“Nëse maron me kërrabëza, s’të kërset pushka n’luftë”

Ekspozita e Zgjim Zybës si ngacmim i kujtesës dhe burrërisë në luftë

Në katin e gjashtë të hotelit “Grand” në Prishtinë mbizotërojnë tinguj të gjetheve edhe ujit sikur rrjedh nga burime të malit. Katër hapësira strehojnë pjesë të ekspozitës “Shpesh e shoh një ëndërr, në të cilën e dua botën” të artistit bashkëkohor, Zgjim Zyba. 

Objekti më identifikues i kësaj ekspozite janë mbulesat, apo siç quhen në kujtesën e shumë njerëzve: çebet e ndihmave, rreth 130 të tilla, të cilat Zyba i ka mbledhur nëpër vende të ndryshme të Kosovës përgjatë këtij viti. Këto çebe u janë dhënë në përdorim kosovarëve si donacion nga organizatat ndërkombëtare, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Për Zybën, 32-vjeçar, këto çebe, të gjitha të hirta, që “e irritojnë trupin”, për shkak të materialit të tyre të vrazhdë, bartin në vete ngarkesën e së kaluarës traumatike të kosovarëve gjatë luftës. Vizitorët/et e ekspozitës, përderisa i shohin ato të grumbulluara e të shtypura vende-vende me shtylla të ndërtuara nga dylli i qirinjve, njëherit përshkojnë njëfarë gjeografie të traumës së luftës në Kosovë.

“Çeben e kam përdorë si urë lidhëse mes asaj çka ka ndodhë dhe asaj që jemi si shoqni”, thotë Zyba. “Ajo më lidhë me mënyrën se qysh unë e shoh kolektivin, qysh i shoh traumat e mia personale e edhe ato kolektive, me qysh e perceptoj atë se kush e shkakton luftën dhe kush e rrëfen luftën”. 

Kjo vetëdije e tij për realitetin kosovar socio-politik është krijuar mbi një sistem të tërë të vetëmbrojtjes, të cilin Zybës i është dashtur ta krijojë për veten qysh kur ka qenë fëmijë. 

“Kur njeriu është pesë vjet, zakonisht din me fol, e din gjuhën, e din kush janë anëtarët e familjes, e din cila është shpia e vet, kujna i përket”, thotë ai, “e ki nifarë vetëdije, e din çka është mbrojtja e çka është rreziku”.  

Në vend se fëmijëria e tij të ndërtohej në liri, duke e manifestuar kuriozitetin ndaj botës, ajo u formësua nën një sistem okupimi, nga frika prej vdekjes. “Në vend se me qenë kurioz mbi jetën, ti je kurioz për mbrojtjen e jetës, sepse tek krytë e ki luftën, e ki armikun”.

Kjo ndërprerje e dhunshme e fëmijërisë së tij u bë më vonë një nga cytjet kryesore të krijimtarisë së tij artistike. Sot, Zyba krijon vepra artistike krejt jo-konvencionale, me anë të së cilave tenton të ndërthur kujtesën individuale e kolektive për traumat e luftës, duke vënë në pah po ashtu përjetimet e grave dhe personave queer gjatë luftës

Zyba prek dhe provokon dukshëm konceptin e burrërisë e të heroizmit, të ndërtuar në raport me luftën në Kosovë, duke përdorur çebet, kërrabëzat dhe ninullat për të sfiduar narrativat dominuese historike, ato të cilat studiuesja e trashëgimisë dhe muzeve, Laurajane Smith tek libri i saj “Uses of Heritage” i quan “Narrativa të burrave të mëdhenj” apo të “heronjve të mëdhenj”. Sipas Smith, ato narrativa ngadhënjejnë në historinë zyrtare e nuk lënë vend për dukshmërinë e rrëfimeve të njerëzve të zakonshëm në lidhje me trashëgiminë e errët të luftës.

Ekspozita e tij, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nga Fondacioni Hajde, organizatë kulturore jofitimprurëse, që mbështet skenën e artit në Kosovë, po qëndron e hapur për publikun nga data 23 prill deri më 22 korrik 2026. Kjo ekspozitë, e kuruar nga kuratorja e mirënjohur turke, Övül Ö. Durmuşoğlu dhe e realizuar në një bashkëpunim të përafërt ekipor me bashkëproducentët Dardan Hoti dhe Lendita Idrizi, nga Fondacioni Hajde, është rezultat i një procesi katër-vjeçar të punës hulumtuese të Zybës. 

Ama në të vërtetë, rrënjët e kësaj ekspozite shtrihen akoma më herët, në fëmijërinë e tij në Bukosh të Suharekës dhe në mënyrën se si kujtimet për luftën i ndihmuan të ndërtojë botëkuptimin rreth trupit, identitetit dhe traumës. 

Çebet si bartëse të traumës, në kohë dhe hapësirë

Në dhomën e parë të ekspozitës, vizitorët/et përballen me një hapësirë të ndriçuar fort, ku qëndron shtylla e parë e mbështjellë me çebe. Për Zybën, kjo hapësirë funksionon si pikënisja emocionale dhe konceptuale e gjithë ekspozitës, sepse aty ndodhen të grumbulluara çebet e familjes së tij, të cilat fillimisht i kishte ekspozuar në vitin 2022, në Venedik, në kuadër të një rezidence, të cilën Zyba e kishte fituar nga komuna e Venedikut dhe fondacionit Bevilaqua la Masa në Itali. 

Atë ekspozitë, të bazuar në kujtesën e nënës dhe familjes së tij, ai e konsideron si ngjizje të ekspozitës “Shpesh e shoh një ëndërr, në të cilën e dua botën”. 

Ndërsa ekspozita e tanishme është e mbushur me shtylla dhe struktura të zhveshura ndërtimore, për përdorimin e të cilave, Zyba thotë se është frymëzuar prej pamjes nga kati i gjashtë i “Grandit”. Nga aty, ambientet kolektive të qytetit, sipas tij, iu ngjajnë proceseve të rindërtimit dhe riorganizimit të jetës në Kosovë pas luftës.

Shtyllat, Zyba i ka veshur me dyll të qirinjve, duke i lidhur ato me mënyrën se si familjet shqiptare i kanë përdorur qirinjtë gjatë luftës për të bërë dritë, përderisa i mbulonin dritaret me çebe, për të mos u zbuluar nga ushtria serbe gjatë natës. 

“Qirinjtë edhe çebet, e reflektojnë traumën për të cilën ende duhet të reflektojmë e ta përpunojmë, kolektivisht si dhe reziliencën për të përballuar atë”, thotë Zyba.

Prej dhomës së parë, të cilën Zyba e sheh si reflektim të kujtesës individuale të tij, ekspozita na shpie në një hapësirë më të madhe, të cilën Zyba e quan përfaqësim të kujtesës kolektive. Këtu, si rezultat i hulumtimit të tij, ai e ka shumëfishuar numrin e çebeve të mbledhura, duke e shndërruar hapësirën në një arkiv kolektiv të kujtesës së luftës, të organizuar sipas rajoneve dhe itinerareve të zhvendosjes së shqiptarëve, të cilët janë strehuar nëpër fshatra, gjatë luftës në Kosovë.

Përgjatë gjithë ekspozitës, e me theks në hapësirat ku janë të vendosura çebet, për të kujtuar pikërisht këto zhvendosje dhe ikje, tingulli funksionon si një shtresë tjetër kujtese. Në bashkëpunim me kompozitorin dhe dizajnerin e zërit, Dren Suldashin, Zyba ndërton një peizazh zanor të bazuar në tingujt e natyrës: frymëmarrje, gjethe, ecje, kërcitje.

“Kthimi i shqiptarëve në Kosovë, qysh kanë kalu prej malit në mal… fryma, ecja në gjethe, kërcyjtë. Krejt këto kanë shërby si udhërrëfyese për njerëzit në luftë, maleve” thotë ai.

Para se të realizonte ekspozitën, në fillim të vitit 2026, Zyba kishte shpërndarë një thirrje publike në rrjetet e tij sociale, përmes miqve, e Fondacionit Hajde po ashtu, ku bënte thirrje për njerëzit që dëshironin t’i ndanin me të çebet e ruajtura prej luftës. 

Gjatë muajve të parë të këtij viti, Zyba kishte takuar po ashtu profesorë të historisë, nxënës dhe kishte vizituar shkolla fillore, në të cilat e kishte shpërndarë fjalën se po kërkonte të mbledhte çebe të tilla. Kishte hasur në një zell të pashembullt të njerëzve, të cilët mezi prisnin të bashkëpunonin me të, në aspektin e sigurimit të çebeve, nga plot anë të Kosovës. 

Në këtë mënyrë, ai, pos që kishte siguruar çebet për ekspozitën e tij, kishte arritur të niste edhe diskutime të shumta mbi kuptimin e tyre, në shkollat dhe qytetet në të cilat kishte hulumtuar, për mënyrat se si flitet dhe kujtohet lufta.

“Çebet shumëfishohen si mënyrë e të shprehurit”, thotë ai, “tuj i marrë parasysh vendet e Kosovës nga të cilat ato janë ruajtur, si stacione në aspektin gjeografik”.

Çebet, veç e veç bartin nënhistori të ndryshme. Dy shtylla të mëdha bashkohen me njëra-tjetrën vertikalisht, duke mbajtur në mes tri çebe të dhuruara nga një grua nga Krusha e Madhe, të cilës, gjatë luftës i janë vrarë burri, kunati dhe vjehrri.

Zyba vendosi që tri çebet e saj të qëndronin në një shtyllë të vetme, si njësi e ndarë emocionale brenda ekspozitës. “Kam pasë një lidhje tejet të madhe emocionale me këtë grua”, thotë ai. “S’kam dashtë me ia ngacmu traumat e saj, prandaj, marrëdhënia jonë është bazu në një bashkëbisedim të sinqertë e të sigurt, përmes së cilit ia kam respektu kujtesën e saj”.

Në një qosh të kësaj hapësire, qëndron një çebe tjetër e lënë krejtësisht vetëm, e shtrirë dhe e braktisur në hapësirë. Për Zybën, ajo çebe përfaqëson mënyrën se si shumë objekte u gjetën pas kthimit nga lufta: të hedhura nëpër oborre, të mbuluara me naftë apo gaz, të ripërdorura për funksione krejtësisht tjera, komplet të shkëputura nga e kaluara e dhimbshme.

Duke naviguar nëpërmjet hapësirave të ekspozitës, Zyba reflekton edhe mbi mungesën e infrastrukturës institucionale për trajtimin e traumës në Kosovën e pasluftës.

Sipas tij, ndihma pas luftës është përqendruar kryesisht në rindërtimin fizik: “Ndihmë ka pasë veç për aspekte ndërtimore, materiale arkitekturore”, thotë ai, “e asnihere për ndihmë që merret me mendjen edhe trupat tanë”.

Pyetjes se pse shumë familje i kanë ruajtur çebet për më shumë se dy dekada, ai i përgjigjet duke folur për frikën si gjendje që vazhdon edhe pas luftës. 

“Nashta mundet me ndodhë prapë”, kujton ai fjalët e një familjeje, që i kishte dhuruar 11 çebe të ruajtura, pothuajse të papërdorura që nga lufta. “Thojshin: ‘s’i dihet kurrë’”.

Thurja si rezistencë

Prej ecjes nëpër kolektiven, ekspozita e Zybës na shpie në dhomën e tretë, e cila paraqet një nga hapësirat më personale të ekspozitës, të bazuar në kujtesën e tij intime, pikën lidhëse të identitetit të tij si burrë queer me narrativat mbizotëruese mbi luftën. 

Kërrabëzat janë pikënisje e mënyrës se si Zyba e ndërlidh identitetin e vet gjinor me rrëfimet për luftën. Si fëmijë, ai kujton se kishte pasur një kureshtje estetike ndaj mënyrës se si gratë e familjes së tij, specifikisht, stërgjyshja e tij punonte me kërrabëza. Mirëpo, kur kishte shfaqur interes të mësonte të punonte me to, ai kujton që stërgjyshja e vet t’i ketë thënë: “Nëse mësohesh me maru me kërrabza nuk t’kërset pushka n’luftë”. 

Në këtë fjali, Zyba prej të tashmes e në retrospektivë e sheh gjithë arkitekturën e patriarkatit në Kosovën e pasluftës, ndarjen gjinore të punës, glorifikimin e luftëtarëve burra dhe përpjekjen për disiplinim të çdo sjelljeje që konsiderohet si devijim nga norma dhe maskuliniteti, përfshirë këtu qëndisjen.

“Unë nuk e kam ditë në fillim pse s’guxoj me maru me kërrabza”, thotë Zyba. Mirëpo, më vonë, ai fillon ta kuptojë këtë fjali. “E kuptoj se është një frazë trekëndësh, që e vë në pytje artin, burrin edhe luftën”, duke iu referuar mënyrës se si një frazë e tillë, e riprodhuar në aspektin kulturor e gjinor, ka mundësi të ketë aq shumë peshë, sa të ndikojë në tri aspekte: stilin artistik të një personi, procesin e të kujtuarit e po ashtu edhe të të identifikuarit si burrë brenda një shoqërie patriarkale.

Si simbol të kësaj kujtese, Zyba ka vendosur përballë njëra-tjetrës dy objekte krejt të kundërta në domethënie: një pushkë AK-47 të mbështjellur me një mbulesë të punuar me kërrabëza përballë një çebeje të punuar me dorë, me motive të shputave të tij të foshnjërisë.

Kjo pjesë e ekspozitës reflekton mbi mënyrën se si rolet gjinore dhe koncepti i burrërisë janë ndërtuar në Kosovën e pasluftës. “Si një mashkull e din prej kur lind qysh duhet me u mbrojtë,” thotë ai. “Mbrojtja vjen me një pushkë”.

Mirëpo, ai nuk ndalet me kaq, sepse përsiatet ta transformojë botëkuptimin burrëror të kësaj arme, duke e mveshur atë me material të thurrur nga disa gra rrobaqepëse, të shoqatës së grave “Fortis” në Kosovë, me të cilat Zyba thotë se ka bashkëpunuar, duke e përshkruar punën me to si një aspekt tejet përmbushës të ekspozitës. 

Zyba e bën këtë qëllimisht, duke dashur të provokojë portretizimin e maskulinitetit Kosovar, të ndërtuar mbi konceptin e forcës dhe dhunës përmes një arme, duke e mveshur atë me praktikën e thurrjes, e cila tradicionalisht është konsideruar si praktikë femërore.

Përmes kësaj ndërthurrjeje të simboleve, Zyba sfidon teorinë mbizotëruese përmes së cilës mbrojtja dhe rezistenca në kohë lufte mund të ekzistojnë vetëm nëse manifestohen përmes armës apo maskulinitetit militarist. Ai përpiqet të bëjë vend për rrëfimet e përjetimeve të luftës, nga burra të cilët nuk identifikohen me këtë lloj të maskulinitetit, apo me asnjë lloj tipik të tijin, në fakt. 

“Unë tentoj me i dhanë kthesë tjetër këtyre narrativave”, thotë Zyba. Për më tepër, transformimi simbolik i këtyre elementeve përfaqësuese të heroizmit e burrërisë, bëhet shkas për ngritjen e diskutimit mbi përjetimet e luftës e të pasluftës, së burrave e grave, personave queer, të cilët nuk janë ndierë sikur përkasin brenda kornizave të binaritetit gjinor e seksual në Kosovë.

Përballë armës qëndron çebja me motive të shputave të këmbëve të foshnjeve, të cilat u përngjajnë shputave të punuara nga stërgjyshja e tij kur ai ishte lindur. “Kam vendosë me kriju të njëjtën ngrohtësi shpirtërore të cilën ajo ma ka dhanë në atë kohë. Po të njëjtat shputa, nana ia ka mbathë edhe motrës, e cilat ka lind në periudhë të luftës”, thotë ai.

Ai vë re se njërës prej shputave, të cilat i ka portretizuar në çebe, i mungonte lidhësja. “Nana  më thotë se mungesa e lidhëseve në njërën prej shputave, gjithmonë i kujton se qysh gjatë luftës, dikush ia ka dalë mu kthy në shpi, dikush s’u kthy kurrë”.

Në dhomën e fundit të ekspozitës, Zyba prezanton dy kërrabëza të mëdha alumini, të cilat i përshkruan si ekzagjerim të përmasave të kërrabëzave tradicionale të thurjes. Ai i sheh ato si një formë tjetër arme, jo për luftë, por për mbrojtje dhe rindërtim.

“Një armë e re e mbrojtjes”, thotë ai, “në shenjë nderimi të grave, të cilat e kanë pasë durimin edhe kanë qenë funksioni kryesor i riorganizimit të komunitetit pas luftës në Kosovë”.

Përmes tyre, ai përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga narrativat heroike të luftës drejt punës së padukshme emocionale dhe fizike të grave në periudhën e pasluftës.

“Sa shumë gra ende e vujnë shprehjen e tyre emocionale”, thotë ai.

Për të, edhe qëndisja, e edhe thurja nuk janë vetëm praktika estetike apo zanate tradicionale, por histori të punës gjinore dhe të ndarjes patriarkale të roleve. 

Ky rikonceptim i kërrabëzave dhe punës së dorës si mjete të rezistencës gjen një rezonancë të fuqishme në librin e studiuesit Joseph McBrinn, “Queering the Subversive Stitch: Men and the Culture of Needlework”, të cilës i referohet Zyba disa herë në aspektin teorik. Në këtë libër, McBrinn dokumenton historikisht se si tekstilet dhe qepja janë përdorur si hapësira subversive për të sfiduar normat strikte gjinore dhe për të shëruar traumat kolektive në momente krizash e luftërash. 

Duke zhvendosur vëmendjen nga narrativat e mëdha mbi hipermaskulinitetin gjatë konflikteve, ashtu siç bën Zyba në ekspozitën e tij, libri argumenton se puna me lëmshe e kërrabëza shpesh ka shërbyer si një terren alternativ i shprehjes politike për subjektet historikisht të margjinalizuara, përfshirë personat queer dhe gratë. Ai thekson se ky zanat, nëpër kontekste të shumta politike, ka ditur të kthehet në një mjet për të përballuar heshtjen emocionale dhe për të dokumentuar përjetimet traumatike të cilat historiografia zyrtare tenton t’i fshijë.

Në kontekstin e kujtesës kolektive në Kosovë, përvetësimi i këtyre praktikave tradicionalisht të gjinorëzuara merr një dimension të dyfishtë çlirues. Nga njëra anë, siç vëren McBrinn, puna e dorës portretizohet si instrument i ndarjes patriarkale të roleve gjinore, ku grave u përcaktohej kontributi brenda “sferave intime” apo të padukshme të shtëpisë. Mirëpo, nga ana tjetër, kur një artist queer rrit përmasat e kërrabëzave dhe i quan ato “armë të mbrojtjes”, ai e zhvesh thurrjen nga roli pasiv dhe po e shndërron në një akt politik të forcës së grave. Në këtë mënyrë, Zyba na thotë se thurja nuk është thjesht praktikë estetike, por se ajo shërben edhe si dëshmi materiale e riorganizimit shpirtëror dhe shoqëror.

Në fund të ekspozitës së Zybës, vizitorët/et mbeten me ndjesi të çuditshme, sikur të kenë kaluar nëpër një kujtesë, aq individuale sa edhe kolektive, që nuk i përket vetëm dikujt, por gjithkujt. Një mindil qëndron i varur, çka shënon edhe përfundimin e ekspozitës, i thurur me një ninullë të botuar nga Insituti Albanologjik i Prishtinës në vitin 1982. 

Ninulla “Krisi pushka, kristë e bardhë”, e cila i gëzohet lindjes së një djali, përmbledh peshën e maskulinitetit shqiptar, që iu atribuohet burrave qysh nga momenti i lindjes. Njëherit, mindili, siç thotë Zyba, është edhe simbol i procesit hulumtues të tij në kohë reale, meqë ninulla dhe mindili janë detajet, të cilat ai ia ka bashkangjitë ekspozitës kah procesi i finalizimit të saj.

Mes çebeve të varura, dyllit që rrjedh mbi shtylla, tingujve të gjetheve dhe armës së thurur me kërrabëza, lufta nuk shfaqet më si një rrëfim monumental heroizmi, por si një përvojë e trupit e mendjes.

“Shpesh e shoh një ëndërr, në të cilën e dua botën”, nuk është vetëm një ekspozitë për luftën në Kosovë. Është një përpjekje për ta rrëfyer luftën ndryshe, prej atyre trupave që zakonisht mbesin jashtë narrativës heroike: grave, fëmijëve, personave queer, kujtesës emocionale dhe punës së padukshme për mbijetesë. 

Ndoshta prandaj ekspozita e tij nuk të lë me ndjesinë e mbylljes. Përkundrazi, të lë me përshtypjen se trauma nuk përfundon kurrë plotësisht, por mund të transformohet përmes kujtesës, artit dhe rrëfimit kolektiv. Në hapësirat e “Grandit”, mes shtyllave të mbështjella me çebe, Zyba duket sikur kërkon pikërisht këtë: jo ta zhdukë dhimbjen, por ta bëjë të mundur që ajo të bëhet më e përballueshme kur mbahet mend bashkë, të shihet, të ndahet dhe më në fund, ndoshta, të kuptohet.

Imazhi i ballinës: Fondacioni Hajde

Valmira Rashiti ka përfunduar studimet bachelor në fakultetin juridik, Universiteti i Prishtinës dhe në antropologji kulturore, në fakultetin filozofik të UP-së.

Ky artikull është botuar edhe në Kosovo 2.0.