Burimi: http://www.balkaninsight.com/
Viktimat e luftës për përgatisin një apel në Hagë, ku bëjnë thirrje që Holanda të shpallet përgjegjëse për vdekjet e të gjithë boshnjakëve nga Srebrenica që u vranë në korrik 1995.Denis Dzidic, BIRN, Sarajevë
Grupi i viktimave “Nënat e Srebrenicës dhe Enklavat e Zepës” do të nisë një apel të enjten në Hagë kundër vendimit të vitit 2014 i cili konsideroi Holandën përgjegjëse për vdekjen e rreth 300 boshnjakëve pas rënies së Srebrenicës.
Gjykata e qarkut në Hagë vendosi në korrik 2014 se trupat paqeruajtëse holandeze nuk arritën të mbronin 300 boshnjakët pasi Srebrenica ra në duart e Ushtrisë Serbe të Bosnjës më 11 korrik 1995 dhe e urdhëroi Holandën të paguante kompensim për këtë.
Por Marco Gerritsen, avokati i shoqatës “Nënat e Srebrenicës dhe Enklavat e Zepës”, tha për BIRN se Holanda duhet të shpallet fajtore për përgjegjësinë për vdekjen e të gjithë boshnjakëve nga Srebrenica që u vranë pas rënies së enklavës – më shumë se 7,000 burra e djem.
“Është e rëndësishme të përcaktohet përgjegjësia për Holand2ën. Në fakt, ne kemi dëshmi që vërteton se forcat e Kombeve të Bashkuara donin që ushtarët holandezë të rrinin dhe të mbronin boshnjakët në Srebrenicë, por përfaqësuesit e ministrisë holandeze të mbrojtjes i urdhëruan ushtarët e tyre të largoheshin nga enklava,” tha Gerritsen.
Ministria holandeze e mbrojtjes planifikon gjithashtu të apelojë kundër vendimit të enjten.
Pasi Srebrenica u pushtua nga forcat serbe, shumë burra dhe djem boshnjakë u përpoqën të arratiseshin përmes pyjeve, ndërsa të tjerë iu drejtuan bazave të afërta të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Potocari, ku ishte vendosur batalioni holandez (i njohur si “Duchbat”).
Disa qindra burra arritën të hynin brenda bazës në Potocarit, por trupat holandeze u thanë se jashtë do të ishin më të sigurt dhe iu dorëzuan trupave dhe policisë serbe të Bosnjës, të cilët më vonë i vranë.
Vendimi i vitit 2014 tha se mbrëmjen e 12 korrikut 1995 ose mëngjesin e 13 korrikut, autoritetet holandeze “ishin në dijeni ose duhet të kenë qenë në dijeni” se ekzistonte një mundësi që boshnjakët të vriteshin, kështu që ata u shpallën fajtorë për vdekjen e rreth 300 njerëz të cilët u dorëzuan nga ai çast e në vazhdim.
Por vendimi liroi nga akuzat Holandën për përgjegjësi për vdekjet e boshnjakëve që i ishin dorëzuar policëve dhe ushtarëve serbë para kësaj.
Gerristen tha për BIRN se gjatë apelit ai do të paraqiste një dokument që datonte nga 11 korriku, në të cilin ministri holandez i mbrojtjes tha se druhej për sigurinë e boshnjakëve.
“Prandaj, Holanda është përgjegjëse për vdekjen e të gjithë boshnjakëve që ata dorëzuan,” tha Gerristen.
Ai u shpreh se autoritetet holandeze shqetësoheshin vetëm për sigurinë e ushtarëve të tyre, kështu që “shumë civilë u vranë” falë largimit të nxituar të ushtarëve holandezë dhe dorëzimit të boshnjakëve.
Një delegacion nga grupi i viktimave “Nënat e Srebrenicës dhe Enklavat e Zepës” do të marrin pjesë në prezantimin e apelit në Hagë të enjten.
Munira Subasiç, kryetarja e grupit, tha se shpresonte se Holanda do të shpallej fajtore për vdekjen e “çdo burri dhe çdo fëmije”.
“Nuk mund t’i thoni një nëne se dikush është fajtor për vdekjen e djalit të saj dhe pastaj një nëne tjetër t’i thoni se ata s’janë fajtorë edhe për vrasjen e djalit të saj. Do të luftojmë për drejtësi dhe zbulimin e të vërtetës sa të jemi gjallë,” tha Subasiç.