Trashëgimia e një intervenimi

“Një shërbim për paqen”, ushtarakët e NATO-s kujtojnë intervenimin humanitar të vitit 1999 në Kosovë.

Pak nga ajo që në vitin 1999 ishte pjesë e vendimeve, urdhrave dhe operacioneve ajrore të NATO-s mbi ish Jugosllavinë është ndalur në kohë për t’u bërë pjesë e muzeve ushtarake të shteteve- forcat e të cilave ishin pjesë e intervenimit.

Ajo që dikur shfaqej në video-konferenca apo përçohej nga komandantët e NATO-s në 13 baza anembanë Evropës, mbetet një pykëzim i fuqishëm në memorien e ushtarakëve që u ra fati të ishin pjesë e një intervenimi të paprecedent në historinë e aleancës, pesë dekada pas themelimit të saj.

Një vit diplomaci e pafrytshme për të shmangur luftën e katërt me radhë brenda një dekade në territoret e ish Jugosllavisë i kishte hapur shteg përdorimit të forcës ajrore.

Ai që udhëhoqi këtë operacion që preferon ta quajë “luftë moderne”, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, duke reflektuar për detyrën që kreu 25 vjet më parë, rishfaq krenarinë për atë që NATO arriti të bënte.

“Thjesht jam krenar për veprimin që NATO ndërmori atëherë për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë”, thotë ai.

“Operacioni për të ndalur katastrofën humanitare që po shpalosej atëherë në Kosovë kishte mbetur opsioni i fundit pasi rrugët diplomatike ishin shteruar”, shton ai.

Kur Clark dha urdhrat e parë, ndërhyrja humanitare nuk ishte diçka që kishte shembuj dhe histori. Megjithatë, në këndvështrimin e tij, intervenimi humanitar në parimin e së drejtës ndërkombëtare “ishte një gjë e pashmangshme dhe me kosto të ulët njerëzore”.

Gjatë 78 ditëve të operacionit që drejtoi Clark, avionët e aleancës, në atë kohë 19 anëtarëshe, kryen 10,484 sulme ndaj objektivave ushtarake e policore dhe infrastrukturës tjetër në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.

Në muzetë ushtarakë si ai që drejton gjenerali britanik, po ashtu në pension, Adrian Freer, fotografitë e intervenimit të NATO-s kanë një përshkrim të shkurtër të asaj që do të debatohet për shumë kohë.

Freer ishte komandant i Brigadës së 5-të Ajrore dhe ishte ngarkuar të negocionte me rusët për Aeroportin e Prishtinës. Brigadieri Freer do të ishte ndër të parët ushtarakë që do të shfaqte mospajtimet mes komandantëve dhe “ndarje e paqartësi”.  

Në javën e fundit të marsit, Rusia dy herë dështoi në përpjekjet për të përfshirë në rend dite diskutimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ndërhyrjen e NATO-s ndaj ish Jugosllavisë, duke paralajmëruar se trojka perëndimore nuk ka për të mundur ta refuzojë këtë debat pafundësisht.

Paul Gibson, një tjetër ushtarak britanik që kishte urdhër të ballafaqohej me kontingjentin rus, që kishte mbërritur nga Bosnja në Aeroportin e Prishtinës, kujton se jo vetëm moti ishte i nxehtë atë ditë por edhe e tërë atmosfera para dislokimit të këmbësorisë.

Koloneli Gibson, gjithashtu në pension, në atë kohë ishte komandant i Batalionit të Parë të Regjimentit Parashutist që kishte marrë urdhër të hynte në Kosovë. Ai thotë se më 12 qershor ndryshuan njëqind vjet histori. “Ishte një moment i tensionuar, i paharrueshëm”, kujton ai duke iu referuar urdhrit që të niseshin në aeroport për t’u ballafaquar me kontingjentin rus.

Ishte dita kur NATO nuk po dislokohej me aq lehtësi pasi trupat ruse, aleate të Serbisë, kishin mbërritur në aeroport. Duke i ikur një konfrontimi, NATO shmangu atë që gjenerali britanik Mike Jackson e kishte paralajmëruar se mund të nxiste një luftë të tretë botërore.

Kur Gibson zbriti në Prishtinë muzgun e 12 qershorit njerëzit kishin dalë në rrugë duke i përshëndetur dhe duke u dhënë lule trupave të NATO-s. “Ishte një ndjenjë që ne kishim bërë diçka të mirë për ata njerëz. Një shërbim për paqen”.

Por turmat e gëzuara nëpër rrugët e Kosovës kaluan “pa shumë vëmendje” për të, njëjtë edhe pjesëtarët e gueriles, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Freer dhe Gibson gjithashtu kujtojnë kohën kur forcat serbe po tërhiqeshin dhe kishte shumë plaçkitje pronash dhe sulme ndaj civilëve serbë e romë.

Shefi i tyre, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Traktatit Veri-Atlantik, diplomati spanjoll, Javier Solana, atë mbrëmje do ta quante operacionin e forcave aleate një “kontribut tejet të guximshëm në kauzën e paqes dhe sigurisë për gjithë popullin e Kosovës”.

Por në Prishtinë gjenerali Freer kishte sërish probleme me zinxhirin komandues. “Ushtarët në Prishtinë po patrullonin në një vakum që zgjati për disa ditë. Kishte vazhdimisht ndryshim urdhrash dhe huti”, thotë ai. “Kjo kishte një efekt deri diku të dëmshëm në moral”.


Serbeze Haxhiaj është gazetare hulumtuese dhe redaktore e lajmeve në Prishtinë, Kosovë, e cila e ka fokusin tek korrupsioni, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë, ekstremizmi fetar, terrorizmi dhe krimet e luftës. Aktualisht ajo është redatore pranë Radio Televizionit të Kosovës dhe gazetare e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).