Ideali boshnjak – stili i humbur i jetesës

Si u shndërrua në ideal stili i jetesës shumëvjeçar, tradicional? Ka histori për Bosnjen e të shkuarës që ka qenë më e mirë, ku të gjithë jetonin bashkë në paqe dhe respektonin njëri-tjetrin, ku njerëzit vizitonin njëri-tjetrin për festat e Bajramit dhe Krishtlindjeve, ku njerëzit shoqëroheshin gjatë të gjithë natës dhe nuk kishte rëndësi se çfarë emri mbaje. I vetmi përcaktues relevant i identitetit njerëzor ishte se çfarë njeriu ishe dhe asgjë tjetër. Paqe dhe dashuri gjithkund, fqinjët vizitonin dhe ndihmonin njëri-tjetrin, njerëzit këndonin, festonin, shkonin në bregdet. Fokusi i jetës ishte tek socializimi, bashkëekzistenca dhe ne nuk ngarkoheshim me pyetjet se kush është kush etj.

Nuk mendoj se është e nevojshme të përshkruaj me më shumë hollësi këtë periudhë që tashmë është shndërruar në mit, periudha kur jetuan prindërit tanë; ne dëgjojmë çdo ditë histori për të, edhe pse vetë jetojmë në hijen e atyre kohërave të lumtura. Nuk është fjala për Jugosllavinë dhe sistemin e kaluar, por për njerëz të zakonshëm dhe jetën e tyre që ishte e ngarkuar me trauma dhe depresion të pasluftës apo të mbuluar nga frika për shkak të tringëllimës së armëve të imagjinuara kundër të gjithëve që nuk i përkasin tribusë.

Një jetë kur njerëzit ishin njerëz, të bashkuar në dallimet e tyre, tolerantë, me kulturë dhe traditë të pasur – kjo është jeta që disa intelektualë pa paragjykime e quajnë IDEALI BOSHNJAK.

Kur pushuam së qeni mikpritës të mirë, përse kemi hequr dorë nga bashkëekzistenca apo kur ndaluam së ofruari një tjetër filxhan kafeje? A është vërtet e vështirë të identifikohet çasti kur ndaluan së qeni njerëz dhe u shndërruam në hije, të brishtë dhe në rrezik, gjithnjë të frikësuar nga gjithçka që ndriçon?

Unë do ta kuptoja nëse sot të gjithë boshnjakomëdhenjtë të ishin të pasur dhe të jetonin mirë, do ta kuptoja nëse të gjithë kroatomëdhenjtë të ishin të mirëarsimuar dhe progresivë, do të ishte e qartë për mua nëse të gjithë serbomëdhenjtë të kishin jetë si në përralla. Në një rast të tillë, do ta kuptoja përse lamë pas një stil jetese të shëndetshëm në çdo aspekt dhe u ndamë në bazë të ngjyrës, në bazë të kuazi-etnisë dhe pse të gjithë iu kthyen their vathës së tyre dhe udhëheqësit të tyre kombëtar, bariut (iu kërkoj falje barinjve).

Është e vërtetë se të gjithë morëm përcaktorë të rinj për identitetin tonë njerëzor të mëparshëm. Sot, jemi B, K ose S, kemi zëvendësuar miqtë me armiq, kemi shkelur me këmbë mbi bashkëekzistencën dhe tolerancën për të qenë gjithnjë të frikësuar, ne shkatërrojmë marrëdhëniet e mira fqinjësore me tensione, numërojmë viktimat dhe i gëzohemi atyre që kanë më shumë. Jemi shndërruar në llum të mjerë, në kriminelë të hidhur që nuk kanë mundësi tjetër pos të pështyjnë mbi gjithçka. Ndjenja e bashkësisë është zhdukur dhe është zëvendësuar nga demonët e interesit jetik kombëtar të rrezikuar. Ajo çka është e mirë, nuk është më e mirë, sepse nuk është e jona, por e tyrja; çdo progres ka vlerën e vet, e mira e  përgjithshme është e mira jonë e përgjithshme dhe e mira e tyre e përgjithshme. A do të lodhemi ndonjëherë nga kjo pseudo-ideologji nacionaliste? Ekziston një ndarëse që na mban të ndarë, të përçarë dhe të armatosur, ndërsa pas asaj ndarëseje, udhëheqësit tanë të mëdhenj po pasurohen, respektojnë dhe vlerësojnë njër-tjetrin në një idil pothuajse familjar, krijojnë retorikë dhe propagandë të frikës dhe urrejtjes. Ata kanë krijuar një hapësirë ku lulëzojnë pakënaqësitë, ku fëmijët lindin të zhytur në borxhe, ku të rinjtë ikin, ku të moshuarit janë të uritur dhe nëpër lajme dëgjojmë për qindra-mijëra vende pune që pothuajse janë arritur. Kemi shitur shpirtin për një flamur, në fakt për një flamurkë.

Tarik Çallkiq, 24 vjeç, nga Gornji Vakuf Uskoplje, ka gradën e MA në Komunikim/Gazetari, është vullnetar pranë Qendrës Rinore në Gornji Vakuf Uskoplje, është aktivist dhe aktivist për paqe.