Midis gazetarisë dhe fuqisë së butë.
Unë jam Kasem Bajrami nga fshati Koroticë, Drenicë. Kam humbur vajzën time katërvjeçare. Tani ndodhem në kampin Stankoviq, Maqedoni. Nëse dikush ka ndonjë informacion, ju lutem telefononi vëllain tim, Ejupin, në Zvicër në këtë numër… Emri i vajzës sime është Drenusha Bajrami”.
“Unë jam Alban Fani, tetë vjeç, nga fshati Rugovë i Hasit. Po kërkoj babanë tim në Kosovë”.
“Emri im është Xhavit Ekelija dhe jam nga Vushtrria. Dy djemtë e mi u zhdukën më 2 prill; Agroni, 6 vjeç, dhe Arbëni, 3 vjeç. Nëse keni ndonjë informacion, ju lutem kontaktoni Kryqin e Kuq Ndërkombëtar”.
Zërat vinin përmes radios në prill të vitit 1999, teksa bombat e NATO-s binin mbi caqet jugosllave, ndërsa qindra mijëra shqiptarë u dëbuan drejt Maqedonisë [sot Maqedonia e Veriut] dhe Shqipërisë nga forcat ushtarake serbe. Familjet ndaheshin në rrëmujën e dëbimit. Pa telefona, pa adresë për të nisur letra dhe pa asnjë mënyrë tjetër për të komunikuar përtej kampeve të refugjatëve, shumëkush me vete kishte vetëm emrin e vet dhe zërin.
Në atë pranverë, Zëri i Amerikës (në anglisht: Voice of America – VoA) filloi t’i lexonte me zë të lartë këta emra në transmetimet radiofonike. Në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), i cili regjistronte secilin prej refugjatëve të shpërndarë nëpër kampe, VoA më pas hapi një linjë të veçantë për ata që kërkonin të afërmit e tyre. Së shpejti iu bashkua edhe transmetuesi publik britanik, BBC, dhe bashkë, dy transmetuesit rezervuan hapësirë në edicionet e tyre, duke transmetuar mesazhet e shkurtra të refugjatëve. Për shkak se VoA ishte radioja më e dëgjuar gjatë luftës në Kosovë, si brenda vendit, ashtu edhe në kampet e refugjatëve, secili prej këtyre mesazheve mbartte një fije shprese se diku, në kampe ose në Kosovë, dikush po dëgjonte, gati të lajmërohej ose thjesht ndihej i lehtësuar që kishte marrë lajmin se i afërmi i tij ishte gjallë.
Në atë kohë, radioja ishte shndërruar ndër burimet e pakta të informacionit nga brenda vendit për shqiptarët e dëbuar nga shtëpitë e tyre në Kosovë dhe ishin zhvendosur brenda dhe jashtë vendit. Gazetat vendore nuk operonin meqë redaksitë ose ishin mbyllur me forcë ose ishin shkatërruar. Për refugjatët në vendet fqinje, VoA u bë i pazëvendësueshëm. Ata e dëgjonin edicionin e orës 18:00, për të mësuar se cilat qytete dhe fshatra ishin sulmuar dhe nëse nuk lexoheshin emrat e vendeve që njihnin, merrnin frymë të lehtësuar, sepse kjo nënkuptonte se të afërmit e tyre mund të kishin mbijetuar edhe një ditë tjetër. Nga VoA gjithashtu prisnin të dëgjonin qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), avancimet e NATO-s dhe zhvillimt e tjera mbi rrjedhën e luftës.
Kjo fije shprese e lidhur për valët e radios në kampet e refugjatëve u dokumentua edhe në mediat ndërkombëtare. Nga Kukësi në Shqipëri, gazeta kanadeze Ottawa Citizen raportonte: “Transistorët po kërkohen me të madhe, dhe dhjetëra tezga në tregun kryesor shesin me dhjetëra çdo ditë. ‘Po blejmë radio për të dëgjuar lajmet nga BBC dhe VOA,’ tha refugjati Bejtullah Elmazi, 20-vjeçar… ‘Radiot janë mënyra e vetme që kemi për të mësuar çfarë po ndodh në Kosovë dhe çfarë po bëjnë NATO dhe Jugosllavia’”.
Kjo përvojë e përshkuar nga terreni u konfirmua edhe nga të dhënat empirike. Hulumtimet e realizuara nga Agjencia e Informimit e Shteteve të Bashkuara (USIA) dhe Intermedia Survey në Washington, DC, gjatë majit dhe qershorit të vitit 1999 treguan se në Shqipëri, mbi 83% e refugjatëve të rritur dëgjonin të paktën një herë në javë shërbimet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze të VoA; në Maqedoni, rreth dy të tretat.
Kështu, më 12 qershor 1999, kur kolonat e NATO-s hynë në Prishtinë dhe zhurma e tankeve prishi qetësinë që kishte zënë vend nga braktisja e qytetit, kishte pak shqiptarë, brenda apo jashtë Kosovës, që nuk e njihnin zërin dhe emrat e gazetarëve të linjës së shërbimit shqip të VoA.
Rëndësinë e këtij roli e rrëfen edhe Alan Heil, i cili shërbeu në VoA nga viti 1962 deri në vitin 1998 në pozita të ndryshme, përfshirë edhe si zëvendësdrejtor. Në librin e tij “Voice of America: A History”, (në shqip: Zëri i Amerikës: Një Histori”), ai ndalet te përvoja e gazetarit shqiptar të VoA, Ilir Ikonomi.
“Nuk do ta harroj kurrë ndjesinë e çuditshme që përjetova. Nxora telefonin satelitor, e vendosa mbi kofanon e një Lade të shkatërruar, që kolegu im kishte marrë me qira në Shkup, dhe dërgova një raport të shkurtër për shërbimin shqip. ‘Jam në Prishtinë dhe qyteti duket i qetë’, thashë, ndërsa shikoja me kujdes përreth. Prishtina ishte si një qytet fantazmë. Kërkova banesën e një miku ku do të qëndroja natën. Gjëja e parë që pyeta ishte: ‘Çfarë po ndodh këtu?’ Ai më tha se banorët shqiptarë kishin ikur ose ishin fshehur në bodrumet e shtëpive, duke dëgjuar radiot perëndimore – kryesisht VoA-n – për të marrë lajme mbi hyrjen e trupave të NATO-s në krahinë. Më vonë, takova shumë njerëz që dinin përmendsh emrat e çdo gazetari të shërbimit tonë”, i tha Ikonomi Heil.
Në rrethanat që ndodheshin, kjo afërsi intime me zërat e radios nuk ishte e rastësishme.
“Përmes valëve të radios, u kishim hyrë shqiptarëve deri në dhomën e gjumit. Të gjithë na njihnin zërin”, kujton Afërdita Saraçini-Kelmendi, e njohur në Kosovë si Dita, themeluese e RTV 21.
Ajo ishte korrespondentja e parë e VoA nga Kosova, e cila që nga viti 1993 deri ne vitin 1998, lidhej çdo ditë në ora 17:57 përmes telefonit me shërbimin e VoA në shqip për të raportuar mbi ngjarjet dhe zhvillimet e ditës në Kosovë.
Për të, VoA ishte një nga të paktat dritare përmes së cilës lidhej me botën e jashtme. “Ne ishim një botë gati-gati e mbyllur hermetikisht, në të cilën jeta matej me minuta e orë, deri në agimin e ardhshëm. A ke me u çu gjallë?”, rrëfen Dita. “VoA si medium e bënte diferencën për shkak se ndriçoi se çka po ndodh brenda”.
VoA intensifikoi raportimin për Kosovën në vitin 1981, pas shtypjes së dhunshme të demonstratave masive të studentëve. Ato që nisën si kërkesa për kushte më të mira jetese dhe studimesh në Universitetin e Prishtinës (UP), shpejt u shndërruan në thirrje për autonomi më të zgjeruar politike dhe njohjen e statusit të Kosovës si republikë. Megjithatë, deri në vitin 1993, VoA nuk kishte ende korrespondentë përbrenda vendit.
Pas angazhimit të Ditës si korrespondente nga Kosova për VoA, në vitin 1993 u hap edhe shërbimi në shqip i BBC, që gjithashtu filloi të punësonte gazetarë vendas. Për herë të parë, raportimi nga brenda Kosovës po realizohej prej njerëzve që e jetonin përditë realitetin të cilin përpiqeshin ta përshkruanin. Deri në atë vit, raportimi për Kosovën ishte sporadik dhe mungesa e korrespondentëve vendas i detyronte të mbështeteshin kryesisht në burime zyrtare jugosllave.
“U rrit interesimi për Kosovën. Këto si media ndërkombëtare, t’u marrë njerëzit prej brenda, të cilët raportonim prej brenda, realisht ndryshuan pasqyrën e Kosovës, por ndryshuan edhe konceptimin e situatës brendapërbrenda”, thotë Dita.
Përveç se informoi shqiptarët për atë që po ndodhte në vend dhe i tregoi botës shkallën e shtypjes që po përjetonin nga regjimi serb, VoA u shndërrua edhe në një platformë ku artikuloheshin kërkesat e shqiptarëve ndaj komunitetit ndërkombëtar. Elez Biberaj, i cili nisi punën në VoA në vitin 1986 dhe e udhëhoqi shërbimin shqip gjatë viteve të luftës në Kosovë, pati rol thelbësor në ndërtimin e urës mes VoA dhe udhëheqjes politike shqiptare. Siç ka rrëfyer në intervista të ndryshme, Biberaj tashmë i pensionuar, VoA nuk shërbeu vetëm si burim informacioni për publikun, por edhe si një kanal i heshtur diplomatik mes Washingtonit dhe Prishtinës.

Pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në vitin 1989, përfaqësues amerikanë u kishin sugjeruar anëtarëve të saj ta përdornin VoA si një medium që jo vetëm ua ofronte hapësirën, por edhe mbështetjen profesionale nga ana e stafit të tij. Në të njëjtin vit, përmes intervistave të para që i jepte Ibrahim Rugova, VoA u shndërrua në një kanal kyç për artikulimin e strategjisë së rezistencës paqësore, të mbështetur nga Rugova, ndaj represionit të regjimit serb. Kjo marrëdhënie u konsolidua më tej gjatë vizitës së parë të tij në New York në prill 1990, duke forcuar marrëdhënien mes tij dhe redaksisë së VoA.
Vetë Biberaj kishte shërbyer si përkthyes në disa takime të Rugovës në SHBA gjatë viteve të ‘90-a, si dhe më vonë, për sekretaren e shtetit të SHBA, Madeleine Albright, në konferencën e Rambujesë në vitin 1999. Krahas kësaj, ai i kishte këshilluar politikanët shqiptarë edhe për pikat se ku duhej përqëndrohej mesazhi i tyre politik.
Siç kujton Biberaj në intervistat e tij, “Rugova e kuptoi shumë shpejt se përmes VoA mund të arrinte jo vetëm te bashkatdhetarët e tij, por edhe te vendimmarrësit në Washington”.
Përtej funksionimit si kanal komunikimi politik, bashkëpunimi me VoA bazohej mbi parime të qarta etike e profesionale. Biberaj kujton se mes redaksisë së VoA dhe burimeve në Kosovë, përfshirë edhe zyrtarët e LDK, ekzistonte një marrëveshje: informacionet që VoA i merrte nga ta duhej të ishin të sakta, sepse çdo devijim do ta minonte besueshmërinë e vetë stacionit.
Ky parim u vë në provë sidomos pas vitit 1997, kur në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). VoA nuk e trajtoi daljen e saj si devijim nga linja e mëparshme politike, por si pasojë e drejtpërdrejtë e përshkallëzimit të dhunës nga regjimi serb.
Në atë periudhë, Biberaj kishte kontakte të rregullta me drejtuesit e UÇK, përfshirë Hashim Thaçin, me të cilin, siç kujton ai, vendosi një marrëveshje që do ta përcaktonte profesionalizmin gazetaresk të VoA në kushte lufte: “I thashë: ‘Unë nuk të njoh, as ti nuk më njeh mua, por dua të jem në gjendje që t’ju besoj. Informatat që na jepni, të jenë të sakta, përndryshe do ta minoni besueshmërinë tonë’”.
Në këtë mënyrë, VoA u bë jo vetëm mediumi më i besuar për shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të ‘90-a, por edhe një mjet përmes së cilit politika amerikane dhe kauza e shqiptarëve komunikuan, duke e shndërruar radion një nga platformat më të rëndësishme mediatike dhe diplomatike të asaj periudhe.
Çarja e Perdes së Hekurt
Histori të ngjashme me ato të VoA në Kosovë përbëjnë mbi 300 faqet e librit të Heil, i cili përshkruan rrugëtimin e këtij mediumi që nga themelimi në vitin 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore, e deri në fillim të viteve 2000. Në libër, dhjetëra gazetarë rrëfejnë përvojat e tyre të raportimit nga vendet përtej Perdes së Hekurt, përfshirë vendet e Bashkimit Sovjetik (BRSS), Poloninë, Çekosllovakinë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë, Gjermaninë Lindore dhe deri në vitin 1960 edhe Shqipërinë.
Paralelisht qytetarë nga këto vende rrëfejnë lidhjen e tyre emocionale me zërat e këtyre gazetarëve, të cilët përpiqeshin t’i dëgjonin mes pengesave të jamming dhe propagandës sovjetike. Jamming ishte teknika që përdornin regjimet komuniste për t’i bllokuar valët e radiove perëndimore. Ata dërgonin sinjale shumë të forta me zhurmë për të interferuar mbi të njëjtat frekuenca përmes së cilave transmetonin VoA apo Radio Evropa (RE), në mënyrë që dëgjuesit të mos mund t’i dallonin qartë zërat nga Perëndimi.
Në BRSS dhe në vendet e Evropës Lindore, mediat funksiononin nën kontrollin e drejtpërdrejtë të partive komuniste, të cilat drejtonin institucionet shtetërore. Gazetaria nuk kishte për qëllim pasqyrimin e realitetit ashtu siç ishte, por formësimin e tij duke iu përshtatur vijës ideologjike të partisë. Kjo qasje u përforcua përmes realizmit socialist, që shërbeu si kornizë kulturore dhe mediatike për përfaqësimin e jetës publike. Brenda kësaj kornize, shteti paraqitej si i drejtë dhe kujdestar, ndërsa pakënaqësia, varfëria dhe konfliktet shoqërore mbeteshin jashtë diskursit publik.
Në këtë kontekst, mediat ndërkombëtare – veçanërisht ato me bazë në SHBA – u ndaluan dhe u shpallën armiqësore ndaj rendit socialist, ndërsa në diskursin zyrtar ato përshkruheshin si produkte të “imperializmit amerikan”.
Në këtë klimë izolimi, SHBA, përmes VoA, synonin ta përcillnin imazhin e një bote tjetër si alternativë ndaj realitetit të mbyllur të regjimeve komuniste. Në këto transmetime trajtoheshin temat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, prezantoheshin përparimet teknologjike, muzika e larmishme, kultura e konsumit dhe ritmi modern i jetës perëndimore, duke ofruar një pamje më të gjerë të shoqërive jashtë bllokut lindor, si dhe duke sugjeruar një mënyrë jetesë që ndërlidhej me lirinë, mundësitë dhe individualitetin. Këto përmbajtje përçonin, në mënyrë të tërthortë, edhe parimet politike dhe ekonomike mbi të cilat ndërtohej modeli amerikan.
Pikërisht ky rol i dyfishtë që luajti VoA, si mjet informimi dhe si instrument i fuqisë së butë të SHBA, ka përshkuar historinë e këtij mediumi që nga themelimi në vitin 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore kur, në transmetimin e parë drejt Evropës, prezantuesi William Harlan Hale e hapi programin në gjuhën gjermane me fjalët:
“Ju sjellim zëra nga Amerika. Sot, dhe çdo ditë nga tani e tutje, do t’ju flasim për Amerikën dhe luftën. Lajmet mund të jenë të mira për ne. Lajmet mund të jenë të këqija. Por ne do t’ju themi të vërtetën”.
Para themelimit të VoA, SHBA ishte fuqia e vetme e madhe që nuk kishte një shërbim ndërkombëtar transmetimi të financuar nga qeveria. BRSS kishte ndërtuar një qendër radiofonike në Moskë dhe deri në fund të vitit 1930 transmetonte në rreth 50 gjuhë. Mbretëria e Bashkuar, përmes BBC, nisi shërbimin e saj në dhjetor 1932, duke transmetuar me valë të shkurtra në mbarë botën. Ndërkohë, Gjermania naziste ngriti një rrjet të madh transmetuesish ndërkombëtarë në vitin 1933.
Qëllimi i transmetimeve të para të VoA ishte ta kundërshtonin propagandën naziste të Berlinit, si dhe ta thyenin kontrollin informativ të Gjermanisë mbi publikun evropian, veçanërisht në territoret e pushtuara.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945, VoA për pak sa nuk u shua, meqë besohej se mediumi e kishte përmbushur misionin e tij dhe konsiderohej se nuk kishte më ndonjë rol tjetër për të luajtur. Megjithatë, zhvillimet e menjëhershme të pasluftës dhe përkeqësimi i shpejtë i marrëdhënieve në mes SHBA dhe BRSS e ndryshuan këtë vlerësim.
Përplasjet mes dy modeleve të ndryshme të organizimit politik dhe shoqëror – atij amerikan dhe atij sovjetik – u intensifikuan dhe u shndërruan në një garë globale për ndikim dhe dominim ideologjik dhe kulturor. Kjo periudhë, e njohur si Lufta e Ftohtë, u karakterizua edhe nga përpjekjet për të fituar mbështetjen e opinionit publik ndërkombëtar përmes transmetimeve ndërkombëtare. Radio Moska ashpërsoi ndjeshëm retorikën e saj kundër SHBA, duke intensifikuar sulmet propagandistike. Në këto rrethana, VoA fitoi një rol të ri dhe më 17 shkurt 1947, VoA hapi shërbimin rus.
Në vjeshtën e atij viti, një komision i përbashkët i Kongresit, i kryesuar nga senatori Howard Alexander Smith dhe përfaqësuesi Karl Mundt, vizitoi 22 vende në Evropë dhe u kthye në Washington i bindur se Amerika kishte nevojë urgjente ta gjallëronte programin e saj të informacionit ndërkombëtar, në mënyrë që t’ia përcillte botës atë që e quante “të vërtetën për SHBA”. Sipas raportit të komisionit, ky program ishte shumë prapa atyre të BRSS dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Viti 1948 shënoi një kthesë vendimtare kur përplasja ideologjike u reflektua haptazi dhe mori përmasa globale. Grushtshteti komunist në Çekosllovaki, fillimi i Planit Marshall dhe bllokada sovjetike e Berlinit ndanë përfundimisht Evropën në dy blloqe armiqësore.
Po atë vit, Kongresi amerikan miratoi Aktin “Smith–Mundt”, i cili institucionalizoi rolin e SHBA në shkëmbimin informativ dhe kulturor ndërkombëtar. Ky akt e vendosi VoA si pjesë të diplomacisë publike amerikane, duke i dhënë mandat zyrtar për të komunikuar me audienca të huaja përmes lajmeve dhe programeve kulturore. Njëkohësisht, nga frika se mjetet e informimit shtetëror mund të përdoreshin për propagandë të brendshme – një shqetësim që ishte formësuar nga përvoja me propagandën naziste – akti ndalonte shpërndarjen e qëllimshme të përmbajtjes së VoA brenda SHBA, duke e kufizuar audiencën e saj vetëm jashtë vendit. Kjo ndalesë mbeti në fuqi deri në miratimin e “Smith–Mundt Modernization Act” në vitin 2013.

Në vitet që pasuan miratimin e aktit “Smith-Mundt”, brenda administratës dhe Kongresit amerikan u zhvilluan debate të vazhdueshme lidhur me rolin e VoA, se a duhej të përqendrohej në raportimin e lajmeve dhe pasqyrimin e shoqërisë amerikane jashtë vendit apo të shërbente si mjet i politikës së jashtme në përballjen ideologjike me BRSS. Në këtë kontekst, Kongresi gjithnjë e më shumë e shihte VoA si një “armë psikologjike” në Luftën e Ftohtë.
Shpërthimi i Luftës së Koresë në vitin 1950 e përforcoi këtë qasje. VoA zgjeroi shërbimet gjuhësore dhe planifikoi ndërtimin e komplekseve të transmetimit me valë të shkurtra në të dy brigjet e SHBA.
Ndonëse VoA është kritikuar shpesh si instrument propagande i SHBA, për shkak të financimit qeveritar dhe mbikëqyrjes institucionale, ajo ruajti një shkallë të pavarësisë redaktoriale. VoA nuk raportoi për audiencat ndërkombëtare vetëm për sukseset e politikës amerikane, por edhe për lajmet dhe ngjarjet e pakëndshme që ndodhnin brenda vendit, përfshirë skandalin Watergate dhe protestat masive kundër luftës në Vietnam.
Në vitin 1982, VOA e bëri më të prerë kufirin mes lajmit dhe mesazhit politik: analizat dhe komentet që më parë prodhoheshin nga Current Affairs u riemërtuan si “editoriale”, u zhvendosën jashtë redaksisë së lajmeve dhe u vendosën te një zyrë e veçantë politike, që të ishte e qartë për dëgjuesin kur po informohej dhe kur po dëgjonte shpjegimin zyrtar të politikës së SHBA.
Kjo qasje nuk e përjashtonte rolin politik të VoA, por synonte ta rriste besueshmërinë në sytë e audiencave në vendet komuniste, ku mediat shtetërore operonin nën kontroll të rreptë dhe kritika ndaj pushtetit ishte e ndaluar.
Kështu, VoA mishëroi atë që politologu amerikan Joseph Nye do ta përkufizonte si “fuqi e butë” (në anglisht: soft power). Nye e zhvilloi këtë koncept në fund të Luftës së Ftohtë, duke argumentuar se ndikimi i SHBA nuk buronte vetëm nga fuqia ushtarake dhe ekonomike, por edhe nga aftësia për të tërhequr përmes kulturës, parimeve politike dhe institucioneve të tij. Pas rënies së komunizimi në vitet e ‘90-a, ai shkruante se fuqia moderne qëndronte gjithnjë e më shumë te aftësia “për t’i bërë të tjerët ta duan atë që ti dëshiron që ata ta duan”.
Në këtë kuptim, transmetime si ato të VOA funksiononin si mjete ndikimi simbolik dhe kulturor.
Këtë ndikim, VoA e arriti jo vetëm përmes informimit, por edhe përmes programeve të posaçme si “Special English” dhe “Music USA”, të cilat shërbenin si ura kulturore mes Amerikës dhe audiencave përtej Perdes së Hekurt, duke kombinuar përhapjen e gjuhës angleze, muzikës dhe mënyrën e jetesës amerikane si formë të butë ndikimi.
“Special English” dhe “Music USA”
“Zërat e Special English mbushin dhomën time çdo mëngjes, kur zgjohem dhe ngre perdet. Programi juaj është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme – një dritare unike drejt botës, një model i gjuhës së qartë, të saktë dhe të drejtpërdrejtë, një burim i pashtershëm shprese, besimi dhe gëzimi. Ju pasuroni mendjen me programet tuaja historike, shoqërore dhe shkencore. Njerëzit më pyesin shpesh: ‘Ku dhe kur mësuat ju dhe familja juaj kaq shumë për njerëzimin, tokën dhe hapësirën?’ Përgjigjja ime është: VOA Special English. Faleminderit!”
Dobrin Tztozkov nga Sofja, Bullgari, në një letër nisur VoA, libri i Heil.
Duke qenë se shumica e transmetimeve në gjuhën angleze të VoA ishin të pakuptueshme nga audiencat jo-anglishtfolëse, në vitin 1959 VoA zhvilloi programin “Special English”, i ndërtuar mbi një fjalor të kufizuar, i cili me kalimin e viteve u zgjerua në rreth 1.500 fjalë. Tekstet shkruheshin me fjali të shkurtra që përmbanin vetëm një ide. Nuk përdoreshin idiomat dhe përmbajtja shqiptohej me një ritëm më të ngadalshëm – rreth dy të tretat e shpejtësisë së anglishtes standarde në shumicën e transmetimeve të VoA.
Edhe pse VoA transmetonte në dhjetëra gjuhë – 46 deri në fund të Luftës së Ftohtë – ky program kishte një qëllim krejtësisht tjetër nga përkthimi. Ai u konceptua si një mjet për ta përhapur gjuhën angleze dhe për të ndërtuar lidhje me audienca globale, duke i njohur ato me aspekte të shoqërisë amerikane.
Përmbajtja e programit përqendrohej në tema si shkenca, bujqësia, shëndetësia dhe kultura amerikane, duke synuar besueshmëri edhe në vende ku SHBA shihej me dyshim. Përmes kësaj qasje programi u pozicionua si burim mësimi dhe jo si zë politik.
Me kalimin e viteve, “Special English” u bë ndër programet më të ndjekura të VoA dhe model për nisma të ngjashme, si “BBC Learning English”. Programi u transmetua për më shumë se pesë dekada.
VoA përdori një qasje e ngjashme edhe përmes muzikës xhaz, e cila u shndërrua në një mjet të diplomacisë kulturore gjatë Luftës së Ftoftë.
Xhazi, si formë muzikore e lindur nga ndërthurja e traditave afro-amerikane, blues dhe ragtime, përceptohej si gjuhë muzikore e kuptueshme ndërkulturalisht dhe si shprehje e lirisë artistike, veçanërisht në kontrast me kufizimet kulturore në vendet e bllokut lindor.
Në qendër të kësaj strategjie qëndronte Willis Conover, moderatori më i njohur i xhazit në VoA, i cili me emisionin e tij “Music USA” dhe segmentin “Jazz Hour”, u bë zëri më i njohur për audiencën globale për më shumë se katër dekada, duke transmetuar mbi 10.000 episode me intervista dhe muzikë.
Deri diku, stili i tij i transmetimit – zë i qetë, sintaksë e thjeshtë dhe ritëm i ngadalshëm – e bënte programin të kuptueshëm edhe për dëgjuesit që nuk e zotëronin rrjedhshëm gjuhën angleze. Ky stil i të folurit, i ngjashëm me programin e VoA “Special English”, në të cilin aplikoheshin metoda të ngjashme të thjeshtëzimit gjuhësor, u ndihmonte dëgjuesve edhe ta mësonin gjuhën angleze.

Ndërkohë, për shkak të aktit “Smith-Mundt”, Conover mbeti relativisht i panjohur brenda shoqërisë amerikane, pasi që transemetimet e VoA nuk lejoheshin për audiencat vendore. Por te vendet komuniste, si në Poloni, ai u konsiderua një “kumbarë i xhazit”. Për shumë dëgjues, këto emisione funksiononin si një formë edukimi muzikor, duke i njohur ata me figura qendrore të xhazit amerikan si Duke Ellington, Louis Armstrong, Count Basie dhe Charlie Parker, si dhe duke i lidhur këta artistë me audiencat e tyre nëpër botë.
Për njerëzit që jetonin nën censurë dhe shtypje, si pianisti Adam Makowicz nga Polonia, ku xhazi ishte ndaluar nga fillimi i viteve të ‘50-a si simbol i imperalizmit amerikan, transmetimet e Conover ishin një “orë lirie”. Shumë muzikantë në vendet komuniste e nisën rrugëtimin në xhaz të frymëzuar nga emisionet e Conover.
Propaganda sovjetike e shfrytëzonte origjinën afro-amerikane të xhazit për t’i akuzuar SHBA për hipokrizi: një vend që fliste për lirinë jashtë kufijve të tij, ndërsa brenda ushtronte segregrim racor. Këto kritika kishin bazë reale. Në atë kohë, afro-amerikanët në SHBA ende jetonin nën diskriminim të institucionalizuar. Ironikisht shumica e artistëve që përfshiheshin në programin “Jazz Hour” të VoA, ishin muzikantë me ngjyrë.
Në të njëjtën kohë, qeveria amerikane në mesin e viteve të ’50-a nisi projektin “Ambasadorët e Xhazit”, përmes së cilit grupe të përziera racialisht me emra si Louis Armstrong, Dizzy Gillespie dhe Dave Brubeck udhëtonin nëpër vendet e Perdes së Hekurt, por edhe në Afrikë e Azi. Muzika e xhazit, e ndërtuar mbi bazën e improvizimit brenda një strukture të përbashkët, u konsiderua nga Departamenti i Shtetit si metafora e përsosur për Amerikën: liri individuale brenda një rendi të harmonizuar.

Por, për vetë artistët kjo diplomaci kulturore ishte gjithmonë në kontrast me realitetin e pabarazisë që mbizotëronte në SHBA, ku ishin aktivistë të lëvizjes për të drejtat civile.
Ndërkohë, për ta zëvendësuar këtë ndikim, Moska zhvilloi versionin e vet të “xhazit socialist”, të kontrolluar dhe në përputhje me normat ideologjike, si dhe të kufizuar në improvizim. Kështu, për miliona dëgjues pas Perdes së Hekurt, xhazi, që dëgjohej fshehurazi, u përjetua si një formë private rezistence kulturore.
Në vazhdën e përpjekjeve për ta kundërpeshuar propagandën sovjetike dhe për ta fituar atë që gjatë Luftës së Ftohtë njihej si “beteja e mendjeve dhe zemrave”, SHBA zgjeroi fushën e saj të ndikimit mediatik me krijimin e Radios Evropa (RE) dhe Radios Liria (RL). Këta transmetues synonin të depërtonin drejtpërdrejt në shoqëritë e mbyllura të Evropës Lindore, si në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Rumani dhe Bullgari, si dhe në BRSS, duke funksionuar si media surrogate për shoqëritë në këto vende.

Këto radio u bënë platforma të intelektualëve dhe disidentëve politikë në vetë vendet komuniste, të cilët përmes tyre përcillnin lajme dhe analiza që nuk lejoheshin të botoheshin në shtypin vendas dhe duke ndihmuar në krijimin e një opozite e cila do të luante rol të rëndësishëm në proceset e mëvonshme të ndryshimit politik.
Siç shkruan Lech Wałęsa, lideri i lëvizjes Solidarność që luajti rol vendimtar në rrëzimin e regjimit komunist në Poloni, në parathënien e librit “War of the Black Heavens: The Battles of Western Broadcasting in the Cold War” (në shqip: “Lufta e Qiejve të Zinj: Betejat e Radiove Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë”, të Michael Nelson:
“Kur bëhej fjalë për valët e radios, Perdes së Hekurt i binte fuqia. Asgjë s’mund ta ndalonte ardhjen e lajmeve – as satelitët, as fushat me mina, as muret e larta apo telat me gjemba. Kufijtë mund të mbylleshin, por fjalët jo”.
Ndërkaq, vetë Nelson thekson se kërkimet e tij në arkivat e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik konfirmuan bindjen e komunistëve se propaganda radiofonike perëndimore – ose, siç i quanin ata, “zërat” – përbënte armën më të fuqishme dhe më efektive për ndërhyrje ideologjike në BRSS.
Zërat nga brenda
“Po rrija me tre miq në një restorant. Papritur, njëri prej tyre, punëtor hekurudhe, më zgjati diçka nën tavolinë. Ndieva disa fletë në dorë, të cilat i futa shpejt në xhep. Pas pak u çova në tualet dhe u mbylla brenda. I nxora fletët nga xhepi… Njëri pas tjetrit, miqtë hynin në tualet për t’i lexuar fletëpalosjet… Ato lanë gjurmë të thella në mendjet tona. Ishim entuziastë dhe të bindur se bota e lirë nuk na kishte harruar”, citohet të ketë treguar një disident politik çek në librin “Broadcasting Freedom: The Cold War Triumph of Radio Europe and Radio Liberty”, (në shqip: “Liria e Transmetimeve: Fitorja e Radios Evropa dhe Radios Liria gjatë Luftës së Ftohtë), për fletëpalosjet që Radio Evropa shpërndau gjatë viteve të ‘50-a.
E njohur si “Erërat e Lirisë” apo me sloganin zyrtar që varion nëpër publikime të ndryshme si: “Erërat e lirisë fryjnë nga Perëndimi në Lindje” ose “Erërat e lirisë fryjnë gjithmonë nga Perëndimi”, kjo fushatë e balonave u zhvillua në mes viteve 1951–1956. Ajo përfshiu mbi 590.000 balona, të cilat hodhën nga qielli rreth 300 milionë fletëpalosje mbi vendet e bllokut komunist. Disa balona ishin të dizajnuara të shpërthenin në ajër për t’i shpërndarë materialet mbi zonat e synuara dhe një pjesë e tyre mbanin të shtypur fjalën “Svoboda” (në shqip: Liri).
Në disa fletëpalosje përfshiheshin oraret e transmetimeve dhe frekuencat e radios, ndërsa në të tjetra jepeshin informacione për lëvizjet disidente, të drejtat e punëtorëve, satira politike, si dhe mesazhe solidariteti nga Perëndimi. Në mesin e librave të shpërndarë ishte edhe “Ferma e Kafshëve” e George Orwell-it. Autoritetet komuniste i udhëzonin qytetarët t’i shkatërronin këto fletëpalosje dhe të mos i shpërndanin, ndërsa ata që kapeshin duke i lexuar ose ruajtur ato përballeshin me ndjekje penale.

Operacioni i balonave ishte pjesë e “Crusade for Freedom” (në shqip: “Kryqëzatës për Liri”), një fushatë kombëtare e SHBA që synonte të siguronte mbështetje publike dhe financiare për RE. Përmes saj, qytetarët amerikanë ftoheshin ta shihnin kontributin e tyre jo si një ndihmë e largët, por si akt personal pjesëmarrjeje në përballjen ideologjike të Luftës së Ftohtë.
Për dallim nga VoA, që synonte ta prezantonte shoqërinë dhe politikat amerikane për audiencat e huaja, RE dhe RL u konceptuan si media surrogate dhe kishin qëllimin ta përmbushnin funksionin e mediave lokale. Ato trajtonin çështje të brendshme politike dhe sociale, duke raportuar për temat që regjimet komuniste i censuronin ose i shtrembëronin.
RE u konceptua si një zë që dukej më i afërt dhe më pak zyrtar sesa VoA. Me bazë në Mynih, RE financohej fshehtas nga CIA deri në vitet e ’70-a dhe mobilizonte emigrantë politikë nga vendet e Evropës Lindore për të transmetuar në gjuhët e tyre amtare. Lajmet, debatet dhe analizat që nuk mund të botoheshin në Varshavë, Pragë apo Budapest, arrinin çdo ditë tek qytetarët përmes valëve të radios.

Në anën tjetër, RL nisi më 1953, me një mandat më të drejtpërdrejtë: t’u fliste vetë qytetarëve të BRSS në gjuhët e tyre. Emisioni i parë nisi me fjalët: “Ju flet Radio Liria, zëri i lirë i bashkëatëdhetarve tuaj në mërgim”. Stacioni mobilizoi emigrantë rusë dhe kundërshtarë politikë në mërgim për ta ndërtuar një narrativë alternative ndaj propagandës së Moskës.
RL shumë shpejt u bë burim i pazëvendësueshëm informacioni për qytetarët sovjetikë, aq sa autoritetet e konsideronin atë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme.
Siç thotë Mark Pomar, një veteran i VoA dhe i RFE/RL, Radio Liria i kushtonte një vëmendje të veçantë çështjeve të të drejtave të njeriut. Vetëm për këtë temë, RL transmentonte disa programe të përditshme, duke raportuar mbi dënimet në gulag (në shqip: kampe internimi), arrestimet e reja, cili ishte samizdat më i fundit, (në shqip: shpërndarje në fshehtësi e literaturës dhe publikimeve të ndaluara në BRSS) dhe çfarë ndikimi kishin Marrëveshjet e Helsinkit.

Përveç shërbimit në rusisht, RL kishte edhe shërbime në gjuhën ukrainase, gjeorgjiane, armene, kazake, tataro-bashkire e shumë të tjera. Pikërisht kjo, ndoshta më shumë sesa transmetimet në rusisht, e irritonte BRSS, sipas Pomar: “Që në ditët e para, Radio Liria pranonte se brenda BRSS ekzistonin kombësi të ndryshme, me kulturat dhe gjuhët e tyre”.
Një nga elementet që e dallonin RFE/RL ishte mënyra se si e ekspozonte sistemin sovjetik dhe atë të vendeve tjera komuniste përmes raportimeve të hollësishme lidhur me problemet e komunizmit, duke analizuar mekanizmat e tij të brendshëm, si dhe duke siguruar informacion lidhur me mënyrën e funksionimit të elitave sunduese në Evropën Lindore. Njëkohësisht, programet përfshinin krahasime me shoqëritë perëndimore, duke u ofruar dëgjuesve një prespektivë reference alternative.
Disa episode ekspozuan çarjet brenda bllokut komunist, por edhe testuan vetë modelin e mediumit mbi të cilin po ndërtohej RE/RL.
Një prej tyre lidhet me vitin 1956, tre vjet pas vdekjes së Joseph Stalinit. Pas Kongresit të njëzetë të Partisë Komuniste të BRSS, fjalimi sekret i Nikita Hrushovit, ku denoncoheshin krimet dhe kultit i Stalinit u sigurua nga CIA dhe u transmetua përmes valëve të RE/RL në disa gjuhë. Për miliona njerëz në Evropën Lindore, fjalimi i tij kishte rëndësi të madhe pasi tregonte se brenda udhëheqjes sovjetike kishte ndarje dhe kritika lidhur me trashëgiminë staliniste.
Shpërndarja e fjalimit shërbeu edhe si katalizator për kryengritjen e vitit 1956 në Hungari, mes pakënaqësive politike e ekonomike. Gjatë shtypjes së saj nga forcat sovjetike, u vranë mijëra persona dhe rreth 200.000 qytetarë u larguan, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të dhunshme të Luftës së Ftohtë në Evropën Lindore.
Por kryengritja në Hungari u bë edhe një moment vetëreflektimi për raportimin e RE. Ndërsa transmetimet e saj përhapën lajme të pakontrolluara lidhur me ngjarjet që regjimi përpiqej t’i fshihte dhe nxitën guximin qytetar me tone entuziaste, duke përfshirë fraza si “bota e lirë është me ju” dhe “luftoni për liri”, shumë dëgjues mesazhet i interpretuan si shenjë se ndihma ushtarake nga Perëndimi ishte e afërt. Kur kjo ndihmë nuk erdhi dhe kryengritja u shtyp me dhunë nga trupat sovjetike, u ngritën kritika të ashpra ndaj RE se, pa dashje, kishte ushqyer pritshmëri të rreme.
Hetimet e brendshme dhe të jashtme nuk gjetën dëshmi se RE kishte premtuar ndërhyrje ushtarake apo se kishte nxitur drejtpërdrejt kryengritjen. Megjithatë, ngjarja e detyroi RE ta rishikonte politikën editoriale, duke u zhvendosur nga toni më mobilizues drejt theksimit të një raportimi më të kujdesshëm, analizës dhe mbajtjes gjallë të mendimit kritik në shoqëri të mbyllura.

Kështu, në dekadat e ardhshme RE do të kishte qasje raportuese më të matur. Në vitin 1976, RE dhe RL u bashkuan në një organizatë të vetme – Radio Free Europe/Radio Liberty (RFE/RL), që në shqip njihet si Radio Evropa e Lirë – duke krijuar një rrjet që transmetonte në gjuhë të ndryshme për të gjithë vendet komuniste.
Siç vëren Michael Nelson në librin e tij “War of Black Heavens” një nga funksionet më të rëndësishme të REL/RF ishte të mbushnin boshllëkun e krijuar nga mungesa e opozitës së lejuar në vendet komuniste, duke i dhënë hapësirë zërave disidentë. Në valët e tyre lexoheshin rregullisht shkrimet e autorëve disidentë si Adam Michnik në Poloni, György Konrád në Hungari dhe Václav Havel në Çekosllovaki, të cilët përmes samizdat, shpërndanin vetëm mijëra kopje, ndërsa nëpërmjet valëve të radios arrinin miliona dëgjues.
Prania e tyre u jepte radiove besueshmëri dhe legjitimitet, sepse dëshmonte se ato pasqyronin mendimin kritik dhe intelektual më të artikuluar të shoqërive që jetonin nën regjimin komunist. Sipas Nelsonit, dëgjimi i vazhdueshëm i zërave si Havel dhe Michnik, krijoi një hapësirë imagjinimi ku demokracia nuk ishte më e paimagjinueshme, por një horizont i afërt dhe i arritshëm.
Një shembull i rëndësishëm i rolit të RFE lidhet me Havelin. Shkrimet e tij, të cilat qarkullonin në mënyrë të kufizuar përmes samizdat, u transmetuan nga RFE dhe arritën audienca më të gjera, duke kontribuar në njohjen e Havelit si zë kritik publik përpara se të shndërrohej më pas në figurë qendrore të Revolucionit të Kadifenjtë, një tranzicion paqësor i pushtetit në Çekosllovaki gjatë nëntorit–dhjetorit të vitit 1989, që i dha fund regjimit komunist njëpartiak dhe hapi rrugën drejt një sistemi pluralist. Ky proces u udhëhoq nga një koalicion i gjerë intelektualësh, studentësh dhe artistësh, brenda të cilit Havel luajti rol përfaqësues, duke u bërë më pas presidenti i parë i Çekosllovakisë dhe më vonë i Çekisë.

Ndikimi që pati RFE/RL në shpërndarjen e literaturës së autorëve disidentë do të bëhej i dukshëm pas dy dekadash, në vitin 1973, me rastin e botimit të “Arkipelagut Gulag” nga Aleksandër Solzhenicini. Vepra dokumentonte sistemin e kampeve të punës së detyruar në BRSS, duke u mbështetur në përvojën personale të autorit si ish-i burgosur politik dhe në qindra dëshmi të mbledhura fshehurazi.
Fjala “Gulag” vjen nga akronimi rus për “Drejtoria Kryesore e Kampeve”, dhe i referohej një rrjeti të gjerë kampesh dhe kolonish ndëshkuese, që në kulmin e tij, në fillim të viteve të ‘50-a shtrihej nga Deti i Bardhë deri në në Siberinë Lindore. Gjatë dekadave të funksionimit, miliona njerëz – kundërshtarë politikë, intelektualë, ushtarë që kishin mbijetuar robërinë gjermane dhe qytetarë të zakonshëm – u internuan në këto kampe, ku kushtet e jetesës ishin çnjerëzore, përfshirë uri, punë të detyruar, të ftohtë ekstrem dhe dhunë sistematike. Vlerësohet se disa miliona të internuar humbën jetën.
Solzhenicini ishte burgosur për vite të tëra për shkak të një letre ku kishte kritikuar Stalinin dhe e njihte mirë këtë realitet bazur në përvojën e vet. Përmes dëshmive që mblodhi, ai rindërtoi një pamje të plotë të sistemit të terrorit. Për shumicën e qytetarëve sovjetikë, gulagët ishin pothuajse të panjohur. Regjimi i përshkruante si “kampe riedukimi” ose i fshihte plotësisht. Nuk qarkullonin informacione lidhur me ta dhe çdo tentativë për t’i përmendur rrezikohej me burgim. Prandaj, kur “Arkipelagu Gulag” u botua në Perëndim në vitin 1973, Moska e quajti “armën më të madhe anti-sovjetike” dhe brenda vitit u përkthye në 20 gjuhë, duke pasur ndikim shpërthyes.

RFE/FL nisi leximin e tri volumeve më 7 janar 1974, 15 minuta në ditë. Për miliona dëgjues në BRSS, ishte hera e parë që dëgjonin, në zë të gjallë, dëshmi të pakundërshtueshme për përmasat e represionit. Për shumë prej tyre, këto transmetime kontribuan në rishikimin kritik të narrativës zyrtare lidhur me historinë dhe funksionimin e sistemit sovjetik. Pikërisht për shkak të ndikimit që patën këto transmetime përmes valëve si në rastin e RFE/RL, regjimet komuniste shtuan përpjekjet për t’i bllokuar, duke ngritur një nga makineritë më të sofistikuara të censurës teknologjike të kohës, sistemin e jamming.
Jamming ishte arma kryesore vetëmbrojtëse e shteteve komuniste ndaj transmetuesve ndërkombëtarë, dhe, njëkohësisht, tregues i seriozitetit me të cilin ato e perceptonin ndikimin që kishte radio. Siç dokumentohet gjerësisht në librat e Nelson dhe Heil, që nga fundi i viteve të ‘40-a, sistemi sovjetik e trajtoi jamming jo vetëm si pengesë të rastësishme, por si një strategji të organizuar shtetërore.
Si rrjedhojë, u ngritën rrjete të gjera transmetuesish dhe stacionesh lokale bllokuese ndërsa në kulmin e periudhës së jamming, sovjetikët dhe vendet tjera komuniste përdornin mijëra kilovatë fuqi për t’i penguar shërbimet perëndimore në valët e shkurtra. Në disa momente, kapaciteti total energjetik që i kushtohej sistemit jamming tejkalonte fuqinë e transmetuesve perëndimorë, ndërsa stacionet vendase e shtonin më tej efektin e bllokimit. Në praktikë, sistemi jamming e formësoi mënyrën si punonin transmetuesit perëndimorë, pasi që ata vazhdimisht duhej t’i ndryshonin frekuencat, ta rrisnin fuqinë e sinjalit dhe të zhvillonin taktika teknike e programore për ta përçuar fjalën përmes zhurmës dhe fishkëllimave. Nga ana tjetër, audiencat mësuan të kërkonin frekuenca të reja, të dëgjonin fshehurazi dhe të siguronin pajisje më cilësore për marrjen e sinjalit.
Një raport i REL, në vitin 2020, solli rrëfimin e një qytetari bullgar, që kishte punuar në fshatin Padarsko, ku ishte ndërtuar një transmetues radioje në vitet e ‘70-a, i cili shërbente për transmetimin e radios shtetërore dhe aplikonte sistemin jamming për radiot perëndimore. Doncho tregoi se si funksiononte kjo procedurë që njihej si “lighter silencer”. Sipas tij, nëse edicioni i RE planifikohej të niste në ora 19:00, jamming fillonte nga 18:30 dhe përfundonte pasi edicioni i RE për Bullgari ta përfundonte raportimin në 21:00.
Në të njëjtin artikull, shkrimtari bullgar Dimitar Bochev, që udhëhiqte deskun e kulturës për deskun bullgar në vitin 1975, tregoi se i gjithë procesi i bllokimit ishte i koordnuar dhe i qëllimshëm. Nëse REL transmetonte në pesë frekuenca gjatë mbrëmjes, regjimi komunist i Bullgarisë i bllokonte katër nga to, ndërsa njërën e linin të lirë, pasi që dëshironin ta regjistronin përmbajtjen e tyre. Megjithatë, për t’ua vështirësuar qytetarëve bullagrë gjetjen e frekuencës së duhur, ata e ndërronin çdo pesë minuta se cilën frekuencë e bllokonin dhe cilën e linin të hapur.
Megjithatë, Doncho tregon se edhe pse punonte aty, kur kthehej në shtëpi e dëgjonte REL me gjyshin e tij.
Kur VOA dhe REL bëhen lajm
Historia e REL dhe VoA gjatë Luftës së Ftohtë mund të duket e largët por misioni i tyre nuk përfundoi me rënien e komunizmit dhe shpërbërjen e BRSS në vitin 1991.
Teksa Lufta e Ftohtë po mbaronte dhe Muri i Berlinit po binte, në pjesë të tjera të Evropës po zhvillohej një proces tjetër: shpërbërja e Jugosllavisë, e cila do të shoqërohej me konflikte të armatosura gjatë viteve të ’90-a.
E themeluar gjatë luftës në Bosnjë, në vitin 1994, shërbimi i REL për Ballkanin fillimisht transmetonte në gjuhët boshnjake, kroate dhe serbe, ndërsa më vonë u zgjerua për të përfshirë edhe programet në gjuhët shqipe, malazeze dhe maqedonase.
Gjatë historisë së tij, shërbimi i REL për Ballkanin luajti rol kyç në ngjarjet më të ndjeshme të rajonit. Në Ballkan, REL ishte transmetuesi ndërkombëtar më i dëgjuar gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë. Kur Slobodan Milošević ndaloi ritransmetimin e medieve ndërkombëtare në vitin 1998 dhe më pas nisi luftën ndaj medieve të pavarura si B92, kur filloi fushata e bombardimeve me 24 mars, SHBA njoftoi se për ta thyer bllokadën mediatike të vendosur nga Milošević, transmetimet e VoA dhe REL/RFE do të transmetonin 24 orë në ditë programe FM drejt Serbisë, përmes transmetuesve që do të ngriheshin në vendet fqinje. VoA përdori edhe televizionin për të depërtuar në Serbi, me sinjale që kapeshin përmes përdorimit të antenave satelitore shtëpiake.
Ndërkohë që VoA u bë radio më e dëgjuar për shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të ‘90-a, REL nuk kishte ende prani të drejtëpërdrejtë në Kosovë deri në vitin 1999. Ajo nisi transmetimin disa ditë para nisjes së fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe u detyrua ta ndërpriste deri pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999.
Në ditët e para të rikthimit të transmetimeve nga Kosova, Rrahman Paçarizi filloi raportimet për REL. Sot profesor i gazetarisë dhe gjuhës shqipe, Paçarizi ishte një nga korrespondentët e parë nga Kosova. Për dhjetë vjet, deri në vitin 2009, ai raportoi për REL nga një vend që po rindërtohej nga rrënojat, duke mbuluar krimet ndaj popullsisë civile, shkatërrimin e infrastrukturës, rikthimin e të dëbuarve, procesin e rindërtimit dhe shtetformimin, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Në kronikat e tij, historia e një vendi që po mësonte të fliste lirshëm për herë të parë u ndërthur me misionin e radios, një rol që ky medium e kishte luajtur dekada më parë pas Perdes së Hekurt.
Për Paçarizin, vlera e veçantë e REL menjëherë pas çlirimit të Kosovës ishte raportimi i balancuar dhe i paanshëm, që e konsolidoi radion si burim të besueshëm informacioni, veçanërisht gjatë periudhave të tensionuara politike. Kjo besueshmëri, sipas tij, lidhej edhe me sistemin redaktorial të radios, të cilin ai e përshkruan si një strukturë profesionale që garantonte standard cilësor raportimi, edhe pse shumë nga korrespondentët në terren ishin gazetarë vendas që vetë kishin përjetuar luftën dhe humbjet e saj.
“Më kujtohen protestat dhe trazirat e marsit 2004 në Kosovë”, rrëfen Paçarizi. “Po raportoja nga vendngjarja dhe njerëzit po vdisnin pranë meje. Isha i mbërthyer nga emocionet. Para se të lidhesha drejtpërdrejt me REL në Pragë, fola me Melazim Kocin, i cili atëherë drejtonte shërbimin në shqip. Dhjetë minuta para lidhjes, Koci më tha se nuk do të mund të lidhesha drejtpërdrejt për shkak të një problemi teknik dhe se do të transmetonin vetëm informacionet që u kisha dhënë. Më vonë, Melazimi më tregoi se në të vërtetë kishin vendosur të mos më lidhnin drejtpërdrejt, sepse isha tepër i emocionuar… ngjyra e zërit tim ishte jo objektive”.
Në dekadën e parë pas luftës, REL kaloi nga një prani raportuese në një prani institucionale. REL hapi një redaksi të veçantë në Prishtinë, duke e ndarë shërbimin shqip nga ai ballkanik dhe duke bashkëpunuar ngushtë me zyrën qendrore në Pragë. Ky zhvillim shënoi një kthesë nga raportimi i distancuar për Kosovën, në ndërtimin e një redaksie që e njihte vendin nga brenda.
Sipas Paçarizit, ky fokus i ri i REL i dha kahje tjetër zhvillimit të radios si medium i SHBA në Kosovë.
“BBC dhe VoA kurrë nuk kishin më shumë se dy ose tre korrespondentë në Kosovë, ndërsa REL kishte një ekip më të madh dhe një fokus të qartë në Kosovë. Asnjë program tjetër në shqip nuk i është kushtuar ekskluzivisht Kosovës si REL”, tha ai.
Dizajnimi i qëllimshëm i modelit të REL i mbijetoi Luftës së Ftohtë, siç vërehet edhe në atë se si shihet sot REL dhe VoA.
“REL dallohet si një medium amerikano-evropian, i financuar nga SHBA, por më vendas se VoA dhe më ndërkombëtar se mediet lokale”, tha Paçarizi.

Ndërkohë debati lidhur me rolin dhe pavarësinë e VoA dhe REL nuk e ka përcjellur punën e këtyre dy transmetuesve vetëm në të kaluarën. Ky debat e ka shoqëruar vazhdimisht historinë e tyre, duke kulmuar në vitet e ’50-a, gjatë periudhës së McCarthy-izmit – një fushatë antikomuniste në SHBA e shoqëruar me hetime politike dhe akuza ndaj mediave dhe institucioneve publike. Në këtë periudhë, VoA u vu nën presion të ashpër politik për t’u rreshtuar më hapur me qëndrimet e qeverisë kundrejt Luftës së Ftohtë. Gazetarët u hetuan dhe u akuzuan se nuk ishin mjaftueshëm “antikomunistë”, ndërsa kërkohej që përmbajtja të merrte formë më të hapur propagandistike. Në këtë kontekst, redaksitë u detyruan vazhdimisht të gjenin mënyra për ta ruajtur raportimin profesional dhe besueshmërinë, brenda një misioni që lidhej drejtpërdrejt me interesat e shtetit amerikan.
I njëjti debat, veçse në forma të tjera, u rikthye dekada më vonë, gjatë administratës së Donald Trump. Këtë herë, kritikat ndaj VoA dhe REL nuk vinin nga frika e komunizmit, por nga pretendimi se transmetuesit nuk ishin “mjaftueshëm pro-amerikanë”.
Ky debat kulmoi vitin e kaluar, kur në fillim të mandatit të dytë, Trump urdhëroi zvogëlimin dhe ndërprerjen e financimit të Agjencisë së SHBA për Medie Globale, përmes së cilës financoheshin VoA dhe REL. Që nga marsi i vitit 2025, mes procesit gjyqësor që po vazhdon, VoA ka ndërprerë gati të gjitha programet ndërsa REL po vazhdon punën mes një pasigurie për të ardhmen. Emërimet politike në krye të agjencisë mbikëqyrëse, shkarkimet e drejtuesve, hetimet ndaj gazetarëve dhe përpjekjet për ta rritur kontrollin institucional u shoqëruan me padi gjyqësore, shkurtim stafi dhe shqetësime të hapura nga organizata ndërkombëtare të medias të cilat bënin thirrje se po cenohet pavarësia editoriale e transmetuesve.
E ardhmja e pasigurt e këtyre dy transmetuesve vë në pikëpyetje modelin mbi të cilin janë ndërtuar.
Megjithatë, nëse roli i VoA dhe REL shihet vetëm nga prizmi i gazetarisë apo vetëm si instrumente për propagandë, kjo bart rrezikun që të keqkuptohen të dyja. Ndikimi i këtyre dy transmetuesve buron nga një dizajnim institucional i qëllimshëm, në të cilin përmbajtja profesionale dhe qëllimi politik ishin të ndërthurura ngushtë.
Trashëgimia e VoA dhe REL nuk mbijetoi sepse këto dy medie ia dolën të operojnë të pandikuara prej politikës, sepse ato në fakt ishin instrumente politike të SHBA, por duke i integruar rregullat profesionale të gazetarisë brenda një projekti më të gjerë të ndikimit gjeopolitik.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0
Gentiana Paçarizi është redaktore menaxhuese në K2.0. Ajo ka mbaruar studimet master për gazetari dhe komunikim me publikun në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.
Ky artikull është prodhuar nga Kosovo 2.0, ku edhe është botuar fillimisht. Ribotimi këtu është bërë me lejen e K2.0.




