Sërbia Tjetër

Projekti “Sërbia tjetër”, i implementuar nga ADMOVERE me mbështetje financiare nga KFOS, i përmbledh për lexuesin qëndrimet e intelektualëve sërbë që i kundërshtuan shkeljet drastike të të drejtave të njeriut ndaj shqiptarëve në Kosovë nga ana e autoriteteve sërbe, që prej kohës së shfuqizimit të autonomisë së Kosovës nga Sërbia më 23 mars 1989 e deri në hyrjen e trupave të NATO-s më 12 qershor 1999, e madje edhe më tutje. Këto shkelje kulmuan gjatë viteve 1998–1999 në krime lufte e krime kundër njerëzimit, me vrasjet e afro 10 mijë shqiptarëve civilë, përdhunimet e mijëra grave, deportimin e gati një milion shqiptarëve, djegien dhe shkatërrimin e rreth 100 mijë shtëpive, si dhe me dëme të tjera shpirtërore e materiale.

Për këtë qëllim hulumtuam gjerësisht artikuj dhe intervista të botuara gjatë këtij harku kohor prej mbi tri dekadash nëpër gazetat ditore dhe publikimet javore të Kosovës, të Sërbisë, e më gjerë. Në vëllimin e parë përfshimë fragmente nga artikujt dhe intervistat e më të spikaturit intelektual të këtillë, arkitektit Bogdan Bogdanović [1922–2010], në të cilat ky flet mbi shkeljet brutale të të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ‘90. Veç këtyre, me rëndësi të veçantë e pamë përfshirjen e fragmenteve në të cilat Bogdanović shpalos mendime mbi pavarësinë e Kosovës dhe raportet e saj me Sërbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-sërbe përgjithësisht.

Në kuadër të projektit “Sërbia tjetër” do t’i përfshijmë edhe fragmentet nga artikujt e intervistat e disa intelektualëve të tjerë sërbë që, ndonëse të paktë, megjithatë ishin, e që për fat të keq më nuk janë më në këtë botë: Bogdan Denitch [1929–2016], Ilija Đukić [1930–2002], Ivan Đurić [1947–1997], Lazar Stojanović [1944–2017], Mihajlo Mihajlov [1934–2010], Miloš Minić [1914–2003], Mirko Kovač [1938–2013], Srđa Popović [1937–2013], e të tjerë. 

Të gjithë këta intelektualë u frymëzuan nga socialdemokratët sërbë si Dimitrije Tucović, Kosta Novaković, Dušan Popović, Dragiša Lapčević, Triša Kaclerović, e të tjerë, të cilët gjatë viteve 1912-13, kur Sërbia e pushtoi Kosovën, kundërshtuan krimet e llahtarshme të shtetit sërb ndaj popullatës së pafajshme civile shqiptare në Kosovë. Sa për ilustrim, një artikull i socialdemokratit Tucović, në gazetën socialiste të Beogradit “Radničke novine” të kohës thotë: “ne bëmë tentativë vrasjeje me paramendim mbi një komb të tërë”. Një artikull redaksional i kësaj gazete thoshte se posedonte të dhëna për krime aq të tmerrshme të forcave sërbe ndaj shqiptarëve, sa parapëlqente të mos i publikonte fare. Për fat të keq, këto krime u përsëritën fill pas Luftës së Parë Botërore, më 1918-1919, pastaj gjatë periudhës mes dy luftërave botërore, në fund të Luftës së Dytë Botërore (1944-1945), pastaj gjatë viteve 1946-1966, e në fund edhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar (1989-1999). 

Projekti “Sërbia tjetër” jo vetëm ofron modele të intelektualit që i kundërshton padrejtësitë dhe krimet e kryera nga autoritetet shtetërore të udhëhequra prej ‘bashkëkombësve’ të vet, pavarësisht prej arsyetimeve të tyre, por edhe nderon intelektualin që kësisoj shpesh e vë jetën e vet në rrezik, duke dëshmuar guxim manhitës që kurrsesi nuk duhet të kalojë pa mirënjohjen e merituar. Fatkeqësisht, këto personalitete te populli sërb janë parë si tradhtarë e janë paragjykuar, njollosë, anatemuar e sulmuar, ndërkaq te populli shqiptar janë shikuar kryesisht me mosbesim dhe rrjedhimisht janë shpërfillë.

Shpresojmë se nga ky publikim do të përfitojnë gazetarët, analistët politikë, dhe ata aktivistë të shoqërisë civile që merren me marrëdhëniet shqiptaro-sërbe; politikanët e përfshirë në negociata që kanë për qëllim normalizimin e këtyre marrëdhënieve; studentët, akademikët, dhe publiku i gjerë, duke i përfshi këtu gjeneratat e ardhshme në Kosovë, Sërbi, Shqipëri, Ballkan, si dhe të interesuarit kudo në botë, pasi që publikimi do të jetë online dhe, përveçse në shqip e sërbisht, edhe në anglisht. 

Kosova e pasluftës nuk e ka ndonjë rrugë, shesh, a shkollë, me emrin e arktitektit e humanistit Bogdan Bogdanović, ndonëse ai ishte ideator edhe i disa monumenteve të ngritura në Kosovë, e për më shumë, e kishte kundërshtuar ashpër mbylljen e shkollave shqipe nga pushteti i Milošević-it në fillim të viteve ’90. E megjithëse ishte i pari dhe më i zëshmi intelektual sërb që jo vetëm e kundërshtoi okupimin e Kosovës nga regjimi sërb, por edhe e mbështeti pavarësinë e saj, Kuvendi i Kosovës nuk e ftoi as në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Prandaj le të jetë ky publikim një mirënjohje modeste për kontributin e madh të intelektualit të jashtëzakontë Bogdan Bogdanović për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës, si dhe për kontributin e tij drejt ndarjes paqësore e miqësore të shqiptarëve me sërbët, por edhe bashkëjetesës së tyre mbi baza të tolerancës dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë.