Si i ndikon rrëfimtaria thjeshtuese dhe përjashtuese brezat e tërë.
Ende e mbaj mend filmin e parë jugosllav rreth Kosovës, që e kam shikuar sa isha rreth 13 vjeç dhe parehatinë e madhe që e ndieva. Ishte filmi i vitit 1989, titulluar: “Boj na Kosovu” (Beteja e Kosovës), me regji të Zdravko Šotra. E pata gjetur pas orësh gjurmimi në internet, në kërkim të paraqitjeve kinematografike të Kosovës dhe historisë së saj.
I lindur në Londër, nga prindër kosovarë, e ndieja një nevojë të fuqishme ta shihja vendin tim tek përfaqësohet në ekranin e madh. Teksa mund të krijoja lidhje me filmat e njohur që i kisha shikuar gjatë fëmijërisë dhe viteve të adoleshencës, shumica e filmave që mund të gjeja, të prodhuar në Perëndim, ku paraqitej Kosova, përqendroheshin vetëm në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998-99.
E dija që lufta dhe mungesa e stabilitetit politik në Kosovë gjatë viteve të ‘90-a kishin qenë faktorët që i kishin detyruar prindërit e mi t’i linin shtëpitë e tyre për kohë të pacaktuar. Por, teksa rritesha, nevoja për ta parë Kosovën dhe njerëzit e saj tek përfaqësohen përtej luftës veç u bë më e fuqishme.
Doja të shihja një film ku njerëzit kishin emra si timin, identitete të ngjashme me mua dhe kishin përvoja historike që ngjanin me ato të familjes sime.
Narrativat e munguar shqiptar dhe nacionalizmat e të të ‘90-ave
Si duket, “Boj na Kosovu” nuk ishte fillim i mbarë. Filmi flet për Betejën e Kosovës (1939), një betejë midis princit serb Lazar dhe ushtrisë së tij, të përbërë prej serbëve, shqiptarëve, boshnjakëve dhe vllehëve, kundër një Perandorie Osmane që zgjerohej nën udhëheqjen e Sulltan Muratit I. Filmi u realizua në një kohë kur regjimi shtypës jugosllav veç po shtohej e, me revokimin e statusit të Kosovës si krahinë autonome në vitin 1989, po zbatonte një valë të shtypjes sistematike kundër shqiptarëve. Kjo çoi në gati një dekadë të shkeljes së të drejtave të njeriut, gjë që ndërkohë përshkallëzoi në luftën e viteve 1998-99 në Kosovë.
“Boj na Kosovu” më la përshtypje që s’harrohen lehtë, edhe pse për arsyet e gabuara. Përshkruante një Kosovë që s’e njihja dot, as unë, as familja ime apo njerëzit që i njihja në Kosovë. Dukej sikur filmi ishte bërë me një agjendë të caktuar: të nënvlerësojë identitetin e narratvivat kosovare shqiptare, si dhe lidhjen tonë kolektive historike me Kosovën.
Filmi e paraqet Betejën e Kosovës përmes një pikëpamjeje nacionaliste serbe, duke përfshirë narrativa mitologjike, të gjetura në “mitin e Kosovës”, një ideologji që nxiti rritjen e nacionalizmit serb në shekullin XIX. Për shembull, të dyja, edhe miti, edhe filmi, e prezantojnë princin Lazar si një martir që e sakrifikon veten për popullin serb, duke u siguruar atyre një vend të shenjtë në parajsë. Kësisoj, filmi përqendrohet ekskluzivisht në figura serbe, fshin tërësisht këndvështrimet shqiptare dhe atij i mungon saktësia historike.
Duke përjashtuar pikëpamjet dhe figurat shqiptare — sidomos në një film të publikuar në vitin 1989 — narrativa i shërben qëllimit propagandistik që ka për synim të nënvlerësojë identitetin shqiptar dhe praninë historike të shqiptarëve në Kosovë, edhe në mesjetë, e edhe në kohët më të vona. Kjo rrëfimtari selektive krijon një portretizim të njëanshëm, që i përforcon pikëpamjet nacionaliste serbe, duke fshirë rolet e shqiptarëve dhe etnive tjera në historinë e Kosovës. Por, historianët si Noel Malcolm thonë që shqiptarët dhe etnitë tjera kane qenë të pranishëm në Kosovë gjatë mesjetës.
Filmi ngjalli pyetje të vështira përbrenda meje dhe vetëm kur u angazhova më thellësisht me historinë e Kosovës, e pashë se si filmi ishte një tjetër metodë e përdorur për të shtyrë përpara portretizime të pasakta të Kosovës dhe njerëzve të saj. Ekspozimi fillestar ndaj Kosovës në film e ushqeu një vetëdije kritike rreth përfaqësimit të saj gjatë shekullit XX. Marrë për bazë pozitën e pasigurt historike të Kosovës gjatë kësaj periudhe, portretizimet kinematografike të njerëzve të saj, rrëfimeve e përvojave të tyre, shpesh bazoheshin në qëndrime të jashtme dhe të pashqyrtuara mirëfilli.
Kjo nxiti një rrugëtim të zbulimit, duke më shtyrë të eskploroj më shumë rreth saj se si Kosova dhe njerëzit e saj paraqiteshin në film — çka gjeta më la me ndjenja të përziera.
Narrativa të tejthjeshtuara dhe stereotipe historike
Doja të shihja një film të prodhuar nga një studio me seli në Kosovë për të parë nëse portretizimet aty do të ishin më përfaqësuese. Filmi i parë në radarin tim ishte “Uka i Bjeshkëve të Nemuna”, një film i vitit 1969, me regji të Miomir “Miki” Stamenković. Filmi përcjell Ukën, luajtur nga aktori Ljuba Tadić, një burrë shiptar që jeton në Bjeshkët e Nemuna në Kosovë, e që ballafaqohet me sfida të mëdha kur i biri i tij i vetëm, Jahidi, bëhet bashkëpunëtor i fashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Uka e gjen veten në një gjakmarrje, aspekt qendror i Kanunit. E kuptoj rëndësinë e këtij filmi, si film i metrazhit të gjatë që paraqet kulturën shqiptare në Jugosllavi, por kam një varg mospajtimesh me të. Portretizimi i shqiptarëve që jetojnë në fshatra të largëta dhe përfshihen në zakone thellësisht patriarkale, të brengosur vetëm për nderin e traditën, duket si një portretizim thjeshtëzues dhe reduktues.
E di që këto aspekte kanë qenë pjesë të rëndësishme të kulturës sime, por ky film portretizon një kënd të vetëm të kulturës shqiptare në Jugosllavi — tipar i një kohe kur nuk kishte tjera paraqitje të shqiptarëve. Theksi i filmit te praktikat e ngurta kulturore bie në kontrast të fuqishëm me shprehjen time kulturore.
Uka reduktohet në një figurë të thjeshtëzuar e romantizuar, që më kujton “bishën fisnike”, një frazë që u shfaq në letërsinë perëndimore prej shekullit XVI e tutje. Historikisht, kjo frazë është përdorur për t’i paraqitur komunitetet indigjene si të pastra dhe të paprekura prej modernitetit — një portretizim që mund të duket pozitiv, por bartte një agjendë thellësisht problematike.
Shkrimtarët perëndimorë e përdorën këtë frazë për t’i romantizuar komunitetet indigjene, duke i paraqitur ato si artefakte statike historike e jo si individë kompleksë. Këto portretizime shpesh shërbenin për të glorifikuar botërisht nismat koloniale perëndimore. Në kontekstin e Jugosllavisë socialiste, karakteri i Ukës ngjashëm i shkon për shtati agjendës së përgjithshme socialiste politike. Uka paraqitet si shqiptar i fiksuar me nderin, primitiv, po prapë “i mirë”, i cili e ka të vështirë tëballafaqohet me vendimin e të birit për të bashkëpunuar me fashistët.
Anipse filmi ishte shkruar prej dy shqiptarëve, Abdurrahman Shala dhe Murteza Peza, ai prapëseprapë paraqiste një shkallë të ekzoticizmit rreth praktikave kulturore shqiptare. Duke e portretizuar Kanunin dhe respektimin e tij edhe si “të çuditshëm”, e edhe si “ekzotik” dhe duke e larguar atë nga konteksti më i gjerë historik e kulturor, e prapë duke e paraqitur si “argëtues” për audiencën jugosllave, filmi i vendos shqiptarët dhe kulturën e tyre në kontrast me shoqërinë moderne jugosllave të të ‘60-ave. Po ashtu, e komodifikon kulturën shqiptare në Jugoslavi, duke e prezantuar si diçka thjesht për t’u vështruar, diçka nga e cila duhet intriguar apo si diçka argëtuese, por jo si diçka me të cilën duhet angazhuar në një mënyrë kuptimplotë.
Një fenomen i ngjashëm preku edhe romët dhe kulturën e tyre. Sipas hulumtueses Natalija Stepanović, teksa “heronjt e sapoprezantuar jugosllavë të kinemasë përshkruheshin si përqafues të modernitetit”, romët vazhdimisht përjashtoheshin prej narrativave të përparimit. Komunitetet shqiptare, si ato rome në Jugosllavi, komodifikoheshin ngjashëm për kontributet e tyre kulturore, por shpesh paraqiteshin në një mënyrë statike, të margjinalizuar dhe portretizoheshin si “të prapambetur”. Këto portretizime i vendosnin ata jashtë sferës së përparimit, duke përforcuar stereotipet që kufizonin përfaqësimin e tyre përbrenda roleve tradicionale të dala mode, në vend se të njihnin kompleksitetet e tyre bashkëkohore.
Qasja anti-shqiptare në film ka luajtur rol në mënyrën se si shiheshin shqiptarët në Jugosllavi. Në letrat drejtuar gazetës ditore “Politika” dhe javores “NIN” përgjatë viteve të ‘80-a, shqiptarët e Kosovës përshkruhen si “kafshëror, monstruozë dhe të gërditshëm”. Kjo narrativë, jo vetëm që përforcohej përmes prodhimeve kulturore si filmi, por ishte po ashtu instrumentale në krijimin e një ambienti armiqësor ku propaganda anti-shqiptare ishte e zakonshme.
Një shembull tjetër i portretizimeve të tilla ishte filmi i vitit 1998, “Stršljen”(Grerëza), me regji të Gorčin Stojanović. Filmi flet për një histori dashurie midis Adrijanës, një gruaje serbe dhe Milajimit, një burri shqiptar të përfshirë në aktivitete kriminale, i vendosur në kohën e tensioneve gjithnjë e në rritje në Kosovë.
Një skenë në film më la sidomos mbresa: Abazi, një burroë shqiptar i lidhur me nëntokën kriminale shqiptare, në mënyrë nënçmuese thirret “šiptar” dhe “bir bushtre” nga burri serb, që përdor shërbimet e tij. Karakteri serb e thotë këtë me shaka, por pastaj pyet se përse shqiptarët ofendohen nga termi “šiptar” kur ata i drejtohen njëri-tjetrit me termin “shqiptar”. Ky moment vë në pah shkëputjen e thellë kulturore dhe ilustron se si fyerjet e racializuara kundër shqiptarëve ishin normalizuar në shoqërinë serbe dhe më gjerësisht jugosllave.
Filmi mirëmban përshkrime problematike të shqiptarëve dhe Kosovës — një prirje e vazhdueshme në industrinë e filmit, e cila, fatkeqësisht, vazhdon të formësojë portretizimet në shumë shoqëri post-jugosllave sot.
I mllefosur nga portretizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve si kriminelë, prijës famëkeq lufte, bashkëpunues të fashistëve apo irredentistë — ose nga fshirja e tërësishme e historisë së Kosovës — e orientova hulumtimin drejt gjetjes së përfaqësimeve të shqiptarëve dhe Kosovës që e festojnë bukurinë e saj dhe të njerëzve të saj, të lirë nga stereotipet.
Zbulimi i shqiptarëve të talentuar dhe bukurisë së Kosovës
Hulumtimi im nuk u karakterizua vetëm nga negativiteti. Zbulova shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi dhe Serbia që dhanë kontribute të rëndësishme në skenën kulturore jugosllave. Ndikimi i aktorëve si Bekim Fehmiu nuk mund të përshkruhet me fjalë; më ofroi një sens të thellë të të qenit i përfaqësuar, duke dëshmuar se çka mund të arrijnë shqiptarët kur u ofrohet mundësia. Babai im gjithnjë ka folur për Fehmiun me krenari; sytë i shndrisnin teksa e përmendte suksesin ndërkombëtar të Fehmiut. Për dallim prej të tjerëve, Fehmiu nuk kufizohej vetëm në role si prijës lufte a luftëtar muskuloz, por paraqitej në një varg karakteresh, përfshirë këtu role udhëheqëse, që e bënë si më të dashurin e publikut.
Po ashtu zbulova një dokumentar të bukur, të prodhuar në vitin 1972, titulluar “Prizreni qyteti i burimeve dhe bukurisë”, bërë nga Zastava Film, me regji të Zvonimir Saksida. Dokumentari paraqet peizazhet mbreslënëse të Kosovës dhe historinë e pasur të Prizrenit, nga një pikëpamje socialiste jugosllave, natyrisht. Teksa shihja filmin në vitet e fundit të adoleshencës, ishte thellësisht përmbushëse të shihja ato hapësira e njerëz të bukur nga Kosova, që ofronin një pikëpamje që ishte origjinale e jo eksploatuese.
Dokumentari paraqet momente të përzemërta të kosovarëve nga etnitë e ndryshe — duke biseduar në dyqane, duke ecur në bulevardet e lara me rreze dieli dhe duke qëndisur. Këto skena më prekën në një mënyrë të veçantë dhe përfundoja duke shpresuar që ato paraqitje me nuancë të kishin qenë më të zakonshme në industrinë jugosllave të filmit. Besoj se është qenësore për grupet kulturore që ta shohin veten plotësisht të paraqitur në ekranin e madh, të përjetojnë përfaqësime që i tregojnë në plotni rrëfimet e tyre — të mirat e të këqijat.
Teksa rritesha në Londër, Kosovën e kam parë kryesisht të paraqitur përbrenda narrativave të luftës dhe shpërnguljes. Rishikimi i filmit jugosllav, në kërkim të përfaqësimeve kulturore vetëm sa e çoi tutje portretizimin negativ, me stereotipe të cekëta, që mbizotëronin në një industri të shquar filmi.
Por, përbrenda kësaj historie, e shoh rritjen e rëndësishme që industria kosovare e filmit e ka përjetuar pas luftës dhe pavarësisë. Kur shoh filma të prodhuar në Kosovë, me aktorë/e kosovarë/e më ngrohet zemra. Qershia mbi tortë është kur i shoh ata/o teksa arrijnë suksese të panumërta botërisht, një dëshmi tjetër e asaj se çka mund të arrijmë e prodhojmë.
Ky artikull fillimisht u shkrua në anglisht.
Arbër Qerka-Gashi është kurator, hulumtues dhe shkrimtar nga Londra, me prejardhje kosovare. Arbri shkruan rreth një varg temash, por është sidomos i pasionuar për tema që lidhen me trashëgiminë e Ballkanit, përvojat e diasporës, identitetin shqiptar dhe shprehjen kulturore të Kosovës. Arbri është themeluesi dhe redaktori i platformës digjitale dhe botimit të përvitshëm “Balkanism”, si dhe ka bashkëthemeluar nismën e ngjarjeve “Balkan London Collective”.