Pranë, por të panjohur

Foto: Fahri Hiseni

Është e vështirë të komentosh për marrëdhëniet ndëretnike në cilëndo shoqëri dhe ta bësh këtë nga këndvështrimi i Ballkanit nuk përbën përjashtim. Një arsye për këtë është konteksti i ndërlikuar historik brenda të cilit ekzistojnë vendet e këtij gadishulli. Në secilën shoqëri të Ballkanit sot ka oreks të madh për të hedhur vështrimin pas me dashamirësi tek e kaluara e largët, tek koha e “kombeve tona të mëdha”. Sigurisht, secila shoqëri e Ballkanit i sheh edhe fqinjët e vet si fajtorë që ky ideal nuk është realizuar sot e kësaj dite. Kjo na çon tek e kaluara e afërme jo shumë e lavdishme. Të marrim rastin e Maqedonisë, që 11 vjet pas daljes pa bujë nga Jugosllavia u përball me ngjarje tronditëse, specifikisht luftëra, konflikte dhe skandale ndërmjet grupeve etnike. Njerëz që kishin jetuar krah më krah, në botëra paralele, në këtë rajon, për breza të tërë.

Me këto perspektiva të ndryshme për historinë, në një pikë të caktuar shoqëria jonë do të duhet të përballet me pasojat e veprimeve të së kaluarës dhe me paragjykimet.

Këtu ia vlen të përmendet se çdo vend ballkanik që ka marrë pjesë në luftërat dhe konfliktet e kohëve të fundit i është shmangur tërësisht investimit në të vetmin proces që do të duhej të ishte duke u zhvilluar mirë.E kam fjalën përprocesin e drejtësisë tranzicionale. Ende nuk ka ndonjë vullnet të madh për ta nisur këtë proces në rajon. Në Maqedoninë e Veriut kanë kaluar pothuajse 20 vjet që kur konflikti i brendshëm ndërmjet dy komuniteteve etnike (maqedonasit dhe shqiptarët) e deri më sot, nuk ka patur ndonjë epilog të këtij konflikti. Kemi njohuri të kufizuara sa i përket asaj që ka ndodhur në të vërtetë. Nuk ka patur ndonjë strategji se si të trajtohen apo zgjidhen padrejtësitë e këtij konflikti, por u është lënë njerëzve ta interpretojnë lirshëm dhe të nxjerrin konkluzione.

Në këtë artikull do të tentoj të paraqes në mënyrë objektive pamjen e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet dy grupeve etnike më sensitive në Maqedoninë e Veriut.

Një hulumtim i bërë në vitin 2011 nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, “Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”, shpalosi një rezultat me rëndësi, që ende po shpërfillet nga politika dhe media sot e kësaj dite: “Shumica e njerëzve në këtë vend besojnë se marrëdhëniet ndëretnike sjellin përfitime për individët (78.4%) dhe për shtetin e Maqedonisë (86.3%)[1]. Ky rezultat thekson se ka dëshirë dhe vullnet nga qytetarët që të njohin njëri-tjetrin, të largojnë pengesat e imponuara prej vitesh për marrëdhënie të mira, të fuqizojnë komunikimin dhe bashkëpunimin dhe të rrisin besimin dhe respektin e ndërsjellë. Mirëpo për ta arritur këtë, qeveria duhet të tregojë përkushtim më të madh dhe më serioz për marrëdhëniet ndëretnike. Aktualisht, promovuesit më të mëdhenj të vlerave ndëretnike në shoqërinë tonë janë organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe fondacionet e huaja. Shteti i promovon marrëdhëniet ndëretnike, por jo mjaftueshëm. Duhet të na vijë turp nga fakti se shumë të rinj e fillojnë komunikimin me bashkëmoshatarët e tyre nga komunitetet e tyre etnike për të parën herë rreth moshës 15 deri 20 vjeç dhe zakonisht gjatë trajnimeve të organizuara nga shoqëria civile.

Kjo nënkupton se sistemi i arsimit është i ndarë dhe nuk nxit komunikim të mjaftueshëm ndërmjet nxënësve dhe që shkollat të mësojnë historinë kolektive gjithëpërfshirëse të Maqedonisë. Në vend të kësaj, qasja e shumë mësimdhënësve të historisë në shkollat fillore është që të përqendrohen ekskluzivisht tek mësimi i historisë së grupit të vet etnik dhe t’i kalojnë mësimet e tjera. Kjo ndodh edhe në komunitetet mbizotëruese, edhe në ato pakicë. Nga puna me shkollat në të gjitha komunitetet etnike është parë se shumica e shohin si të panevojshëm mësimin e historisë kolektive!

Përse duhet të jetë kështu? Hulumtimet e lartpërmendura tregojnë se kryesisht, kjo çështje i ka rrënjët tek paragjykimet dhe mosbesimi ndëretnik:  44.9% e të anketuarve me përkatësi maqedonase raportuan se kanë paragjykime ndaj shqiptarëve dhe 26.5% e të anketuarve me përkatësi shqiptare raportuan se kanë paragjykime ndaj maqedonasve. Po ashtu, 45.4% e të anketuar shqiptarë nuk u besojnë maqedonasve, ndërsa 43.3% e të anketuarve maqedonas thanë se nuk u besojnë shqiptarëve.[2]

Pra, nëse e marrim hulumtimin në fjalë si pasqyrim të Maqedonisë së Veriut të ditëve të sotme, atëherë këtu ekzistojnë paragjykimet dhe mosbesimi ende ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Atëherë, një aspekt themelor pozitiv do të ishte gatishmëria e dukshme për t’i thyer këto paragjykime dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të forta ndëretnike, që gjithashtu do të kërkonin investime serioze nga të gjitha palët e interesit. Të rinjtë kryesisht trashëgojnë paragjykimet e brendshme dhe besimet nga prindërit e tyre dhe nga media online, që nxit ndasitë me kryetitujt e vet sensacionalë dhe të anshëm. Atëherë, si munden të rinjtë nga komunitete të ndryshme të gjejnë mundësi për t’u takuar me njëri-tjetrin dhe t’i sfidojnë këto paragjykime, nëse kjo nuk ndodh me përkrahjen e ndonjë strategjie integrimi të udhëhequr nga shteti, ku të përfshihen qeveria qendrore dhe vendore, shkollat tona dhe shoqëria civile? Strategjia duhet të përfshijë programe të përbashkëta për arsim dhe bashkëpunim, fushata online për rritje të vetëdijësimit dhe aktivitete të ndryshme interaktive për të ndërtuar marrëdhënie ndëretnike. Përndryshe, do të vazhdojmë t’i mbajmë fort paragjykimet dhe mosbesimin tonë edhe për shumë vite të tjera.

Institucionet arsimore janë kyçi. Ato duhet të inkurajojnë të menduarit kritik tek nxënësit për të kundërshtuar paragjykimet dhe ksenofobinë në radhët e bashkëmoshatarëve. Për të arritur në pikën ku një brez i nxënësve nuk ndahet në baza etnike por, përkundrazi, fuqizohet nga kjo, kërkon përkushtim kolektiv nga shteti, komunat, shkollat, prindërit, shoqëria civile dhe institucionet e tjera.

Në Maqedoninë e Veriut, një shembull pozitiv i kësaj ideje në praktikë është partneriteti ndërmjet shkollave të mesme për nxënës që kryesisht janë me prejardhje të ndryshme etnike dhe krijimi i klasave të përbashkëta. Mësimet zhvillohen në shumë gjuhë dhe në të njëjtën kohë për nxënës nga shkollat pjesëmarrëse. Nxënësit nga shkollat partnere marrin pjesë në aktivitete jashtëshkollore. Me shpresë, kjo nismë do të vazhdojë të marrë përkrahje dhe të rrisë ngritjen e kapaciteteve që të përfshihen të gjitha shkollat në Maqedoninë e Veriut.

Mbi 50% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut përdor median sociale. Për fat të keq, disa njerëz e shfrytëzojnë këtë mundësi, qoftë me profile të fshehura apo të vërteta si përdorues që të përhapin gjuhën e urrejtjes, të postojnë harta dhe fotografi provokuese, të shkruajnë komente ksenofobike dhe poshtëruese dhe të nxisin situata të tjera negative. Për fat, media sociale gjithashtu i ekspozon të rinjtë ndaj mesazheve dhe artikujve për ndërtimin e paqes, duke iu dhënë hapësirë se ku mund të ofrojnë zgjidhje për problemet dhe mangësitë që kemi si shoqëri. Kjo hapësirë u lejon të ndajnë tregime pozitive të marrëdhënieve ndëretnike dhe pikëpamje alternative për të kaluarën e largët dhe të afërt, që mund të ndikojë dhe të rrisin vetëdijen e publikut dhe të shpalosin qasje gjithëpërfshirëse për ballafaqimin me të kaluarën dhe ndasitë shoqërore aktuale.

E di që trajtimi i paragjykimeve dhe mosbesimi ndëretnik në Maqedoninë e Veriut është proces shumë kompleks që do të marrë shumë vite, mirëpo shmangia e çështjeve vetëm sa do ta pengojë edhe më tej dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve tona në të ardhmen. Sikurse kanë treguar hulumtimet, të gjesh bashkimin në diversitetin tonë të pasur kulturor është në dobinë tonë, si individë dhe si komb i tërë.

Fahri Hiseni është jurist i diplomuar në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ai tashmë tetë vite është aktivist paqësor për të drejtat e njeriut dhe integrimin ndëretnik tek të rinjtë. Është asistent në Projektin “Integrimi Ndëretnik i të Rinjve në Arsim” dhe kontribuon në përmirësimin e kohezionit ndëretnik mes të rinjve duke ndërtuar dhe kultivuar vlera dhe sjellje demokratike dhe qytetare.


[1] https://mcms.mk/en/news-and-publicity/mcic-in-the-media/1131-megjuetnickite-odnosi-se-podobruvaat.html

[2] https://mcms.mk/en/news-and-publicity/mcic-in-the-media/1131-megjuetnickite-odnosi-se-podobruvaat.html