Secilit historinë e vet: istorija (serbisht), historija (boshnjakisht), povijest (kroatisht)

AUTOR: TARIK ÇALlKIq

Shumica e njerëzve kanë mundësinë që dikur gjatë jetës së tyre të mësojnë për historinë si shkencë e së kaluarës që, ndër të tjera, fokusohet tek njerëzit dhe gjithçka që njerëzit kanë bërë, kanë krijuar dhe kanë lënë pas si trashëgimi. Çdo student i shkollës së mesme apo universitetit do të thotë se historia është torturuese e jetës dhe jo mësuese, sepse për fat të keq në sistemin tonë arsimor, historia shndërrohet në një listë datash dhe emrash që duhen mësuar përmendësh.

”HISTORIA EST MAGISTRA VITAE”, historia është mësuese e jetës – rëndësia e përgjithshme ekzistenciale e kësaj shkence gjendet brenda kësaj thënieje latine. Pra, nuk është biologjia, gjeografia, gjuha apo feja, por kjo histori specifike, e urrejtshme, që na mëson ne se çfarë është jeta. Në mbretërinë e kafshëve, historia me siguri nuk është aq e rëndësishme. Pse pra, është kaq e rëndësishme për njerëzit?

Po ta analizojmë njeriun, shkenca (antropologjia, sociologjia etj.) e përshkruajnë njeriun ndër të tjera, si krijesë të së kaluarës, së tashmes dhe të së ardhmes. Këta tre faktorë kohorë në kuadër të të cilëve merr formë jeta jonë përbëjnë një nga dukuritë kyçe që na dallojnë nga kafshët. Thënë thjesht, e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja nuk janë dhe aq të rëndësishme për një dele apo mizë për sa kohë që plotësojnë nevojat e tyre bazë. Po të zbatojmë të njëjtën logjikë të shformuar dhe silogjizëm, mund të dalim në përfundimin se njerëzit të cilëve nuk u intereson historia janë më pranë kafshëve të lartpërmendura se sa llojit tonë krenar njerezor.

Historia na vendos në kontekst të kohës, na tregon kush jemi, ku e kemi vendin dhe si arritëm në vendin ku jemi. Ajo na shpalos bazën e identitetit, na jep mundësinë të mësojmë nga gabimet e së kaluarës (edhe të të tjerëve?), ruan njohuri të vjetra, kulturën, traditën dhe zakonet. Sigurisht, jo gjithçka që sjell historia është e bukur, udhëzuese dhe e vlefshme. Është fakt se ekzistojnë traditat, besimet dhe praktikat që kanë rëndësi dhe  vlerë historike, mirëpo në vend që të vazhdohen, përsëritja e tyre pengohet. Në thelb, fragmente të tilla historike ekzistojnë që ne të mos përsërisim gabimet e të djeshmes që kanë bërë persona të tjerë dhe të sigurojmë një të ardhme më të mirë. Në teori, është koncept shumë i thjeshtë dhe i zbatueshëm, por është shumë i vështirë dhe i dhimbshëm për t’u vënë në jetë.

Nuk do të kishim patur ka shumë probleme me historinë, që është një shkencë ekzakte e cila merret me faktet (faktet historike), njësoj si matematika apo fizika, po të mos kishte qenë edhe thënia e dytë: “HISTORINË E SHKRUAJNË FITIMTARËT”. Kjo shkencë, falë një thënieje të tillë në Ballkan, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, shfaqet në ndarjen tripalëshe të një historie të vetme në tri histori: historija (boshnjakisht), povijest (kroatisht) dhe istorija (serbisht). Këto tri pasardhëse groteske që njihen edhe si histori kombëtare kanë të njëjtin qëllim si historia vetë, por e arrijnë duke glorifikuar trashëgiminë kombëtare (d.m.th. nacionaliste), pavarësisht se të cilit nacionalizëm. Përveç kësaj, këto kuazi-histori përjashtojnë fakte dhe i zëvendësojnë ato me variante të përshtatshme të “gatuara” të kësaj teme.

Po të bënim një analizë më të thellë cilësore apo sasiore të përmbajtjes së historive “tona”, do të përballeshim me një sërë kundërshtish, variacionesh dhe mospërputhjesh si për shembull: hero këtu, kriminel atje; sulm këtu, mbrojtje atje; 1000 viktima këtu, 10 viktima atje; një shtet këtu, një entitet atje; e kështu me radhë, pafundësisht. Kjo qasje kombëtare që kemi përdorur rezultoi në atë që shkenca e historisë u transferua nga lëmia e saktësisë dhe fakteve tek fusha e thashethemeve apo tek e fusha e asaj se ne e dimë më mirë: lufta nisi nga ai që për momentin qëllon me hark.

Për shkak të qasjeve dhe manipulimeve të tilla, sot është e pamundur që thjesht të ulesh dhe të mësosh historinë në Ballkan. Për ta bërë këtë, duhet të ballafaqohemi me të kaluarën. Imagjinoni si do të ishte po të ballafaqoheshim me matematikën për të mësuar se 2+2=4 dhe jo 17. Është gjithashtu fakt se nevojitet distancë historike (rreth 50 vjet) për të qenë në gjendje të diskutohen disa çështje, mirëpo është fakt edhe që kemi luajtur me hamendje këto 25 vitet e fundit.

Së fundmi, ekziston edhe një thënie e tretë: “ATA QË NUK E NJOHIN HISTORINË JANË TË DËNUAR TA PËRSËRISIN”. (Sinqerisht shpresoj se kjo nuk do të ndodhë sërish).