…memoria e trupit të së kaluarës në reagim të pandemisë?

Në një moment kur ishim një zëri duke refuzuar që dikush mund ta ndal trendin e zhvillimit shoqëror, ekonomik, politik, e të ashtuquajturin globalizëm – në fakt ndodhi, dhe brenda natës gjithçka ndryshoi! Ngelëm të mbyllur duke pasur frikë jo nga ata/o që flasin ndryshe, duken ndryshe, ose besojnë ndryshe, por nga vetja, dhe nga njerëzit që i konsideronim si më të afërtit. Është një moment kur të gjithë jemi bërë bashkë duke dashur ta shpëtojmë njerëzimin. Paradoks, dhe e pabesueshme!

Kjo situatë pandemie universale po paraqet një sfidë unike pasi që na është shfaqur në një formë natyrale. Konfuziteti rritet kur kërcënimi i virusit është i padukshëm, përdallim që gjatë traumave të shkaktuara nga vetëdija e njeriut, apo grupe të njerëzve në mbrojtje të llojit të njejtë, qoftë për nga përkatësia etnike, racore, gjuhësore, biologjike apo vlerave të caktuara, psikologjiksht ke një përgatitje, dhe e dinë se nga po vjen kërcënimi.

Mendja pavetëdije, me shkoi 20 vite mbrapa, dhe paralelet e dallimeve, dhe ngjashmërive u bën hipotezë e ditëve të izolimit. Ka dallime dhe ngjashmëri në mënyrën se si reaguam në gjithë këtë situatë të njohur për grupe të njerëzve që rishtazi kanë kaluar sfida e konflikte, e të panjohur për ato shoqëri që me vite të tëra nuk kishin kaluar në situata të sfidave kolektive.

Përkundër dallimit substancial të natyrës së këtyre dy situatave që ne i kemi kaluar dhe po i kalonim: “pandemdisë ndëretnike” dhe “pandemisë globale COVID – 19”, tek ne ishte shumë më e njohur se cka do të thotë të jesh në një situatë kur nuk e dimë nga t`ja mbajmë, dhe kur e nesërmja është befasi. Ajo çfarë ishte më e theksuar tek ne, vazhdon të mbetet memoria mosbesuese në organizim shtetëror, ku për nga funksioni i veprimtarisë së jetës publike, e kishim të jetuar se cka do të thotë të ndalet qarkullimi i zingjirit funksional të shoqërisë, dhe kësaj ja kishim frikën më të madhe. Trupi jonë kishte një kujtesë të freskët se çka mund të na pret, ndonëse nuk kishte shumë rreziqe në të tashmen karshi kujtesës sonë, por kjo ishte e vërteta jonë. Ndoshta në një situatë jo fort të ngjashme, ku mund të duket paradoksale, por nga kujtimet e mia si një gjashtëvjeçare që kam kaluar luftën e vitit 1999, më dukej që e kishim më të zhvilluar aftësinë e qëndrueshmërisë së komunitetit – aftësinë e mobilizimit të një komuniteti për të përdorur burime të disponueshme, alternative për t’iu përgjigjur, rezistuar dhe tejkaluar situatat e pazakonshme.

Përjetimet dhe reagimet i patëm nga më të ndryshmet, por vlen të theksohet që përvoja nga “pandemia ndëretnike” që s`kishte shumë kohë që e kishim kaluar, pati ndikim të madh në mënyrën se si reaguam ne, si për nga: mosha, gjinia, apo përkatësia etnike e gjeografike. Si më interesantja  që e kam ndjerë ishte besueshmëria në memorien kolektive, dhe (mos) besueshmëria në orgnizimin shtetëror siç bënin shumica e vendeve të zhvilluara. Ndonëse, para luftës kur e kemi ndje vetën të dhunuar nga shteti në të cilin nuk kishim besim, trauma e trupit na përcolli në rrugën e ngjajshme, duke ditur që ajo ishte ndjenjë e njohur për ne. Përkundër faktit që në këto rrethana, shteti i cili kishte probleme të dukshme politike, ekonomike, dhe sociale, dhe i cili vetëm para 20 viteve kishte filluar funksionimin nga asgjëja, tentoi të na garantoj siguri, ku nuk ka hapësirë për panik, e ku mbrojtja e qytetarëve është prioritet, dhe që ka mjaftueshëm furnizim për të gjithë, ne e kishim një eksperiencë të kundërt, dhe ajo na kontrollonte, duke shfaqur kështu mobilizim më të madh kolektiv, për t`i dal ballë një situate sa të panjohur, aq edhe të njohur për neve në mënyrën tonë.

…thuhej se është kjo koha kur hallet e mdhaja, i tejkalojnë ndasitë e dallimet etnike, gjuhësore, e racore, por në fakt – jo edhe në këtë situatë, për të cilën thuhej të jetë sfida më e madhe e njerëzimit pas luftës së dytë botërore.

Përkundër faktit të deklaratave të përbashkëta jo vetëm në Kosovë, regjion, por gjithë botën që jemi bashkë në tejkalim të kësaj situate që ishte shkencëtarisht e vërtetuar që nuk bën ndarje në rrugën, dhe njerëzit që zgjedhë, ishte e dhimbshme por shumë e kuptueshme që në rrafshin personal trajtimi i kësaj situate u nda në baza etnike, ku kjo u pa në komunitetin në të cilin jetojmë, përkatësisht në pjesën veriore të Mitrovicës, kur shqiptarët që jetojnë në atë pjesë tash e sa vite nuk e ndjenin vetën të gatshëm për t`ju drejtuar spitalit të asaj pjese në të cilin punojnë personel nga komuniteti serb, duke shtru kështu nevojën emergjente për kijimin e një qendre shëndetësore mobile, dhe duke bërë shumë të dukshme ndarjen, dhe anasjelltas duke vazhduar që qytetarët serb të asaj pjese të shërohen tek “lloji i tyre” përkatësisht në spitalin e qytetit.

Kjo ndarje, dhe shpërfaqje e rritjes së besueshmërisë tek lloji i njejtë në këtë të ashtuquajtur krizë globale, shënoi edhe nje herë një kthesë reflektimi ku të gjithë fizikisht e psiqikisht u kthyem tek vetja, duke manifestuar traumat, besimet, e vlerat tona në shërbim të kauzës së mbrojtjes së nevojshme nga një proces biologjik, por duke i nxjerr në pah pasiguritë tona psiqike e fizike të mbledhura ndër vite.

Në situata të tilla të dalin në pah disa reagime të befasueshme, që nuk e din se nga të vinë, dhe kthehesh tek ballafaqimi i vetës tek cikli i jetës, dhe ajo cfarë ke kaluar, kthehesh tek dicka e brendshme e thellë që ndoshta është mykur, por në situata të caktuara luan rol. E kupton që kjo ndjesi e mykur janë kujtimet që trupi ynë ruan, dhe nuk janë gjithnjë kujtime që ne me vetëdije, si të mbijetuar, i mbajmë mend, por ja që në situata të ndryshme shpërfaqen si të patrajtuara.

Ky shkrim është eksperiencë personale e autores, dhe nuk paraqet qëndrim të asnjë institucioni, ogrganizate, apo grupi tjetër të interesit.

Selvije Kurti ka lindur aksidentalisht në Mitrovicë, një qytet në veri të Kosovës. Ajo është një person kritik, e cili është i apasionuar për t`i vënë në pikëpyetje strukturat dhe normat shoqërore, dhe në reflektim se sa të dobishëm ose shtypëse janë ato struktura dhe norma. Kurti është e interesuar në atë se si njerëzit bashkëveprojnë përtej identiteteve, dhe fusha e saj kryesore e interesit është zgjidhja e konflikteve në vendet e pas luftës. Ajo hamendeson se si do të dukej bota nëse do të ngrihej në këmbë për njerëzimin, dhe jo vetëm të përqendrohet në kufijtëv e identiteve dhe ato gjeografike. Për dhjetë vitet e fundit, ajo ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në programet e të drejtave të njeriut, zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes. Pa anashkaluar ndikimin e së kaluarës në formimin dhe bindjet e saj, ajo është e përkushtuar të shijojë momentin e tanishëm dhe njerëzit dhe proceset përreth, duke preferuar të mos jetë viktimë e planeve, apo të ndalet në atë që ishte në të kaluarën, apo do të jetë në të ardhmen.