Jeton Neziraj

Teatri si maqineri e propagandës politike (I)

“Natyrisht që ka njerëz në këtë vend që e duan paqen. Natyrisht që edhe ata të cilët e duan fitoren, nuk e duan as luftën e as vdekjen. Por askush nuk do të fitojë, vetëm do të vdiset”,
Borka Paviqeviq

Në fillim të vitit 2018, mediat ndërkombëtare paralajmëruan se një grup artistësh në Sërbi janë duke pregaditur një mjuzikëll për Millosheviqin, me titull “Lift: Slobodan shou. Kureshtja e mediave dhe e publikut qe e madhe. Dhe paralajmërimi ishte që shfaqja do të jepej në Graçanicë, një qytezë e banuar me popullatë kryesisht sërbe, jo larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës.

Para së të flasim për shfaqjen, është me rëndësi të flasim për teatrin që po e prodhonte atë. Shfaqja po realizohej nga Teatri Popullor i Prishtinës (Narodno Pozoriste Pristina/ Народно позориште Приштина), ‘përkohësisht i zhvendosur në Beograd’, siç i referohen edhe zyrtarisht në Sërbi! Ky është një teatër që zhvillon aktivitetet artistike e administrative në Beograd, por që jep shfaqje kohë mbas kohe edhe në Kosovë, në vendbanimet ku jetojnë sërbët. Tash së voni, ata, së paku zyrtarisht, thuhet se janë të vendosur në Graçanicë.

Illustration by: Big Eye 

Tani, le të zhytemi edhe pak më thellë në të kaluarën. Teatri Popullor Krahinor është ndërtuar në Prishtinë në vitin 1946, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ai ishte konceptuar fillimisht si një shtëpi kulture, aso çfarë asokohe nisën të ndërtoheshin gjithandej ish Jugosllavisë, për t’u kthyer në vitin 1948 në Teatrin Popullor Krahinor. Kosova asokohe ishte krahinë autonome socialiste e Sërbisë, brenda Federatës Socialiste të Jugosllavisë dhe ky teatër kishte një peshë të madhe sociale e kulturore. Gjatë historisë së tij mbi 70-vjeçare ka ndërruar emrin disa herë.  Që nga 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, ai quhet zyrtarisht Teatri Kombëtar i Kosovës. Ndryshimet e shpeshta të emrit përbëjnë edhe njëfarë kronike të ndryshimeve politike lidhur me statusin politik të Kosovës. 

Brenda këtij teatri ka pasur dy ansamble aktorësh: Ansambli i dramës shqipe dhe ai i dramës sërbe. Por, megjithë tensionet të zakonshme që ekzistojnë thuaja në çdo teatër, deri në vitin 1990 aty thuhet se ka pasur njëfarë harmonie mes artistëve e stafit shqiptar e sërb. Për shkak të numrit më të madh të publikut shqiptar në Prishtinë, repertori i dramës shqipe, edhe në numër, ka zënë vendin qëndror në këtë teatër, ku edhe drejtorët zakonisht kanë qenë shqiptarë.

Megjithatë, veprimtaria e këtij teatri çakordohet përgjatë viteve të ‘90, në kohën kur ai merret dhunshëm nën administrim të njerëzve lojalë të Millosheviqit. Administrata e re sërbe largon nga puna shumicën e aktorëve shqiptarë, por edhe një pjesë të mirë të stafit teknik e administrativ, duke përfshirë drejtorin shqiptar. “Masat e dhunshme”, siç quheshin asokohe uzurpimet e këtilla të institucioneve publike, zbatoheshin gjithandej Kosovës. Me qindra e mijëra punëtorë teatrosh, fabrikash, spitalesh, punëtorë të administratës etj. ngelën pa punë.

Kështu, pasi Teatri Popullor Krahinor ‘u mor nga sërbët’, siç thuhej asokohe, ai bëhet një institucion gati i urryer për shqiptarët, të cilët mandej hezitonin të shihinin shfaqjet aty. Administrata e re sërbe realizonte në çdo sezon nga një apo dy shfaqje në gjuhën shqipe, sa për të ‘dëshmuar’ se ishte e hapur edhe ndaj publikut shqiptar dhe se nuk po zbatonte kurrfarë projekti që do t’i cënonte të drejtat kulturore të tyre. Por, në realitet, disa shfaqje shqipe të atij fillimi të 90-tave u ndaluan apo u hoqën fare nga repertori dhunshëm! E kështu, krijuesve shqiparë iu bë me dije drejtimi i ri që tashmë kishte marrë ai teatër: t’i shërbejë politikës hegjemoniste sërbe dhe të bëhej pjesë e maqinerisë së përgjithshme që synonte purifikimin nacional të Kosovës, nga, sic e quanin, dominimi shqiptar.

Gjatë luftës në Kosovë, shumica e artistëve shqiptarë u shtrënguan të largohen nga Kosova dhe të vendosen si refugjatë në Maqedoni e Shqipëri. Ndërkohë që, artistët e dramë sërbe të këtij teatri, vazhduan punën, pa shfaqur asnjë fije solidariteti me artistët shqiptarë që qenë detyruar të braktisin Kosovën për shkak të luftës dhe për shkak se po përndiqeshin nga policia e ushtria sërbe, e cila i konsideronte “target armik”, siç e konsideronte çdo shqiptar në Kosovë.  

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, drama sërbe e këtij teatri shuhet, e artistët dhe stafi serb largohen nga Kosova për në Sërbi, ashtu siç largohet shumica e popullatës sërbe që jetonte në Prishtinë. Artistët dhe administrata e dramës shqipe ndërsa kthehen nga kampet e refugjatëve dhe nisin punën rishtazi, tani në rrethana të reja por edhe me sfida të reja, krejt të ndryshme nga ato të paraluftës. Tani, ai teatër realizon shfaqja vetëm në gjuhën shqipe.

Image Credit: Jeton Neziraj

Disa vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Qeveria e Sërbisë themelon Teatrin Popullor të Prishtinës (Narodno Pozoriste Pristina/ Народно позориште Приштина), një teatër paralel, i cili, sipas tyre, është vazhdimësi e teatrit të paraluftës në Prishtinë. Ky teatër është themeluar si përpjekje për të krijuar vazhdimësi të ‘institucioneve sërbe’ që kanë në qenë para luftës në Kosovë, në “krahinën e tyre të dikurshme”. Synimi i tyre, së paku simbolik, është që këto institucione (pra edhe ky teatër i zhvendosur përkohësisht në Beograd), një ditë të kthehen dhe të vendosen sërish në Kosovë.

Të kuptohemi që në fillim: ekzistenca e një teatri është gati gjithmonë një akt emancipativ. Megjithatë, duhet thënë që ky teatër i krijuar nga Qeveria sërbe, si i tillë, nuk është krijuar për t’i shërbyer publikut serb në Sërbi, e as atij p në Kosovë. Madje, nuk është krijuar as si një shtëpi për të nderuar ata artistë serbë që dikur kanë jetuar e krijuar në Prishtinë, në teatrin dikur të quajtur Teatri Popullor i Kosovës. Jo, ai është krijuar me qëllime tërësisht ideologjike, për t’i shërbyer interesave e apetiteve hegjemoniste të qeverisë së Sërbisë, dhe përpjekjes së tyre për të dëshmuar “pronësinë e tyre të Kosovës”.  Për më tepër, ai teatër jo vetëm me ‘dekretin e themelimit’, por edhe me politikat programore, e ka dëshmuar se është në shërbim të politikës. Më saktësisht në shërbim të qeverisë sërbe, e cila ka vazhduar edhe pas luftës me të njëjtat politika hegjemoniste ndaj Kosovës, si ato të viteve të 90-ta.

E tani kur kemi treguar pak nga historia jo fort e lavdishme, madje komprometuese, e këtij teatri paralel serb që funksionon në Beograd, le t’i kthehemi shfaqjes së “LIFT: Slobodan Shou”, që në Grançanicë të Kosovës u dha më 6 Mars 2018. Shfaqja flet për Sllobodan Millosheviqin dhe raportet e tij me familjen gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Të përmendim këtu faktin se kjo shfaqje po jepej rreth 20 vjet pas luftës në Kosovë dhe 15 vjet nga vdekja e Millosheviqit. Premiera u dha në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë dhe zgjoi interesim të madh të mediave ndërkombëtare, të cilat natyrisht ishin kureshtare të shihnin se si një trupë teatri sërbe do të trajtonte figurën e ‘kasapit të Ballkanit’.

Për mua, por dhe për shumë të tjerë që atë natë panë premierën, qe zhgënjyese të shihnim se si artistët në këto anë, pëkundër luftrave të 90-tave në ish Jugosllavi, nuk ia kanë dalur të shkoqiten nga lëvozhga e propagandës nacionaliste dhe e ideologjisë luftënxitëse.

Në këtë mes, deklaratat e regjisorit Nenad Todoroviq dhe dramaturges Jelena Bogavac para premierës ishin, të themi, optimiste. Ata pretendonin një qasje kritike ndaj Millosheviqit dhe trashëgimisë së tij të luftës dhe krimeve.  

Njerëzit tanë kurrë nuk mundën ta gjykojnë atë. Ky është versioni ynë i Hagës sërbe”, tha në një intervistë regjisori Nenad Todoroviq. Megjithatë, në realitet, shfaqja përçoi krejt diçka tjetër, të tjera vizione, që relativizonin krimet e Millosheviqit. Qe një përpjekje dëshpëruese për ta shpërndarë gjetiu fajin e krimeve të Millosheviqit dhe të qeverisë sërbe të asaj kohe. 

Shfaqja merret kryesisht me disa probleme efemere të familjes Millosheviq. Ndërkohë që, kur flet për problemet reale të luftës, ato i trajton përmes një dioptrie klishe të nacionalizmit sërb. Pra, një dioptri e cila e redukton pothuajse tërësisht përgjegjësinë e Millosheviqit, kurse fajin e luftrave të viteve 90 e projekton te “Fuqitë e Mëdha’ dhe te ‘propaganda e mediave ndërkombëtare’. Sërbët përshkruhen si viktimat kryesore, mbi të cilët fuqitë e mëdha hedhin bomba ‘pa përfillur konventat ndërkombëtare’.  Në shfaqje nuk përmenden fare viktimat jo sërbe, nuk thuhet asnjë fjalë për vuajtjet e të tjerëve. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë përgjegjësi sërbe. “LIFT: Slobodan shou” është një lexim i shtrembëruar i historisë së viteve të 90-ta, do të thonim, një shtrembërim i qëllimshëm.

Millosheviqi në këtë shfaqje është ai ‘engjulli në qoshe’, që i vjen turp dhe është I paaftë ta ndryshojë fatin, rrjedhën e historisë dhe të asaj “që është e shkruar të ndodhë”. Ai është një ‘lojtar i vogël’, i cili nuk mund të veprojë dhe nuk mund të bëjë gjë për t’i ndalur luftrat e asaj kohe. Përgjegjësia e tij është baras me zero.

Kjo përpjekje për revidim të historisë, për rehabilitimin e të kaluarës së tij kriminale është sa antihistorike edhe antihumane. Roli i Millosheviqit është mjat mirë i dokumentuar. Ai është përgjegjës për vrasjen e mbi 100,000 njerëzve dhe përgjegjës për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve të zhvendosur me dhunë, që prej Bosnjes, në Sërbi, në Kosovë e në Kroaci.  

Në një kontekst tjetër, por që mund ta përdorim shumë mirë edhe këtu, shkrimtari e gazetari serb Tomislav Markoviq e shpjegon bukur përpjekjen e disa artistëve sërbë për ta parë “anën tjetër të karakterit të Milloshevqit”, respektivisht, përpjekjen për ta zbritur atë në nivelin “e njeriut prej mishi e gjaku’. Ai shkruan: “Kur kemi të bëjmë me Sllobodan Millosheviqin, kreun e maqinerisë më të madhe vrastare në këto anë, kriminelin më të madh mes sunduesve sërbë, njeriun i cili i ka filluar tri luftra, ka shkaktuar vdekjen e dhjetra mijëra vetave dhe shpërnguljen e disa milionë të tjerëve, ka shkatërruar vendin e vet dhe ka sjellë buzë shkatërrimit apokaliptik gjithçka që i ka dalë përpara – dhe prandaj, ai nuk është i rëndësishëm si individ, por ekskluzivisht si kreu i sistemit të vrasjeve masive, si forca shtytëse e industrisë së vdekjes. Nuk është Millosheviqi as Raskolnikov, as Merso, që të merremi me psikologjinë e tij individuale apo me raportet e tij me fqinjët.”

Është evidente se politika zyrtare sërbe pas të 90-tave synon të negocojë rolin dhe përgjegjësinë e Millosheviqit dhe të shtetit sërb. Në këtë drejtim ka një përpjekje për të shpikur fakte ‘paralele’, sepse i besohet citatit të Danilo Kishit te “Një varr për Boris Davidoviqin”, ku thuhet se “faktet janë ato për të cilat dakordohemi që janë ashtu’. Pra, politika sërbe, por edhe një pjesë e elitës intelektuale, përpiqen të gjejnë bashkënegociatorë të fakteve’ dhe kjo përpjekje për negocim vjen në forma të ndryshme, që në këtë rast është një shfaqje teatrore.


Jeton Neziraj (1977), dramaturg, ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, kurse aktualisht është drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë, një asociacion që merret me letërsinë dhe teatrin. Ai ka shkruar mbi 20 drama, të cilat janë vënë në skenë në Kosovë dhe jashtë saj, në Evropë e në Amerikë, e po ashtu janë përkthyer dhe botuar edhe në mbi 15 gjuhë të tjera.

Pjesa e dytë do të publikohet të enjten me 23 shkurt 2023. Ky artikull është prodhuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Sbunker dhe forumZFD Kosovë