Luftë kujtimesh për Luftën e Dytë Botërore në Kosovë.
Gjatë katër muajve të parë të vitit 1945, Evropa ishte kthyer në një shesh të madh luftimesh dhe kontinent rrënojash. Ushtritë e Aleatëve prej të dy krahëve, po përparonin duke e ngushtuar rrethin, ku ushtria gjermane po mbronte veten dhe territoret gjermane, si dhe ato të pushtuara prej saj. Trupat e bashkuara amerikane, kanadeze, angleze, australiane, zelandeze dhe franceze nga perëndimi dhe trupat sovjetike nga lindja, i kishin intensifikuar sulmet e tyre ndaj trupave gjermane me qëllimin përfundimtar: shpartallimin e plotë të Gjermanisë naziste. Në muajin prill, Ushtria e Kuqe e komanduar nga gjenerali rus Georgy Zhukov e rrethoi Berlinin, kryeqytetin gjerman dhe destinacionin e mbramë të luftës kundër Rajhut të Tretë.
Në javën e parë të majit të vitit 1945, pas gati gjashtë vitesh luftë, perandoria gjermane që e kishin ngritur nazistët e prirë nga lideri i tyre, Adolf Hitler, u shemb pas një dekade jetë. Por ndërkohë do të duhej të kalonin edhe katër muaj të tjerë që të shuheshin edhe vatrat e fundit të luftimeve në Paqësor, ashtu që Lufta e Dytë Botërore të konsiderohej e përfunduar. Më 2 shtator 1945, kur Japonia e nënshkroi kapitullimin pas nënshtrimit nga ushtria amerikane dhe hedhjes së dy bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki – hera e vetme që këto armë u përdorën në histori – kjo luftë u konsiderua e kryer. Ajo kishte filluar saktësisht gjashtë vite dhe një ditë më parë, më 1 shtator 1939, kur trupat gjermane nisën invadimin e Polonisë. Ky konflikt i gjatë që rezultoi të ishte lufta më shkatërrimtare në historinë njerëzimit, si për nga numri tejet i lartë i viktimave ashtu edhe për nga përmasat e dëmëve materiale, do të njihej si Lufta e Dytë Botërore.
Sivjet më 2025, nga Uashingtoni në Londër dhe nga Berlini në Moskë, është shënuar dhe përkujtuar 80 vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ceremoni nderimi për viktimat; dekorata për veteranët; lule dhe përulje para memorialeve; parada ushtarake; ekspozita dokumentare; botime librash të rinj; dokumentarë dhe filma, si dhe pafund ngjarje të tjera janë organizuar për ta kujtuar Luftën e Dytë Botërore.
Po në Kosovë?
Cila është pamja më e njohur e Kosovës nga fotografitë e viteve të Luftës së Dytë Botërore? Asnjë shkrepje e asaj kohe e njohur deri më sot nuk e ka këtë epitet. Fundja, kjo luftë nuk është një temë historike kushedi sa e diskutuar apo e studiuar në Kosovë. Aq më tepër që kujtesa fotografike e njerëzve në Kosovë është e mbushur dhe e dominuar me imazhe nga lufta e fundit, ajo e viteve 1998-1999, e dokumentuar dendurisht nga regjistrime fotografike dhe videore.
Në vendin ku u zhvillua lufta e fundit në Evropë në shekullin e luftërave botërore, 80-vjetori i Luftës së Dytë Botërore tashmë kaloi pa ndonjë vëmendje apo aktivitete. Pothuajse asnjë konferencë shkencore për historinë e njohur apo të panjohur të Luftës së Dytë Botërore; apo emision a dokumentar televiziv për këtë luftë. As ndonjë botim i ri apo ribotime të kuruara për këtë rast. Ky përvjetor jubilar, ishte i pamjaftueshëm për ta tematizuar në ndonjë mënyrë më të theksuar Luftën e Dytë Botërore në publikun e Kosovës. Ta kujtosh këtë luftë në Kosovë, duket një akt krejt periferik në hartën e madhe të historive të kësaj lufte dhe po kaq periferike si temë përkarshi temave që kanë pozicion më qendror në rrathët e forumeve publike të shoqërisë kosovare.
Megjithatë, duke u mbështetur në pak gjurmë që kanë mbetur, si monumente, arkiva e rrëfime, mund të përpiqemi t’i shtjellojmë disa nga ngjarjet historike të asaj periudhe në Kosovë.
Një imazh i munguar
Në mugesë të një imazhi ikonik të Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, le ta shohim një fotografi që është shkrepur në gjysmën e parë të vitit 1944, diku në Mitrovicë.

Në ballë të kësaj fotografie rri një shqiptar i moshës së mesme, i veshur me rroba të arrnuara me lecka e me tjerq galana, pantollona tradicional leshi për burra me ngjyrë të kafenjtë dhe shitira gajtani të zi, teksa me një cigare duhani në dorë, pozon në drejtim të objektivit fotografik. Më shumë sesa te vetë ai, vëmendja shkon mbrapa tij te një tabelë druri në sfond, në të cilën afërsisht i njëjti njoftim paralajmërues është shkruar në gjermanisht, shqip dhe serbisht. Teksti në gjermanisht ka këtë përmbajtje: “Këtu rrihen spekulantët dhe mashtruesit, si dhe fajdexhinjtë që shfrytëzojnë gjendjen e vështirë të njerëzve të varfër për t’u pasuruar”. Poshtë këtij teksti, në dy rreshta me shkronja të mëdha në shqip është shkruar: “Këtu rehën ata njerëz qi bajnë shpekullime dhe mashtërime”.
Skena e fiksuar në këtë fotografi përcjellë një pamje nga Kosova e vitit 1944, kur ajo kontrollohej nga trupat naziste gjermane, të cilat në një farë mënyre, e kishin pushtuar Kosovën dy herë: në prill 1941 gjatë pushtimit gjerman të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe në tetor 1944 gjatë pushtimit të Mbretërisë së Shqipërisë.
Në vjeshtën e vitit 1912, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Kosova ishte pushtuar nga Mbretëria e Serbisë, ushtarët e së cilës vranë 25.000 burra, prej të cilëve 5.000 vetëm në fshatrat e Prishtinës. Kështu raportonin gazetat europiane dhe amerikane të kohës, raporte këto të mirënjohura nga përmbledhja e tyre në një libër i titulluar “Golgota shqiptare”, botuar më 1913 nga gazetari austriak Leo Freundlich. Por zhvillimet e Luftës së Parë Botërore – kur ushtritë aleate austro-hungareze dhe bullgare, i pushtuan territoret e sotme të Kosovës, duke i ndarë ato në zonën austriake dhe atë bullgare – e detyruan Serbinë të tërhiqej pjesërisht dhe përkohësisht prej Kosovës, para se të rikthehej e ta pushtonte sërish Kosovën në fund të luftës.
Kështu nga viti 1918, Kosova ekzistonte thjesht si nocion gjeografik brenda Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene, që më vonë u quajt Mbretëria e Jugosllavisë dhe u dominua nga Serbia, nën udhëheqjen e një mbreti serb.
Brenda dy dekadash, mijëra njerëz u ekzekutuan dhe u masakruan, ndërsa mijëra të tjerë ishin burgosur arbitrarisht me akuza politike. Më 1928, avokati disident serb, Rajko Jovanović, e botoi në Zagreb një broshurë me titull “Burgu i Glavnjaçës si sistem” (në serbisht: “Glavnjača kao sistem”), ku i denonconte krimet e Mbretërisë së Jugosllavisë, duke e marrë Glavnjaçën si shembull të kësaj dhune shtetërore. Sipas Jovanović, nga viti 1918 deri më 1928, në Glavnjaçë ose përmes saj u shqiptuan 24 dënime politike me vdekje, 600 vrasje politike, 30.000 arrestime politike dhe 3.000 emigrantë politikë të dëbuar. Viktimat ishin kryesisht kroatë, shqiptarë dhe maqedonas. Glavnjaça ishte emri i qelisë më të madhe të vendosur në ndërtesën e administratës së qytetit të Beogradit, prej nga e tërë ndërtesa do të njihej me këtë emër.
Në këtë kontekst shtypjeje e dhune, në vitin 1930, tre priftërinj katolikë shqiptarë, Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti dhe Luigj Gashi ia dorëzuan Lidhjes së Kombeve – pararendësës së Organizatës së Kombeve të Bashkurara (OKB) – një memorandum të hartuar prej tyre, ku denonconin pikërisht këto krime të shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Ky memorandum, paraqet një dokument monumental për historinë e Kosovës të dy dekadave mes dy luftërave botërore, si një periudhë kur shqiptarët në Mbretërinë e Jugosllavisë ishin njëri nga komunitetet etnike më të shtypur nga dhuna shtetërore në Evropën e asaj kohe.
“Tri ditë Shqipni”
Për shkak të shtypjes së vazhdueshme dhe dhunës shtetërore të ushtruar ndaj tyre nga Mbretëria e Jugosllavisë, bombardimi ajror dhe pushtimi gjerman në prill të vitit 1941 i gjeti shqiptarët e Kosovës në një situatë paradoksale dhe të fragmentuar. Shumë prej tyre e përjetuan pushtimin nga Gjermania naziste gati si çlirim, një çlirim nga dhuna shtetërore e Jugosllavisë rojaliste.
Pas pushtimit të Jugosllavisë, gjermanët i ndanë territoret jugore të saj me dy aleatët e tyre: italianët dhe bullgarët. Pjesa më e madhe e territorit të Kosovës së sotme dhe një pjesë perëndimore e Maqedonisë së Veriut iu bashkuan Mbretërisë së Shqipërisë, e cila ndodhej nën pushtimin e Italisë fashiste që nga prilli i vitit 1939. Prishtina, e pushtuar nga gjermanët më 10 prill 1941, iu la italianëve, kurse fshatrat e saj në veri mbetën nën kontrollin e gjermanëve.
Pasi e pushtuan tërë Jugosllavinë, gjermanët u lëshuan aleatëve të tyre bullgarë territoret lindore të Kosovës dhe të Maqedonisë, si rrethet e Preshevës, Gjilanit, Kaçanikut, Vitisë, Kumanovës e më shumë. Kjo ndarje territoresh mes gjermanëve, italianëve dhe bullgarëve u caktua në një mbledhje në Vjenë, në mes të prillit 1941. Aty, gjermanët mbajtën për vete Mitrovicën, Vushtrrinë dhe Podujevën, së bashku me fshatrat ndërmjet tyre dhe disa fshatra të Prishtinës.
Ndërkohë, gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, mbështetur në raportet e sjella nga terreni, diktatori italian Benito Musolini, i njohur si “Duçe”, e mbrojti para qeverisë në Romë, idenë se Çamëria dhe Kosova duhej t’i ktheheshin Shqipërisë, për shkak të interesave të supozuara ekonomike. Italianët i quajtën këto territore si “Tokat e Lirueme”, dhe përdorën kështu zgjerimin e kufijve të Mbretërisë së Shqipërisë të pushtuar si propagandë për një Shqipëri të bashkuar, përfshirë edhe territoret që dy dekada më parë i ishin shkëputur shtetit shqiptar.
Dy parulla të kapura në një fotografi gjatë një tubimi protestues në Tiranë më 1941, e përshfaqin pozicionin politik aq paradoksal të shqiptarëve në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Në njërën është shkruar: “Prej Duçe-s dhe Hitlerit presim lirine e vendevet t’ona të robnueme” dhe “Kosova dhe Çamërija janë t’onat”. Në anën tjetër, Evropa po tronditej nga pushtimet dhe terrori i Duçes dhe Hitlerit.

Kjo gjendje vazhdoi për rreth dy vite e gjysmë, deri kur në fillim të shtatorit të vitit 1943, Italia e Musolinit kapitulloi. Trupat italiane u tërhoqën duke lënë boshllëk pushteti dhe kontrolli që u mbush menjëherë nga gjermanët. Më 9 shtator 1943, trupat gjermane filluan pushtimin e Shqipërisë duke e marrë atë në duart e tyre, teksa italianët ishin ende duke u tërhequr. Deri në vjeshtën e vitit 1944, pra saktësisht një vit më vonë, të gjitha trevat e banuara me shqiptarë ishin tashmë nën administrimin e pushtuesve gjermanë.
Kështu, tri vitet më intensive të Luftës së Dytë Botërore, periudha mes vitit 1941 deri më 1944, kur Kosova, Çamëria dhe e tërë Shqipëria ishin nën pushtimin italian dhe gjerman, shumë shqiptarë fillimisht e përjetuan si periudhë çlirimi, para se ta nisnin luftën e armatosur kundër nazifashizmit. Madje në këtë aspekt, Shqipëria do të bëhej vendi i parë dhe i vetëm në Europë që do të çlirohej pa ndihmën e Forcave Aleate, në fund të nëntorit të vitit 1944.
Megjithatë, në anën tjetër, pushtimi i Kosovës nga Serbia më 1945 dhe përfshirja në Jugosllavi pa vullnetin e shumicës shqiptare, e riktheu dhunën shtetërore të dikurshme të Jugosllavisë monarkiste, tani në versionin e dhunës shtetërore të Jugosllavisë komuniste, veçmas gjatë Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë (RFSJ). Kjo periudhë e regjimit jugosllav që e pasoi Luftën e Dytë Botërore, bëri që tre vitet e pushtimit italian dhe gjerman (1941–1944) në Kosovë të kujtoheshin si vite çlirimi, që shumë shqiptarë, atëbotë dhe më vonë, i referoheshin me betimin: “pasha tri ditë Shqipni”.
“Gjenerali” i ushtrisë së vdekur
I botuar së pari më 1963, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, është një ndër veprat më të njohura dhe më të lexuara të letërsisë shqipe. Në të rrëfehet historia e një gjenerali italian dhe një prifti, të cilët nisen në një ekspeditë për mbledhjen e eshtrave të ushtarëve italianë të vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ashtu si arti e imiton realitetin e përditshëm edhe jeta e përditshme e imiton artin, dhe së fundmi, kjo histori është riformësuar në realitet në Kosovë. Fjala është për “Volksbund Deutsche Kriegsgräberfürsorge”, apo Komisioni Gjerman i Varreve të Luftës, organizatë joqeveritare, që prej vitesh hulumton për identifikimin dhe zhvarrimin e eshtrave të ushtarëve gjermanë kudo nëpër botë dhe rikthimin e tyre në Gjermani.
Kështu, më 3 gusht 2021, në fshatin Popovë të komunës së Podujevës, u identifikuan dhe u zhvarrosën eshtrat e dy ushtarëve gjermanë, varret e të cilëve ishin ruajtur në fshehtësi në pronën familjare nga tre breza të familjes Rexha. Pas zhvarrimit, në lokacionin ku ata kishin qenë të varrosur për 77 vite, u vendos një kryq druri me mbishkrimin: “Këtu kanë pushuar dy ushtarë gjermanë nga 1944 deri 2021”. Një tjetër monument ky, që shenjon gjurmë të mbetura gjithandej Evropës nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas të dhënave të nxjerra nga autoritetet gjermane prej Arkivave Federale në Berlin, gjithandej nëpër territorin e Kosovës ndodhen edhe eshtrat e 987 ushtarëve të Wermachtit, forcave të armatosura të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata janë vrarë gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1944, kryesisht nga partizanët jugosllavë në tokë dhe nga bombat e avionëve të britanikëve nga ajri. Fshatrat e zonave të Prishtinës, Podujevës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Gjilanit dhe të Fushës së Kosovës në përgjithësi, mbajnë ende jo pak mikrotoponime si “varri i gjermanit”, “ara e gjermanit” e të ngjashme, që dëshmojnë vendet ku ushtarët gjermanë janë vrarë apo edhe varrosur. Megjithatë, duket një mision gati i pamundur gjetja e varreve të këtyre 987 ushtarëve që janë vrarë ose janë zhdukur në Kosovë gjatë luftimeve të vitit 1944. Përkundër që ekspeditat për gjetjen e varreve të ushtarëve gjermanë dhe mbledhjen e eshtrave të tyre nëpër Rrafshin e Kosovës i ngjajnë pothuajse një skenari filmi, as këto histori nuk kanë zgjuar ndonjë kureshtje të theksuar në Kosovë për Luftën e Dytë Botërore.
Ndërkohë, në verën e vitit të kaluar, teksa po zhvilloheshin punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë, punëtorët hasën në disa mjete shpërthyese, të gjetura rreth një metër e gjysmë nën sipërfaqen e tokës. Ngjarja ndodhi më 25 qershor 2024, në fshatin Shakovicë të komunës së Podujevës, ku më pas, ekipet e deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), bashkë me kolegët e tyre nga KFOR-i, lokalizuan tri predha të prodhimit gjerman. Ato kishin ngelur të pashpërthyera për më shumë se 80 vjet, që nga koha Luftës së Dytë Botërore. Predhat u larguan, por përtej këtij informacioni nuk pati hetime apo sqarime të mëtejshme se si kishin përfunduar aty, apo nëse mjete të ngjashme mund të gjendeshin përreth apo gjetkë në Kosovë.

Bazuar në kontekstin historik të kohës, me shumë gjasë, ato predha kishin ngelur aty nën tokë në fshatin Shakovicë që nga pranvera e vitit 1941. Atë kohë, nga 6 deri më 18 prill, ushtria gjermane arriti ta pushtonte tërë Mbretërinë e Jugosllavisë, pjesë e së cilës atëbotë ishte edhe Kosova. Gjatë atyre 13 ditëve, duke ndjekur strategjinë e “Luftës Rrufe” (në gjermanisht: “Blietzkriege”), e cila kishte rezultuar e sukseshme deri atëherë, aviatorët gjermanë të aviacionit “Luftwaffe”, u kujdesën t’i shënjestronin avionët jugosllavë në aeroporte, ende pa u ngritur në fluturim. Mes tyre, pilotët gjermanë e bombarduan edhe një aeroport të vogël fushor në fshatin Milloshevë, i cili e kishte një pistë me përmasa 1190 x 550 metra. Millosheva ndodhet vetëm 10 kilometra larg në vijë ajrore nga Shakovica, aty ku u gjetën predhat e pashpërthyera, që me shumë gjasë, mund të jenë hedhur nga bombarduesit gjermanë gjatë sulmeve të atyre ditëve, kur avionët gjermanë shkatërruan 49 avionë nëpër aeroporte, të cilët Jugosllavia i kishte blerë vetëm rreth një vit më parë.
“Blietzkriege” apo “Lufta rrufe” ishte taktike ushtarake e perdorur nga ushtria gjermane gjate Luftës së Dyté Botërore, që perfshinte goditje te shpejta dhe sulme te befasishme e te përqendruara me tankse dhe mjete te motorrizuara në toke, si dhe bombardime masive nga ajrit. Kjo taktike luftarake rezultoi e suksesshme veçanërisht gjate pushtimit te Polonise ne vitin 1939 dhe pushtimit te Frances ne vitin 1940.
Raste të tilla të gjetjes së mjeteve shpërthyese të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore ka pasur edhe në të kaluarën. Megjithatë, ngjashëm si në rastet e mëparshme, ato u harruan mes rreshtave të ndonjë lajmi dy-tre paragrafësh, siç ndodhi më 22 qershor 2021, kur në fshatin Preoc, në periferi të Prishtinës, ushtarët e FSK-së dhe KFOR-it shpërthyen nëntë mina të mbetura aty që nga ajo periudhë.
Përkundër këtyre gjetjeve sporadike dhe faktit se Kosova ka qenë arenë e sheshluftimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk janë zhvilluar asnjëherë hulumtime të asaj që njihet si arkeologjia e fushëbetejave, as studime të mirëfillta arkeologjike për këtë periudhë. Deri diku, kjo e shpjegon edhe mungesën e një muzeu për luftërat botërore në Kosovë, ndonëse dikur ka ekzistuar një pavijon i kufizuar me armë të asaj kohe në ekspozitën e përhershme të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Edhe pse sot mungon një muze dedikuar Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, më parë ekzistonte një institucion i tillë. Në godinën ku sot është e vendosur Galeria Kombëtare e Kosovës, në vitet e ’50-a ishte ngritur Muzeu i Revolucionit i Kosovës dhe Metohisë, ku ruheshin kryesisht relike muzeore, përfshirë armë të përdorura para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por në periudhën e luftërave të viteve të ’90-a në Jugosllavi, gjegjësisht në vitin 1994, një pjesë e eksponateve muzeore u zhvendosën nga Kosova për në Serbi, në një kohë kur kjo e fundit përvetësoi shumëçka nga pasuritë dhe trashëgimia e përbashkët me republikat dhe krahinat e tjera në Jugosllavi, nga eksponatet muzeore deri te infrastruktura ushtarake. Sidoqoftë, Muzeu Kombëtar i Kosovës ruan ende një koleksion të pasur eksponatesh, fotografish dhe dokumentesh që mund të shërbejnë si bazë për ngritjen dhe konceptimin e një muzeu a pavioni muzeor dedikuar historisë së Kosovës gjatë dy luftërave botërore.

Memoriale e kujtime të lëna në harresë
Në hyrje të parkut të qytetit të Prishtinës, në nivel të një trupi mesatar të njeriut, lartohet një memorial i dëmtuar rëndë nga koha dhe mungesa e mirëmbajtjes. Para një muri masiv betoni, mbi një piedestal po ashtu betoni, rri busti i një burri me fytyrë të kthyer kah hyrja e parkut. Pa emër poshtë tij dhe pa ndonjë tekst informues, ky memorial ka vite që e ka humbur rolin e të qenit i tillë dhe sot më shumë i ngjan një vepre arti anonime. Busti e portreton Ramiz Sadikun, i shpallur hero më 1945 nga Jugosllavia e Josip Broz Titos dhe nga Shqipëria e Enver Hoxhës.
Sadiku ishte nga Peja, student i drejtësisë dhe anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ). Si ushtar i Regjimentit të 42 të Këmbësorisë, gjatë pushtimit gjerman më 1941, luftoi kundër gjermanëve në Bjelovar të Kroacisë. Ai u burgos dhe u arratis dy herë: fillimisht nga autoritet gjermane që e arrestuan në Bjelovar, pastaj nga policia italiane që e mbajti të burgosur në Pejë dhe në Tiranë.
Më 7 prill të vitit 1943, Sadiku së bashku me partizanin komunist malazez Boris Vukmirović, u nisën nga Gjakova në Prizren, për ta takuar Svetozar Vukmanović Tempon, një lider i lartë komunist malazez. Afër fshatit Landovicë, ata u kapën nga trupat italiane. Pas torturave për t’i detyruar të flisnin, tre ditë më vonë, më 10 prill 1943, Ramizi dhe Borisi u ekzekutuan nga ushtarët italianë, në një skenë pushkatimi, ku, siç thuhej asokohe, para se të qëlloheshin, u përqafuan fort mes vete. Ky akt u bë një simbol politik për ta ushqyer politikën jugosllave për Bashkim-Vllaznim mes popujve të Jugosllavisë.
Në vitin 1961, historia e tyre u memorializua në parkun e Prishtinës, ku u vendosën bustet e Boris dhe Ramizit. Disa vite më vonë, mes viteve 1975 dhe 1981, në të njëjtën frymë të përkujtimit, në Prishtinë u ndërtua kompleksi përkujtimor dhe sportiv “Boro dhe Ramizi”. Pas luftës, ai u riemërtua si Pallati i Rinisë dhe i Sporteve, por që në përditshmëri, njihet kryesisht si “Bora-Ramizi”, që sot shqiptohet ngjitur si “Boraramizi”. Ky emër është zhveshur nga kuptimi origjinal, pasi dy emrat e partizanëve komunistë janë kthyer gati në një mikrotoponim të lidhur me këtë pallat dhe zonën përreth.

Sot, nga memoriali i parkut ka mbetur vetëm busti i Ramiz Sadikut, ku deri në mes të vitit 1999, në krahun e tij të djathtë ndodhej edhe busti i Boris Vukmirović, i cili u hoq nga andej dhe u zhduk më 1999, menjëherë pas luftës në Kosovë.
Dyshja Bora dhe Ramizi, u memorializuan edhe në vitin 1963, kur në vendin ku u vranë, u ngrit një obelisk 10 metra i lartë, i dizajnuar nga Miodrag Pecić dhe Svetomir Basara.

Në të majtë të obeliskut, me gurë bardhë e zi, u ndërtua një mozaik me përmasa 6 me 4 metra, ku artistja Mirjana Barać portretizoi disa fshatarë dhe partizanë, mes tyre edhe Boron e Ramizin. Pas luftës, më 1999, ky monument u rrënua tërësisht dhe në vend të tij u ngrit një memorial për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të asaj zone.

Me ndryshimin e rendit politk, ndryshoi edhe rendi i kujtesës. Monumentet e periudhës jugosllave u panë si simbole të një kohe pushtimi e shtypjeje dhe përgjithësisht si kujtime të padëshiruara nga epoka me të cilën nuk kishte lidhje shteti i ri. Në vend të tyre, memoria kolektive nisi të përqendrohej te lufta e fundit, dhe që nga përfundimi i saj në qershor 1999, në Kosovë janë ngritur një numër i madh pllakash përkujtimore, buste, shtatore e komplekse memoriale për viktimat e vrara dhe dëshmorët e kësaj lufte.
Një proces i ngjashëm rikonfigurimi i memorialeve pas vitit 1999 shihet edhe në lagjen “Velania” të Prishtinës, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve. Aty janë varrosur dëshmorë të UÇK dhe personalitete politike të Kosovës, mes tyre edhe Presidenti Ibrahim Rugova dhe disidenti anti-jugosllav Adem Demaçi. Në përvjetorët e tyre, këto varreza mbushen me mijëra njerëz që i nderojnë dëshmorët, por shpesh shpërfillin memorialin më të dukshëm në qendër: Memorialin e Viktimave të Luftës Nacionalçlirimtare.
Ky memorial u ndërtua gjatë një viti dhe u inagurua në nëntor 1961. Projektuar nga arkitekti i shquar serb Svetislav Ličina, memoriali ka krahë betoni të lakuar që formojnë një yll, një oborr me pllaka guri dhe në qendër një skulpturë metalike në formën e globit. Në krahët e betonit janë vendosur 220 medaljone për 220 luftëtarë dhe civilë shqiptarë dhe serbë, eshtrat e të cilëve ruhen në një urnë poshtë monumentit.
Përveç kësaj, në qendër të Prishtinës, në një cep të kampusit universitar, është harruar prej kohësh një memorial i përmasave të mëdha, ka degraduar një memorial në përmasa të mëdha, ku siç është shënuar në të:
“Në këtë vend, më 23 tetor 1944 nazistët gjermanë ekzekutuan 104 patriotë shqiptarë, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës”.


Në kohën kur ky numër i gazetës ishte në shtyp, paralajmërimi po zbatohej, pasi pikërisht më 23 tetor 1944, në kampin e përqendrimit të Prishtinës, ushtria gjermane ekzekutoi 104 shqiptarë. Në nëntor të vitit 1946, një vit pas përfundimit të luftës. eshtrat e tyre u zhvarrosën nga Prishtina dhe u dërguan për t’u varrosur në Tiranë. Kjo dëshmohet edhe nga një fotografi e kohës, ku disa ushtarë gjermanë të zënë rob nga komunistët shqiptarë shihen duke transportuar kufomat drejt Tiranës; mes tyre ishte edhe Alfred Wagner, i cili e ka shpjeguar këtë fotografi.
Pas 80 vitesh, emrat dhe fati i tyre janë harruar, ashtu siç është harruar fakti se aty ku sot ndodhet kampusi i Universitetit të Prishtinës (UP), dikur ndodhej një kamp fushor përqendrimi.
Nga Varreza e Dëshmorëve në “Velani” dhe memoriali në kampusin e UP, gjurmët e kujtesës për Luftën e Dytë Botërore na çojnë sërish në parkun e qytetit të Prishtinës. Më tutje, duke lënë pas memorialin gjysmak e të harruar me bustin e Ramiz Sadikut në hyrje të parkut, përgjatë shëtitores haset një tjetër memorial i Luftës së Dytë Botërore.

Ky memorial është ndërtuar dhe inaguruar para vetëm dy vitesh, më 23 gusht 2023, me nismën e Shoqatës për Miqësi Kosovë – Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro – Amerikan. I quajtur sipas mbishkrimit dygjuhësh “Muri i Nderit/Wall of Honor”, ky memorial përbëhet nga një pllakë rreth dy metra e gjysmë e lartë, në krah të të cilit është shkruar: “Shpëtimtarët e hebrenjve në Kosovë/Rescuers of Jews in Kosova”.
Në atë pllakë përkujtimore, janë shënuar emrat e 24 shqiptarëve të Kosovës që kanë shpëtuar hebrenjë gjatë luftës.

Ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar, shqiponjën dykrenare, qëndisur bashkë me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”, i përkiste një fëmije hebre 7-vjeçar Jasha Altarac, që arriti t’i shpëtonte Holokaustit falë ndihmës të shqiptarëve. Gjatë pushtimit të Jugosllavisë nga trupat gjermane në prill të vitit 1941, një bombë ra në një shtëpi në Sarajevë, ku po strehohej familja hebreje Altarac, të cilët ishin larguar si refugjatë nga Beogradi. Nga shpërthimi mbeti e vrarë gjyshja dhe motra e Jashas, Lea. Pas varrosjes së tyre, prindërit e Jashas, Majer dhe Mimi (Merjana) Altarac u kthyen në Beogradin e pushtuar nga gjermanët.
Majer Altarac ishte një nga arkitektët më të shquar në Beograd para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, pasi kishte zbuluar disa burime mermeri dhe gurësh të tjerë në gurore nëpër Jugosllavi, të cilët i përdorte për projektet e tij arkitekturore.
Fotografia e mëposhtme tregon kartën e regjistrimit të Majer Altarac, lëshuar nga autoritetet gjermane në Beogradin e pushtuar nga nazistët, më 22 korrik 1941. Për t’u larguar nga Beogradi së bashku me familjen, ishte e nevojshme që edhe bashkëshortja e tij të pajisej me një dokument të tillë, të cilin gjermanët ia lëshuan një muaj më vonë, më 27 gusht 1941.


Në shtator ata u zhvendosën në Shkup, ku Majer Altarac shihet i fotografuar në tetor të vitit 1941, bashkë me një tjetër refugjat hebre nga Beogradi, David Amarilio. Një muaj pasi Shkupi u mor nën kontrollin e Bullgarisë, Majer takoi një burrë shqiptar që e njihte dhe së bashku me bashkëshorten dhe djalin, erdhën në Prishtinë. Atë kohë, Prishtina dhe shumica e territorit të Kosovës ishte nën kontrollin e italianëve, të cilët këto territore shqiptare të “tokave të lirume”, ua kishin bashkuar Mbretërisë së Shqipërisë.


Në dhjetor të vitit 1941, refugjatët hebrenj të Prishtinës u mblodhën nga autoritetet italiane në një kamp të burgosurish tranzit, ku familja Altarac i kaloi tetë muajt e ardhshëm. Në një fotografi të datës 17 prill 1942, shkrepur nga Mosha Mandil, një tjetër hebre, i cili ndodhej me familje në të njëjtin kamp, Majer shihet bashkë me të birin, Jashan, në oborrin e kampit të Prishtinës.
Familja Altarac ndodhej në kampin e Prishtinës edhe gjatë verës së vitit 1942, siç e dëshmojnë edhe dy fotografi të tjera të shkrepura nga Mosha Mandil në korrik, ku në njërën shihet vetëm familja Altarac, kurse në tjetrën, ata të tre shfaqen bashkë me refugjatë të tjerë hebrenj të kampit të Prishtinës.


Ato ditë korriku të vitit 1942, Mandil realizoi edhe një fotografi grupore, ku shihen mbi 50 refugjatë hebrenj në burgun e këtij kampi, mes të cilëve dhe disa fëmijë, si dhe një burrë hebre që mbante në kokë plisin, kapelen tradicionale shqiptare.

Në mars të vitit 1942, autoritetet gjermane kërkuan nga italianët dëbimin e 51 hebrenjve në zonën gjermane. Italianët e miratuan këtë kërkesë dhe të gjithë të depërtuarit përfunduan të ekzekutuar nga gjermanët. Mes të dëbuarve ishte edhe tezja e Jashas, Frida Barta, bashkë me bashkëshortin dhe vajzën e saj, viktima të hershme të Holokasutit.
Qysh më 8 korrik 1942, në një dokument të lëshuar nga Batalioni IV i Karabinierëve “Lazio” me qendër në Prishtinë, 18 hebrenj u internuan nga ky kamp dhe u zhvendosën më në thellësi të Shqipërisë, siç dëshmon edhe ky dokument: “Personat e cekur të rendit të sipërm, të internohen në kampin e Kavajës. Prandaj të kenë tranzit falas për në lokalitetin e përmendur”.
Në atë listë, nën numrat 11, 12 dhe 13 janë shkruar emrat: Altarac Mario, Altarac Mimi dhe Altarac Fasa. Dy nga emrat janë shkruar gabimisht, të paktën në aspektin ortografik: Majerit i është shkruar emri si “Mario”, kurse të birit të tij, Jashas, në vend të “Jasa”, i është shkruar “Fasa”. Sidoqoftë, ky dokument i hapi familjes Altarac rrugën e shpëtimit.


Kjo familje e gjeti veten në kampin e Kavajës, bashkë me katër familje të tjera hebreje: Mandili, Azriel, Ruchvarger dhe Borger, siç shihen në një fotografi tjetër të shkrepur në maj të vitit 1943. Ata u ndihmuan nga shqiptarët e zonës për të përballuar jetën e përditshme, siç e kujton edhe Jasha, përmes fjalëve të një bujku shqiptar, i cili i kishte thënë: “Allahu e di që ne i fshehim hebrenjtë këtu dhe prandaj kemi nevojë për ushqim shtesë. Kjo është arsyeja pse ne kemi një vit të mirë korrjesh sivjet”.
Mes gjërave të asaj kohe që kanë mbijetuar për ta dëshmuar këtë histori, është edhe fletorja ku xhandarmëria italiane nënshkruante dhe regjistronte paraqitjet e detyrueshme ditore të familjes Altarac në komisariat. Kohës i ka mbijetuar edhe një kartë identiteti e falsifikuar, ku fotografia e Majer Altarac është vendosur në kartën me të dhënat e një shqiptari me emrin Muharrem Bajram Hasani, i lindur më 21 nëntor 1901, në Prishtinë.


Nëna e Jashas, Mimi, shiste triko të thurur me dorë dhe, gjatë një vizite në Tiranë për të marrë përmasat trupore të një klienteje shqiptare, ajo kuptoi se rrobaqepsja dhe familja e saj ishin hebrenj.. Klientja ishte Ganimete Toptani dhe bashkë me të shoqin, Aqif Toptanin, u lidhën me familjen Altarac dhe e ndihmuan atë duke e strehuar, fshehur dhe duke iu gjetur punë.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator të vitit 1943, Shqipëria u pushtua nga Gjermania naziste, diçka që për hebrenjtë e strehuar në Shqipëri nënkuptonte rrezik shumë më i madh. Duke dashur ta ndihmonin dhe shpëtonin familjen Altarac nga gjermanët, Ganimete dhe Aqif Toptani e çuan atë në një pronë të tyre në Kamëz. Në një fotografi të shkrepur në gusht të vitit 1944, Mimi dhe Majer shihen me të birin Jashan në kopshtin e shtëpisë së Toptanëve në Kamëz.

Të paktën në dy raste, kur autoritetet gjermane i bastisën papritur, familja nikoqire Toptani e paraqiti familjen mysafire Altarac si familje gjermane mike, sepse ata flisnin rrjedhshëm gjermanisht. Për të hequr çdo dyshim, familja Toptani e mbushi shtëpinë me simbole naziste. Babai i Ganimetes, kishte qenë ambasador i Shqipërisë në Vjenë dhe familja e saj kishte kulturë gjermanofone, çka ua lehtësoi komunikimin me autoritetet gjermane.
Në gusht 1944, shtëpia e tyre në Kamëz u bastis sërish pasi dikush kishte shtirë mbi një patrollë gjermane. Ndonëse nuk e arrestuan, gjermanët e urdhëruan familjen Altarac të kthehej në Tiranë. Tre muaj më pas, në nëntor të vitit 1944, gjermanët u tërhoqën dhe Shqipëria u bë vendi i parë në Evropë që u çlirua me forcat e veta. Majer, Mimi dhe Jasha Altarac ishin ndër hebrenjtë që patën fatin t’i mbijetojnë Holokaustit.
Trashëgimi e padokumentuar/pashfrytëzuar
Pas 80 vitesh që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, gjurmët dhe kujtesa kolektive për të në Kosovë, janë të shpërndara nëpër fragmente rrëfimesh e copëza historish, si dhe nëpër memoriale epokash e memoriesh krejt të ndryshme. Me pak libra e me shumë burime ende të pashfrytëzuara dhe pa muze apo memoriale të denja, Kosova vazhdon të mos ketë një adresë orientuese apo hartëzuese për historinë e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe trashëgimisë që la pas, përkundër faktit se. Kosova ishte strehë shpëtimi për disa qindra hebrenj, në kulmin e Holokaustit.
Në libraritë e Prishtinës, përtej kujtimeve të botuara, nuk gjendet asnjë biografi për figurat politike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. As për kryeministrat e Shqipërisë së asaj kohe, të vendosur nga regjimet pushtuese italiane dhe gjermane, si Mustafa Merlikën, Mehdi Frashëri dhe Rexhep Mitrovica, por as për figura të tjera, si ministri i Brendshëm gjatë pushtimit gjerman, Xhafer Deva, liderin nacionalist Shaban Polluzha apo liderin komunist Fadil Hoxha.

Historia e Luftës së Dytë Botërore në Kosovë mbetet e panjohur, ndërsa përvoja e saj duket e shkëputur nga ngjarjet e kësaj lufte, aq sa 80-vjetori i saj kaloi pothuajse në heshtje, i shpërfillur krejtësisht. Mbi katër dekada gjatë regjimit socialist në Jugosllavi, duket se e ka lodhur kujtesën për këtë periudhë.
Ngjarje dhe kujtime nga një luftë tjetër, ajo e viteve 1997–1999 në Kosovë, kanë zënë vend në kujtesën kolektive, duke lënë pak hapësirë për Luftën e Dytë Botërore të viteve 1939-1945. Në këtë univers kujtimesh kaq të shpërndara për Luftën e Dytë Botërore, edhe një këngë e vjetër për heroinën e kësaj lufte, Ganimente Tërbeshin, e riaktualizuar nga këngëtarja Albina Kelmendi, ka bërë që të dëgjohet gati si këngë argëtuese. Historia e Tërbeshit, partizanes 17-vjeçare të vrarë më 30 gusht 1944 nga nazistët në Gjakovë, është harruar ndër vite, si shumë rrëfime të Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, në historinë politike të Kosovës, ngjarjet e viteve të Luftës së Dytë Botërore kanë qenë qenësore për fatin politik të popullit, dhe mbeten të pashmangshme për njohjen e historisë së shtetit më të ri në Evropë.
Arkivat italiane, gjermane, britanike, amerikane, serbe e bullgare, mbajnë fonde të vëllimshme dokumentare që deri tani janë studiuar vetëm pjesërisht. Shumë fate njerëzish, grupe ushtarake dhe organizime politike, beteja luftarake që lidhen me Kosovën gjatë Luftës së Dytë Botërore, ende për t’u dokumentuar, përkujtuar dhe muzealizuar.
Mbase, pas dy dekadash, kur bota do të shënojë 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kujtesa kolektive në Kosovë do të pasurohet me libra, dokumentarë dhe muze, duke e zhvendosur këtë trashëgimi nga periferia e kujtimeve në qendër të vëmendjes publike.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0
Durim Abdullahu është historian dhe gazetar nga Prishtina. Ai ligjëron histori në Universitetin e Prishtinës që nga viti 2016.
Ky artikull është prodhuar nga Kosovo 2.0, ku edhe është botuar fillimisht. Ribotimi këtu është bërë me lejen e K2.0.




