Protestat e grave në vitet 1990 në Kosovë: historia e Igo Rogovës

Për shumë vite, shqiptarët u përballën vazhdimisht me pushtim dhe shkelje të së drejtave për punë, të lirisë së gjuhës, mbledhjeve, muzikës dhe lëvizjes. Mirëpo kjo u përkeqësua nën politikat shtypëse të regjimit të Millosheviqit. Në vitin 1998, gjendja u përkeqësua edhe më tej. Policia dhe forcat e armatosura serbe nisën të masakrojnë civilët, të përdhunojnë gratë, të djegin fshatra dhe të kryenin krime të tjera në Kosovë. Në mes të kësaj gjendjeje, shqiptarët vazhdonin përpjekjet e tyre drejt rezistencës paqësore.

Pas masakrave kundër civilëve në Drenicë, përfshirë gra dhe fëmijë, një grup i grave aktiviste nga shoqëria civile dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vendosën se duhej të bënim diçka. Ne duhej ta sillnim vëmendjen ndërkombëtare tek kjo gjendje në mënyrë që të arrihej ndërhyrje paqësore që do të parandalon luftën dhe vuajtjet e mëtejshme. Po ashtu, donim të na rikthehej e drejta jonë themelore për të jetuar në paqe.

Për këtë qëllim, 12 organizata për të drejtat e grave dhe përfaqësuese të Forumit të Gruas të LDK-së u mblodhën në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. Në atë kohë, ishte shumë e rrezikshme që të mblidheshe me qëllimin e organizimit të çfarëdo aktiviteti apo demonstrate. Herë pas here, snajperat serbë pozicionoheshin në anën tjetër të rrugës përballë Qendrës. Na duhej të ishim shumë të kujdesshme edhe për t’u takuar që të bisedonim për organizime, sepse organizatorët burgoseshin dhe torturoheshin rregullisht. Ende më kujtohet një derë e fshehtë brenda Qendrës. Ishte pothuajse e padukshme. Ajo derë e fshehtë të çonte tek bodrumi i Qendrës ku mblidheshim për të biseduar fshehurazi, pas masakrave që u bënë në Drenicë: “Çfarë do të bëjmë tani?”

Nga rezistenca pasive në protesta paqësore

Deri në atë kohë, ne kishim bërë rezistencë paqësore, por pasive, sikurse ka shkruar Houard Klark në librin e tij Rezistenca civile në Kosovë. Me një dekadë të rezistencës paqësore, bota ende nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte në të vërtetë në Kosovë. Ose, edhe nëse ishin, ata nuk po bënin asgjë për ta adresuar gjendjen. E dinim se duhej të bënim diçka para se masakrat të përhapeshin, para se të lufta të përshkallëzohej dhe para se të vdisnin më shumë njerëz. Politika e rezistencës pasive e lidershipit të LDK-së nuk mjaftonte më. Edhe pse lidershipi i LDK-së nuk na tha të organizonim ndonjë gjë publikisht, pasi do të ishte shumë e rrezikshme, eventualisht u pajtuam të gjithë që duhej të organizonim një protestë, të ngrinim zërat tanë, t’ua bënim njerëzve në mbarë botën me dije se nëpër çfarë po kalonim. Gjatë atij takimi, na lindi ideja të protestonim më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Do të thoja se kjo shenjoi edhe protestën e parë që mbajtëm me 8 Mars, edhe pse do të organizonim edhe disa të tjera në vitet në vijim. Protesta nuk kishte dhe aq të bënte me barazinë gjinore, se sa që ishte kërkesë për të drejtat më themelore për ne si gra, por edhe për burrat.

Vendosëm të protestojmë në heshtje duke mbajtur një mesazh në duart tona. Kishim mësuar për këtë lloj të protestës së heshtur nga motrat tona të Gratë me të Zeza në Beograd, si pjesë e lëvizjes më të gjerë ndërkombëtare të Grave me të Zeza. Ne do të protestonim me trupat tanë, duke qëndruar në heshtje. Secila nga ne mbante një cope letre të vetme, të bardhë, të zbrazët. Kaq e thjeshtë ishte. U pajtuam për këtë, sepse i kishim thënë tashmë të gjitha fjalët që ishin për t’u thënë. Nuk kishte mbetur më asgjë për t’u thënë. Njëra anë e letrës së bardhë simbolizonte paqen, ndërsa ana tjetër e zbrazët jepte mesazhin se nuk kishim asnjë të drejtë. Nuk kishim asnjë të drejtë themelore. Edhe të drejtat që duhej të kishim ishin shkelur. Kështu, nuk shkruam asgjë. Që të dyja anët e letrës së bardhë ishin të zbrazëta. Ishte mesazh i fuqishëm, por mënyra se si ne gratë u organizuam, ishte edhe më e fuqishme.

Në atë kohë, nuk kishte media të lirë. Mirëpo në Kosovë ishin të pranishme mediat ndërkombëtare, që transmetonin në gjuhën shqipe, si Radio Evropa e Lirë, Dojçe Vele dhe Zëri i Amerikës. Ata na ndihmuan t’i japim publicitet protestës dhe ta mbulonin atë.

Protesta në Ditën Ndërkombëtare të Grave 1998

Rreth 5,000 gra u mblodhën përballë Qendrës Kulturore Amerikane, që në atë kohë luante deri diku rolin e Ambasadës së SHBA-ve. Imazhi i asaj që përjetuam atë ditë nuk do të më ikë kurrë nga mendja. Mijëra gra mbanin letra të bardha, të gjitha në heshtje, në fllad dëgjohej vetëm shushurima e fletëve. E fuqishme. Ishim tërësisht të rrethuara nga snajperat serbë nëpër çati, që na vëzhgonin. Ishte shumë e frikshme. Por atje ishim 5,000 gra dhe ajo ishte fuqia jonë, energjia jonë që e mbante frikën larg. Kur përfunduam, u pajtuam që asnjë grua nuk duhej të largohej nga grupi e vetme, sepse na duhej të mbroheshim rrugës për shtëpi. Ne u shpërndamë nëpër grupe të vogla nga dhjetë gra. Bashkë ndjeheshim më të sigurta.

Protestën e mbuluan shumica e mediave prestigjioze, pasi ishte një nga protestat më të mëdha të organizuara nga gratë. Pas asaj demonstrate, regjimi i Millosheviqit nuk mund ta mohonte dhe aq lehtë atë që po ndodhte në Kosovë.

Mirëpo ne e dinim se kjo nuk mjaftonte dhe se nuk duhej ta ndalnim protestën derisa dikush të bënte diçka më shumë për t’i dhënë fund vuajtjeve tona. Kishim dëgjuar fjalë, por nuk kishim parë veprime. Ishim shumë të shqetësuar për njerëzit e Drenicën, të cilët në atë kohë jetonin në terror. Forcat serbe ishin shpërndarë në të gjithë rajonin dhe njerëz të pafajshëm, gra, fëmijë dhe të moshuar po vriteshin. Ata ishin zënë në grackë atje, duke vuajtur pa patur qasje në ushqim.

Protesta “Bukë për Drenicën” 1998

Disa ditë më vonë, vendosëm të organizojmë një tjetër demonstratë, saktësisht më 16 mars. Sërish, u takuam fshehurazi në bodrumin e Qendrës, për të diskutuar se çfarë do të bënim. U pajtuam që të merrnin nga një bukë në dorë dhe të marshonim drejt Drenicës, që bukën t’ua çonim njerëzve të izoluar atje, simbolikisht, por edhe në realitet.

Guximi i grave ishte i mahnitshëm! Ende emocionohen kur më kujtohet gatishmëria sypatrembur e grave, pavarësisht pasojave, që të mbanin qëndrim. Mëngjesin e datës 16 mars u takuan sërish tek Qendra Kulturore Amerikane dhe nisëm marshimin tonë drejt Fushë Kosovës, rrugës për në Drenicë. Teksa marshuam jashtë Prishtinës, forcat policore serbe na përcollën nga pas gjatë të gjithë kohës. Ishte fillimi i pranverës dhe frynte erë. Mirëpo, erën nuk e ndjenim pasi ishim të rrethuara nga një turmë prej dhjetë mijë grash, vajzash dhe disa burra që na ishin bashkëngjitur. Kur arritëm në Fushë Kosovë, pothuajse gjashtë kilometra larg Prishtinës, pamë se policia serbe kishte krijuar një kordon që e bllokonte rrugën. Ata nuk na linin të kalojmë. Më kujtohet se si u bërtiti Edita Tahiri: “Drenica ka nevojë për ushqim!” Ata nuk na kushtuan vëmendje dhe refuzuan të lëvizin. Organizatorët diskutonin nëse duhej të këmbëngulnim të ecnim përpara, mirëpo duke qenë se policët ishin të armatosur deri në dhëmbë, vendosëm se ishte me shumë rrezik. Eventualisht, pasi qëndruan aty për një kohë duke thirrur, vendosëm se nuk kishim mundësi tjetër pos të ktheshim në Prishtinë.

Rrugës së kthimit, shkuam në Zyrën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Prishtinë dhe i lamë bukët jashtë zyrës së tyre. Edhe ky ishte një akt simbolik, për t’ua bërë me dije se ishte dashur ata t’i çonin ushqim njerëzve në nevojë në Drenicë.

Pastaj, vazhduam drejt Qendrës Kulturore Amerikane. Disa prej nesh u takuam brenda me zyrtarë amerikanë. Nisëm të këndojmë qetësisht “Bukë për Drenicën”. Gjatë të gjithë kohës, policia serbe na mbante të rrethuar dhe na kërcënonte. Mirëpo kënga jonë forcohej gjithnjë e më shumë. Ia dolëm që ta sillnim vëmendjen ndërkombëtare tek ajo që po ndodhte në Kosovë, sidomos përmes medias. Fotografitë e atij marshi të fuqishëm u shpërndanë të gjithë botën, duke i bërë akterët ndërkombëtarë edhe më të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se një skenar i ngjashëm me atë të Bosnje e Hercegovinës po ndodhte në Kosovë. Besoj se edhe pse na ndaluam që të çonim ushqim në Drenicë, ne çuam shpresën. Ne kontribuam që ta tërhiqnim vëmendjen ndërkombëtare tek mundimet tona dhe të inkurajonim intervenimin eventual.

Igballe (Igo) Rogova është Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK). Ajo ka më shumë se 30 vjet përvojë në avokimin për të drejtat e njeriut të grave në nivel komunal, vendor dhe ndërkombëtar. Në vitin 1989 ajo bashkëthemeloi një nga organizatat e para të të drejtave të grave në Kosovë, Shoqatën Motrat Qiriazi për çrrënjosjen e analfabetizmit. Në vitin 2000 ajo përkrahu krijimin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RRGK). Rogova është një nga themelueset e Koalicionit të Grave për Paqe të aktivisteve në Kosovë dhe Serbi dhe e Lobit Rajonal të Grave për Paqe dhe Siguri në Evropën Juglindore. Ajo ka kontribuar në miratimin e disa ligjeve dhe politikave për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë.