastaj në katër njësi të pazhvillume – Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë. Megjithatë, struktura e fondeve e thellonte varësinë ekonomike të Kosovës: deri në fillim të viteve ’70-a, mbi 80% e tyre shkonin në sektorë eksteritorial si energjetika, xehetaria, metalurgjia dhe industria kimike, ku përfitimet reale financiare nuk mbeteshin në Kosovë. Në vitin 1961, popullsia aktive bujqësore mbeti e naltë në 48.6% dhe në vitin 1965, rreth 1.000 fshatna, apo afërsisht 70% e territorit, ishin pa energji elektrike.
Në këtë kontekst represioni e dhune shtetnore, zhvilloi aktivitetin tutje Fronti Antifashist i Grave të Kosovës dhe Metohisë, siç fillimisht quhej, e ma vonë i njohun vetëm si Fronti Antifashist i Grave, FAG.
FAG-u ishte themelu më 1942 dhe fillimisht u angazhu në mobilizimin e grave në përkrahjen e luftës nacionalçlirimtare (LNÇ). Në kontekst të Jugosllavisë, konsiderohet që rreth 100,000 gra luftuen si partizane dhe rreth dy milionë morën pjesë në LNÇ në forma tjera. Në Kosovë, FAG-u vepronte në Prishtinë, Prizren, Gjakovë e Pejë dhe angazhonte gratë në mbledhjen e ndihmave për partizanët, shpërndarjen e materialit sanitar, strehimin e aktivistëve të LNÇ-së dhe bartjen e informatave për ta.
Pas luftës, prej vitit 1945, aktiviteti i FAG-ut në nivel të Jugosllavisë, u angazhu në përfshimjen e grave në jetën politike, mobilizimin për rindërtimin e vendit, përhapjen e arsimit dhe shkrim-leximit, si dhe nxitjen për hapjen e çerdheve për fëmijë, që iu dha mundësi grave me punu dhe me fitu pavarësi bazike ekonomike. FAG-u në Kosovë, si në vendet tjera të Jugosllavisë ku operonte, krijoi mekanzima si Sekretariati, përmes së cilit organizoheshin aktivitetet dhe i delegoheshin detyrat.
Njisoj si në tjerat vende, edhe FAG-u në Kosovë kishte shtypin e vet, Buletinin e revistën “Agimi”. Numri i parë i Buletinit doli në vitin 1946 në Prizren, me kryeredaktore Naxhije Begolli dhe bashkëpuntoret Vahide Hoxha, Vehbije Barbullushi-Ginali, Safete Nimani, Rahmije Dobroshi e Jovanka Ninković. Kjo konsiderohet të ketë qenë shtypi i parë për gra në gjuhën shqipe në periudhën e pas LDB në Kosovë. Shumë nga artikujt nuk kishin emra autorësh ose vetëm inicialet e autores/it. Më pas, në vitin 1949, nga Buletini, FAG-u filloi me revistën “Agimi”, kryeredaktore e së cilës ishte Vahide Hoxha.


Gratë që themeluen FAG-un në Kosovë, ishin të arsimume dhe vinin nga familje që inkurajonin shkollimin e vajzave. Ndër to ishte Vahide Hoxha, née Kabashi (1926-2013), e cila gjatë luftës kishte viju gjimnazin në Shkodër, e tek pas LDB kishte përfundu Fakultetin e Historisë. Gjyshi i saj kishte qenë deputet në Perandorinë Osmane, i ati kishte studiu në Selanik e Stamboll, ndërkaq hallat e saj kishin përfundu shkollat e mesme rüşdiye – shkolla sekulare si pjesë e modernizmit të reformave të Tanzimatit që nga mesi i shekullit XIX. Kjo trashëgimi arsimore, në osmanishte, ishte veçanërisht e randësishme meqë Perandoria Osmane nuk lejonte shkollimin në shqip.
Prandaj roli i FAG-u në çashtjen e arsimimit, bahet veçanërisht i randësishëm, duke qenë që jo vetëm që organizoi kurset e shkrim-leximit për popullatën, sidomos për gratë, por ato ishin edhe gjithpërfshirëse, duke i prekë edhe shtresat e varfuna dhe rajonet ma të thella rurale. Kurset e shkrim-leximit zhvilloheshin në lagje, fshatna e qytete dhe mësueset shkonin edhe në shtëpi të grave që t’u mësonin atyne shkrim-leximin. Kurset ndiqeshin edhe nga burra.


Për gratë që nuk dinin shkrim-lexim, FAG-u organizonte grupe leximi që të informoheshin me përmbajtjen e artikujve të Buletinit. Paralelisht me kurset e alfabetizimit zhvillohej edhe fushata për heqjen e mbulesës, ndërsa që të dyja ishin përpjekje e përfshimjes së vendit në projektin e modernitetit socialist. Përgjatë aktiviteteve tjera që organizonte, si kurset e rrobaqepësisë, amvisnisë, tjerrjes së leshit, kujdesit për fëmijë etj., FAG-u njikohësisht zhvillonte edhe biseda me gra edhe për aspekte të politikave të pushtetit të kohës.
Fushata për heqjen e mbulesës
Përpjekjet për modernizmin apo diskursi modernist gjinor që e shihte mbulesën islame si pengesë për çlirimin e grave, ishte formësu që në mes të shekullit XIX dhe Luftës së Parë Botnore (LPB). Që në vitet e ‘20-a, qeveritë e vendeve si Turqia, Irani, Afganistani, Azia Qendrore, Kaukazi e Ballkani, heqjen e mbulesës e kishin fillu si përpjekje për emancipim gjinor. Edhe në Jugosllavi, në këtë vijë, partia komuniste synonte me shkëputë gjithçka qe kishte të bante me trashëgiminë osmane dhe si të tillë e shihte edhe mbulesën islame.
Mbulesa, që në këtë periudhë ishte nji mbulesë që mbulonte flokët e fytyrën, përshkruhej si “mbeturinë” e së kaluemesnga praktikat religjioze të islamit që shiheshin si shtypëse. Por, jo të gjitha gratë muslimane në Kosovë bartnin mbulesën. Për shembull, në rrashfin e Dukagjinit, në perëndim të Kosovës, gratë bartnin veshjet e tyne popullore të zonës, të punueme nga lini e të cilat gratë i thurnin vetë me vek.
Mbulesa e grave në këtë periudhë përmendet me emra të ndryshëm – ferexhe, peçe, çarçaf, terlik, xharrë – terme që nuk janë vetëm nuanca gjuhësore e dallime emërtimesh varësisht nga rajonet, por që tregonin edhe praktikat e mbulimit. Për shembull, çarshafi mbulonte trupin, ndërsa peçja mbulonte kokën e fytyrën. Dallimi në mbulesë qëndronte edhe te tekstili prej së cilit bahej mbulesa por që njikohësisht shfaqte edhe dallimet klasore – gratë e pasuna e të varfuna, si dhe statusin civil të tyne – të martueme a të pamartueme.
Kundërshtimi i mbulesës së tansishme, pra edhe i fytyrës, në Kosovë, nuk erdhi filimisht nga FAG-u.
Përgjatë LDB, ishin mësuesit nga Shqipënia që jepnin mësim në 173 shkollat shqipe të hapuna nga okupimi Italian në Kosovë që propagandonin kundër mbulesës. Në Shqipni debatet në kuvend për ndalimin e mbulesës kishin fillu që nga viti 1920, por që pushteti synonte bindjen e popullatësn para detyrimit. Ndërsa, tek me 8 mars 1937, Shqipnia kaloi ligjin që ndalonte mbulimin e fytyrës, pjesërisht apo tansisht.

Në vitet e para të pas LDB, fushata kundër heqjes së mbulesësnuk ishte e sukseshme. Sipas historianes Drita Bakija-Gunga e cila u mor gjatë me punën e FAG-ut, kjo ishte për shkak se vajzat e gratë ishin nën kontrollin e burrave të familjes dhe po ashtu, në disa raste, ato pasi e kishin heqë mbulesën, e kishin vendosë përsëri. Megjithatë kishte edhe raste kur gratë nuk donin vetë ta hiqnin mbulesën.
Nji shembull i tillë ishte i Didare Dukagjinit e cila tregonte se e nxitun nga baba i saj, heqjen e mbulesësnë moshën 17-vjeçare e kishte përjetu si të vështirë e dramatike. Didarja nuk e kishte pasë të qartë asnjiherë pse baba i saj e kishte nxitë me e heqë mbulesën – a kishte qenë miqësia e tij me antarët e Partisë Komuniste (PK) që e kishin bindë për këtë, dëshira për shkollimin e saj apo thjesht ideja e konformimit me ndryshimet e kohës.
Rrëfimi i Didares lidhet ngushtë me FAG-un dhe asht ndër rrëfimet e rralla që asht mirë i dokumentuem për shkak të librit “Didarja: Rrëfimi jetësor i një prizrenaseje” i etnologes Miroslava Malešević, e cila njiherit ishte edhe gruja e djalit të saj.
E lindun dhe e rritun në Prizren (1930-2006), Didarja ishte shkollu fillimisht në serbisht në Mbretërinë e Jugosllavisë, duke qenë se nuk lejoheshin shkollat në shqip. Ndërkaq shkollimi në gjuhën e saj amtare shqipe u ba i mundshëm vetëm gjatë LDB, kur pushtimi italian hapi shkollat shqipe. Pas çlirimit, përmes nji kursi të mësuesisë, u ba vetë mësuese për fëmijë dhe për nanat e tyne të cilave u mësonte shkrim-leximin në gjuhën shqipe, e ma vonë u ba nji nga drejtueset e FAG-ut që mbulonte rajonin e Opojës dhe Gorës. Pas përfundimit të fakultetit – të cilin fillimisht e regjistroi në Beograd e pastaj e vazhdoi dhe e përfundoi në Shkup – Didarja dha mësim në nji nga shkollat fillore ma të vjetra të Prishtinës, “Vuk Karaxhiq”, sot shkolla “Elena Gjika”, e ma vonë u ba edhe funksionare e naltë në nivelin federativ të Jugosllavisë.

Përveç rezistencës nga vetë gratë por edhe presioneve të ndryshme nga familja, qoftë për mbajtje apo heqje të mbulesës, nji aspekt tjetër që e ngadalësonte heqjen masive të mbulesës ishte varfnia e grave, të cilat pjesën e poshtme të mbulesës, çarçafin,e përdornin edhe në vend të mantelit. Kjo shfaqet në nji procesverbal nga nji takim në Komunën e Sharrit (Dragashit) në vitin 1950, i gjetun në Arkivin Ndërkomunal të Prizrenit. Nga ky procesverbal mësohet se partia komuniste kritikonte gratë që nuk e kishin heqë mbulesën. Nji zyrtar i komunës, kishte thanë në këtë takim se së shpejti në dyqane në qytezën e Dragashit do të vinte tekstili që do t’ua mundësonte grave me qepë mantele dhe se “e gjithë bota e di që Jugosllavia ka punë për të gjithë, e që të gjithë munden me ble ushqim e veshje”.
Raste të tilla, të mosheqjes së mbulesës për shkak të varfnisë, kishte edhe në pjesë tjera të Jugosllavisë ku FAG-u zhvillonte fushatë, si në Bosnjë, apo në Maqedoninë e atëhershme. Pra, pushteti e përdorte çashtjen e emancipimit të grave edhe si mjet propagande duke i theksu mundësitë e pushtetit të ri në gjithë vendin, por duke e mohu njikohësisht kushtëzimin ekonomik të grave.
Në ndihmë për heqjen e mbulesës, PK dhe FAG-u mobilizuen edhe prijësit fetarë muslimanë, të cilët nxorën nji rezolutë, “Rezulucion”, e botume në Buletinin e vitin 1947 e që jepte arsyet se pse mbulesa ishte e panevojshme:
“Na kleri musliman, qe duhet t’a njofim ma mire fen Islame, mendojm se zbulimi i muslimaneve Shqiptare nuk asht kurrfar akti i drejtuem kundra fese islame, sepse Islamizmi as nuk e kundershton, as qe mundet me e kundershtue perparimin. Prova ma e mire ne favor te kesaj theze asht se djepi i Islamizmit kahere e ka zgjidhe çashtjen e çarshafit i cili pengonte perparimin e tij. Na dijme se zbulimi i grave ka shpejtsue perparimin e popujve musliman, si bie fjala ne Bashkimin Sovjetik, ne Shqipni dhe ne vende tjera muslimane”.
Tutje “Rezulucioni” theksonte atë që artikujt e Buletinëve e revistës “Agimi” po ashtu e thonin, se mbulesaishte pengesa kryesore për shkollimin e grave. Nji nga format e presionit për heqjen e mbulesësqë u bahej antarëve të Partisë ishte kërkesa që ta fillonin shembullin me nanat, motrat e gratë e tyne. Antarët që nuk e përfillnin këtë kërkesë, përjashtoheshin nga partia ose dënoheshin financiarisht.



Paknaqësitë e popullatës që kundërshtonte transformimet socialiste, të ashtuquajtunat “forca reaksionare” shpreheshin edhe në forma tjera. Në rajonin e Llapit këto “forca” përhapnin parulla si: “Pas heqjes së çarçafit do të vijë ligji edhe për heqjen e plisave”, ndërkaq nga ana serbe thoshin: “Shqiptarët i kanë shiku mjaft femrat serbe të zbuluara, radha është që edhe ata t’i shohin femrat shqiptare pa çarçaf”.
Këto dy “parullat”, të cilat Bakija-Gunga nuk i spjegon tutje se në çfarë formash qarkullonin, reflektojnë tensionet e kohës. Nga njena anë shfaqin parehatinë dhe pasigurinë e popullatës shqiptare përballë politikave të pushtetit, të përjetume si kërcënim për identitetin e tyne, etnik e fetar; nga ana tjetër, flasin për mënyrën se si heqja e mbulesësnuk konsiderohej si formë e emancipimit, ashtu siç kornizohej në diskursin zyrtar, por si akt që i seksualizonte gratë – të mbulume apo të pambulume. Këto perceptime shenjonin edhe dallimet etnike, fetare e kulturore mes shqiptarëve dhe serbëve. Në këtë mënyrë gratë shqiptare homogjezoheshin po ashtu, duke anashkalu realitetet e tjera të grave në rajone tjera që nuk bartnin mbulesën islame, apo ishin të krishtera.
Në shtypin e FAG-ut, edhe sëmundjet si tuberkuloza i atriboheshin mbulesëse jo kushteve të randa të sistemit shëndetësor. Për shembull, Kosova kishte vetëm 12 mjekë pas luftës, dhe në vitin 1952 kishte nji mjek për 8.500 banorë. Vdekshmëria e foshjeve ishte tejet e naltë dhe i atribohej “mrapambetunisë kulturore“ dhe nivelit të ultë të arsimimit të grave dhe jo pabarazive strukturore, si kushteve të randa të sistemit shëndetësor, varfnisë, mungesë së shkollimit në gjuhën amtare, pasojave të luftës dhe ngecjes së skajshme të zhvilimit të vendit.
Sëmundja e tuberkulozit, edhe dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, ishte mjaft e përhapun në Kosovë. Sipas të dhanave të Vjetarit Statistikor të Federatës Popullore të Republikës së Jugosllavisë të vitit 1955, në vitin 1953 ishin regjistru gjithsej 2.724 raste, ndërsa Kosova me popullatë ma të vogël se Krahina Autonome e Vojvodinës, kishte rreth 34% më shumë të sëmurë për banorë, dhe pesë qendra ambulantore antituberkulozi me shtatë mjekë, ndër ta pesë specialistë. Në krahasim, Vojvodina kishte 22 qendra ambulantore me 24 mjekë në total, ndër ta,19 specialistë. Këto të dhana pasqyrojnë jo vetëm mungesën e infrastrukturës shëndetësore, por edhe pabarazitë rajonale përbrenda Serbisë.
Me 25 mars 1951 kaloi ligji për ndalimin e mbulesës së tansishme, pra mbulimit të fytyrës. Deri atëherë konsiderohej se 90% e grave veçse e kishin heqë mbulesën, por siç thekson Bakija-Gunga, ende kishte gra që haptazi e kundërshtonin duke dalë rrugëve me mbulesë. Kjo konsiderohej shkelje e ligjit dhe dënimi ishte dy muj burgim apo gjobë prej 20,000 dinarësh. Edhe pas kalimit dhe zbatimit të këtij ligji, gratë në disa vende, kryesisht rurale, e zavendësuen mbulesën me shaminë e kokës. Në emën të lirisë, mbulesa në çfarëdo mënyre që bartej veç kishte marrë stigmë kulturore.
Distanca mes asaj që shteti sanksiononte dhe asaj që ndodhte në përditshmëri mbeti e madhe por jo e dukshme në shtypin e FAG-ut. Shpeshherë, shtypi i FAG-ut paraqiste nji realitet të paqenë në vijë me politikat e pushtetit të asaj kohe. Në këtë mënyrë, përveç si shtyetsja kryesore e transformimeve të mëdha të kohës që ndryshoi themelin e jetëve të grave, FAG-u apo shtypi i FAG-ut ma saktë, del edhe si mjet i propagandës së pushtetit.
Kjo nuk ishte karakteristikë vetëm e FAG-ut në Kosovë, por edhe në kontekste tjera komuniste. Por, në Kosovë, tensioni ishte ma i randë për shkak të përvojave kolonialiste në mes të luftnave botnore, dinamikave politike dhe dhunës gjatë dhe pas luftës.
FAG-u mes emancipimit gjinor dhe propagandës
Në Kosovë, nji nga arsyet e rezistimit të heqjes së mbulesës, kishte të bante edhe me mosbesimin e popullatës te pushteti i kohës, që, qoftë edhe sipërfaqësisht, reflektohet edhe te parullat që Bakija-Gunga iu referohet. FAG-u ishte pjesë e pushtetit dhe pushteti ishte i dhunshëm. Politikat shtypëse nuk ishin ekskluzive për shqiptarët, por ndaj shqiptarëve ato zbatoheshin dhunshëm sidomos në zonat rurale, ku konsiderohej që kishte ma shumë rezistencë ndaj pushtetit të ri komunist.
Në njenin nga artikujt në Buletinin e numrit të parë në vitin 1946, artikulli “Grate e kane kuptue randesin e mbledhje se drithit dhe prandej do të marrin pjese aktive”, përshkruen nji bisedë mes grave në pazar në mbështetje të mbledhjes së tepricave. Nuk dihet se në pazarin e cilit qytet zhvillohet biseda.
Gratë, që i paramendoj të kenë qenë uluna në ndonji karrige tri-kambëshe të drunit para rrobave apo punës së tyne të dorës që i shisnin, bisedojnë me njena-tjetren: “Puna po shkon fare mire […] buka e re na duel, dhe na u hek tuta qe kishim”. Pastaj, tjetra ia kthen “Beso mori moter […] na duhet t’i falemi nderit pushtetit t’one, pse po mos t’ishte ai, ne nuk do te kishim dale ne vere”. Ato thonë që pushteti me mbledhjen e drithit vitin e kaluem i shpëtoi nga “spekulantët” siç i përshkruen artikull dhe se këta të fundit, do t’i kishin varfnu tutje.
Artikulli nuk jep sqarime se kush janë “spekulantët” por termi me gjasë i referohet pikërisht atyne që nuk pajtoheshin me këto masa, e që do të kenë qenë shumica fshatare. Pastaj njena thotë që asht e bindun që pushteti asht në duer të popullit dhe se “ata qe flasin per pushtetin t’one, jane anmiq te popullit’. Më pas, artikulli vazhdon sërish në veten e parë si në fillim dhe tregon se si autorja/i ndërhyn në bisedë dhe u spjegon grave se pushteti asht duke marrë masa për me siguru bukën por që duhet ndihma e të gjithëve – punëtorë, fshatarë e gra – për grumbullimin dhe regjistrimin e drithit, në mënyrë që të përmbushet furnizimi i atyne që nuk prodhojnë.


Në nji tjetër artikull të Buletinit më 1947, “Te ja dorzojme tepricat t’ona te drithit shtet t’one”, jepet shembulli i grave të fshatit Ponoshec, në rajonin e Dukagjinit, ku tregohet për vendimin që 100% e tepricave t’i dërgohen shtetit dhe u bahet thirrje grave tjera: “Te bajme çmos qe burrat t’one t’ia shesin drithin shtetit dhe ne kete menyre do ta ndihmojmë kryemjen e planit tone ekonomik. Nga kjo na kemi dobi. Per drithin e shitun do te marrin pare dhe bona per me ble ma shume pelhura, veshmathje, ene dhe vegla bujqesore e tjera”.
Nga këta artikuj, krijohet përshtypja që pushteti kishte mbështetjen e popullit, por të dhanat historike jepin realitet krejt tjetër.
Mbledhja e tepricave ishte politikë ekonomike e shtetit që përmes grumbullimit të drithnave e pastaj rishpërndarjes së tyne, synonte barazinë sociale. Në realitet, kjo politikë, të varfunve e që ishte shumica e popullatës, u solli uri të skajshme që njihet si “kriza e bukës” dhe “zija e bukës”.
Dialektologu Mehmet Halimi, i cili në atë kohë ishte fëmijë, në rrëfimin e tij te libri “Rrëfimet për Kosovën” i redaktuem nga Fatmir Lama, kujton:
“Atëherë gati thuajse sikur të ishte sistemi feudal, mirëpo një dallim ka, sepse sistemi feudal ka marrë vetëm 10%, të dhjetat d.m.th., ndërsa tash në kohën e diktaturës komuniste merrej, fshihej magjja me grabujë dhe këtë e emëruan kështu, me një emër kinse “kullakët”, pasanikët kanë pasuri, e kanë ushqim, e kanë drithë e grurë, e misër – të gjitha në sasitë e tepërta duhej t’i jepnin tepricat. Mirëpo, ata nuk ua merrnin vetëm kullakëve – pasanikëve, ua merrnin edhe të tjerëve”.
Domethanë pushteti nuk merrte vetëm tepricat, por siç kujtojnë edhe të intervistuemit e tjerë në këtë libër, pushteti fshinte magjen, dhe nuk u linte familjeve mundësi as për me e gatu racionin e radhës. Kur ‘tepricat’ mblidheshin në pranverë, ishte ma së vështiri, sepse bahej fjalë për drithin që po harxhohej e që ishte mbledh stinën e kalume, ndërkohë që drithi i ardhshëm tek pritej me dalë. Siç rrëfen Halimi: “ndërmjet dy bukëve po vdes urie, e vjetra më ka lanë, e reja s’po del”.
Në mënyrë që ta siguronin mbijetesën, popullata e fshihte drithin edhe pse refuzimi për dorëzim të tepricave dënohej me burgim dhe me punë të detyrume. Përveç drithit, shteti mbledhte edhe prodhimet tjera si fasulen e vezët, çkado që popullata kishte për me u ushqy, por edhe materialet si leshin, me të cilin baheshin rrobet. Rrëfimet për tortura e dhunën në përgjithësi përgjatë mbledhjes së drithit, ushqimeve tjera e materialeve të nevojshme për jetë, janë rrëqethëse.
Në këtë kontrast, roli i FAG-ut shfaqet gati se kundërthanës: prijatar në luftën për emancipim, arsimimin e punësimin e grave, por duke qenë pjesë e pushtetit që ua mohonte fshatarsisë edhe bukën.
Prandaj, artikujt e tillë propagandues të FAG-ut nga perspektiva e sotme, marrë parasysh edhe kontekstin e dhunshëm të kohës, duken si negocim me pushtetin. Kjo do të duhej të ketë qenë në kushte mbijetese, përtej bindjeve politike e ideologjike, sidomos kur të kihet parsysh që pushteti, sidomos me ndryshimet pas ‘48-ës, nuk i kurseu prej burgosjes as disa nga komunistët shqiptarë. Disa prej tyne ishin edhe familjarë të atyne që ishin në pushtet, madje edhe në pozita të nalta.
Për shembull, pushteti burgosi për pesë vjet vëllaun e Didares, Enver Dukagjinin dhe e dërgoi në Goli Otok në Kroaci, burgun politik që Jugosllavia e përdorte nga 1949-1989, për me i burgosë ata që i konsideronte armiq të shtetit. Siç rrëfente Didarja në librin e Maleševićit, në nji takim të partisë, Enveri kishte shtru si pikë diskutimi ndalesën e përdorimit të flamurit shqiptar dhe heqjen e tyre nga varret e deshmorëve partizanë. Të dhana tëhistorisë gojore, tregojnë po ashtu për burgosjen e Zenel Kabashit – vëllaut të Vahide Hoxhës, për arsye se kishte refuzu me u regjistru si turk në kohën kur shqiptarëve po u bahej presion për mos me u regjistru si shqiptar në censusin e vitit 1953.
Didarja këtë periudhë e përshkrunte si “një sy në kokë nuk guxon t’i besojë syrit tjetër”. As bashkëshorti i saj, si funksionar i naltë partie, e as ajo, nuk kishin pasë gisht në burgosjen e Enverit, por që as nuk kishin gërmu prapavijën mbrapa kësaj burgosjeje. Periudha nën Rankovićin ishte periudhë e kontrollit të rreptë. Për shembull, tek vite ma vonë, pas lirimit të Enverit, Didarja dhe bashkëshorti i saj, e kishin kuptu që nji nga personat që hiqej si “mik”, kishte qenë spiuni nga UDB-ja.
Pas pothujse nji dekade aktivizmi, FAG-u u shpërba në vitin 1953, sepse vazhdimi i punës së tij nuk u konsideru ma i nevojshëm, dhe as i dëshirueshëm. Edhe vetë udhëheqësia qendrore e FAG-ut vlerësonte se mbajtja e nji organizate të veçantë të grave rrezikonte me i izolu gratë nga puna e përbashkët shoqnore, duke kriju përshtypjen se çështja e tyne ishte e ndarë nga projektet e tjera socialiste. Kjo u arsyetu me idenë se barazia gjinore tashmë ishte arritë, megjithëse shumë prej ligjeve që garantonin barazinë – të paktën në aspektin formal – do të miratoheshin tek ma vonë. Edhe Didarja në rrëfimin e saj tregon se rezistenca për FAG-un vinte nga “nalt”. Megjithatë, konsideroj që në çfarëdo shkalle të ketë qenë, rezistenca nuk mungoi as në nivelin shoqnor, të paktën në fillimet e punës së FAG-ut në vitet e pas LDB.
Përkundër formave të ndryshme të rezistencës, nga çfarëdo kahje që do të kenë qenë, arritjet e FAG-ut ishin thelbësore. Në retrospektivë, Didarja habitej me ato arritje sepse, sipas saj, aktivitetet e FAG-ut, lëkundën vlerat e sistemit në të cilin jetohej. Vite ma vonë, pas luftës së fundit në Kosovë, Vahide Hoxha i theksonte vështirësitë e kohës, duke thanë që “çdo gja mungonte” dhe se ‘kur dikush shkruen historinë, duhet me shiku kohën dhe situatën. Ma e randësishmja, dhe e pa diskutueshmja asht arritja e shkollimit të vajzave dhe grave, me gjithë vështirësitë.
Në këtë kontekst, kthimi i vëmendjes te puna e FAG-ut na ndihmon me e pa të kalumen jo si rrugë lineare drejt progresit, por si proces të kushtëzuem, të ndërthurun me tensione dhe pabarazi e dhunë politike e ekonomike.
Imazhi i ballines: Arkivi i autores.
Elife (Eli) Krasniqi është antropologe dhe shkrimtare.
Kjo artikull është prodhuar nga Kosovo 2.0, ku edhe është botuar fillimisht. Ribotimi këtu është bërë me lejen e K2.0.




