Jeton Neziraj

Teatri si maqineri e propagandës politike (II)

Përmes “Lift: Slobodan shou” shpjegohet mjaft mire trajektorja e angazhimit të një pjese të madhe të elitës artistike në Sërbi, jo vetëm gjatë viteve të 90-ta, por edhe tani, për t’i shërbyer pushtetit dhe për të qenë në shërbim të politikave nacionaliste, të cilat janë akoma dominuese. Filozofi Boris Buden e thotë me të drejtë te : “Tash e mbi tridhjetë vjet, nacionalizmi sërb, qartazi në dëm të popullit të vet, në mënyrë të vendosur dhe pakonkurencë formëson realitetin politik dhe kultuor të këtij vendi [Sërbisë – vërejtje e autorit të shkrimit]” (Boris Buden, Društva / Zajednička čitaonica #5, Krokodil, 2020).

LIFT: Slobodan shou” është bisht i një ideologjie që i ka shërbyer luftënxitjes dhe prodhimit të urrejtjes. Për fat të keq, shfaqje si kjo janë krijuar përgjatë krejt të 90-tave dhe vazhdojnë të krijohen edhe sot. Dhe jo vetëm në Sërbi, natyrisht. Shumica e tyre fatmirësisht nuk marrin ndonjë vëmendje publike, megjithatë, ato vazhdojnë ta helmojnë publikun aty ku shfaqen. Për pasojë, në këtë rajon prodhohen turma luftënxitëse, të cilat vazhdojnë të jenë të vuajnë nga ethet e nacionalizmit.

Në të njëjtën kohë, prodhimet si këto dëshmojnë se beteja kulturore, e artistëve të “kampit tjetër”, të atyre me qasje liberale dhe që janë kritikë ndaj luftës dhe politikave shoviniste, është tejet e vështirë. Madje, ajo betejë zhvillohet nën kërcënim të vazhdueshëm nga politika dhe jo vetëm. Kur themi “kampi tjetër” kemi fjalën për dhjetra e qindra artistë e intelektualë sërb, të cilët që nga vitet e 90-ta, përpiqen të dëshmojnë përgjegjësinë e shtetit sërb gjatë luftrave të viteve të 90-ta, përgjegjësinë e Millosheviqit dhe domosdoshmërinë e Sërbisë për t’u ballafaquar me të kaluarën, me trashëgiminë e saj kriminale.

Image credits: Valdrin Xhemaj, EPA

Me dekada të tëra në Sërbi ka pasur zëra të fuqishëm opozitarë në njërin pol, e në polin tjetër, artistë oportunistë që kanë flirtuar me nacionalizmin saherë u është dhënë mundësia.  “Lufta është në modë. Dëshmitë e tmerrshme, të vdekurit, dhe kiçi patriotik” – thoshte dramaturgia dhe intelektualja e mirënjohur Borka Paviqeviq, qysh në fillim të 90-tave. Asokohe ajo krijoi Qendrën për Dekontaminim Kulturor, një bastion kulturor e intelektual që i kundërvihej nacionalizmit serb dhe që përpiqej të frenonte ethet e luftës që kishin kapluar Sërbinë. Deri në frymën e fundit më 2019, Paviqeviqi luftoi denjësisht për të drejtat të njeriut dhe ishte një opozitare e fuqishme, progresiste dhe e hapur ndaj bashkëpunimeve kulturore mes shteve të krijuara pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Pas vdekjes, Boris Budeni do të shkruante: “Askush nuk mund të kundërshtojë që jeta e Borka Paviqieviqit ka pasur kuptim politik. Shumë madje pajtohen që ai kuptim nuk mund të reduktohet në figurën e aktivistes së vetmuar kulturore nga margjinat shoqërore, e cila heroikisht i reziston pushteteve jodemokratike dhe shumicës që e mbështet atë pushtet. Borka Paviqeviq ka qenë më tepër se aq. Ajo ka qenë pjesë e diçkasë më të madhe dhe më jetëgjate sesa vet ajo.” (Buden, Društva / Zajednička čitaonica #5).

Pos Borka Paviqeviqit ka pasur dhe ka natyrisht edhe shumë artistë e intelektualë të tjerë që kanë pasur dhe kanë pozicione e qëndrime të qarta ndaj të kaluarës, ndaj rolit të Sërbisë në luftë dhe ndaj Millosheviqit. Mes atyre, duhet patjetër të përmendim shkrimtarin Vladimir Arsenijeviqin dhe njëri ndër themeluesit e festivalit “Krokodil” në Beograd, Biljana Srbljanoviq, dramaturge e njohur dhe aktiviste e pashoq e të drejtave të njeriut, Tomislav Markoviq, shkrimtar dhe gazetar i pakompromis, Sasha Iliq, shkrimtar i shtypur nga regjimi autoritar në Beograd dhe njëri ndër promovuesit e bashkëpunimit kulturor Kosovë-Sërbi, Zlatko Pakoviq, gazetar e regjisor i guximshëm, Millosh Zhivanoviq, poet i shkëlqyeshëm anti-qeveritar… e shumë e shumë të tjerë. Në shfaqjen “Enciklopedia e të gjallëve”, një bashkëpunim teatror i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe Qendrës për Dekontaminim Kulturor nga Beogradi, Pakoviqi denoncon pa pardon politikat nacionaliste dhe krimet e Sërbisë thërret për de-nacifikim të Sërbisë.

Prandaj, peisazhi i pasluftës i rajonit nuk është aq i errët. Janë realizuar mes artistëve serbë e shqiptarë dhjetra iniciativa të shkëlqyeshme kulturore, të cilat kanë kontribuar në ndërtimin e paqes mes dy popujve, në krijimin e një klime më tolerante dhe përgjithesisht emancipimin social e politik të shoqërive shqiptare e sërbe.

Ndër to qe edhe botimi i dy antologjive letrare; në Kosovë e në Sërbi. Kishin kaluar gati mbi njëzet vite qëkur në Sërbi nuk ishte botuar pothuajse asnjë libër i ndonjë autori shqiptar. Pak a shumë ashtu ishte edhe në Kosovë, ku botimi e përkthimi i librave nga gjuha sërbe ishte kthyer në tabu. Në vitin 2011 Qendra Multimedia botoi një antologji të prozës së re sërbe me titull “Nga Beogradi, me dashuri”. Histeria e nacionalistëve në Kosovë ishte aty, siç ka qenë vazhdimisht për më shumë se njëzet vjet, duke bërë roje. Refuzimi publik (edhe nga disa shkrimtarë madje) i diçkaje që do të duhej të përbënte aktin më civilizues ishte befasues, i paparashikueshëm dhe dëshpërues.

Illustration by: Big Eye

Njëkohësisht me botimin e librit në Kosovë, në Sërbi Sasha Iliqi dhe grupi letrar Beton botoi një antologji të letërisë së re të Kosovës me titull “Nga Prishtina, me dashuri”. Reagimet e publikut në Sërbi, duhet thënë, ishin më optimiste, edhe për faktin se kureshtja ishte më e madhe – për një letërsi për të cilën ata nuk kishin fare dijeni, se si shkruhej dhe me çfarë temash preokupohej.

Nga ajo kohë, janë përkthyer e botuar edhe dhjetra libra të tjerë, në të dy vendet. Por janë realizuar edhe disa projekte të rëndësishme teatrore, ekspozita e koncerte muzikore. Ndër shfaqjet e rëndësishme, të realizuara si rezultat i këtij dialogu kulturor të nisur nga shoqëria civile e nga artistët, janë “Patriotic Hypermarket”, “Romeo e Xhulieta” e “Enciklopedia e të gjallëve”. Por, natyrisht se ka edhe shumë nisma të tjera, më të mëdha apo me të vogla, por të gjitha me peshë dhe me ndikim të kënaqshëm në të dyja vendet.

Trumpetat e nacionalistëve të verbër kanë jehuar vazhdimisht, si kundërshtim ndaj këtyre nismave. Në Beograd, në disa raste, kundërshtitë kanë qenë madje edhe të dhunshme. Dhe derisa qarkullimi kulturor mes Kosovës e Sërbisë, për shkak të presionit të nacionalistëve e të politikanëve, shpesh ka hasur në gozhdë, ai mes vendeve të tjera të ish Jugosllavisë duket se është më në binarë dhe rrjedh pak më normalisht. Në secilin rast, sfidat janë akoma aty dhe ato nuk duhet nënvlerësuar.

Pjesa më e madhe e politikanëve nuk janë të interesuar për ndonjë bashkëpunim – për kurrfarë bashkëpunimi që do t’mund të sillte normalitet e paqe afatgjate. Sepse alarmi i kurdisur i emergjencës kombëtare për shkak të ndonjë sulmi nga brenda apo nga jashtë u shërben për të mbajtur vëmendjen e publikut larg problemeve reale me të cilat vendet e rajonit ballafaqohen: varfëria, korrupsioni, gjendja e mjerueshme e institucioneve, krimi i organizuar etj.

Dhe gjithnjë e më shumë njerëz në Kosovë, Sërbi e në rajon kanë filluar ta kuptojnë se armiku i tyre nuk janë serbët, apo shqiptarët, apo kroatët, por armiku i tyre i përbashkët janë kastat e korruptuara politike, nacionalistët e zotët e dikurshëm të luftës, të cilët, për t’i ruajtur privilegjet e luftës e të pasluftës, insistojnë t’i mbajnë njerëzit të frikësuar e të nënshtruar.

Por, siç e thamë tashmë, nuk janë vetëm politikanët, janë edhe plot mendje të ndryshkura mes të ashtuquajturave elita intelektuale e artistike, që paqes së brishtë i rrinë mbi kokë si gogol, duke provuar ta trembin e ta zhbëjnë. Këta janë produkti më unik që ka mundur të prodhojë politika hegjemoniste, afshi nacionalist e pasioni i shkatërrimit të të 90-tave.

Filozofi francez Claude Lefort, kur fliste për transformimet e mëdha ideologjike që kishin ndodhur e po ndodhnin pas rënies së komunizmit, fuqizimin e nacionalizmit sërb e shihte të lidhur me komunizmin: “Situata e tanishme tregon se sa i vështirë është kalimi nga sundimi totalitar në demokraci. Komunizmi e ka copëtuar në tërësi, më shumë se ç’mund të merrej me mend, indin shoqëror. Ai la mbrapa vetes, veç rrënimeve materiale, frikën, mosëbesimin, shprehinë e nënshtrimit, mosnjohjen e ligjit dhe mospërgjegjësinë indiviuale. […] Si mund të dyshohet, se ky nacionalizëm, në formën e acaruar që ka marrë në Sërbi, nuk është një trashëgimi e komunizmit” (Lefort, 1993).

Tani, kur kanë kaluar mbi 30 vite nga rënia e komunizmit, nuk duket fort bindës argumenti që e gjithë kjoçmenduri që ka prodhuar ky rajon duhet t’i faturohet komunizmit. Ajo çfarë mund të thuhet me siguri është se nacionalizmi në këto anë ka pasur plot burime frymëzimi. Historikisht, ky duket ka qenë një territor i kollajshëm, madje i plleshëm, për nacionalizmin.

Megjithëkëtë, cila është rrugëdalja prej kësaj greminë?  Vështirë të thuhet. Intensifikimi i shkëmbimeve kulturore në rajon, instalimi i një pikëpamjeje kritike ndaj të kaluarës dhe të tashmës dhe eventualisht ardhja e kastave të reja politike, më mendjehapura, më progresiste e më të emancipuara, janë hapa që mund ta ndryshojnë këtë rajon të trazuar.

Sido që të jetë, ndryshimi i kursit të së ardhmës së rajonit lidhet bukur shumë me Sërbinë. Ajo, siç ka qenë burim dhe eksportuese e krizave, është edhe potenciali kryesor prej nga eventualisht mund të burojë paqja dhe prosperiteti në rajon. Porse a do të mund Sërbia të lirohet nga fantazmat e së shkuarës, kjo është një pyetje e vështirë. Peisazhi aktual politik në Sërbi, me një lider autokrat si Aleksandër Vuçiqi, një ish shërbëtor i Millosheviqit, nuk lë shumë hapësirë për optimizëm. Zërat kritikë atje vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të dobët dhe gjithnjë e më të pakët. Shoqëria civile sa vjen e tkurret dhe koncepti i “mediave të pavarura” duket krejtësisht i huaj. Edhe më keq qëndron gjendja në skenën kulturore, e cila është nënshtruar pothuajse tërësisht. Ata pak krijues që rezistojnë, kanë ngelur si zëra të vetmuar në shkretëtirë…

Për fund, të tilla shfaqje si “Lift: Slobodan shou” mbase do të shohim në Sërbi edhe në vitet e ardhshme. Madje, nuk do të befasohesha nëse në to, Millosheviqi do të pershkruhej si hero, që përpiqet t’i ndalojë luftërat e të 90-tave në ish Jugosllavi!!!

Ky rajon është mësuar të luaj poker, jo vetëm me të tashmen, por edhe me të kaluarën.


Jeton Neziraj (1977), dramaturg, ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, kurse aktualisht është drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë, një asociacion që merret me letërsinë dhe teatrin. Ai ka shkruar mbi 20 drama, të cilat janë vënë në skenë në Kosovë dhe jashtë saj, në Evropë e në Amerikë, e po ashtu janë përkthyer dhe botuar edhe në mbi 15 gjuhë të tjera.

Ky artikull është prodhuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Sbunker dhe forumZFD Kosovë