Në kërkim të rrëfimeve të vogla

Fotografia kryesore: Besim Ugzmajli

Kah i drejtojmë kamerat tona është vendim politik.

Në gusht të këtij viti, “Fran dhe Verka: apo një ditë e zakontë në një fshat të braktisur”, filmi dokumentar, të cilin e kam prodhuar në vitin 2023, pati premierën kombëtare në Festivalin Ndërkombëtar të Dokumentarit dhe Filmit të Shkurtër, Dokufest në Prizren.

Pas shfaqjes së filmit, në një sesion e pyetjesh dhe përgjigjesh, dikush nga publiku pyeti: “Sa ju është dukur interesant Franit dhe Verkës (subjekteve të filmit) fakti që po e xhironi jetën e tyre?” Kjo pyetje është ndoshta themeli i fuqisë transformative që kanë përpjekjet tona për shumësimin e zërave, përjetimeve e fytyrave që paraqesim dhe shohim në ekran.

Kjo pyetje më bëri ta shqyrtoj marrëdhënien time me përditshmërinë time. Mendova: A ndalet njeriu i zakontë, në një ditë të zakontë të jetës së vet, të mendojë sa e veçantë është përditshmëria e vet? Sigurisht jo. Unë nuk i mendoj ashtu cikërrimet e jetës sime dhe ma merr mendja që plot të tjerë ndihen si unë. Rrallëherë i përjetojmë cikërrimet e jetëve tona si rrëfime që përbëjnë interes publik a që ia vlejnë të shfaqen në ekrane të mëdha.

Me siguri kështu e kanë përjetuar jetën e tyre edhe Frani dhe Verka, derisa një ditë, një regjisor filmi, Sovran Nrecaj, ishte gjendur me punë të tjera në kishën e fshatit Letnicë, që ndodhet afër fshatit Vërnakollë, në Viti. Aty, nga murgeshat e kishës kishte dëgjuar për banorët e vetëm të Vërnakollës — Franin dhe Verkën.

Në shikim të parë, tregimi i Franit dhe Verkës është tregim i këmbënguljes: dy njerëz, të vendosur ta çojnë jetën në vendin që ata e ndiejnë dhe e njohin për shtëpi — në vendin ku janë lindur, rritur, e kanë njohur njëri-tjetrin dhe janë martuar. Frani dhe Verka nuk e shohin rrëfimin e tyre si të jashtëzakonshëm; është thjesht përditshmëria e tyre, siç është e zakontë përditshmëria ime, përditshmëria jote, përditshmëritë tona.

Megjithatë, në thelbin e vet, është një tregim i një çifti të moshuar kroat në Kosovë, që jetojnë të izoluar dhe krejt të vetëm në një fshat të braktisur. Dikur, ky fshat — si edhe Kosova në tërësi — ishte shtëpia e shumë kroatëve etnikë. Deri në të ‘90-at e hershme, rreth 9,000 kroatë jetonin në Kosovë; një numër që sot është tkurrur drastikisht.

Përse sot Frani dhe Verka janë të vetëm, është rrëfim që duhet ta shohim në ekran. Përse të gjithë të tjerët i kanë braktisur shtëpitë e tyre dalëngadalë — shumë drejt Kroacisë — është e  rëndësishme, edhe për ne si shoqëri, edhe për misionin dokumentues të filmit: të përbashkojë e zmadhojë zërat e atyre që qëllimshëm heshten.

Tregimi i tyre dhe tregimi për ta bëhet kështu i patejkalueshëm në një rajon të trazuar politikisht, ku historia mësohet midis ekstremesh dhe përvojat e atyre që më së shumti i kanë vuajtur pasojat e këtyre ekstremeve qëllimshëm lihen në skaje të historisë e diskutimit publik. Këto përvoja shpërfillen qëllimshëm sepse, kur tregimet e njerëzve dalin sheshazi, ato kanë fuqi përbashkuese. E në një ambient shoqëror e politik që përfiton prej përçarjes, ka përpjekje të zellshme për ta mirëmbajtur këtë status quo e për t’ua mohuar njerëzve mundësinë të mësojnë rreth njëri-tjetrit dhe ta shohin veten tek pasqyrohet në rrëfimin e tjetrit.

Prandaj, filmi ka fuqi

Të qenit në bashkësi është qenësore për njeriun si qenie sociale e politike. Sidoqoftë, të qenit bashkë, në një rajon ku vazhdimisht vendosen tulla në murin ndarës mes njerëzve, është vështirë. Prandaj, përbashkimi bëhet akt rezistence.

Tulla në këto mure kanë qitur shpesh edhe filmat në Kosovë e Ballkan, në përgjithësi. Janë krijuar filma, që ua kanë pamundësuar njerëzve të gjejnë veten apo të identifikohen me përvojat që përfaqësohen në ekran. Kjo i ka shtyrë — dhe vazhdon t’i shtyjë — njerëzit t’i përjetojnë jetët dhe dhimbjet e veta si fate personale, e jo si përvoja thellësisht të kushtëzuara nga rrethanat shoqërore e politike, siç është lufta.

Sidomos prej luftërave të viteve të ‘90-a dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, në rajon, shumë filma, kanë dështuar ta diversifikojnë tregimin për luftën. Në vend se ta zhvendosin vëmendjen kah rrëfimet e vogla e t’u bëjnë vend njerëzve të thjeshtë, të cilët prej luftërave kanë vuajtur në vetmi, shumë filma e kanë shndërruar tregimin për luftën në një rrëfim të thjeshtësuar — në një garë të reduktuar në fitore e humbje, në “ne dhe të tjerët”.

Duke i hequr këta njerëz të thjeshtë nga vëmendja kinematografike, i kanë bërë ata të ndihen edhe më të përjashtuar nga kjo traumë e përbashkët shoqërore. Këta filma kanë tëhuajësuar tutje njerëzit, duke kontribuuar në ndërtimin e “tjetrit” si përbindësh dhe duke ushqyer narrativa që janë themelet mbi të cilat në ish-Jugosllavi jo shumë moti janë ngritur ideologji tiranike e përgjakëse.

Detyra e artit dhe artistëve e artisteve është ta ndryshojnë këtë duke shtruar sheshazi pyetjet, të cilat janë fshehur nga përgjigjet, sipas James Baldwin. Duhet bërë mision i yni të mbesim kurreshtarë dhe t’i kërkojmë me ngulm këta njerëz dhe rrëfimet e tyre. Bëhet detyrë e filmit që ta shembë këtë mur përçarës përditë, tullë pas tulle. Këtë e bëjmë duke u bërë vend në ekran njerëzve që duken si ne, njerëzve që kanë vuajtur si ne, e që janë harruar si ne.

Është qenësore ta nxjerrim dhimbjen dhe mjerimin nga muret e shtëpisë, t’i problematizojmë shoqërisht, të flasim për to dhe të kundërshtojmë fuqitë, të cilave iu shkon për shtati të na bëjnë të mendojmë se dhimbjet e mjerimi janë thjesht rrethana individuale.

Prandaj, në një kontekst më të gjerë politik e edhe kinematografik që largon njerëz nga vetvetja dhe njëri-tjetri, nuk ka asgjë më të rëndësishme se krijimi i një përvoje të përbashkët. Si rrjedhojë, vendosja e përvojave dhe e “asgjëve të vogla të jetës” në ekran e në skenë bëhet akt politik.

Për Franin, Verkën dhe të tjerët si ta

Filmi, qoftë fiksion apo dokumentar, ofron platformë të mrekullueshme për t’u thelluar dhe për të nderuar tregime të këtilla, të vogla, në veçanshmërinë e tyre — për të kaluar kohë edhe me tregimin edhe me tregimtarët. Na ofron platformë që të bëhemi bashkë me njerëzit, të cilët i xhirojmë dhe të bëhemi zë i kujtesës në një mjedis të harresës.

Dokumentimi i tregimeve të këtilla përmes filmit nuk është thjesht ndërmarrje artistike — është mision për ruajtje dhe respektim të kujtesës. Ky mision më ka shtyrë të pranoj me gjithë zemër ftesën e autorit dhe regjisorit, Nrecaj për të prodhuar filmin “Fran dhe Verka: Apo një ditë e zakontë në një fshat të braktisur”.

Filmi përcjell Franin dhe Verkën, të cilët zgjedhin Vërnakollën, anipse të gjithë kanë shkuar.

Rruga për në Vërnakollë është e mundimtë — duhet bërë me mjet transportues malor. Për të shkuar atje, duhet vendosmëri, por që s’i shkon as afër vendosmërisë së Franit dhe Verkës për të mos hequr dorë prej shtëpisë së tyre. Këtë rrugë e bëra për herë të parë në mars të vitit 2023, kur bashkë me regjisorin dhe drejtorin e fotografisë, shkuam për të biseduar me Franin dhe Verkën, për t’u njohur më mirë me ta dhe për të vendosur se cilat aspekte të përditshmërisë së tyre duhej portretizuar, për t’i paraqitur më së miri gjithë ato nuanca të tregimit të tyre, i cili është tregim edhe i Kosovës.

Kthesa në të majtë nga rruga kryesore që të çon për në Viti, është po ashtu kthesë për një vend që bërtet me heshtje. Shtëpi të braktisura në të dy anët e rrugës. Asnjë dritë s’është e ndezur. Duket gati apokaliptike.

Kjo heshtje bëhet më e zhurmshme pas bisedës me Franin dhe Verkën. Verka nuk e flet shqipen e Frani e flet mjaftueshëm sa për të na treguar se në Vërnakollë është rritur, se aty është takuar me Verkën, me të cilën tash është i martuar. Me buzëqeshje rrëfejnë për gjallërinë që fshati kishte dikur, kur ishte shtëpi e qindra banorëve.

Sidoqoftë, Frani dhe Verka qëndrojnë aty, për të na treguar se nganjëherë lidhja me atë që quajmë shtëpi dhe me kujtimet është më e fortë se premtimi për një jetë më të mirë tjetërkund.

Rruga nga shtëpia e Franit dhe Verkës, për tek kisha e fshatit — e mirëndërtuar, por e braktisur dhe i vetmi vend ku ka një burim uji të pijshëm —  bëhet për diku 20-25 minuta ecje përpjetë në terren malor, dhe po aq teposhtë nga kisha deri tek shtëpia e Franit dhe Verkës. Kjo është mundësia e vetme për furnizim me ujë të pijshëm për banorët e vetëm të fshatit, që të dy në të shtatëdhjetat.

Pamje nga filmi: “Fran dhe Verka; ose një ditë e zakonshme në një fshat të braktisur”.
Fotografia: Besim Ugzmajli

Sidoqoftë, do të ishte e padrejtë nëse them se ky është boshti i rrëfimit të Franit dhe Verkës apo i filmit tonë. Frani dhe Verka kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpinë e tyre dhe për të flasin me nostalgji e dashuri. Tregimi i tyre është i mbushur me humor dhe me përsëritje të përditshme të vullnetit të tyre për të qëndruar në shtëpi, përkundër mundësive që i kanë pasur për t’u larguar, siç kanë bërë të gjithë të tjerët.

Vendimi për të jetuar aty ku njeriu ndihet në shtëpi duhet të jetë individual dhe, në parim, nuk duhet të përbëjë ndonjë farë çështje që përbën interes publik. Por, kur ky vendim bëhet rezistencë dhe izolimi bëhet normë, këto tregime duhet të problematizohen shoqërisht.

Për Franin dhe Verkën, përditshmëria e tyre nuk është diçka që ia vlen të kapet nga kamerat — ata do të jetonin siç jetojnë edhe pa këtë dokumentar. Por, ky dokumentar na duhet neve si shoqëri. Na duhet sepse na shërben si vërejtje që të të kuptuarit tonë rreth asaj se çka e përbën shoqërinë tonë duhet t’i përfshijë ata e ato që jetojnë në skaje dhe t’i njohë ata e ato që vazhdojnë të frymojnë e rrnojnë, anipse janë harruar. Shërben si mësim që historia nuk formësohet vetëm nga ngjarje të mëdha, por sidomos nga jetët e njerëzve të thjeshtë që i jetojnë dhe mbijetojnë ato.

Pamje nga filmi: “Fran dhe Verka; ose një ditë e zakonshme në një fshat të braktisur”.
Fotografia: Besim Ugzmajli

Ky tregim duhet të na ndihmojë ta kuptojmë shumëfishësinë e ndikimit të ngjarjeve traumatike sikur luftërat e Jugosllavisë dhe mënyrat se si luftërat shembin jetë njerëzish, duke e shndërruar atë që dikur ishte e mirëqenë, në diçka që kërkon rezistencë e qëndrueshmëri për t’u përballuar. 

Praktika e dokumentimit të këtyre rrëfimeve përmes filmit, sidomos në rajone ku historia është e polarizuar, është detyrë e të gjithë neve që kemi privilegjin dhe mundësitë për të bërë diçka të tillë. Ne nuk duhet të rreshtim së kërkuari këto tregime të vogla, së kthyeri vëmendjet e kamerat kah qëndresa njerëzore, në të gjitha mënyrat e veta — kah rrëfimet qëllimshëm të shmangura.

Me film, mund të krijojmë një ambient shërimi e festimi të kujtimeve dhe përvojave tona si mënyrë për t’iu bërë ballë forcave përjashtuese e heshtëse që në Kosovë e Ballkan kanë gjetur shumë argatë.

Fatmirësisht, ka shumë që po përpiqen ta bëjnë këtë. Viteve të fundit, Kosova ka përjetuar një valë të re të filmbërësve e filmbërëseve, të cilët/at duket se nuk lodhen fort për agjenda, rrëfime të mëdha e dikotomi thjeshtuese. Në vend të kësaj, ata e ato përqendrohen në krjimin e një hapësire ku lufta diskutohet për t’u shëruar. Përditë, mundohemi t’i shprushim tregimet e vogla, ku janë e ku s’janë dhe ta përqendrojmë kamerën e kthejmë vëmendjen shoqërore kah këto tregime. Ky është përkushtimi ynë për t’i nderuar këto tregime — bashkë me tonat — dhe të gjitha ato që kapërcehen në mënyrën se si mbledhet e kujtohet historia kolektive.

Në këtë rezistencë tonën ndaj harresës e gjej përgjigjen e pyetjes që m’u bë në gusht: në të zakonshmen dhe atë që duket e mërzitshme, i gjejmë historitë e vogla, pa të cilat s’mund ta kuptojmë as historinë e madhe, as veten.

Ky artikull u shkrua së pari në shqip.

Aurela Kadriu është sociologe, hulumtuese dhe menaxhere kulturore me përvojë si producente filmi dhe teatri. Hulumtimet e saj për kujtesën, socio-urbanizmin, gjininë e të drejtat e njeriut përqendrohen në historinë bashkëkohore të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Është drejtore e programit në Qendra Multimedia — organizatë kulturore e përqendruar në prodhim kulturor të fokusuar në teatër dhe letërsi bashkëkohore.