Burimi: nytimes.com
Nga CARLOTTA GALL 24 MAJ 2016
Shqiptarë etnikë ngarkojnë një traktor me sende që i kanë marrë nga ish-shtëpitë e serbëve në Pejë, Kosovë. 25 qershor 1999. Foto nga Tyler Hicks/The New York Times
Times Insider sjell informata nga prapaskena se si zhvillohen lajmet, artikujt dhe opinionet në The New York Times. Në këtë artikull, Karlota Gall (Carlotta Gall), reportere në Pakistan dhe Afganistan, ndan historinë e saj personale lidhur me analizën e lajmeve që ka bërë rishtazi se si Kosova ka ndryshuar që kur ajo e pa së pari herë në vitin 1999.
Ishte e çuditshme dhe e prekëse të kthehesha në Kosovë për të parën herë pas 15 viteve.
Kam jetuar dhe punuar atje për tre vjet, nga viti 1999 deri 2001 — koha më e turbullt në historinë e re të Kosovës, kur Amerika udhëhoqi NATO-n në luftë kundër Serbisë për t’i dhënë fund shtypjes së dhunshme të popullatës shqiptare në Kosovë.
Një i ri refugjat, shqiptar etnik, qëndron pranë nënës së tij ndërsa ata dhe të tjerë po ikin nga fshati i tyre Tërstenik, rrugës për Drenas në Kosovë, që po bombardohet nga ushtria jugosllave. 22 mars 1999. Foto nga Tyler Hicks/The New York Times
Në vitin 2001 shkova të raportoj për luftën në Afganistan dhe tani jetoj dhe punoj në Afrikën e Veriut. Kjo është jeta e një korrespondenteje të lajmeve të jashtme. Mirëpo asnjëherë nuk largohesh vërtet nga një vend.
Lajmet i shihja nga larg, edhe kur dhuna eskaloi, edhe kur Kosova më në fund e fitoi pavarësinë në vitin 2008. Si të gjithë gazetarët, kur u takova me miq e kolegë që punonin atje, ne këmbenim ngjarje dhe diskutonim për zhvillimet më të fundit.
Kështu që e dija se bashkë me një pjesë të madhe të Evropës, Kosova kishte treguar shenja të radikalizimit islamik. Të rinjtë kosovarë po largoheshin për t‘iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri; miqtë e mi më tregonin për xhami dhe predikues radikalë që ishin bërë të njohur dhe se grupe të zellshme fetarësh kërcënonin njerëzit.
Prej një kohe të gjatë i kam përcjellë lëvizjet islamiste — nga Afganistani deri në Azinë Qendrore ish-sovjetike, në Kaukaz dhe Afrikën Veriore — mirëpo mbeta pa fjalë kur dëgjova se Kosova, që për një kohë të gjatë kishte qenë protektorat i Kombeve të Bashkuara, ishte infektuar.
Shemsi Maliqi (djathtas) me një nga djemtë e tij dhe me familjen e tij, Gjilan, Kosovë, 28 mars 2016. Një tjetër djalë i tij, Alejhim Maliqi, besohet se është me ISIS në Siri dhe policia e Kosovës ka lëshuar fletëarrest për të. Foto nga Andrew Testa për The New York Times
Redaktorët e mi më dhanë leje të bëja një udhëtim për të raportuar. Projekti do të ishte pjesë e një serie më të zgjeruar hulumtuese për të cilën po punonim.
Ia nisa të mblidhja kontaktet. Dy miq që kishin punuar me mua gjatë luftës — fotografi britanik Andrew Testa dhe përkthyesja e hulumtuesja kosovare Laura Kajtazi — vazhdonin ta vizitonin Kosovën rregullisht dhe më dhanë shumë informata që nuk i kisha.
Arrita në Kosovë në kohën e duhur për të përcjellë një konferencë dy-ditore për sigurinë që u mbajt në kryeqytet, Prishtinë dhe që më ndihmoi të freskoja informacionin për ngjarjet në rajon.
Ishte e çuditshme që isha kthyer. Disa vende ishin të paprekura, si për shembull Grand Hoteli i hirtë i kohës së komunizmit, ku ne, gazetarët e huaj, ishim grumbulluar dhe pastaj dëbuar nga paramilitarët serbë në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s.
Mirëpo ndërtesat e reja ma humbën fillin dhe nuk arrija ta gjeja shtëpinë time të vjetër kur dola të shëtis për të parën herë. Kafeneja jonë e preferuar në rrugën kryesore, prej nga raportonim çdo ditë gjatë luftës, nuk ishte më.
Që nga koha kur kisha punuar në Kosovë, ishte krijuar një gjeneratë krejtësisht e re e gazetarëve dhe akademikëve dhe kuptova se ata kishin qenë të zënë prej vitesh me studimin e temës së islamit radikal. Puna që kishin krijuar ishte impresionuese, përfshirë dhe një tezë doktorature nga ish-refugjati Dimal Basha dhe një raport nga Shpend Kursani për Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë.
Reporterë të gazetave dhe stacioneve televizive kanë përcjellë kosovarët që kanë shkuar në Siri dhe kanë intervistuar familjet e tyre dhe kanë hetuar predikuesit radikalë që akuzohen se i kanë rekrutuar.
Artan Haraqija dhe Visar Duriqi më ndihmuan t’ia nis punës, më caktuan takime dhe përkthyen për mua gjatë intervistave. Ne shëtitëm në të gjithë vendin duke u takuar me klerikë myslimanë, politikanë lokalë dhe qytetarë të thjeshtë që na treguan se si islamistët radikalë kishin pushtuar xhamitë dhe kishin tërhequr turma të nxënësve të rinj nëpër ligjëratat e tyre, duke kërcënuar këdo që u zintë udhën.
Pavarësisht kujtimeve nga koha e luftës, ishte kënaqësi ta rizbuloje Kosovën: edhe pse rrugët dhe ndërtesat ishin modernizuar, bukuria e fshatrave në natyrë dhe malet e mbuluara nga dëbora ishin të paprekur.
Mirëpo ishte e vështirë të kuptoje humbjen e re që po prekte familjet, fëmijët e të cilëve ishin joshur drejt Sirisë, pothuajse gjithnjë pa dijeninë e prindërve. Ne biseduam me disa prej tyre që ishin kthyer nga Siria, edhe pse disa e mohonin të kishin qenë atje, ndoshta për shkak të frikës nga përndjekja (meqë tani është vepër penale të bëhesh pjesë e grupeve të armatosura jashtë Kosovës).
Kosovarët janë padyshim të hapur dhe mikpritës dhe në përgjithësi i shohin me sy të mirë reporterët e huaj, pasi ne ndihmuan për shpalosjen e tmerreve të luftës. Mirëpo disa nuk donin të intervistoheshin — pasi ishin të lodhur nga pyetjet e gazetarëve, apo të shqetësuar dhe u vinte turp nga xhihadizmi i dhunshëm që kishte infiltruar familjet e tyre.
Disa gra kritikuan haptazi fundamentalistat, mirëpo kërkuan që emrat e tyre të mos përmenden nga frika e hakmarrjes. Njëra madje ishte kërcënuar me vdekje ndërsa kishte qenë duke shkuar për punë; një tjetër u ankua se gjyshi i saj ishte munduar shumë për t’i arsimuar gjashtë vajzat e tij, por mbesa e saj kishte refuzuar gjithçka që kishn arritur dhe kishte pranuar një stil jetese si në mesjetë.
Disa javë më pas, e kisha tashmë një ide të mirë se sa shumë kishte ndryshuar Kosova që nga lufta, mirëpo redaktorët e mi më nxisnin të vazhdoja të gërrmoja. Ne donim të zbulonim origjinën e këtij radikalizmi të sapozbuluar.
Përgjatë viteve të raportimit mbi këtë temë kam kuptuar se të intervistuarit priren të jenë të paqartë se kush i rekruton fëmijët e tyre. Shpeshherë, njerëzit fajësojnë internetin. Mirëpo ekspertët e kësaj fushe — analistë të sigurisë dhe ish-ushtarakë — thonë se vetë-radikalizimi është i rrallë. Pothuajse gjithnjë radikalizimi përfshin presionin nga njerëzit. Dikush, ndonjëherë një person, ndonjëherë grup, merret me rekrutimin.
Doja të bëja këtë pyetje në Kosovë: kush është prapa këtij trendi? Kush e financon, si dhe pse?
Pashë orë të tëra të videove të predikuesve radikalë dhe propagandës së ISIS-it dhe lexova faqe të tëra të kabllove diplomatike të SHBA-ve të publikuara nga WikiLeaks. Disa tregonin se si donatorë të pasur nga Arabia Saudite dhe vende të tjera të Gjirit Arab mbështesnin përhapjen e mësimeve fundamentaliste, madje dhe të terrorizmit, përmes fondacioneve të bamirësisë.
Udhëtova për në Lestër në Mbretërinë e Bashkuar për të hulumtuar për një bamirësi myslimane britanike që akuzohej për radikalizimin e shumë familjeve në një fshat të Kosovës qendrore.
U ktheva në Kosovë për raundin e dytë të intervistave dhe u vizitova sërish disa nga burimet e mia të para. U vura në kërkim të zyrtarëve të qeverisë dhe hetuesve për të qartësuar faktet dhe shifrat.
Edhe policia e anti-terrorizmit, edhe Njësia e Inteligjencës Financiare që ishin ngarkuar me detyrën që të kontrollonin me krehër të imët financat e klerikëve radikalë dhe bamirësitë e lidhura me ta, dolën të ishin burime të vlefshme të informacionit.
Edhe fati pati pjesën e vet, pasi gjatë kohës që isha atje u zhvillua gjykimi i Zekirja Qazimit, njërit prej rekrutuesve më të mëdhenj për ISIS.
U largova disa javë më vonë, me fletoret plot shënime, me kokën që më sillej rrotull nga informatat. Me makinë u drejtova nga jugu drejt pikës kufitare të Bllacës, nëpër të njëjtën rrugë që kisha kaluar kur në vitin 1999 na dëbuan paramilitarët serbë.
Tani ishin kohë më të mira. Kosova ka bërë përparime të mëdha që nga ato ditë dhe po përballej me radikalizmin. Mirëpo brenda vetes kisha një ndjenjë të njohur ngacmuese: këtu kisha një histori të re të mjerimit dhe padrejtësisë që duhej rrëfyer.
Times Insider sjell informata nga prapaskena se si shkruhen lajmet ditore, artikujt dhe opinionet në The New York Times. Na vizitoni në: Times Insider. Na dërgoni email në: timesinsider@nytimes.com.