Raportimi i mediave në gjuhët maqedonase dhe shqipe për rastin e Kumanovës

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga konflikti i armatosur ndëretnik mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përfundimi i të cilit shihet si momenti kur nisi relaksimi i raporteve ndëretnike nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit, gjakrat nuk janë ftohur krejtësisht. Hendeku ndëretnik ende shfaqet herëpashere. Në këtë artikull, ne do të analizojmë raportimin e mediave në gjuhët maqedonase dhe shqipe rreth incidentit të armatosur më 9 maj 2015 në qytetin e Kumanovës, një qytet ku jetojnë maqedonas dhe shqiptarë. Për disa, ky ka qenë një akt terrorist, disa të tjerë e kanë parë si përleshje të armatosur. Por, çfarë thonë mediat ndërkombëtare? Ata hedhin dyshimin se mund të ketë qenë një lojë politike, për të larguar vëmendjen nga skandalet e regjimit të Gruevskit.

Televizioni Sitel, i cili në atë kohë njihej si një ndër mediat më propaganduese që mbështeste regjimin, në lajmin për arrestimin e disa personave që dyshohej të kishin qenë pjesë e këtij incidenti, thotë se janë arrestuar “bashkëpunëtorët e terroristëve”.

TV Sitel: Rrufeja ka goditur ndihmësit e grupit terrorist nga Kumanova. Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e madh të MPB-së.

Ky raportim me këtë ton erdhi vetëm pak orë pas incidentit të rëndë, por kaq i mjaftuan kësaj medieje për t’i shpallur pjesëmarrësit “terroristë” së bashku me bashkëpunëtorët e tyre. Siç duket, baza për këtë, që edhe u përdor si burim, ishte deklarata e ish-zëdhënësit të MPB-së, si në vijim:

“Të gjithë shtatë personat janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale organizatë terroriste sipas nenit 394a dhe terrorizëm sipas nenit 394b”, Ivo Kotevski, ish-zëdhënës i MPB-së.

Shtatë vite nga kjo ngjarje, retorika e mediave maqedonase ka vazhduar të jetë e anshme. TV Alfa, në një raport në lidhje me këtë ngjarje, të akuzuarve në këtë rast u referohet si “terroristë shqiptarë”, duke i dhënë në këtë kuptim etni “terrorizmit”.

TV Alfa: Shtatë vite nga konflikti i përgjakshëm i armatosur me terroristët shqiptarë në lagjen e Kumanovës “Lagjja e Trimave”, ku humbën jetën tetë policë maqedonas, pjesëtarë të Njësitit Special “Tigrat”.

Konflikti i armatosur ka zgjatur më shumë se 20 orë, në të cilin humbën jetën tetë “tigra” maqedonas, ndërsa u vranë 10 anëtarë të grupit terrorist të armatosur shqiptar.

Por, si kanë raportuar mediat në gjuhën shqipe? Raportimet në mediat në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut duket se kanë qenë më neutrale. Nuk i kanë quajtur “terroristë” pjesëtarët e grupit të përfshirë në incidentin e armatosur, por as nuk i kanë bërë “heronj”.

Në një raportim më 10 maj, ditën e dytë të incidentit, TV Alsat i referohej grupit të përfshirë me frazën “grupi i armatosur”.

TV Alsat: Ora shtatë e mëngjesit shënoi alarmin e ri me të shtëna në Kumanovë, pas një nate të qetë. Policia nisi shkëmbimin e zjarrit, me ata që besohet se mund të kenë qenë individë të mbetur nga grupi i armatosur, që u njoftua një ditë më parë në kuadër të këtij operacioni.

Një qasje më neutrale ka pasur edhe media online Portalb.mk. Edhe në këtë media, grupi i përfshirë në incident është “grup i armatosur”, ndërsa të arrestuarit për këtë ngjarje, janë “të dyshuar”.

Portalb.mk: Sot sërish u hap plaga e quajtur “Kumanovë”, pesë muaj pas përleshjeve të përgjakshme të policisë dhe grupit të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë ku 8 persona nga forcat speciale të policisë humbën jetën, 37 rezultuan të lënduar, opinionin edhe më tej e bren misteri dhe pret nga institucionet kompetente të përgjigjen në pyetjen: “Çfarë saktë ndodhi në Kumanovë”?

Pala mbrojtëse e një pjese të të dyshuarve është njoftuar se hetimi i Prokurorisë Publike është në fazën përfundimtare, por avokati Naser Raufi i cili përfaqëson disa prej 30 të dyshuarve ende nuk i ka marrë dëshmitë.

Incidenti i armatosur mori vëmendje të madhe edhe në mediat ndërkombëtare. Në këto media, kishte dilema se rasti kishte të bënte më shumë me intriga politike, se sa me raportet ndëretnike në këtë qytet.

Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase, një ditë para shpalljes së aktgjykimit, publikoi një artikull me titullin “Lagjja e trimave – terrorizëm me prapavijë politike”, duke shtruar dilemën se incidenti mund të ishte inskenuar nga krerët e partive VMRO-DPMNE dhe BDI, që në atë kohë ishin partnerë koalicioni të qeverisë.

REL: Më 9 maj 2015 në këtë lagje të Kumanovës humbën jetën 8 policë dhe 14 sulmues. Të akuzuar janë 37 persona të cilët pretendojnë se janë pjesë e lojës politike të pushtetit të atëhershëm.

Edhe rrjeti televiziv evropian “Euronews”, në një reportazh të publikuar më 12 qershor, thotë se në këtë ngjarje, mund të jenë përfshirë shërbimet sekrete maqedonase, të cilët mund të kenë negociuar dhe organizuar këtë ngjarje të rëndë.

Euronews: “Ka gjithnjë e më shumë dëshmi se shërbimet sekrete maqedonase, apo elementë të këtyre shërbimeve ishin përfshirë në negocim, madje edhe në organizimin e gjithë asaj çka ndodhi”.

“Euronews” shkruan se, incidenti u paraqit si shkak i tensioneve ndëretnike midis shqiptarëve pakicë (edhe pse janë mbi 30%) dhe maqedonasve që përbëjnë shumicën.

Euronews: “Tensionet ndëretnike midis pakicës shqiptare dhe komuniteteve shumicë joshqiptare i cituan si shkak. Shqiptarët vendas janë ankuar gjatë se trajtohen si qytetarët të dorës së dytë nga shteti. Por, shumë maqedonas besojnë se shkaku i vërtetë i incidentit më të rëndë në 14 vitet e fundit në rajon ka të bëjnë më shumë me intrigat politike se sa me grindjet ndëretnike. Ata besojnë se qeveria e tyre, me skandalet e fundit, ka pasur dorë në provokimin e ngjarjes”.

Autore: Teuta Buçi

Redaktor: Xhemajl Rexha

Ky shkrim është produkt i trajnimit rajonal për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së.